VRASJE NË HESHTJE

0
258
Tregim
Nga Avdulla Kënaçi
Këmbë njeriu nuk kishte shkelur në lokalin “Qofte zgare”, që nga mëngjezi, me përjashtim të klientit të zakonshëm, Zyber Harizi, ai gushëvaruri si kapua deti, i cili kishte qyshkur që vërtiste nëpër duar një gotë rakie me pesë-gjashtë pika në fund të saj. Kur nuk kishte xhiro, ai mjaftohej vetëm me një dopio, por kur mbushej salla, pretendonte më shumë. “Këpusha e lokalit” e thërrisnin kuzhinierët nga që ai nuk paguante kurrë.
Dera e jashtme e “Qofte zgare” u hap me rrëmbim dhe bashkë me erën e ftohtë, gjithë zhurmë, hynë brenda një grup djemsh të rinj. Pronares i qeshën sytë e gjelbër; po vinin klientë, por Zyber Harizi rrudhi vetullat me përçmim dhe u nxi në fytyrë. “Me siguri një nga këta djem duhet të jetë kodosh i saj”, mendoi me xhelozi e cinizmë kur pa sytë e qeshur jeshilë të pronares.
– Po ti, kriminel i ndyrë, çfarë kërkon këtu? – ju drejtua njeri prej tyre me zë të ashpër, ai më bukuroshi e shtatlarti – Ty sikur të futën brenda, apo pagove rryshfet ndonjë gjykatës për të dalë i pafajshëm?!
Zyber Harizit i hipën xhindet e deshi të përgjigjej, por pronare Eleni ia bëri me shenjë ta qepte gojën dhe të dilte përjashta. Me Lenin, kështu i thërriste ai në koinfidencë, e lidhte një miqësi e vjetër, që nga koha e monizmit. Ajo kishte qenë bashkëpunëtore sigurimi me pseudonimin “Vasiliqia”. Më parë ishte ai shefi që urdhëronte, por tani ishin këmbyer rolet, duhej t’i bindej asaj. Nuk kishte rrugëdalje tjetër, vetëm ajo i kishte mbetur nga miqtë e shumtë që kishte pasur dikur. U ngrit me përtesë duke shtërnguar njerën ije me dorë dhe u zhduk si hije nga dera e pasme, ngjitur me nevojtoren, andej nga hynte e dilte personeli i lokalit. Bukuroshi shtat-lart pështyu me neveri në dysheme. Këtë gjest përbuzje dhe urrejtje e vuri re pronarja, por bëri sikur nuk pa gjë.
– Rrospia, – tha nëpër dhëmbë Zyberi duke ndjerë mbi ballë ajrin e ftohtë të vjeshtës – gjithnjë ka parë bythën e vet, interesaxhie, e pa skrupull, pa asnjë lloj parimi, më nxori jashtë. Ata që hynë ishin rrugaçë të Partisë Demokratike dhe ajo i pret sikur të jenë ambasadorë. Prit kur t’u thotë se i digjet zemra për PD-në. Femër pa karakter, u prish dynjaja, u ngritën këmbët t’i bien kokës…No photo description available.
Ai kishte qenë titullar i lartë i ish Ministrisë së Brendshme, me zyrë të madhe, pajisur me tre telefonë, me sekretareshë, roje personale dhe dy- tre makina të shtrenjta në dispozicion të tij. Ishte tmerri i intelektualëve, më shumë nga të gjithë urrente shkrimtarët. Kur u ndërrua pushteti përmes votimeve (votime u thënçin), ai nuk priti ta dëbonin nga zyra, por iku vetë. U vendos për ca kohë në fshatin e tij të lindjes. Nuk deshi të emigronte jashtë Atdheut. “Do rri këtu t’u nxjerr të palarat demokratëve, u kam dosjet”, u thoshte bashkëfshatarëve të tij me mburrje, megjithse e dinte se ata do ta kishin halë në sy dhe mund ta pësonte prej tyre.
