DOM JOZEF MARKSEN, PRIFTI MARTIR GJERMAN

0
43
     Përgatiti: NDUE DEDAJ Mund të jetë një imazh i 1 person
Të dhënat e para rreth veprimtarisë misionare në Shqipëri të Dom Jozef Marksen i kemi mbledhur nga mesi i viteve 90 dhe i kemi publikuar në formën e një portreti të shkurtër në librin “Toka e Katedraleve”, ashtu siç kemi bërë dhe me klerikë të tjerë të Abacisë së Mirditës.
Rreth 15 vite më parë ka ardhur për ta kërkuar stërmbesa e tij Cäcilia Giebermann, me të cilën, së bashku me dy miq tanë nga Rrësheni, kemi shkuar në Malaj dhe Perlat, përkatësisht te kisha e Shën Vlashit dhe ajo e Shën Mërisë, ku pati shërbyer Dom Zefi, si dhe në disa familje atje, ku kemi folur me të moshuar që e kishin njohur e që ruanin dhe ndonjë fotografi me priftin gjerman. Ndërkohë Cäcilia do të bënte të njohur origjinën e tij. Antonius Joseph Marxen (dom Jozef Marksen) kishte lindur në Gjermani, në Worringen, sot pjesë e rrethinës së qytetit të Këlnit, më 2 gusht 1906, në një familje të madhe të krishterë. Me datë 21 qershor 1936 ishte shuguruar meshtar për Argjipeshkvinë e Durrësit, nga kardinali arqipeshkëv i Mynihut, Michael von Faulhaber, i cili në vitin 1951 do të shuguronte meshtar edhe të riun Joseph Ratzinger, më vonë Papa Benedikti XVI.
Po atë vit Jozefi i ri mbërriti në Mirditë ku më 1 nëntor 1937 u emërua famullitar në Perlat. Sivëlla me misionarin tjetër gjerman, Dom Alfons Tracki që pati shërbyer në Velipojë. Gjendet famullitar në dy famullitë e Kthellës për gjashtë vjet. Emri i tij del në disa rregjistra kishtarë të dëmtuar. Të moshuarit kujtojnë: “Dom Zefi pati ardhur në Perlat në moshë te re, ku ka shërbye nga viti 1937 deri në vitin 1943. Ka nxanë gjuhën shqipe prej priftit të Malajve, Dom Mati Fishtës. Në popull ka gëzue emën të mirë. I ka nxitun njerëzit e anëve tona të shkolloheshin, një djalosh perlatas e pati dërgue vetë për studime në Gjermani. Ishte njeri i ditun, kishte një bibliotekë të pasun me libra artistikë, i pëlqente të përçonte kulturën e vendit të tij, por nuk mungonte të vlerësonte virtytet e shqiptarëve”.
Më 1943 u transferua në Jubë të Sukthit (rrethi i Durrësit), ku qëndroi deri në arrestimin e tij, për çka ka shkruar At Zef Pllumi, ashtu siç e përmend dhe Dom Ndoc Nogaj në priftërit e martirizuar.
Dioqeza e Rrëshenit, në një njoftim të paradokohshëm, bënte me dije se kishin pritur një grup miqsh nga Gjermania, që kishin ardhur së bashku me stërmbesën e të Lumit dom Jozef Marxen, Dr. Cäcilia Giebermann: “Mbas takimit në Kurien tonë Ipeshkvnore, të gjithë së bashku, përkujtuam dom Zefin (Jozefin), duke vizituar disa prej vendeve ku ai ka shërbyer si meshtar në Mirditë. Stërmbesa e dom Zefit kishte rezervuar një surprizë emocionuese për ne. Ajo kishte sjellë nga Gjermania një “flamur” që dom Zefi e përdorte gjatë kremtimeve të meshëve dhe e merrte gjithkund me vete. Kur e patën arrestuar, “flamurin” e kishte ruajtur një burrë nga Durrësi, që vitet e fundit ia kishte dhuruar asaj, teksa interesohej për vendet ku kishte shërbyer dom Zefi në Shqipëri. Ai “flamur” paraqet imazhin i Shën Anës dhe bijës së vet, Zojës së Bekuar.
Dom Zefi u arrestua dy herë. Herën e parë u lirua pas interesimit të pleqve të fshatit Jubë, me myslimanin Lam Asllani në krye. Pas dy-tri javësh, në shkurt 1945, u arrestua për të dytën herë në Shijak e prej aty u dërgua në Tiranë në burgun special, ku ndodheshin edhe dom Lazër Shantoja dhe padër Frano Kiri. U dënua me dy vjet burg pa asnjë dëshmi kundër tij, por kjo nuk iu duk e mjaftueshme regjimit komunist dhe duke mos gjetur një mënyrë tjetër për ta eliminuar, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët e morën nga burgu i Tiranës dhe e pushkatuan në një pyll rrugës për Kukës. Dom Zefi ishte 40 vjeç. Pak ditë para se ta zhduknin kishte thënë: “Jam i lumtur se do të kujtohem gjithmonë prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.