Udhëtim me Don Kishotin

0
847

Resmi Osmani – Tregim

UDHËTIMI ME DON KISHOTIN

U bë viti që isha diplomuar inxhinier hidroteknik dhe më kishin emruar në Drejtorinë e Ujrave në një rreth malor të largët në brendësi të vendit. Sa herë ngriheshin ekipe, që asohere ishin të shumtë, si i ri dhe jovendali, drejtori më caktonte mua. Ekipi për kolektivizimin e fshatrave ku ende nuk ishin ngritur kooperativat bujqësore, ku bëja pjesë edhe unë, mbrriti në fshatin e fundit. Ai ishte në fund të luginës, në lartësi, rrëzë faqes veriore të malit që ende ishte me qylafin e borës mbi krye. Sipër ishin pyjet e ahut e mbi ta livadhet alpine. Nën të hapej lugina dhe rridhte lumi. Kundruall ishin fshatrat e rrethit tjetër. Shtëpitë e vogla, të gurta, mbuluar me rrasa,ishin të shpërndara e të zhytura mes gjelbërimit të pemëve. Për të shkuar aty nuk kishte rrugë makine. Udha bëhej më këmbë apo kaluar. Sefte hiqte nëpër një grykë të thellë, të mbyllur nga të dy anët që ngjitej e ngjitej përpjetë, deri te burimet e Ujbardhës, pastaj, zbriste tatëpjetë, mes pyjeve dhe rrëpirave ku fshatrat vinin njëri pas tjetrit dhe zgjaste disa orë.Tokat ishin të pakta, ca ara të vogla, hapur nëpër çeltira, të fituara pëllëmbë pas pëllëmbe e të forcuara me mure guri që të mos vidhiseshin e ti merrte uji tatëpjetë. Të mbjella më së shumti me misër fasule të shkurtëra, pak perime sa per vete dhe në tokat e holla, koçkulla e urof. Nuk bënin as tre muaj bukë. Jetonin me atë pak gjë të gjallë që kishin dhe me pak çaj mali, rigon dhe bimë mjekësore që mblidhnin. Kullandriseshin keq e mosmëkeq. Për të shitur bulmetin e për të blerë vajguri, kripë e sheqer, duhet të bënin orë të tëra rruge ditët e pazarit pr në Berat , Gramsh nga një herë edhe në Korçë. Dukej që skamja e varfëria ishin ulur këmbëkryq. Mjafton të shihje fëmijët: Të keqveshur, rrobaarnuar, të dobët, të zbehtë, fytyrëhequr e të trishtuar, kokën qethur me gërshërë gëzhdalla-gëzhdalla si delet. Gratë të rrudhura,bukuri venitura e si të plakura para vakti.
Trokitëm derë më derë, bëm takime, folëm e folëm sa u ngjirëm për të mirat e kolektivizimit, shpesh duke u thënë gjëra që s’i besonim as vetë.Më së shumti burrat na shmangeshin, sikur ne të ardhurit të kishim sjellë koleren, por edhe kur i gjenim në shtëpi, ishte si tu flisnim mureve e gurëve, mosbesues e dyshues, si të ishin symbyllur, të vuvosur, pa zë e pa veshë. Më së shumti heshtnin dhe kur i deleguari ngulte këmbë për një përgjigje, ata ngrinin supet duke futur qafën brenda si breshka në kafkull. Ishte një jo e heshtur, pa guxim kundërshtimi të hapur, duke lënë heshtjen të fliste. Veç çosa katër-pesë shtëpive që ishin komunistë dhe e kishin detyrë partie, askush tjetër s’kuturisi të hynte në “kumperativë”. Ne të ekipit, të zënë ngusht e durimhumbur, duke me qenë se s’kishte lidhje telefonike me rrethin, nisëm një lajmës nga fshati dhe qëndruam në pritje të përgjigjes. Ndërkohë për të shkuar kohën u ngjitëm në mal. Nga ku hapej një pamje e bukur gjer larg në horizont ku duhet të ishte deti. Lajmsi u kthye, me përgjigjen në zarf. Letra kishte pak rreshta: Më prisni. Më datë dymbëdhjetë jam aty. Nënshkruar: kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Rrapo Dermani, dora vetë. Ekipi frymoi i lehtësuar dhe qëndruam në pritje të shokut Rrapo.