Ndërkohë lokali u gjallërua nga grupi i djemve demokratë. Ata qeshnin, bërtisnin, ngrinin zërin në kupë të qiellit. Pas tyre erdhën disa të tjerë. Pronarja me sy të qeshur, e lumturuar, iu soll rrotull tavolinës së tyre duke tundur herë pas here vithet e bëshme, ndërsa buzëqeshjen nuk e ndali për asnjë çast. Mori porositë dhe u fut përgjysmë në sportelin e kuzhinës. I tha kryekuzhinierit të bënte gati nëntë racione brinjë keci me salcë kosi e më pas një tigan qofte që të shkrinin në gojë.
– Me çfarë lloj salce t’i shoqëroj, nga ajo e kripura, apo ajo me pak kripë? – pyeti kryekuzhinieri.
– Porosia e parë me pak kripë, e dyta me shumë, – i tha ajo prerë.
Xha Taqua, kështu i thërrisnin, i shkeli syrin me shejtanllëk, shenjë kjo se ai e kuptonte qëllimin e saj. “Kodoshe e madhe, tha me mëndje barba Taqua, vaj ulliri me të gjithë, po ç’e do, po plaket derëzeza, kanë filluar t’i rrëzohen vithet”.
Djemtë e PD-së ia shtruan kuvendimit për shtatë palë qejfe. Kanat e birrës me shkumë gjer në buzë, venin e vinin. Pjatat me meze nuk kishin të mbaruar, ndërsa herë pas here bisedat e tyre të zjarrta ndërpriteshin nga lloj-lloj këngësh popullore.
– Këndoni, – u thoshte Leni kohë pas kohe – lokali është i tëri juaji.
Në pushimet midis këngëve, ata diskutuan edhe për gjyqtarët të cilët ishin të kohës së monizmit dhe armiqve të demokracisë u jepnin dënime qesharake. I dënonin për kafe. Kjo nuk durohej.
***
Kishte kaluar mesnata kur Eleni Qollopitja, e lodhur, u shtri në krevat për gjumë. Era përjashta ishte urtësuar dhe përmes dritares, në qiell, dukeshin një tufë yjesh si perla të hedhura pa kujdes mbi bezen blu. Pronares së lokalit “Qofte zgare”, megjithse shputat e këmbëve i shponin si me gjilpëra, xhan-xhin, gjumi i qe larguar e nuk i qasej asesi mbi qepalla. Gjithë ajo xhiro ditore që bëri me djemtë e PD-së nuk i hynte në sy. Pa i numuruar, lekët i kishte flakur mbi tavolinë. Po mendonte për rendin e ri që kishte ardhur, po sikur t’i merrnin lokalin? Flitej se do t’ua jepnin ish pronarëve të truallit. Duhet të kishte pa tjetër një mik në kryesinë e PD-së. Pastaj i shkoi mendja tek “shefi”, kështu i thërristë shokut Zyber. Tani e tutje nuk duhet të vinte aq dendur në lokal. Po trembte klientët me namin e tij të keq. I prishte shumë punë. Po ajo nuk e kishte pasur thjesht shef, ishte më shumë se kaq. Ishte dashnori i saj me pozitën më të lartë në rangjet e monizmit.
Eleni kishte një histori interesante prej fshatit të saj, në Jug të Atdheut. Nuk kishte mundësi të vazhdonte shkollën e lartë për shkak të mesatares dhe sa mbaroi 8-vjeçaren, nisi punën në bujqësi, kështu u regjistrua në shkollën bujqësore të natës, në qendër të fermës. Kurajoze, e gojës, e pacipë, nëpër mbledhje të rinisë vazhdimisht ngrinte zërin për padrejtësitë që i bënin brigadierët. Jo vetëm kaq, por për inat të tyre shkonte ashiqare me baxhoxhiun e fshatit fqinj. Kaq ta bënin dhëmbin birigadierucët, nuk kishte për t’ua varur e përfillur kurrë…
Mirëpo qëlloi me fat. Pas gjuetisë në rezervatin aty pranë, Kryeministri mori pjesë në një stërvitje të çetës vullnetare të fermës ku ajo ishte skuadërkomandante. Kryeministri, pasi bëri vrejtjet e tij, pyeti nëse ndonjë nga vullnetarët kishte diçka për të thënë:
– Unë, – tha Eleni.
– Urdhëro e fol, – dha leje Kryeministri.
– Shoku Mehmet, – tha skuadërkomandantja Eleni, – greku është andej, pse ne i kemi kthyer grykat e topave nga kjo pllaja ku janë radhitur fshatra shqiptare?
