LIBRI/JANI MALO “LAKURIQ”

0
35
Në stendën e shtëpisë botuese “NERAIDA”, në pavionet e panairit të librit, në mes titujve të librave të rinj, lexuesi do të gjejë edhe vëllimin me tregime “LAKURIQ”, të shkrimtarit Jani Malo. Faqet e këtij libri mbajnë brenda tyre 22 tregime, siç shkruan vetë autori në faqen e parë, të gjitha “mbathur me humor”. Një gjini letrare që kohët e fundit ka “humbur” nga sytë e lexuesve.
Jani Malo, falë përvojës së gjatë gazetareske, por edhe aftësisë për të zotëruar e përdorur “shpatën” e humorit”, e cila të “vret” e të “pret”, pa derdhur gjak, ka arritur të na japë një libër tërheqës në të lexuar e domethënës në të menduar, që na kujton fjalët e poetit, kritikut e dramaturgut amerikan, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 1948, Thomas Eliot, se: “Humorizmi është mënyra më e mirë për të thënë gjëra serioze”.
Në tregimet e Jani Malos, fshikullohen vese e dobësi të karaktereve njerëzore me të cilat ndeshemi çdo ditë në kohën që jetojmë, problematika e anë negative që janë kthyer në një plagë shoqërore, e cila duhet mjekuar e shëruar për ta shpëtuar shoqërinë nga degradimi moral. Gjithçka e shprehur me humor, ironi e sarkazëm, larg shprehjeve banale, të cilat na i servirin me shumicë në kohën e sotme pseudohumoristët e ekraneve televizive.
Merita e autorit, Jani Malo, qëndron në faktin se ai nuk tregon barcaleta, por thjesht vëzhgon realitetin dhe i thotë gjërat ashtu siç janë, “Lakuriq”, duke na bërë të reflektojmë e të mendojmë për të gjetur rrugët drejt së mirës nëpërmjet luftës ndaj së keqes, siç thotë edhe shkrimtari Mark Levy: “Humori është mënyra më e mirë për të neutralizuar realitetin kur ai na bie ndesh”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.