Ai erdhi, kaluar,mbi atin e zi. Ati hinghëllinte, ngrihej arithi, patkonjtë lëshonin xixa, nga goja i dilte shkumë. Shoku Rrapo: i hollë, i gjatë, i zeshkët, fytyra e mprehtë si teh thike, pa mish në faqe, sytë të futur thellë, me hije të zezë, vetullat të kërleshura, mustaqet larushe, të plota. Çereja e vrerosur, tërë zemërim, e hakërrim. Sajuar me ca tesha që e rrëfenin si gjysmë ushtarak. Kasketa, që asohere kishte hyrë në modë: e madhe, strehë gjerë, si e komandantit, i bënte hije ballit të zhubrosur. Në dorë mbante një thupër të gjatë, si ushtë. Çuditërisht më kujtoi Don Kishotin, kalorësin e “Fytyrës së vrerosur”. I mungonte vetëm mjekra. Ne të ekipit që po e prisnim te sheshi i shkollës, e njihnim dhe na njihte, ndaj u mrolëm e u mpakëm si të kishim hyrë në ujë. Shoku Rrapo e kishte të rëndë hijen dhe fjalën. Na mblodhi në një klasë të shkollës dhe pamje sertë, përbuzshëm, duke turfulluar zbrazi mbi ne gjëmimin, bubullimat , rrufetë, furtunën dhe shiun e zemërimit, për paaftësinë dhe mefshtësinë tonë. Si punëpambaruar, na tha t’i harronim dietat! E dinim që nuk duronte kundërshtime dhe e qepëm gojën. Dha porosi të mblidhej fshati: të gjithë burra e gra, fëmijë e të rritur, me kuç e me maç, me zogj e pula! Gjëmoi daullja: o milet, dëgjoni e mbani vesh, ka ardhur kryetari shoku Rrapo Dermani! Jehona e thirrjes, e kthyer nga faqja e malit ushtoi nëpër luginë dhe tok me ujët e lumit rrodhi gjer në det. Dhe njerëzia erdhën. E si të mos vinin? Duhet të ishte sehir e berihaj i madh. Në këtë humbëtirë, rrall vinte i tillë ofiqar. Burrat, siç e donte zakoni, njatjetonin me dorë në zemër, pastaj tymosnin çibukët apo cigare të dredhura me gazetë e duhan fshati erërëndë. Gratë kryeunjura e shihnin shkarazi dhe punonin shtizat. Sheshi i shkollës u mbush cit. Mësimi u ndërpre dhe mësuesit rreshtuan fëmijët krah prindërve. Pas një pritjeje të gjatë dhe heshtjeje të rëndë, shoku Rrapo nisi të fjaloste:
-Në këtë dalje të tretë (?!), për përfundimin e kolektivizimit të fshatit kur u nisa, i mora në sy rreziqet dhe të papriturat e kësaj udhe.Të më besoni, de, hasa në disa kështjella e kala, që herë na i kishte marrë armiku, e herë i kishim marrë përfundimisht ne. Mu ngjallën shumë kujtime, por edhe mu forcua mendimi se s’ka kala, që se marrim ne Komunistët! E fundit shtë kjo juaja. Por edhe këtu , merr vesh, do ta rroposim me themeli punën e armikut, që ka zënë vend dhe fshihet prapa bedenave. Nuk e mendoni dot se ç’ditë të bukura paskëtaj vinë. Lart në Ujëbardhë, ku ujrat e burimeve dalin nga zemra e malit, mu shfaq hidrocentrali, nata mu bë ditë, në shtëpitë tuaja feksnin e llapsnin dritat, ushtonin radiot me këngët për partinë famëmadhe. Eca më tej,çfarë më panë sytë, do të pyesni ju. Ai monopati që dredhon pafund rrëzë malit, mu kthye në rrugë të shtruar me asfalt, me ura të bukura e me parmakë. Autobusët sillnin e merrnin njerëzinë, makinat e mbushura cit sillnin mallra. Në kantierin e sharrave, makinat ngarkonin qerestenë. Namëta, ca më tej mu shfaq spitali, dhe materniteti ku shërbenin mjekët dhe infermieret me rrobe të bardha si drita, dhe nënat e reja e të lumtura, lindnin fëmijë të shëmdetshëm, ca me tej post-telegrafi ku njerëzia flisnin me dashamirët që gjendeshin larg, nënat me djemtë ushtarë, vashat me të dashurit e zemrës. Mapua e madhe mbushur me mallra, ku njeriu s’di ç’të blejë më parë. Papo, mu nderdukën shtëpitë e reja, të bardha si drita me pullazet e tjegullave të kuqe, oborret me trëndafile…….Në pllajat e bukura matanë,(Ku i shihte ato pllaja?) po shoh tufat e mëdha të bagëtive dhe barinjtë e bareshat që u bien fyejve dhe hedhin valle midis lodrimit të shqerrave! Fushave lërojnë traktorët, autokombajnat korrin grurin! Lere,lere se ç’bukuri!…..Lum si ju që do ti shihni e do t’i gëzoni, se unë, dhe shokët e mi de, për këto ditë kemi luftuar e derdhur gjak!
