GJUMI ME TË PANJOHURIN

0
207
Nga :Vullnet Mato
Në prag te dasmës, Zamira vendosi t’i tregojë njeriut të zemrës, sekretin e jetës se saj.
Ajo hodhi një sy të shpejtë përqark dhe ndonëse e impresionuar, filloi rrëfimin duke ulur paksa zërin:
-Kjo ka ndodhur parvjet, kur ne nuk ishim njohur…Në atë kohë unë punoja mësuese në Himarë. Mamaja me babanë më përcollën nga Fieri për në Vlorë me trenin e mesditës. Mamaja, siç e ka zakon, m’u qep me të lutura: “Mira, të keqen nëna, mos harro, sa të vësh këmbën në Himarë më merr në telefon, po deshe të më zërë gjumi sonte!” E dija që mamanë s’kishte valium në botë ta vinte në gjumë pa telefonatën time. Sapo zbrita në Vlorë, shkova preva biletë për autobusin. Po për dreq, atë ditë autobusi i pasdites seç pati një defekt dhe u vonua. Na lajmëruan të prisnim, se do të vinte një autobus tjetër në atë linjë. Dhe kështu kaluan nja dy orë të mira. Bëra një llogari të shpejtë, se kur të arrija unë në Himarë, do të ishte shumë vonë për gjumin e mamasë. Atëherë i njoftova në telefon arritjen, për ta qetësuar me kohë dhe hyra në një kafe. Mirëpo për dreq, kur shkova te agjensia, autobusi sapo ishte nisur dhe mbeta aty me valixhe në dorë. U bëra helm. Të nesërmen duhej të isha patjetër në mësim dhe dola për makinë të rastit. Ndonjë që kaloi s’kishte vend, tek ndonjë tjetër s’mu mbush mendja të hipi dhe më zuri mbrëmja në rrugë deri vonë. Në Vlorë ne s’kemi asnjë të njohur, ku mund të trokisja për të fjetur dhe pashë ç’pashë, iu drejtova hotelit…
Agroni ndërroi pozicionin e këmbës mbi këmbë, u përkul pranë saj dhe kapi nofullën me dorë.
-Ishte një hotel i vjetër në qendër të qytetit. Lexova shënimin te sporteli “Vende s’ka” dhe atëherë u shqetësova seriozisht. Në atë orë, sportelisti, që sapo kishte marrë turnin e natës, më tha të prisja sa të sigurohej për një dhomë, çelësi i së cilës kishte mbetur në tabelë. Vendosa të pres, sepse ai telefonoi në hotele të tjerë dhe s’kishte vende askund. Kontrolloi regjistrin dhe tha, se flinin aty prej një muaji, dy oficerë të ministrisë. Kishte mundësi të kishin shkuar për ta kaluar të dielën pranë familjeve, por nuk ishte i sigurt, sepse sportelisti i mëparshëm s’kishte lënë asnjë shënim për atë dhomë. Kështuqë në orën dhjetë e gjysmë ai më regjistroi e më dha çelësin, me një numër që s’e harroj: “28”. Në fund më tha, se edhe po të vinte ndonjëri prej tyre, do t’i lëshonte krevatin e vet në zyrë. Ngjita shkallët tepër e lodhur dhe hyra në dhomën e vogël me një dritare të vetme, që shihte nga Sheshi i Flamurit. Kontrollova me kujdes çarçafët dhe pashë, se ishin fare të pastër. Hëngra diçka nga ato që më kishte vënë mamaja në çantë dhe aty nga ora njëmbëdhjetë rashë për të fjetur. Isha aq e rraskapitur dhe e tronditur nga tersllëqet e asaj dite, sa edhe vet nuk e di se si më zuri gjumi menjëherë e fjeta si e vdekur…
-Agron, po më dëgjon? -i tha Zamira të fejuarit, duke vënë re, se sytë e tij vështronin përdhe te valëzimet e pllakave të dyshemesë.
-Po, po, vazhdo! -u gjegj ai duke kapërdirë pështymën me trishtim.
-…Isha ngopur me gjumë dhe gjendesha në një dremitje të sipërfaqshme, kur ndjeva një dritë të fuqishme që më goditi qepallat. M’u bë sikur papritur doli dielli dhe atëherë u zgjova plotësisht. Drita vinte nga prapa shpinës sime dhe u ktheva në çast. Por oh, më ngriu zemra menjëherë e m’u ftoh gjithë trupi, kur pashë një burrë të shtrirë në krevatin përballë, që m’i kishte ngulur sytë…
-Hm… – ia bëri Agroni duke e kundruar të fejuarën me sy zhbirues të zgurdulluar. Mbi buzë, i dallohej një dridhje nervoze që e përmbante me vështirësi.
-Si e pashë që çelësi ndodhej aty ku e kisha lënë, ndjeva mornicat e tmerrit, që më shkaktoi e fshehta e hyrjes së tij në dhomën e mbyllur dhe më pushtoi ajo llahtara e zakonshme, që ndjejnë të gjitha vajzat, kur gjenden papritur përballë rrezikut të turpërimit. Desha të ulërij për t’i shpëtuar asaj të keqie. Por e përmblodha veten, sepse kjo do të më damkoste në të gjithë qytetin. Një gjë më habiti pa masë. Teshat e tij të vendosura të gjitha mbi shpinën e karriges tregonin, se kisha fjetur gjithë natën me atë burrë të panjohur. Dhe nuk po kuptoja, si të isha përsëri e paprekur?…
Agroni turfulloi në mënyrë shpërthyese dhe rrahu thembrën përtokë.
-Bah, këtë s’e beson as njeriu më idiot në botë! – shfryu duke këqyrur të fejuarën me dyshim.
Ajo e kundroi me dashuri dhe hodhi sytë një grimë nga unazat e florinjta të gishtave.
-Po të ishte ndryshe, nuk do të ta tregoja, mor Goni. Ti nuk beson që ka edhe meshkuj të ndershëm?… -Sytë e Zamirës u lëngëzuan pakëz. Ajo uli kokën dhe vështroi pllakat e bardha të mermerit. -E shoh që është e kot të të them, se as fryma e tij nuk më ka prekur. Po ai s’ishte nga ata njerëz, more Goni, Ishte më i turpshëm se unë…
-Mira! -thirri ai me një tension të dukshëm – Ja ku po të them, se ky më duket muhabeti më i kotë, për të më mbushur mendjen, se paske fjetur gjithë natën në një dhomë me ujkun dhe ai s’të paska zgjatur as thonjtë! Më mirë të mos ma kishe treguar fare këtë mesele të dhier, se më gërrice nervat për dreq!… -turfulloi ai disi i zverdhur në fytyrë.
-Po unë dua të jem krejt e sinqertë me ty, mor zoti Agron… Nëqoftë se ti mban rezerva nga jeta jote, kjo ka të bëj me ty, jo me mua… Po të lutem dëgjomë deri në fund, pastaj në daç beso!
-Vazhdo! -shfryu ai sërish me ton të rëndë dhe lëvizi kokën anash.
Zamira gjeti kurajë tek e vërteta e saj dhe vijoi:
-Edhe unë s’do të çuditesha aspak, sikur ai të më sulej egërsisht dhe të them të vërtetën atë çast u përgatita t’i hidhem përsysh me thonj e me të pështyra surratit… Por ai ishte njeri i mrekullueshëm. I thashë, me një frymëmarrje gulçuese: -Nëse je njeri që ke jetuar me motër e me nënë, mos u zgjat me asnjë fjalë, po kthe fytyrën sa të vishem!… Ai doli nga dhoma, duke kërkuar falje, për ngatërresën që kishte ndodhur në sportel, ku duhej të kish lajmëruar, se s’kishte ikur në Tiranë bashkë me atë tjetrin… Në fillim m’u duk e pabesueshme që përfundoi gjithçka kaq thjeshtë. Mbylla derën me çelës dhe u desh të kalonin disa minuta, gjersa të merrja veten e të gjykoja më drejt për atë person. Ndaj pak më pas ndjeva shumë respekt për të dhe shkova e gjeta në restorant, tek po hante mëngjesin i vetëm. Do të qe e tepërt të prisja të më ftonte dhe i kërkova leje të ulem. Burri hijerëndë që po shihja tani, më tregoi karrigen përballë dhe vazhdoi të përtypej ngadalë.
