“GUERILASIT” – Vepër e Skulptorit të Merituar Kristaq Rama.
Kjo skulpturë në bronz u inagurua në Korçë në prag të Kongresit të 8-të të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë
Lufta Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare ka qenë jo vetëm vazhdim i luftrave të tjera që ka bërë populli ynë, por edhe më e madhja, më e përgjakshmja, më e lavdishmja. Ajo ka qenë kurorëzimi i të gjitha luftrave, lufta finale, në të cilën shkëlqeu si asnjëherë patriotizmi i flaktë dhe shpirti i lartë i heroizmit masiv dhe i sakrificës. Nga radhët e saj dolën heronj të rinj, trima të pashoq me ideale të reja, revolucionare, me psikologji të re. Skulptori i merituar Kristaq Rama e ka kapur dhe e ka dhënë me mjeshtëri këtë psikologji. Guerilasi mishëron në vetvete luftëtarin e ri të dalë nga gjiri i popullit të thjeshtë, i cili ka një besim të patundur në drejtësinë dhe fitoren e luftës së popullit, ai është hakmarrësi popullor kundër pushtuesve të huaj tradhtarëve, spiunëve, shtypësve të lirisë. Nëpër atë fytyrë me shikim të rreptë, nëpër atë tendosje të përgjithshme të lëvizjeve të luftëtarit dinamizëm i brëndshëm shpirtëror, që përcaktohet nga vetë heroika e Luftës Nacionalçlirimtare. Luftëtari për idealet e socializmit e komunizmit, është një njeri i sakrificës e trim i vendosur. Ai është njënjeri i thjeshtë. Një xhaketë një shallë qafës, një revolver berete në dorë. Dhe pastaj ajo shpalosje, si dallgëzim flamuresh aty edhe i gjoksit punëtor. Ky luftëtar, që sapo ka likujduar armikun, shikon drejt së ardhmes. Ai dëgjon zërin e së ardhmes dhe shkon drejt saj. Prandaj nëpër atë rreptësi të fytyrës i ravijëzohet buzëqeshja e fitimtarit.
Guri gri i Korçës i gdhendur në shije, azhuri i hekurt i kangjellave karakteristike dhe figura e bronztë e guerilasit, të organizuara me një konceptim të qartë ideo-emocional dhe senc artistik, kanë krijuar një përmendore të veçantë, monumentale dhe intime në komunikimin e saj, ashtu siç qe madhështore Lufta Nacionalçlirimtare dhe të dashur për popullin, trimat, që nëna kishte lindur për një botë të re
Me mendimin e njohur se jeta krijon artin, por edhe arti krijon imazhin e fuqishëm të jetës, duke ringjallur me frymëzimin e vet heronjtë e saj. I tillë është Guerilasi, kjo vepër dinjitoze e skulptorit të talentuar Kristaq, Rama, kushtuar bijve të popullit e të Partisë që dhanë jetën për liri, siç qenë edhe Kiço Greço e Midhi Kostani, të cilëve u kushtohet kjo vepër me vlerë.
Viti 1977.
(Nga Fatos Arapi shkrimtar)