Foli e molloisi, yjet e hënën i zbriti në tokë, dimrin e bëri verë, varfërinë e ktheu në begati, të pamundurën në të mundur! Ç’të them më parë? Ligjëroi si i kurdisuri që s’di të ndalojë. E shihja të tjetërsuar, dalldisja e ngazëllimi ia bënte sytë më të ndritur, seç kishte në çere një hir lumturie. U binda se ai besonte në ato që përfytyronte dhe thoshte. Ne u pataksëm nga gojtaria e tij e na u duk vetja hiç, të padobishëm, kot fare. Burrat u habitën, gratë u çuditën e u dalldisën, fëmijët u ngazëllyen e u mahnitën, gjindja ngriu e mbeti me gojë hapur.Qëlluan me fat që s’kishte miza!Prisnin të dëgjonin edhe më, dhe ja se ç’dëgjuan:
-Gjith sa dëgjuat do të bëhen. Do të bëhen dhe pikë! Do të bëhen se s’bën! Eh,o miqtë e mi, këto janë bukuria dhe mrekullia që sjell fuqia e kolektivizimit, ajo e kooperativave bujqësore.- Fjalët i shoqëroi me një gjest: ngriti dorën lart dhe i mblodhi gishtat eshatakë grusht- Shikoni, gishtat e bashkuar bëhen grusht dhe së toku godisin dhe e rrëzojnë pertokë armikun, që në rastin tuaj është skamja, kjo është kooperativa- pastaj tregoi gishtin tregues- ja ky është individi, i thyeshëm e i pafuqishëm. Ju duhet të zgjidhni , tok e të bashkuar, apo të vetmuar. Kaq gjë e dini, delen e shkëputur nga kopeja e ha ujku!Përsa fola e thashë, kush ka sy le të shohë, kush ka veshë të dëgjojë, kush ka gojë le të flasë. Radha është juaja.Vërtet kjo punë është vullnetare, ama katundet e tjera po hyjnë në kooperativë fshatçe. Të mos duash e pëlqesh koperativën, është si të jesh qorr e të mos duash sytë, të jesh shurdh e të mos duash të dëgjosh, të jesh gagaç e të mos duash të flasësh. Nashti, fjalën e keni ju.
Heshtje. Dëgjohej vetëm krokërima e laraskave, zilet e këmborët e dhive që ktheheshin nga kullota, të lehurat e qenve dhe pallja e ndonjë gomari, që xharriste për qejf të vet, për të ndjellë gomaricën. Ishim në pritje. Burrat shihnin me sy perdhe këmbët dhe duart si t’i kishin të tepërta e s’dinin ku t’i fusnin. Si për të shkrirë akullin e heshtjes, folën ata pak komunistë që kishte fshati, u bënë thirrje bashkfshatarëve të hynin në kooperativë, ndryshe do t’i rrëfenin me gisht si delja e zezë e do të bëheshin turpi i nahijes! Sërish pllakosi heshtja e rëndë e sikletshme dhe shtypëse. Fol o gur, fol o mur! Hiç fare! Kjo ishte e ç’ishte.
-Me leje?
Ai qe kerkoi leje per të folur, ishte mesoburrë, fytyrëplloçë,hundështypur, i parruar, veshur mosmëkeq, kokën ia mbulonte një qylaf me një gisht zgjyrë anash. Shoku rrapo desh të dinte kush ishte e si quhej.