– Ke të drejtë, bravo vajzë, – tha Kryeministri – rregulloni drejtimin e grykave të zjarrit të topave. Bravo, si quhesh, ti ke perspektivë e do ecësh përpara.
Kaq, tha ai, por nuk ishin fjalë kot e në erë. Pas një jave erdhi nga Tirana shoku Zyber. Ishte natë, errësirë, kur kërkoi ta takonte. E mori në xhip, u largua në periferi të fshatit dhe i ra drejt e drejt: “Ti vajzë je një patriote e kulluar, ne do të ndihmojmë të ecësh përpara sipas porosisë së Kryeministrit, por ca kohë do të jesh në provë këtu në fermë. Ke dëshirë të jesh informatore e sigurimit? Mendohu mirë, është detyrë patriotike. Asnjë fjalë, as vetë zotit, nëse ka. Nesër në mbrëmje do të kthehem përsëri. Atëherë e dua përgjigjen, jo tani, mendohu.
Elenit iu drodh zhapa e barkut. Iu kujtuan brigadierët, kishte për t’ua rregulluar samarin, sidomos atij të shkurtërit që i thoshte me të tallur: “Largohu prej meje se më bie erë hirrë baxhoje”. Aty për aty vendosi të ishte informatore, por përgjigja duhej dhënë të nesërmen. Eleni Qollopitja shquhej për bukuri, kishte trup të ngjeshur, lëkurë të bardhë dhe tipare të rregullta, sidomos sy të ndritshëm, jeshilë, si gjol i mbushur me leshterikë.
Sipas fjalës, të nesërmen në mbrëmje, shoku Zyber u kthye. Brenda kabinës së xhipit, në dritën e një llambushke, i vuri përpara shkresat për firmë dhe i caktoi pseudonimin “Vasiliqi”. I tha se je më e bukur se Vasiliqia e Ali Pashë Tepelenës dhe kështu do njihesh e indentifikohesh në dokumentet e sigurimit. Ai i tregoi parrullën si të lidhej me operativin e zonës dhe kur po ndahej, si pa të keq, i sugjeroi t’i shkëpuste lidhjet me baxhoxhiun e fshatit fqinj. Kjo porosia e fundit i dogji e i përcëlloi Lenit, por e mblodhi veten duke sjellë ndërmend operativin e zonës. Buzëqeshi e lumtur.
Pas një viti, ishte shoku Zyber ai që ishte kujdesur për transferimin nga Saranda, ishte ai që i kishte dhënë shtëpi dhe gjetur punë në kryeqytet, madje më vonë, kur u fejua, i kishte rregulluar edhe burrin me punë të mirë. Mos harroni, edhe me pseudonimin “Vasiliqi” ai e kishte pagëzuar. Në atë kohë i tha se je më e bukur se Vasiliqia e Ali Pashë Tepelenës dhe kështu do njihesh e indentifikohesh në dokumentet e sigurimit. Për çdo informatë, ose “spiunllëk”, ai e kishte shpërblyer gjithnjë mbi ligjin. Disa herë ia kishte kujtuar këtë. Dhe ajo i ishte përgjigjur duke zbatuar me përpikmëri çdo urdhër të tij dhe dëshirë, qoftë dhe personale. Nuk harronte kurrë se të gjitha privilegjet i kishte prej tij. Dy drejtorë dhe një kryeinxhinier që iu kundërvunë për paaftësi, shoku Zyber i pastroi duke e nxjerrë shoqen Leni “të pastër” e triumfatore. E si të mos i qëndronte besnike këtij burri, mik për kokë të mikut?! Ja, edhe tani në demokraci, kur ai ishte një barrë e rëndë për të, ajo e pranonte orë e pa kohë në lokal dhe nuk i merrte asnjë qindarkë për pijet e qoftet. Po ai vetë duhet ta kuptonte se me praninë e tij i prishte shumë punë. Kishte bërë shumë armiq. Si e quajti ai djaloshi truphedhur, “kriminel”, thua t’i dinë këta të PD-së krimet e monizmit? Dhe përnjëherë zonjës Eleni trupi iu rrënqeth dhe këmbët iu ftohën.
