Linde dashurinë, përmbyte qindra qytetërime

0
600

Vështrim kritik mbi vëllimin poetik “Dëshirë përsosmërie “ të autores Gladiola Busulla Jorbus

Poezi më tepër intime që rezonojnë me një gjuhë shprehëse,pa labirinte mendimi.
Psikologjia e të riut përthyer me qëndrimin ndaj dashurisë, ndjenjës
më njerëzore, më të thellë dhe fisnike. Në tërësinë e tyre poezitë janë apoteozë e dashurisë.
Poezia e pasqyron këtë ndjenjë në një diapazon e regjistër të gjerë, të hapur,me uljet e ngritjet e saj, me luhatjet e drithërimat e shpirtit njerëzor;me gëzimin, shpresën, lumturinë, mallëngjimin, besimin, por edhe pritjen, ankthin, shqetësimin, melankolinë, mospërfilljen, indiferentizmin, vetëmohimin e nënshtrimin: një kompleksitet i vërtetë ndjenjash, shpesh edhe të kundërta. Gjithsesi, dashuria pikturohet e fuqishme, e sinqertë, e ndritur.
Te “Zemrat fisnike” theksohet se“dashurohen, gëzohen, brengosen e falin njëri-tjetrin”.
Tek “E çuditshme” thuhet se “vonë e kuptova, sot dashuria më mundi”.
Ku e gjen frymëzimin, kjo qenie e çuditshme që quhet poet? – pyet Frojdi.
Për të gjithë artistët burim frymëzimi mbeten e madhërishmja, e bukura, tragjikja etj.
Te “Je kaq I bukur”, poetesha shprehet “Në kujtesën time, portretin tënd kam skalitur”. Frojdi thotë: “Njerëzit e lumtur nuk fantazojnë kurrë, këtë e bëjnë vetëm të pakënaqurit”. Forcat tërheqëse të fantazive janë dëshirat e paplotësuara. Pushkini e quan poetin “artist të pakënaqur”. Tone krejtësisht fataliste e hapin vëllimin,me poezinë “Pa titull”. Aty nënvizohen mëkati, cinizmi, ligësia, pandjeshmëria,- si reflekse të tragjikes. Fatalizëm e pesimizëm nënvizon titulli “Balada e zvetënimit”.
Dashuria jepet edhe si një ndjenjë që demonët sfidoi,por që ndërthuret me shpresën gënjeshtare te
“Shpresa”,me nënshtrimin te poezia “Bëhu zot i jetës sime”. Mbeten të paharruara vargje të tilla si: …për ndjenjën time zgjodha largimin; …ti je liria që burgos shpirtin;…po të braktis duke tëdashur aq shumë;…të të mbaj në zemër apo të të harroj;…të dashuroj duke të dashur aq fort etj.
Siç duket nga këto citime, ndër figurat preferohet më shumë kontrasti, në mjaft raste I guximshëm, pasi mund të lërë shteg për interpretime të diskutueshme – zjarri në akull/ dekja e bardhë. Tek
poezia “Të vdekurit nuk kanë nevojë për dashuri” bart nëntekstin domethënës, se njerëzit për sa jetojnë duhet të rrezatojnë dashuri, ndjeshmëri e respekt për njëri-tjetrin. Ka poezi ku ndërthuren bukur shprehje metaforike si” Dashuria dhe urrejtja për ty, më rrjedhin në damarë si jeta, si gjaku…”; apo hiperbola “ Ti je oqean ku përmbyten ishuj të tërë ëndrrash …”.
Të shpeshta gjithashtu  janë edhe përmasat hiperbolike “ dënesa ime mbytëse, Olimpin trishton”.
Tek “Pa ty”, ….zemra harron të rrahë/universi ndalet/ ti nuk je pranë meje/por me ty, unë jam. Te “Pafundësisht liri”…Mërkuri i Botiçelit përkund retë/universi më njeh/hap krahët/pafundësisht liri.
Te “Dritë hyjnore”…- Dritë hyjnore që zbret nga empiri dantesk/iluminon shpirtrat tanë…ose Para teje i madhërishëm/shpaloset/ylberi i jetës.
Në marrëdhëniet dashurore, poetesha godet tiparet negative, jo humane. Te “Konkuistador” goditet egoizmi: – Me ty ka vetëm unë/ nuk ka kurrë ne. Te “Zemra ime” goditet indiferenca; te”Trëndafila të kuq” – goditet hipokrizia; tek “Emra mbi rërë”- goditet pabesia: Përse luan me çdo emër/pas secilit rreh një zemër. Në disa poezi nënvizohet humanizmi, ngrihen lart vlerat pozitive të personalitetit njerëzor. Te “Fitova vetveten” thuhet – Kur t’u afrova/të humba ty/fitova vetveten. Ndërsa te “Jeto” – Mos ngri barrier/unë I thur himn lirisë.
Tek “Epokë dhe histori” – Me fjalë të vrazhda, që lëndojnë/ e përmbylle këtë dashuri/premtove epokë/ishte histori. Në këtë poezi dhe në të tjera si “Lamtumira” – një dashuri u shua/por dashuria s’vdiq, ngrihet ideja se ndarja nuk përbën tragjedi; jeta vazhdon. Simbolet, epitetet, reminishencat klasike, figurat femërore i japin vargut bukuri, gjallëri, forcë. Përgjithësisht arsyeja e ndjenja janë në harmoni, frymëzimi nuk bie ndesh me logjikën. Ka mjaft poezi të tjera si psh: “Kushtuar shoqeve të mia” – sa kujtime fort na lidhin/sa shumë gjëra njëlloj i dimë. Apo poezia “Nënës”- në gjunjë i përulem unë nënë/monumentit tënd tjeshtësi/qëkur më solle në këtë botë/vetëm për mua jeton ti. Gëte shprehej se forca ime qëndron te lidhja me nënën time. Nëse një njeri ka marrë të gjithë dashurinë e nënës, atëherë ai ruan gjithnjë një ndjenjë triumfi, që jo rrallë i sjell vërtet sukses.
E bukura, e madhërishmja shpesh ndërthuren jo vetëm në përshkrimin e ndjenjës së dashurisë, por edhe në përshkrimet e natyrës etj. Te “Det i bruztë”- Afërditën krijove/linde dashurinë/ përmbyte qindar qytetërime… Disa poezi krijojnë analogji dhe na kujtojnë me poetët e mëdhenj kombëtarë si De Radën: Dhe këtë natë gjumi s’më merr/agimi zgjon një mall të ri; Lasgushin- Dielli përgjumej i lumtur/nën pëshpërima dashurie; Naim Frashërin (Bukuria)– në poezinë “Merre frymën time/në ke nevojë për të /merre ti i dashur/se s’më duhet më….Për ty jetën, shpirtin do të kisha humbur…
Autorja Gladiola Busulla është një zë origjinal, i dukshëm dhe premtues që hapin e parë në botën e madhe e të bukur të poezisë, e ka kryer me këmbën e djathtë.

Nga: Shpëtim Kodra


PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.