-Më quajnë Haxhi Pishmani, rëndom më thërrasin Xhike.Jam bari dhe ruaj tufën time, ca bishta dhi, që të mos mi hajë ujku. Po ty të paçim sa malet , e ti rrosh partisë, o shoku Rrapo Dermani, që begenise e na sajdise që të na bësh derman. Mjaltë e çudira nxore nga goja, ca i kuptova e ca s’mi mori mendja, se helbete, gjindje e trashë, se me bagtitë rroj e si bagtitë jam bërë. Eh, të bëheshin gjith ato që the, ahere në këto humbëtirat tona do kishte zbritur Xheneti. Mirë e bukur na i rrëfeve zotrote, po pleqtë tanë, që u pastë shpirti rahmet atje ku u prehen kokallat, na kanë lënë çosa urtësira e vasijete de, që të matemi e gjykojmë mirë kur dëgjojmë për të bëra e të pabëra, apo kur duhet ti japim karar për gjësendi. S’është se ti s’i ke dëgjuar, por unë dua të t’i rrëfej ca prej tyre: fjala vjen: “Fliste si e ëma e Zeqos majë thanës”, ”Mat dhjetë herë, e pre njëherë”, ”Peshku në det,tigani në zjarr”, apo”Prit gomar, të vijë behari të mbijë bari, behari erdhi po gomari i ktheu këmbët nga dielli”. Asokohe që ishte dimër, e pyeti derri i egër ariun: ”Si thua ti ari byrazeri, do bëhen gorricat sivjet?”,”Po”, tha ariu. “Nga e di ti?”, “ Se më hahen mua” qe përgjigja. Pa është edhe ajo kuturisja e zonjës dhelpër që e mbajnë për dinake. Po cofte nga uria, kur pa që aty pari po kalonte dashi, dhe mender teje e këtyre motrave që na dëgjojnë, i tundeshin koqet, goxha të mëdha, ju qep prapa se mos i këputeshin dhe mblidhte me to vaktin, por i shkoi huq. Kam dhe të tjera po deshe, po zotrote je i mençur dhe e kupton vetë. Ne na ka zënë këpusha në koqe dhe s’dimë nga t’ia mbajmë, na ka gjetur si ai që rrëfejnë, të shkonte majtas e hante qeni, të shkonte djathtas e çante ujku! Kaq kisha,- tha Haxhi Pishmani dhe u ul në vend këmbëkryq. Mbushi çibukun dhe filloi të godiste me uror gurin e strallit që ti jipte zjarr eshkës.
-Na zbraze thesin e fjalëve të urta, po s’na the gjë, në kooperativë do të hysh more Haxhi?
-Unë , s’e them dot atë llaf, ka burra të tjerë të ditur e të mençur fshati, ta thonë ata. Unë gjytyrimi, thashë ato që dija! Për më tej,me të parë e me të bërë, tok me shokët.
Sido që u përpoq t’a mbante veten, shokut Rrapo i hipën xhindet, e zuri tërbimi, po i dilte shkumë nga goja dhe po dridhej i tëri. Kisha frikë se mos i binte zali, por jo,ai u shkund dhe e mblodhi veten. Tjetërkush nuk foli. Kokunjur, duke na parë tinëz me bisht të syrit, burrat, një e nga një zunë të largohen. Pas u shkonin edhe gratë. Sheshi u boshatis. Mbetëm ne, kryetari i këshillit, sekretari i partisë dhe nxënësit e shkollës.
Për të zezën tonë kështu mbaroi ky meting: pa duartrokitje dhe pa zbrazje pushkësh për hairhaber. E prisnim që mbi ne të zbrazej furtuna dhe shiu i zemërimit. U mblodhëm në njërën nga klasat e shkollës. Heshtje shtypëse dhe e frikshme. Shokun Rrapo e zuri një lemzë e keqe, i dham një gotë ujë dhe ai u qetsua. Me zë të shuar, e si me pafuqi, tha që grupi i punës nuk e kishte bërë detyrën, prandaj do të qëndronte dhe vazhdonte sa të bindeshin njerëzit.Tekefundit edhe ata do të hynin në vathë, s’kishin nga ja mbanin. Përndryshe, ne ti bënim derman vetese të gjenim vend ku të fusnim kokën! Fjalët e fundit u thanë me hakërrim.