– Duhet t’ua gjej anën këtyre të PD-së, këta ende nuk dinë të qeverisin, – mendoi zonja Eleni – po ai djali truphedhur që shau shokun Zyber, shumë autoritar dhe i sigurt dukej. Një farë pozite duhet të ketë në PD, ndryshe nuk kishte sesi të fliste aq serbes pa iu dridhur qerpiku. Të ishte ndryshe shoku Zyber ia jepte dhëmbët në dorë, por pas atij djali kushedi se kush fshihet. Më duhet ta marr vesh mirë se kush është ky njeri. Shokët e tij nuk e lanë të paguante, me siguri ka ndonjë pozitë të mirë, ose është i biri i ndonjë ministri. Më duhet të di më shumë për të. Do aktivizoj time bijë, Elsën. Ajo me PD-në është. Duhet edhe ajo të dalë në jetë, nuk është e vogël, gjimnaziste maturante, por demokrate e zjarrtë, dreqin. Si të bëj? Ta fut në rrugën time apo ta lë të zgjedhë vetë. Po mua nuk më ka dalë keq. Ja, unë po kaloj të pesëdhjetat dhe meshkujt më lakmojnë ende. Si më thoshte shoku Zyber kur isha e re “kallup sapuni je Leni, o të hëngësha syrin jeshil!”
Nën të njëjtën kupë qielli, një bllok më tej Zyber Harizi ndiz e shuaj cigarët. I mbeti gozhdë në tru ajo fjala e atij azganit që e quajti “kriminel” në mes të lokalit, pa pikë turpi. Në fund të fundit detyrën kishte bërë, urdhërat i jepte Partia dhe ai nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbatuar çfarë urdhëronte Ministri që porositë i merrte nga Partia. Kështu kishte thënë edhe në hetuesi.No photo description available.
– Ah, të kthehej edhe njëherë ajo kohë pa dija unë sesi të merresha me këta lapërdharë, gishtat u prisja mu në rrëzë! – psherëtiu thellë.
I ktheu mendimet përsëri tek Leni, tek koha e artë e bashkëpunimit me të. Ju kujtuan ato përdredhjet e saj si kone lozonjare dhe ofshamat e kënaqësisë në shtëpitë sekrete të bashkëpunimit me informatorët. Leni kërkonte takime edhe kur nuk kishte gjë për të rrëfyer. Pa e pyetur, betohej se ishte besnike e Partisë deri në vdekje, e gatshme të vinte në dispozicion të saj trupin dhe jetën. Disa herë e kishin pritur në takim vetë zëvendësministrat. Dhe ata nuk i kursenin lëvdatat për afësitë e saj zbuluese, megjithse ishte vetëm me shkollë të mesme bujqësore, por kishte nuhatjen e qenit të gjuetisë. E kishin emëruar me punë përgjegjëse të pastrueseve në hotel “Tirana”, ose Pesëmbedhjetëkatëshi, siç e quante populli. Ishin intensifikuar lidhjet me shtetin grek dhe prej andej venin e vinin delegacione qeveritare, por edhe arvanitas të djegur nga malli për Shqipërinë. Eleni zotëronte mirë gjuhën greqisht dhe ishte personi i përshatshëm në atë pikë kyçe, në qendër të Kryeqytetit. Ajo u thoshte mysafirëve se me origjinë ishte greke dhe ata e afronin, i jepnin koinfidencë dhe ishin të kënaqur që me ndërrimin e çarçafëve dhe pastrimin e dhomave të tyre merrej ajo vetë. Ajo dinte ku ishin vendosur aparatet e përgjimit dhe kujdesej që të mos diktoheshin duke i maskuar më së miri. Kur delegacionet ishin në takime e pritje, ajo fografonte çdo lloj paisje e dokumente që kishin grekërit në dhomat e tyre. Në një nga ato raste, kur shefi, Zyber Harizi, pa se çfarë dokumente të rëndësishme ajo kishte fotografuar, i tha: “Ti ia kalon edhe Mata Harit”. Asaj i erdhi zor ta pyeste se kush ishte kjo Mata Hari, nuk kishte dijeni, e dëgjonte për herë të parë atë emër. Po që kjo nofkë ishte për mirë, kjo nuk kishte asnjë dyshim. Me atë rast e dekoruan me medaljen “Shërbime të shquara për Atdheun” dhe e shpërblyen me një rrogë plus. Ajo u betua se do të mbante sytë hapur edhe në gjumë se ujët fle e armiku nuk fle. Kur e mori medaljen në duar, tjetër gjë mendoi: Të jetë e lyer me flori vallë? Kushedi sa kushton…
***
Të nesërmen, Zyber Harizi kishte shkuar në lokalin “Qofte zgare”, para pronares. E priste me padurim me sytë mbërthyer nga dera kryesore. Ishte rruar sikur do shkonte në zyrë, kishte veshur një kostum të zbërdhylët dhe kishte vënë kravatë. Pronarja deshi të inspektonte kuzhinën, por ai nuk e la, i tha të ulej në karrigen pranë tij. Leni ndjeu se do të kishte tufan midis tyre, mblodhi forcat dhe u ul e bindur, me sy të turbulluar.
