DITËLINDJA E KOZETËS.

0
122

.Kur kujtoj sot atë aventurë thuajse vdekjeprurëse më ngjethet mishi. Më ngurtësohen mendimet, ndjej ethe në trup. Kështu më ndodh edhe po qe psh korrik. Në zheg e në ngricë ajo ngjarje më fut drithma. NGA Agim xhafka

Nisi qetë, si ato ditët me mëngjes plot diell e në darkë ia beh një stuhi me erë dhe me flokë bore të mëdha sa pëllëmba. Isha 13 vjeç, madje as i kisha mbushur. Shkoja në klasën e gjashtë dhe me mësime si përherë isha stampuar te tabela e nderit. Mbaj mend mirë që atë ditë prilli kishte ditëlindjen Kozeta, shoqja ime e bankës. Shokët më thoshin ajo qe e dashura ime. Unë e pranoja nga që qe e bukur, me sy të zinj, me të qeshur plot tallaz dhe në mësime afrohej pranë meje. Pra ishte e dyta e klasës. Kisha muaj që përgatitesha për ditëlindjen e saj. Mendoja për shumë dhurata, por i fshija të gjitha se nuk kisha asnjë lek. S’më jepte kush se tepër nuk kishte kush. Në familje mezi mbaheshim. Deri sa vinte rroga ndodhte që ndonjë ditë, a dy, a tre…të flinim edhe pa darkë. Ose me ndonjë gotë çaj mali e ndonjë krodhe të vjetër buke që lundronte sipër. Por nëna ma zgjidhi hallin. Do të të bëj një palë dorashka për Kozetën, më premtoi. Mori një kanatiere leshi të babait, e prishi, e bëri top me fije të trasha e ia hyri punës.
U gëzova se ajo qe artiste kur punonte me shtiza. Kishte vite që na sajonte bluza, pulovra e plot gjëra të tjera. U lumturova kur më tregoi se e mbaroi një dorë. Ma dha ta shihja. Ngjyrë kafe e errët dhe pesë gishtat që atë çast nuk m’u panë si të thurrura, por si të Kozetës. Sikur ajo gjendej aty para nesh dhe po i provonte. Nisa t’ia fërkoj gishtat dhe humba mendjen, por nëna ma térhoqi e s’më la të ëndérroja më shumë.
Në klasë disa herë Kozeta më pyeti se çfarë dhurate do i bëja.
-Gjeje!- i thoja.
-Libër?
-Jo.
-Fjongo?
-Jo, jo.
Më tej nuk numëronte. Se aq qenë mundësitë e moshës dhe të jetesës së familjeve tona. Edhe dy ditë e do trokiste ditëlindja. Mamaja gati e mbaroi edhe dorashkën e dytë. Ma tregoi nga larg e qeshte. Shkova të fle i lumtur. Sikur kisha gjetur një thesar me xhevahire. I gëzohesha mamasë dhe e quaja fat të madh që ishte e imja. Krahasuar me nënat e shokëve të mij qe ku e ku. Më e bukur, më e qeshur, më punëtore. Fjeta si në përralla dhe sa u zgjova shkova drejt e te sirtari ku nëna kishte vendosur dorezat. E hapa dhe…gjeta dy topa leshi. Uaa, u çudita. Si u kthyen dorashkat në topa? Fola me zë siç duket se gjyshja më tha:
-I prisha unë dorezat se…
Nuk dëgjova më. Ika me vrap e me inat nga shtëpia dhe sa arrita në shkollë takova Calen.
-Arratisemi?-i thashë.
-Në Greqi, apo në Jugosllavi?
-Në Prrenjas.
Aty kisha xhaxhain. Punonte inxhinier. Me të kisha marrëdhënie speciale. Ndërsa me babain kisha 20 vjet diferencë me atë kisha dhjetë. Sapo kishte mbaruar universitetin dhe kishte nisur punë në minierën e Pishkashit. Në mllefin që më kishte pérfshirë veç ai mund të më qetësonte. Qe si melhem për mua.
U nisëm drejt stacionit të autobuzit pér në Maliq. Pastaj ose do na merrte ndonjë makinë e rastit ose do e bënim më këmbë. Natën do arrinim në Pogradec e të nesérmen do ia dilnim të kapnim Prrenjasin. Nuk kishim as lekë, as ushqim. Por kishim inat e nuk ktheheshim pas. Se nesër qe ditëlindja e Kozetës e më mirë vrisja veten se sa të shkoja te ajo pa dhuratë.