-Ti Petrit, do të më shoqërosh mua në rrugën e kthimit. Do të nisemi menjëherë.
Dhe u nisëm. Ai para e unë pas. Ai kaluar, unë më këmbë. Ai i mërzitur unë i gëzuar që po kthehesha. Ai rehatuar mbi shalë, unë me shojet e këpucëve të çarë nga majat e gurëve dhe gishtat plagë nga morthi. Ishte bërë java pa larë dhe trupi më kruhej. Ai Don Kishoti, kalorësi i “Fytyrës së vrerosur” në kërkim të “avantyrave”, unë si shqytari Sanço, por që më mungonte veshgjati. Në vend të ushtës,kishte një thupër të gjatë frashëri. Kasketa ishte përkrenaria e Mandrinit, dhe kali Rosinanti. Udha që do të zgjaste katër-pes orë të mira, hipte e zbriste, ngjiteshim duke qarë e zbrisnim duke qeshur.
Udhës u bënë biseda. Ai më thërriste në emër, por mua më bëhej sikur më thoshte: ”Sanço mor bir” dhe unë sikur i përgjigjesha”Hirësia juaj” e heraherës edhe “Imzot”.
-Petrit,o bir. Armiqtë tanë po na e fusin ujin nën rrogoz. E dëgjove atë Haxhi Pishmanin, apo Haxhi Shejtanin, që zbrazi thesin e fjalëve të urta? Ai, dëgjomë mua që i njoh mirë njerëzit, me dhëmbë e dhëmballë, është rrufjan politik, që hiqet si shejtan-budalla por është një shtrigan që trazon një katund të tërë! Po ta dish se çkam për ti punuar!Ta dish mirë! Ah ç’kam për ti punuar! Që nesër do të dërgoj Feridin,do t’i heqim triskat e frontit e do ta shpallim kulak, para gjithë fshatit që tu bëhet mësim. Ka për të hequr të zitë e ullirit e për ta kafshuar atë gjuhën si të nepërkës. Hekuri rrihet sa është i nxehtë. Si thua ti?
-Shoku Rrapo, e ç’kulak ziu, ai ishte trok sa s’kishte ku e zinte qeni me dhëmbë dhe tër pasuria e tij ishin ato pes bishta dhish!
-Petrit o djalë – ziu, kë pyes dhe unë, je fare i paditur e i parrahur në punët e politikës. Më mirë hesht, qepe të shkretën, sesa të më thuash hajvanllëqe!
U pa puna, ai donte vetë të fliste, vetë të dëgjonte, po ç’dreqin kishte që më pyeste?
Ai para e unë prapa, hip e zbrit monopatit, ai kaluar e un më këmbë. Ai folë e unë dëgjo!
-Petrit or çun, e sheh atë kokojkën matanë grykës? Sipër është një shesh dhe një shteg që vjen së poshtmi. Rrugë tjetër s’ka. Aty u kishim zënë pritë gjermanëve në Operacionin e Qershorit. Isha i ri, i fortë si lis, e haja hekurin me dhëmbë. Ngjesha mitralozin, breshërit e para e mbushën lëndinën me të vrarë. Po ku soseshin, ishin mizëri. Shokët hodhën granatat. Thirrja “Para partizanë” më ngriti më këmbë, bëra batërdi. Isha i ri, idealist, (siç jam edhe nashti) dhe trimëria s’më mungonte. Eh të ishe aty e të shihje! Për gjermanët thoshin që ishin trima, por u treguan lepuj, majat nga thembrat, ja therën vrapit. Nëne o nëne, këmbët e lehta faqja e bardhë, ikni o këmbë se u dhje bytha! Ja kështu.
Eh ato kohë, armikun e kishe ballas, nashti ai fshihet si kërmilli në guackën e ligësisë, por mua s’ma hedh dot, e ndjej erën e tij të shpifur që larg!
Ik e ik dhe udha s’ka të sosur, jam bërë telef, kënbët më therin dhe mesgishtat janë gjakosur. Jam i uritur dhe goja më është bërë shkarpë. Po ustait tim si rrihet pa folur dhe unë duhet ta dëgjoj. Majtas përballë, na u shfaq një pllajë e zhveshur, e shkretë, si e mbjellë me gurë.
-Petrit, mor evlat, e sheh atë pllajë?
