NAMIK SELMANI
Flamurit tonë Kombëtar
Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit.
Me ty dora u forcua e dritëloti i gaztë syve na rrodhi
Në ugarin e lirisë së pambjellë buisi kah shekuj filizi
Në fjalën e gjyshërve mentarë ëndrra shtat na hodhi..
Kuqëlimi i ditënetëve tona të bëri kaq hijerëndë.
Na prive kur plumbonim a radhisnim të menduar shkronjat
Në valëvitjen tënde na mbeti një fjalë e pathënë.
Që ia lamë nipërve e mbesave si testamente të ngrohta.
Deshëm që në brazda ditësh gjunjët te ti t’i ulim.
Deshëm t’i merrnim pramë teje dëshirën e pragvdekjen
Kur mjegulla na fshihte diellin e shtegun e një rruge
Kërkonim fitimtarë që të sfidonim Natën, të keqen.
Të gdhendëm te djepet, gurët, te pllaka mermeri ndër varre
Të vumë në ballë të krushqve ardhur nga bjeshka
Hej, çdo të ishim pa ty, o bajrak i zemrave shqiptare
Ç’do të bënin pa ty fëmijët që do të nisin festat?
Të vumë në bedena kënge, poezie a nëpër filizë urimi
Të vumë në emra djemsh që lindnin mes gjëmimeve të luftës
Në arkëmortin e supeve u bere savan për kujtimin e një trimi
E një Kryemik i një ode kur shtronim kafshatën e bukës..