Nga krijimtaria letrare dhe, përgjithësisht, nga krijimtaria artistike, më së shumti “prodhohet” poezia! Kemi mijëra poetë e miliona poezi! Kritika mbi këtë “prodhimtari letrare” është cirkusante. Kritikët më tepër merren me personalitetin e poetit, me karakterin e tij dhe, dy-tri fjalë i thonë edhe për poezinë, pa i hyrë në esencë, pa treguar nëse ajo poezi është krijuar, është bërë, apo është shkruar! Sepse, nëse i futen kësaj pune, atëherë do të duhet të tregojnë se a kemi poezi, si krijim artistik, apo nuk kemi, a kemi poetë apo kemi (për)shkrues të poezisë dhe, për pasojë do të kishim më pak “manifestime poetike”, si rrjedhojë edhe më pak “kritikë” të ftuar nëpër ngjarje ku arrijnë kulmin e kënaqësisë duke hëngër ndonjë kikirik, shoqëruar me ndonjë gotë verë e duke fjetur gjumë të dehur.
Pra, poezia krijohet! Poeti, që nga zanafilla e vet, ka një atribut të Zotit dhe quhet krijues. Zoti krijoi njeriun dhe gjithçka në tokë! Zoti krijoi gjithësinë! Zoti nuk e bëri njeriun, as nuk e vizatoi! Ai e krijoi! Edhe poezia është krijim i krijuesit letrar! Poezia as nuk bëhet dhe as nuk shkruhet! Poezia e kalon edhe këtë proces. Shkrimi është proces teknik, nuk është krijim! Edhe bërja është proces teknik.
Fatkeqësisht, së fundmi kemi “poetë” të cilët gjithnjë e më shumë po e bëjnë, po e shkruajnë poezinë. Nuk po e krijojnë (sepse duhet të jenë krijues), por po e shkruajnë. Pra, poezinë po e kalojnë vetëm nëpër procesin e shkrimit. “E bana një poezi të mirë”! “E shkrova një poezi për festival”! Edhe poezia e shkruar e ka diku krijuesin e vet origjinal. Në sirtarin e ndërdijes të atij që e shkruan janë palosur mijëra vargje “anonime”! Dhe kur mediokri ulet për ta shkruar poezinë i vlon truri, në fakt i vlojnë vargjet në sirtar të trurit dhe, në momentin që ai vlim shpërthen e fillon të rrjedhë, mediokri thotë, më erdhi frymëzimi dhe vargjet e gatshme rrjedhin lumë. Ata nuk shkruajnë pa ju ardhur frymëzimi (kjo dëshmon se ata kanë nevojë për një nxitës, për një mekanizëm, qoftë ky edhe fiktiv, sepse ata nuk janë krijues)! Prandaj na ndodhë shumë shpesh që të hasim vargje në një poezi, të cilën e kemi lexuar më herët në ndonjë poezi tjetër, madje, fatkeqësisht lexojmë edhe strofa e poezi të tërë të shkruar nga një “autor” ndonëse asaj strofe apo asaj poezie ia njohim me emër e mbiemër krijuesin!
Krijuesi nuk pret që t’i vije frymëzimi (muza), sepse ai e di misionin e vet – duhet të frymëzojë gjenerata të reja krijuesish. Krijuesi ka nevojë për mëkëmbësit e vetë nëpër kohë! Këta që e shkruajnë poezinë janë si “gjuetarët e floririt” në hapësira të huaja!
Çka i duhet krijuesit të mirëfilltë! Nëse gjatë procesit të krijimit si qenie njerëzore Zoti nuk ia ka ngritur edhe laboratorin poetik-estetik, atëherë nuk i duhet asgjë tjetër. Mund ta shkruajë poezinë si mijëra poetë të tjerë!
Krijuesi i mirëfilltë fillimisht poezinë e krijon në laboratorin poetik-estetik të shpirtit, dhe pastaj e kalon në procesin teknik të të shkruarit që si afinitet lindi mijëra vite pas kujtesës, mbamendjes! Nga ky laborator nuk del poezia pa e marrë edhe një copë shpirti të krijuesit. Është momenti më i trishtë, që dhemb shumë, që shqetëson shumë, që të rraskapitë së tepërmi por që i jep krah fuqisë krijuese, sepse sapo të nisë krijimi i poezisë së re, sakaq shpirti shërohet dhe sërish bëhet solemnisht i gatshëm për dhimbje të reja. Këtu qëndron madhështorja e poezisë si krijim, ndërsa këtë proces ciklik të krijimit mund ta përballojë vetëm krijuesi letrar. Imituesi, mediokri e shkruan poezinë, sepse nuk e ka fuqinë krijuese.
Poeti i mirëfilltë nuk do epitete të hyjnishme, por ama, të paktën, duhet të vlerësohet si Mjeshtër i Madh i Fjalës së Bukur! Epitet ky që i përket vetëm Krijuesit të Poezisë. /HEJZA/