-E shoh .
-Eh ç’bukuri! Shihi pemët: mollët,dardhët, kumbullat e qershitë ngarkuar me fruta, vashat si flutura e djemtë si petrita që vjelin e mbushin shportat. Po këngët i dëgjon, u këndon zemra nga begatia e lumturia!
-Shoku kryetar, s’kam si t’u bëj qejfin, po në atë pllajë nuk shoh veçse ca shkurre dhe gurët e bardhë si t’i ketë mbjellë njeri me dorë!
-I shkreti inxhinier! Shihi, shihi mirë de dhe thirri imazhinatës, përdor forcën e përfytyrimit dhe ke për t’i parë e për ti besuar që janë të vërteta.
Vijonim të hiqnim udhën në një të përpjetë. Dihasja nga zori, isha lodhur dhe këmbët më thernin.Po bëheshin orë që po ecnim. Ai fliste e fliste, në atë rast e kuptova se ç’do me thënë të flasësh kaluar. Prashiste fjalët mbarë e prapë e lashë të fliste në qejf të vet dhe nuk ia preva fjalën asnjëherë se e kuptova që e kishte zët. Fillova të mendoj për gjenialitetin e Servantesit, që na kishte lënë trashëgim Don Kishotin e pavdekshëm, që u takonte gjithë kohëve e gjithë brezave e që brënda secilit prej nesh kishte pak donkishotizëm. Ustai im i tanishëm, tëpkë si kalorësi i “Fytyrës së vrerosur” ëndërronte ditën me diell, ngrinte kështjella në erë! Kjo siç duket i ishte kthyer në një pasion të këndshëm që i jepte shumë kënaqësi, ai dehesh me fantazitë e tij mashtruese, që i besonte si të vërteta, ato shkriheshin me jetën e tij të njëmendtë, sa që mua po më dukej se nuk ishte në gjëndje ti dallonte njëra nga tjetra .
Dëgjova që më thirri emrin, donte sërish vëmendjen time:
-Si i ke punët me femrat, të pëlqejnë ndopak?
-Epo, si ta them, si gjithë të rinjtë.
-Sa për vete, i kam nxjerrë ujë të zi, kusur si kam lënë! Po Dafina, ime shoqe, sado e mirë, qëlloi shterpë, barkthatë, s’ma dha dot një djalë. Tashti von, në daljet e mija, në katundin Trapezan, thellë në malësi, në një mbledhje rinie, kam parë një vashë që e quajnë Zybejde. Hajde ç’femër, ç’bukuri, në tërë nahijen si bëhet kush shoqe, thëllëzë mali, perri e shkuar perrisë! Më pikoi në shpirt.Që kur e kam parë s’më hiqet nga mendja.Por, si i thonë shih me sy e plas me zemër. Në çdo punë që nis, e kujtoi dhe e thërras me mëndje që ta kem pranë e të më bëhet krah! Merret vesh, ajo s’e di këtë, kjo më brengos.
Ah, pa shih ç’na qenka! Gërxhua ishte sevdallisur. Ja ku ishte edhe Dylqineja e famshme, jo e Tobozës, por Zybejdeja e Trapezanit!
Arritëm në burimet e Ujëbardhës. Që aty hapej pamja e bukur e vargmaleve që shtriheshin në lindje e juglindje gjer larg në horizont. Qëndruam. Në këto lartësi, pranvera ishte ca e vonuar. Nëpër gropat dhe vende që s’u binte dielli, bora ende nuk kishte shkrirë.Lëndina ishte e mbushur me manushaqe të verdha, që i shihja për herë të parë, dhe ca trëndafila xhuxhë, me lule të vogla por aromatike. Ustai i zbriti kalit dhe e la të lirë të ngjëronte barin që atje ishte me bollëk.
Mori frymë thellë dhe recitoi një varg që i erdhi në mendje: “Hipa në një majë mali edhe pashë gjithë Shqipërinë”, bukur e ka thënë Hasan Zykua i Kamberajve.- Kuptohet, ja kishte veshur kot autorësinë.-Shko na merr atë bohçen te kocaqja e shalës, të hamë gjësendi nga ato që na kanë vënë. Aty ishin kujdesuar të vinin për udhë, ca djathë shakulli të mbështjellë me gjethe pjergulle, vezë të ziera dhe bukë misri. U shtruam në lëndinë, ushqimin e vum mbi një pllakë guri. Sido që buka bajate e djathi me qime nga të shakullit, ngaqë ishim të uritur na shijuan, hëngrëm dhe pim ujë bore.
