Siç thoshte gjyshja ime…  

0
476

Nga:Marash Gilaj                           

 Me Gëzimin, shokun e ushtrisë, kishim dy dekada pa u takuar. Ashtu erdhi jeta tek ne, në këto tridhjetë vitet e tranzicionit. Secili prej nesh emigroi pas vitit 1990, por në shtete të ndryshme. Kishim humbur edhe kontaktet me telefon. Ai kishte kaluar ca vite në Greqi, kishte punuar çdo ditë të javës, nganjëherë, edhe nga dy punë. Pas dhjetë vitesh ishte kthyer përsëri në vendlindje dhe me ato para që kishte kursyer, arriti të hapte një bar – kafe, në një lagje të Tiranës. Unë emigrova në SHBA dhe vendosa të jetoj atje, pasi e gjithë familja ishim bashkuar dhe nuk gjenim ndonjë arsye për t’u kthyer. Kështu u ndanë rrugët tona. Malli për vendlindjen, për shokët dhe miqët, më thërriste të vija herëpashere dhe të çmallesha me ta. Pastaj të kthehesha përsëri në “ Tokën e premtuar.”

Kisha lindur e rritur në një fshat të qarkut të Shkodrës, por kur vija, edhe pse kisha në dispozicion vetëm 10 – 15 ditë, shkoja në Tiranë për të takuar një kushëri timin.

Rastësisht, u ndodha ballë për ballë me shokun tim të vjetër, Gëzimin. Secili prej nesh kishte ndryshuar shumë dhe e patëm të vështirë ta njihnim njëri-tjetrin në çast. Dyshimi duhej vërtetuar.

  • O Gëzim, i thirra unë, duke pritur reagimin.
  • Urdhëro, m’u përgjigj. Po kush je ti?, – se nuk po të njoh, vazhdoi ai, duke shprehur dyshim e pasiguri.
  • Jam ai shoku i ushtrisë nga Shkodra. