Funerali

0
89
Mentor Kikia
(Në daçi quajeni një skicë, në daçi një klithmë, na daçi një tregim, apo një ëndërr të keqe, nga ato që dalin ama)
Një mëngjes u zgjova dhe pashë se isha krejtësisht i vetmuar. Askush në shtëpi, asnjë zhurmë. Dola në rrugë, e njëjta zbrazëti. Nuk kishte njerëz, as makina. Kafenetë të mbyllura, dyqanet e rrobave dhe ushqimoret kishin ulur qepenat. Mbyllur ishin edhe furrat e bukës, farmacitë, parukeritë. Çdo gjë!
Madje, edhe gjethet e zverdhura që ishin shkëputur prej degëve nuk binin në tokë, por rrinin pezull.
Nuk kishte as qen, ata që gëlojnë zakonisht nëpër kazanët e mbeturinave. Një ndjesi e frikshme me kaploi trurin dhe trupi nisi të më dridhej. Çfarë dreqin ka ndodhur në këtë qytet, ku janë njerëzit, qentë e rrugës ku janë? Fryma mu zu e zemra nisi të më rrahë më ngadalë.
Keni vdekur ndonjëherë nga asfiksia? Ose, e keni përjetuar ndonjëherë ndjesinë kur doni të merrni frymë, por ajër nuk ka? Megjithatë, unë shpëtova nga kjo ndjesi. Dmth nuk vdiqa. Zemra filloi të më rrahë dhe unë nisa t’u bie rrugëve pash më pash. Ashtu, i vetëm si dreq.
-Po ti çfarë bën ende këtu o idjot?
Dikush foli me një zë të fortë e kumbues. Por askënd nuk pashë me sy.
-Kush je ti? Ku je? Brita unë tërë ngazëllim që më në fund dëgjova një zë.
-Lëre kush jam unë, por nxito në stacion e kap trenin e fundit që po ikën.
-Çfarë stacioni thua, ne s’kemi stacion. Nuk kemi as tren.
-E di që s’kemi tren, por shko në stacion të thashë – foli sërish zëri me ton urdhërues.
Nxitova për tek ai që dikur ka qenë stacioni. Atje ishte vërtet një tren. Nuk di në ecte mbi shina, mbi rrota si makinat, apo fluturonte me krahë, por atje kishte shumë njerëz që shtyheshin për të hipur.
Po po, fiks si ne në vitet ‘90, që hynim nga dera, nga dritarja dhe kur nuk kishte më vende brenda, ngjiteshim mbi kabinën e vagonave. Pashë aty Kujtimin, doktorin e fëmijëve të lagjes tonë. Pa shih, edhe Vasilika me Mozën, infermierja dhe sanitarja. Edhe Besi, inxhinieri që punon tek kompania ku punoj unë. Ja, edhe Qamili, varrmihësi, edhe ai po shtynte.
-Qamil, po ti ku po shkon?
-Po ç’të bëj, kush do të vdesë këtu që të punoj unë?
Nxitoj të gjej një vend, por s’ka. Dhe unë që lumturohem kur shikoj që s’kam ku të hipi.
Pa prit? Vërtet ai është? Mu aty ku lidhen vagonat, shtrirë mbi çengelët e mëdhenj, shikoj Çarlin. Po po, ai qenka Çarli, qeni im. As ai nuk ishte në shtëpi kur u zgjova unë.
-Po ti more qen bir qeni ku shkon? Po ti tërë jetën s’ke kapur punë me gojë. Po ku do të gjesh vend më të mirë ti more? Zbrit shpejt, tani.
Qeni u struk edhe më shumë mes hekurave e më shikonte tërë ndjesi faji, por nuk zbriti. Treni u zhvendos nga vendi me një kërcëllimë hekurash sikur lëvizi planeti prej boshtit të tij.
Zëri kumbues bërtimi sërish: Hej ti idjot, do të vish apo jo?
Unë s’e mbaj mend nëse thashë, “po”, “jo”, apo abstenova. Por thjeshtë pashë që treni u zhduk e unë mbeta në plate. Doja të ecja por nuk mundja. Trupi s’më bindej. Duart më dridheshin, gjunjtë mu prenë dhe u shemba përtokë.
Se sa ndenja ashtu, s’e di. Me orë apo me ditë ndoshta. U ngrita duke u zvarritur dhe duke belbëzuar: Nuk iki jo! Jo jo, nuk ikiiiiiii…
Nisa të ecja sërish rrugëve të zbrazura dhe tek sheshi i eventeve pashë një turmë të madhe që nuk ekzistonte. Zbrazëtia e kishte mbushur sheshin cep më cep. Një podium ishte ngritur dhe unë pa u menduar gjatë, mblodha forcat, urdhërova gjunjët dhe u ngjita në skenë. Madje eneregjik, si presidentët amerikanë. I keni parasysh kur nxitojnë të ngjiten në podiumet elektorale si ecin dhe drejtojnë gishtin nga njerëzit?
Kërkova fjalimin në xhep, por nuk e gjeta. Pastaj u kujtova se unë nuk kisha një fjalim, sepse unë nuk e dija se do të mbaja një fjalim.
Por fola pa letër.
Të dashur bashkëqytetarë.
Ju që jeni këtu ikët nga shtëpitë tuaja dhe nga vendi juaj. Ikët sepse këtu nuk ka shpresë. Sepse shpresën na kanë marrë ata, që prej 30 e ca vitesh kanë në dorë politikën dhe ekonominë. Ata që kanë shitur tokën, nëntokën, detin, ajrin, malet, lumenjtë, pyjet, minierat…Ata na vjedhin dhe me paratë që na vjedhin na blejnë votat. Po ne çfarë bëmë? Ne ikëm dhe mallkuam tokën tonë.
Turma shpërtheu në brohoritje, deri kur dikush u ngrit e foli:
-Po ti kush je? Kush të paguan ty? Kush fshihet pas teje? Edhe ti një këlysh i atyre je. Të gjithë njësoj jeni!
-I shitur- bërtiti njëri.
-Tradhëtar- bërtiti një tjetër.
-Antishqiptar – tha dikush.
Pastaj pashë se si drejt meje po vinte një send që zmadhohej si asteroid, duke iu afruar kokës time….
U shemba në skenë.
Kur u përmenda, nuk ishin aty as skena, as turma boshe, as sheshi.
U riktheva në shtëpi, s’di pas sa kohësh. Në rregull – thashë – do të rri tani këtu në verandën time plot pluhur dhe do të vështroj Kovin, ndërsa ecën në rrugicë me qenin tij kockë e lëkurë, derisa të shembet përtokë, ku nuk do të ketë njeri ta ndihmojë, derisa të japë shpirt.
Do të shikoj edhe Lolën, atë plakën që nuk linte njeri pa i treguar, tërë fodullëk, se çfarë i sillnin tre djemtë që kishte në Gjermani. Tani ajo mezi ecën dhe, me duart që i dridhen, as telefonin nuk mban dot për të folur me djemtë, të cilët e telefonojnë rregullisht dy herë në vit.
Jam kurioz të di, kush do ta varrosë!
Edhe unë do të vdes, por unë e kam vendosur. Veten time do ta varros vetë. Madje do të mbaj edhe një fjalim, të cilin kam nisur ta shkruaj që tani. Do ti shkoj vetes time edhe për vizitë. Dhe kur të ulem atje tek dhoma e pritjes, do të bëj atë pyetjen idjote që e bëjnë të gjithë, njëri pas tjetrit:
-Na la ë? Po kur ndodhi?
Vërtet kur ndodhi? Kur vdiqëm? Çfarë të shkruaj tek pllaka e varrit, viti i lindjes dhe viti i vdekjes? Profesor S., duke analizuar përbërësit e naftës dhe mbetjet njerëzore, këmbëngul se unë, por edhe Kovi, Lola dhe të tjerë, jemi pellazgë. Pra i bie të kemi lindur 12 mijë vjet më parë. Po për të vdekur kur? Nuk ka një datë. Serpse unë nuk vdiqa përnjeherë. Vdiqa pak nga pak, vit pas viti, pa e ndjerë. Unë isha i fundit, para meje ishte Lola e para saj Kovi me qenin ngordhalaq.
Të tjerët ikën!
Mund të jetë një imazh i 1 person, ndriçimi dhe rrugë

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.