Në autobuz nuk na kërkoi kush biletë. Sa zbritëm në Maliq pyetëm dikë nga binte Pogradeci. Ai na shtriu krahun e andej ne ia nisëm marrshimit. Prilli i atij viti mbaj mend qe i ftohtë. Kur po ecnim drejt Pogradecit ia nisi një dëborë me suferinë. Ishim veshur veç me tuta e po dridheshim nga e fohta. Cales iu bë hunda e kuqe e nga ajo i vareshin ca pika, tamam si çezma në kuzhinë kur i hollohej gomina. U futëm te tombina poshtë rrugës. Sa dëgjonim zhurmë makine dilja vrap e zgjatja dorën. Por kot, askush nuk ndalte. Ndaj futesha me vrap te tombino e i shpëtoja erës. Ishim ngrohtë aty. Uria po trokiste, po e largonim. Sa erdhi zhurma e një makine tjetër doli me vrap Calja. Pas pak zhurma pushoi. Bravo Cale, thashë. Dola gjithë gëzim. Calja ia kishte dalë. Makina qe ndalur e nga kabina e saj zbriti…babai im. Férkoja sytë se nuk po e besoja. Më kapi prej veshi e më hodhi në kabinë. Pastaj iu fut Cales me shpulla e me pickime.
-Po ç’ke me mua?-bértiste i ziu.-Unë s’jam djali tënd.
-E di, e di,-i thoshte babai.-Po ty s’të kam në shtëpi se Gimit ia tregoj pastaj.
Kështu deri në Korçë. Më mbylli në shtëpi e iku. Prisja dënimin kur të vinte nga puna. Por u bë natë e as babai, as nëna, madje as gjyshja nuk po dukeshin. Vonë, shumë vonë trokiti dera. Qe nëna me gjyshen.
-Po babai?- pyeta.
-U shtrua në spital. I bënë analizat e vizitat qysh dje. Eshtë ftohur. Duhej të shtrohej në mëngjes, por i hape punë ti,-tha mamaja.
Ngela me gojë hapur e i plasa një të qare që më delte prej turpit, jo prej trupit.
-Prandaj i prisha dorashkat e Kozetës,-tha gjyshja.-I bëra kanatjere leshi babait se kështu tha doktori.
Nuk fola. Heshta e po mendoja çfarë dënimi t’i jepja vetes. Të mos ha dy javë që t’i kursej familjes, mendova. Dhe nisa zbatimin që atë darkë. Fjeta pa ngrënë. Në mëngjes do ikja në shkollë pa futur gjë në gojë. Sapo do merrja çantën mbi të pashë dy doreza të zeza lëkure.
-I la mamaja pér ty, ia ka dërguar xhaxhi Guri nga Amerika,ti e di që ajo i pëlqen shumë,por t’ja çosh Kozetës më porositi. U bëftë 100 vjeç,-tha gjyshja e doli nga shtëpia. Po iki në spital,dëgjova gjyshen nëpër shkallë.
Orët e mësimit nuk ecnin. Si çizmet e mija kur nguleshin në baltë, meazalla se shkuleshin. Kur ra zilja e orës së pestë dola me vrap nga klasa.
-Nuk e ka tani ditëlindjen, e ka në orën katér,-më bértit Calja.
E dëgjova, po nuk i ktheva përgjigje. Po vrapoja e po vrapoja drejt spitalit. Të takoja babain, t’i thoja më fal, ta puthja e t’i mbaja erë djersës së tij që më ngjante me aromën e blirit poshtë ballkonit. Ecja e qaja. Nga gabimet, nga pendesa dhe nga malli për atin tim. Por edhe nga dëshira se do takoja Kozetën. E sa thoja emrin e saj prekja në xhep dorezat prej lëkure. Më dukej sikur fluturoja drejt spitalit duarbashkuar me shoqezën time. Gishtat e saj i kisha bërë gërshet me gishtat e mij. E nuk i shtrëngoja fort, mos i lëndonja. Nga që pandehja se brenda pëllëmbës sime kisha dorën e saj aq të ngrohtë, aq të bukur, aq elegante. Aq e aq mbushur me flutura që më rrotullonin mendjen si rodhani te Shëndëllia.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.