– Dëgjo, ti Vasiliqi, mbrëmë përkrahe pëdistët dhe mua më vure drunë, po ti e di mirë se çfarë unë kam në dorë për ty.
– Shoku Zyber, unë të konsideroj si baba dhe ti ke një vit, qëkur dole nga burgu që nuk paguan në lokalin tim. Duhet ta kuptosh se me prezencën tënde më tremb klientët dhe mua më nxjerr namin sikur jam komuniste.
– Po më zë në fyt dy qofte e një dopio raki?! E kush, ti? Jazëk të qoftë! Unë të nxora nga balta e fshatit të Vurgut, nga kënetat dhe ugaret dhe të solla në mes të Tiranës.
– Po edhe unë të kam shërbyer me mish e me shpirt, të kam falur trupin tim, sa herë e doje, kam qenë spiunja jote për vite të tëra.
– I ke shërbyer Atdheut, jo mua. Po mirë, harrove, nuk të shpëtova unë nga skandali që bëre me Dhimitër Arvanitasin? Ti nuk kishe urdhër të bije në një shtrat me të.
– Ju vetë më kishit thënë që edhe trupin tim mund të përdorja për të mbledhur informata. Ju më vutë detyrë ta rekrutoja në shërbim të sigurimit.
– Ti e bëre me kokën tënde, pa leje, kishe fikur edhe kameran. Pse e fike kameran kur kishe qëllime të mira?
– Sepse e dija që ti do bëheshe xheloz dhe atë e provove më vonë, me krimin që bëre. E hodhe nga ballkoni dhe the se bëri vetvrasje. Ishte vrasje në heshtje, në errësirë. Dhe unë heshta, mbylla gojën, dola dëshimtare që Dhimitri u hodh vetë nga ballkoni.
– Ai nuk deshte të bashkëpunonte, por po të mos kishe fikur kameran kur bëre dashuri me të, ne do ta mundnim, do ta përkulnim. Do ta kërcënonim me videon duke ia dërguar familjes. Sa për vrasjen, a nuk ishe ti që më ndihmove ta ngrija mbi parmak të ballkonit? Nuk e kape nga këmbët dhe e ngrite lart gjersa unë e shtyva. Të dy jemi fajtorë, kjo vepër na bashkon e na lidh të dyve, Vasiliqi. Kot mundohesh të rrëshqasësh, më ke në dorë, të kam në dorë. Jemi të destinuar të jemi të lidhur së bashku, gjer në vdekje.
Zonja Eleni e kuptoi që ai ishte i vendosur ta dërrmonte dhe mposhtëte. Ndërroi taktikë. Ju afrua si një bushtër e bindur, i mbështeti kokën në gjoks dhe e puthi në ballë. I tha me përkëdheli: “Pa merak, ne nuk do të ndahemi kurrë së bashku, Babushi im, gjer në vdekje!”. Porositi për të një pjatë me qofte të ngrohta dhe një dopio raki ballë kazani, pastaj u zhduk për të përfunduar në bankë. Zyber Harizi, duke ngrënë e pirë, përsëriste me vete: “Nuk ka nga ia mban, nuk m’i lëviz dot bythët mua kjo, jam usta i vjetër unë, sdoqoftë duhet ta mbaj nën vëzhgim.”
