VAJZËRI E PAPREKUR

0
202
Nga:Vullnet Mato
Ato ishin dy gra të reja në pamje, por po u afroheshin të dyzetave. Kuna dhe Lora, shoqe qysh nga fëmijëria, po takoheshin pas shumë vjetësh, për të pirë kafen e mëngjesit, te një lokal, në mes të pallateve të tyre. Lora sapo ishte kthyer për pak ditë nga Gjermania, ku kishte mbaruar studimet e larta dhe kishte mbetur aty e martuar me një gjerman.
Ajo ishte mbështetur te shpina e kolltukut të lokalit me një varg perlash në qafë dhe me qëndrimin e një gruaje, që i ka provuar të gjitha kënaqësitë e kësaj bote.
Ndërkohë Kuna, dukej tejet e rënduar në pamjen e saj, me buzët e shtrënguara fort, ku lexohej një padurim i dukshëm, për të zbrazur ngarkesën e brendshme. Ajo mezi priti çastin, derisa kamerieri vuri në tryezë kafet makiato, për të shpalosur lirisht brengën që e mundonte,
– Besoj të ka ndodhur të shohësh ndonjë nga ato gratë fshatare të ngarkuara me barrën e madhe të druve, që ecin të përkulura përgjysmë e me vështrimin përtokë, nga pesha e rëndë mbi shpinë? – e filloi ajo bisedën e saj të paduruar.
– Kam parë, kur isha këtu, madje edhe në filmat shqiptarë, – pohoi Lora.
– E, ja, ashtu jam unë sot, e ngarkuar më një barrë të rëndë përbrenda shpirtit. Dhe do të kisha plasur në vend, po të mos kisha gjetur këtë rast, për të folur me ty, që të shkarkoj paksa peshën time të trishtuar. Po më përpara desha të të pyes, kur e ke lënë vajzërinë ti, Lora?
Lora qeshi ëmbël dhe e nguli vështrimin në bebëzat e syve të Kunës.
– Si dreqin të shkoi mendja sot te ky muhabet?- u habit ajo.
– Nuk më shkoi sot, po kam kohë që po plas e nuk plas dot, pa e treguar atë lemeri që hoqa me vajzërinë time deri para pak muajsh. Tani unë dua me gjithë shpirt të rrëfehem tek ti, mikesha ime e ngushtë, për atë ngjarje, që nuk ia kam treguar dot asnjërës nga shoqet këtu, për të mos u bërë objekt bisedash. Nuk e di si u ka ndodhur shoqeve të tjera, ta mbyllin problemin e virgjërisë me meshkujt e zemrës, por unë për atë eveniment vajzërie, pata një dramë që nuk do të më shlyhet nga kujtesa derisa të vdes. Ai tension nervor, ai shqetësim shpirtëror, nuk besoj se i ka ndodhur ndonjë vajze tjetër, të paktën nga sa kam arritur të dëgjoj shoqet që kam njohur e që më janë hapur në bisedë, për këtë sekret të jetës, që fshehim ne femrat. Sepse siç na është thënë e na është ngjizur në tru, ne vajzat ruajmë një “thesar” të madh, për paprekshmërinë e të cilit, duhet të japim llogari, deri sa të kemi fjetur me burrin natën e parë martesës.
Lora po e ndiqte me habi pamjen aq serioze që kishe marre ajo në ato çaste.
– Sa vjeç ishe kur e humbe vajzërinë? – e ndërpreu Lora me kureshtje.
– Tridhjetegjashtë! – i tha Kuna shkurt.
– Dhe ti ke qenë vajzë, deri në këtë moshë?!- shqeu sytë Lora.
– Siç më kish bërë nëna, deri para pak kohësh, – iu gjegj ajo prerazi.
– Më fal, po paske qenë budallaqe… – ia ktheu Lora duke qeshur nën hundë, që të mos dëgjohej në tryezat e afërta të klubit. – Askush s’do të kërkonte që një grua në këtë moshë të ishte ende e virgjër.
Kuna u kapërdi një grimë e pastaj vijoi duke bërë viza me gisht mbi tryezë:
– Sapo erdha në moshë vajze, gjyshi që më donte pa masë, më tha i pari: ”Mos eja të më puthësh, po ke zënë ndonjë djalë e je bërë pis me të, se do të më vijë ndot nga ti!” Le pastaj, babai dhe mamaja që më qëndronin gjithmonë çekiç pas kokës. Kjo situatë në të cilën ndodhesha, më bëri jo vetëm të frenoja gjithë vrullet e gjakut tim, por edhe t’i mbaja në gjumë të thellë instinktet e panjohura që ekzistonin brenda meje.
– E fortë paske qenë, sepse dashuria dhe seksi janë cilësi hyjnore, që sidomos në moshë të re të nxitin me forcë e padurim, aq sa vështirë të përballohen. Por gjithsesi të kuptoj, ne i kemi pasur prindërit tmerrësisht fanatikë, aq më tepër ti! – shtoi Lora.- Ky fanatizëm i ashpër në mjedisin tonë të trashëguar, e ka vrarë me vrazhdësi erotizmin natyror. Ndërkohë kur në Perëndim, femrat e kalonin kohën duke kërkuar mënyra të reja për të eksituar meshkujt dhe ata shkonin pas tekave të superioritetit të një vajze, sikur ecnin pas një luaneshe, pa menduar për marrëzi virgjërie.