“Mund t’ju them diçka?” -ia nisa unë me druajtje. Ai buzëqeshi pakëz dhe u përgjigj :“Mund të thoni gjithçka!”. “Sjellja juaj më ka bërë të kem një detyrim të madh shpirtëror. Dhe jam e mendimit, se mirënjohjen time, s’mund ta shpreh, veçse duke ju pyetur nëse pranoni t’ju quaj vëlla? “
Ai qeshi me gjithë shpirt dhe më vështroi me respekt.
“Kam tri motra, -tha -po meqë nga ç’kuptova, jeni vajzë e ndershme, mund të pranoj të bëhem edhe me një të katërt”.
E falënderova dhe, siç ndodh zakonisht, shkëmbyem pyetjet e shkurtra të njohjes, Quhej Fisnik Ibro. Banonte në Tiranë në lagjen “Ali Demi”. Më foli, se kishte ndërmend të fejohej së shpejti. Me tha gjithashtu, se ishte nga ata njerëz familjar, që kishte të fiksuar idenë e ndershmërisë, se puthja nuk duhej falur kurrë pa dashuri. Nuk më la të paguaj mëngjesin që hëngra me të dhe më përcolli te autobusi, si vëllai motrën. Vjet më ftoi në dasmë. Po nuk pata mundësi të shkëputem nga shkolla ato ditë dhe me adresën që me kishte dhënë, i dërgova telegram urimi, duke i shkruar në fund “motra Zamira”. Më vonë shkëmbyem kartolina për Vitin e Ri. Dhe meqë nuk shkova dot në dasmën e tij, kam një arsye të pastër, ta ftoj në dasmën time. Tani ti, Goni, besoj je dakord, t’i bëjmë dhe atij një ftesë?…
Ai vështroi një çast dorën e saj, që tundte lehtë listën e ftesave për t’u freskuar. Mandej sytë e bukur që shprehnin një lutje të sinqertë. Nga fjalët e fundit të saj filloi të ndjehej paksa më i qetë, por jo krejt i qetësuar.
-Për dasmën tënde, ti vendos vet… – tha me një zë të vrarë dhe pyeti: – Po ta ftosh atë, a do të jesh e kënaqur?
-Po nuk deshe ti, nuk e ftoj. Unë s’dua të bej diçka që s’të pëlqen edhe ty.
-Ti e dëshiron vërtet ardhjen e tij? – e hetoi në sy ai.
-Më duket gjëja më e mirë që mund të bëj për të e për gruan e tij dhe mirënjohja më e bukur për ndershmërinë e tij.
-Bëj si të duash. – tha ai me zë të lehtë.
Zamira i shtrëngoi dorën ëmbëlsisht.
-Pas kësaj që të tregova, s’ka për të ndryshuar asgjë midis nesh? Ti do më duash prapë siç më ke dashur?
-Ti e di, Mira, që unë të dua shumë, se të kam njohur thellë kush je dhe si je. Po se si bëhem, kur dëgjoj gjëra të tilla, qoftë edhe nga goja jote. Mua s’më vjen mirë, kur të tjerët kanë të bëjnë me ty, qoftë edhe fare pak. Qoftë edhe kur mendojnë për ty, apo kur të panjohur rrugës të shohin me sy nepsqarë. Mua s’më vjen aspak mirë. Dua të jesh e gjitha e imja, kupton?…Në çdo gjë e tëra imja…
Zamira mbështeti kokën në supin e tij, si për t’ia plotësuar atë përkatësi, për të cilën ai kishte aq shumë nevojë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.