Nga ana tjetër zonja Eleni vriste mendjen si ta hiqte qafe këtë maskara. Ishte një barrë e rëndë për të. Kishte rrezik që klientët t’i largoheshin. Po bëhej si një gogol për lokalin “Qofte zgare”. Ai ishte kërcënim, minë me sahat. Demokratët nuk e shihnin dot me sy. Me siguri krimet do t’a zbulonin një nga një. Nga e bija mësoi se ai djali që u përlesh me të ishte i biri i një depudeti që kishte qenë në burg për agjitacion e propagandë. Po vriste mendjen si ta vinte në djeni kush ishte Zyber Harizi dhe çfarë krime kishte bërë. Ajo dinte shumë dhe kishte qenë dëshmitare sesi i torturonin në katin e 13-të të Pesëmbëdhjetëkatëshit qytetarët që nuk donin të bashkëpunonin me sigurimin, si u punonin qindin, si u bënin presion dhe si ua merrnin firmën. Ndoshta duhej shkruar një letër anonime për “Këpushën”. Jo, mund të zbulohej, ai mund të dyshonte për të dhe ata mund të hakmerreshin edhe ndaj saj. Lokalit ende nuk i kishte nxjerrë çertifikatën e pronësisë. Përpara kishte plot punë për të bërë.
Kaloi kështu një javë e qetë. Zyber Harizi vinte në mbasdite, pas gjumit të drekës, rrufiste rakinë, përtypte me nge qoftet, fshinte buzët me një kartopecetë që e nxirrte nga xhepi i pasmë i pantallonave dhe largohej i kënaqur nga lokali i mikeshës së vet. Leni, me arsyetimin se kishte punë me administratën, taksat, furnizimin dhe probleme me pronarët e truallit qëndronte fare pak në lokal dhe largohej. Nuk kishte qejf ta shoqëronte e të rrinte pranë tij. Por e keqja vjen nga nuk e pret. Qëlloi që djemtë demokratikas, të kënaqur nga shërbimi i një jave më parë, u kthyen përsëri në lokalin “Qofte zgare”. U ulën po në të njëjtin vend. Pronare Eleni, pasi u kujdes të mbushej tavolina e tyre, u largua pa e vënë re Zyberi. Me siguri do të kishte skandal. Dhe skandali nuk vonoi. Bukuroshi shtatlartë, hodhi një dopio raki eks, u ngrit më këmbë, iu afrua tavolinës së Zyberit dhe i egërsyer e me sy të ndezur flakë, i tha:
– Ti je ai që babait tim i ke futur kokën në nevojtore?
Dhe nuk priti përgjigje. E goditi me grusht në ballë me sa fuqi që pati. Gjaku pizgë nga hundët e Zyberit. Një nga shokët e djaloshit vuri re se ish shefi i sigurimit po mundohej të nxirrte diçka metalike na xhepi. Iu vërsul rrufe dhe e çarmatosi në çast. Ishte një “beretë” e vogël italiane. Kur panë armën, grupi i të rinjve mori zjarr, në sulm u hodhën edhe të tjerë djem. E goditën me çfarë mundën. Fytyra iu gjakos aq shumë sa nuk njihej më. E nxorrën përjashta me shqelma dhe ai ra në një pellg balte duke u zhyer i tëri.
– Ah, rrospia, më ka bërë kurth, – rënkonte Zyberi aty i shtrirë në lucë – kam për ta shqyer me dhëmbë, kurva e ndyrë. Asnjë nga personeli i saj nuk u hodh të më mbronte, por u fshehën si minjtë në kuzhinë, sigurisht me porosi të saj.
Duke dëgjuar sirenat që afroheshin, Zyber Harizi mbylli sytë. Nuk po i dallonte dot, ishin të policisë apo të urgjencës shëndetësore.
Tjetër gjë mendonte Eleni, alias Vasiliqia; kërkoi dhe gjeti një shishkë të vogël cianuri që e kishte fshehur thellë, në një cep të komosë, që nga koha e monizmit. Me atë do t’i lante hesapet me “Këpushën”, nëse do t’i shkelte më në lokalin “Qofte Zgare”. Nuk mund të lejonte që ai t’i shkatërronte biznesin dhe jetën.
Fund
Mississauga,  2022

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.