-Dëgjomë,-më tha- më dukesh djalë për së mbari dhe me biografi të pastër. I dhashë karar të më shoqërosh në daljet e mia, si punë ndihmësi, kuptohet, kur ta dojë puna, të më shkruash edhe ndonjë fjalim. Për këtë shërbim do të shpërblej. Do të bëj drejtor të Drejtorisë së Ujrave. Por për këtë duhet të presësh ca kohë.
Ustai, nuk po më bënte guvernator të ndonjë ishulli, ashtu si Don Kishoti Sanço Pançën, po ama drejtor do të më bënte! Nuk u ndjeva, si thashë as po as jo. Nuk vareshin nga mua as e para as e dyta.
U nisëm. Mbeteshin edhe nja dy orë rrugë, por ajo zbriste nëpër rrafshnaltë tatëpjetë, derisa përfundonte te gryka që na nxirte në qytet. Koha u prish menjëherë. Retë zbritën nga çuka e malit, era e ftohtë vërshëllente, shkrpëtimat dhe bubullimat u shoqëruan me rrebeshin e shiut e të breshërit. S’kishim ku të futeshim apo strehoheshim. Ustai nxori një pelerinë ushtarake me kapuç dhe u mbulua, hoqi udhën pa qëndruar. U laga sa u bëra për të shtrydhur. Rrebeshi kaloi dhe ustai qëndroi.Hoqi pelerinën dhe tha:
-Shiu i beharit si vrapi i gomarit. Vërtet u lage, po ky shi është ogur i mirë dhe bereqet.
Hoqa këpucët, kullova ujin, shtrydha çorapet, pastaj këmishën dhe kanatjeren. Uji më kishte vajtur në mish dhe dridhesha nga të ftohtit.
Para se të zbrisnim në grykë na u shfaq qyteza, e vogël me një grusht ndërtesa, rrëzë malit dhe e zhytur në gjelbërim.Qytet i thënçin se edhe pse qëndër rrethi, s’kishte as dy mijë banorë! Ustai u ndal. Po ashtu bëra dhe vetë.
-Shikoje mirë dhe më thuaj se ç’farë sheh.
Ja thashë.
-Po pallatet e reja shumkatëshe nuk i sheh? Po fasadat me xham që llapsin e feksin nga drita e diellit nuk I sheh? Po bulevardin që e përshkon mespermes, po spitalin e ri lart në të majtë, oxhakun e fabrikës që tymos, urën mbi lumë…. Altoparlantët që gjëmojnë nga këngët te pallati i kulturës, fëmijët që luajnë te këndi i lojrave…..? Hë, i sheh apo jo? Më thuaj!
Ç’farë t’i thosha. Atë e kishte kapur dalldia dhe fantazia i sajonte të paqënat.Ashtu si i dëshironte dhe mendonte se duhet të ishin gjërat dhe sendet. Më kishte zënë ngusht. Priste përgjigje. Mu kujtua Haxhi Pishmani kur foli për të ëmën e Zeqos majë thanës! Më dukej sikur më pyeste:a fluturon gomari? Dhe priste t’i thosha: fluturon! Dreqi e mori, këtë s’mund ta bëja.
-Shoh qytetthin tonë, të vogël, të srrukur në prehër të malit, mes blerimit, me shtëpi të ulta e me dy tre pallate gjithaq të ulta në qendër. Nuk shoh asgjë nga ato që shohin sytë e tu.
-Mor çun! Që je i verbër merret vesh, por ti s’di as të më bësh qejfin. Me ty qënkam gënjyer. Nuk do të jesh më shoqëruesi im dhe mos prit ta ulësh bythën në atë karrigen e drejtorit-ishte i pezmatuar dhe i grahu kalit. Edhe unë u dhashë këmbëve. Kur mbrritëm u ndam, s’mi hodhi sytë. I thashë”Ditën e mirë e mirupafshim” por nuk ma ktheu përshëndetjen.
Kështu mbaroi ky udhëtim me Don Kishotin.

Tiranë , nentor 2015

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.