Të dua! Te Shkëmbi i Kavajës

0
435

NGA : Dritë  Ruhani

Në mëngjesin e hershëm, fërfërimës së gjetheve i ishin bashkuar edhe regëtimat e zemrave të qenve. Koko me shoqëri edhe pse e dinin se kjo pamje ishte reale, nga befasia e madhe ishin ngazëllyer aq shumë sa nuk dinin se a duhej të qeshnin apo qanin, të uleshin apo vraponin. Kurrë nuk kishin parë aq shumë ujë në një vend. Kurrë nuk kishin parë ranishte aq të bukur e të gjatë. E vështronin me ëndje dhe kënaqeshin duke e soditur tërë atë bukuri natyre. Era lëvizte lehtë sipërfaqen e ujit dhe qimet e tyre. Afër ujit, një burrë e një grua, me lëkurë ngjyrë çokollate, me nga një lopatë druri nxirrnin ujin e futur në barkë. Mbase gjatë natës këtu do të ketë rënë shi. Më tej, një barkë peshkimi po vallëzonte përmbi valë e në restorantet përreth plazhit punëtorët po rregullonin karriget dhe pastronin tavolinat.
Qentë me shikim të mpirë sodisnin rreth e rrotull çdo detaj. Një botë krejt tjetër: aq qetësuese, aq mahnitëse, me njerëz që kuronin mushkëritë me ajrin e pastër që vinte nga deti e qen që ecnin apo vraponin të palidhur dhe askush nuk i pengonte askujt.
– Të dashur, ky është plazhi i Durrësit! – i tëri duke u dridhur nga të ftohtit, iu tregoi Rroni, i veshur me pantallona të shkurtër dhe bluzë të hollë. – Para se të fillojmë vrapimin e mëngjesit ejani ta fillojmë ditën me një mahi të shpejtë.
Qentë dhe të gjithë u kthyen nga ai. E ai, përkundër që i ishte zbardhur fytyra nga të ftohtit, shkëlqente si një yll:
– Dalin dy qen për herë të parë në plazh. I thotë njëri tjetrit: – Me siguri, këtu rrëshqet shumë. – Ku po e di? – A nuk po e sheh sa shumë rërë kanë shtruar që të mos rrëshqasin!
Qentë, të lumtur, e rrethuan dhe filluan ta përkëdhelin. Pastaj e rrëzuan në rërë dhe iu hodhën përmbi.
– Më mirë e keni largohuni se të gjithëve iu fus në det të ftohtë, ha-ha-ha! – iu bërtiti ai.
Qentë shikuan shkurt nga deti e ky arriti të ikë. E qentë pas tij. Dhe, gjithë fëmijët duke vrapuar e kërcyer nëpër plazhin e gjerë.
– A vrapojmë deri te Shkëmbi i Kavajës? – u tha qenushi Arman shokëve të tij.
– Çfarë shkëmbi qenka ai? – e pyeti Taravoli.
– Është një shkëmb në afërsi të Gjirit të Durrësit ku është bërë beteja e Dyrrahut, mes Cezarit dhe Pompeut, – tregoi Romeo.
– Kush është Dyrrahu? – pyeti Lala.
– Dyrrah është emri i vjetër i Durrësit.
– Ai vend ka qenë i tëri nga shkëmbi, një fortesë natyrore, – vazhdoi Armani nga Kukësi.
– Akoma është shkëmb, a? – pyeti Goldi me kureshtje.
– Jo, gjatë komunizmit ishte zonë ushtarake. Para afro tridhjetë vitesh, i hoqën rrethojat e hekurta të shkëmbit të Kavajës dhe populli nisi të shijonte pushimet në rërën e mrekullueshme të bregdetit të tij, – shpjegoi Romeo.
– Nuk besoj që familja jonë i di këto! – tha Goldi.
-Shumë pak vizitorë e dinë këtë. Askund askush nuk ka shkruar asnjë informatë për turistët. E aty kanë lënë kockat shumë pushtues nga shumë shtete, – tregoi Romeo.
– A mos e dini sa është i gjatë Gjiri i Durrësit? – i pyeti Koko.
– Tetëmbëdhjetë kilometra i gjatë dhe afro katër kilometra i gjerë, – iu përgjigj Romeo. – Sot më mirë kisha thënë të rrimë këtu në Durrës. Me siguri prindërit tuaj do të duan ta vizitojnë kështjellën e Durrësit dhe Vilën mbretërore të Mbretit Zog.
– Po, mirë ti si kuksian…
– Jo kuksian Goldi, ne themi për veten krutonë, ose krotonë, e zyrtarisht na quajnë krutanë kështu ka qenë që nga lashtësia, – e përmirësoi Romeo dhe vazhdoi: – Ne themi këngë krutane, valle krutane, dasma krutane…
– A keni edhe veshje krutane? – e pyeti Lala.
– Po. Unë i dëgjova prindërit e juaj që sot duan ta vizitojnë kullën e vrojtimit të detit si dhe Muzeun Etnografik. Nëse shkoni aty do t’i shihni edhe veshjet e bukura krutane, – iu përgjigj Armani.
– Sa mirë kishte qenë nëse na marrin edhe ne me veti në kullën e vrojtimit! – i tha Koko Agenës.
– Nuk jam e sigurt që lënë vizitorë brenda. Po pse ke aq dëshirë ta vizitosh? – e pyeti Agena.
– Të kujtohen Marsi e Venusi, që shkuan të jetojnë në anije me një kapiten? Kisha pasur shumë dëshirë t‘i takojmë.
– O sa mirë që t’u kujtua Koko! Shpresoj i takojmë.
– Qenushe e qenushë, nëse përfunduat bisedat, do të ishte mirë të vazhdojmë shëtitjen? Këtu më vonë nuk mund të lëvizim nga njerëzit e shumtë, po ejani ta shijojmë agimin në bregdet! – ua bëri Rroni duke e parë se të lehurat e tyre s’kanë të ndalur.

Foto: Valbona Jazexhiu

Image may contain: dog and outdoor

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.