– Unë e mbrojta fort, duke menduar, se për atë të shkretë virgjerie, janë vrarë e prerë burrat, qysh në kohët e para, kur kanunet e egër përdorën fishekët e vdekjes në pajat tona, nëse kuptohej mungesa e saj, nga burri që kishte të drejtën e provës. Po nejse, ti e di, unë u fejova me Astritin tim të dashur, sipas të gjitha rregullave familjare dhe ai me fisnikërinë e pastër të shpirtit të tij, nuk nxitoi të më merrte në provë për vajzërinë time. Por edhe nuk arriti, sepse siç e ke dëgjuar, atij i ndodhi ajo fatkeqësia, që për të më ruajtur mua sa më të paprekur, u kacafyt me atë gjynahqarin, që më provokoi, për fatin e tij i keq dhe njëherësh të Astritit tim…
– Për atë personin që vrau e shkoi në burg?
– Jo, jo, atë nuk e vrau Astriti, ai u rrëzua kur u shtynë me njëri-tjetrin dhe ra me kokë mbi një gur të mprehtë e vdiq. Pastaj ky imi u dënua për vrasje aksidentale. Qysh atëherë, unë iu betova, se dashurisë së tij, do t’i qëndroja besnike për dymbëdhjetë vjet, derisa të dilte nga burgu. Dhe ashtu bëra, nuk ia hodha sytë asnjë mashkulli dhe as nuk lejova që ndonjëri të m’i hidhte sytë me djallëzi. Dhe ja tani po afron koha që Astriti të mbarojë dënimin…
– Unë seç dëgjova, nga një emigrante që të njihte, se ti u operove nga një tumor në organin gjenital?- u kujtua Lora befas.
– Po po, u operova dhe e hoqa pa ndonjë rrezik.
– Domethënë se ty të paska prishur mjeku?…
– Ai më prishi, veçse jo me atë gjënë e mashkullit, por me bisturi… – qeshi Kuna.
– Pa, hë, pa hë, – e nxiti Lora kureshtare, duke vënë buzën në gaz, – si të ndodhi, se ti e pate problem të madh virgjërinë!…
– Kërkova nga ai kirurgu, i habitur për rastin tim, vendim komisioni, para se të shtrohesha në sallën e operimit. Atë vendim ia çova Astritit në burg bashkë me nënën time, për ta njoftuar ç’po më ndodhte. Ai më tha në atë takim, se më besonte mua edhe pa shkresa, njësoj sikur unë të isha vetë Shënmëria. Por u trondit shumë vetëm për shëndetin tim. Unë e qetësova atë, se mjekët më kishin siguruar që ishte një tumor banal, belinjë, fare pa rrezik për jetën, që hiqej lehtë e pa pasoja të tjera. Dhe ja, siç më sheh jam shëndosh e mirë për të filluar tani në tridhjeteshtatë vjeç, atë pjesë të rinisë sime, pikërisht aty ku e kam lënë. Por kam disa ditë që duke pritur Astritin tim të shtrenjtë të kthehet në familje, të bëjmë dasmën e shtyrë kaq vjet, më kanë zënë dridhmat e një shqetësimi të çuditshëm. Nuk di as vetë, pse jam kaq shumë e tronditur dhe e shqetësuar, që kërkoj patjetër të lehtësoj shpirtin, ndonëse e di veten time, që jam e pastër, si drita e diellit, mirëpo ka ditë që më kanë vënë poshtë ca emocione të forta…
Lora qeshi për ta sjellë shoqen në humor dhe, duke i shtrënguar dorën mbi tryezë, i tha me një aksent të ndjeshëm të gjermanishtes në fjalët e saj:
– Motra ime e mirë, ti duhet të jesh veçse e gëzuar, që drama e jetës tënde arriti në një finale kaq pozitive. Këtë shqetësim të kotë, nuk e kanë as ato që e kanë dredhur me disa djem ose janë fejuar disa herë, jo ti që je krejt ballëhapur para njeriut të zemrës tënde. Por edhe duhet të dish, se më këto që më the mua, tregove se ka mbetur pak prapa kohës. Megjithatë nuk të fajësoj, sepse e di presionin e madh familjar, që të ka burgosur shpirtin ty, bashkë me të fejuarin tënd… Eh, ne femrat, nuk na ka dënuar zoti, siç thonë, po vetë robi, që të vuajmë edhe për cingërimat e trupit tonë… – u mundua ta qetësojnte Lora.
Sytë e Kunës u gjallëruan, ajo u zgjat dhe e puthi në të dy faqet shoqen e ardhur nga larg.
– Uh, rrofsh, moj Lora, e të rrofshin të dy fëmijët, për mundësinë që më krijove të zbraz dufin e brendshëm dhe për këto fjalë që më the, të cilat nuk do të m’i kishte thënë as psikologia më mirë. Kisha nevojë për flladin shpirtëror që më dhe sot. Tani sikur e ndjej veten diçka më të lehtësuar… Me këtë rast të them, je e ftuar në dasmën time këtë vjeshtë, por të lutem të më vish, se të pres!
– Do të vij me shumë kënaqësi! – ia priti Lora e ngazëllyer.
Pas kësaj, Kuna ra pakëz në mendime dhe i shkreptiu ndërmend, se deri tani kishte qenë një pemë pa kokrra, që për shumë vjet lëshoi vetëm degë e gjethe të harlisura, por së fundi kishte ardhur koha të lidhte edhe ajo frutat e gëzimit madhështor, si çdo femër që mezi e pret këtë ngjarje kulmore të jetës.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.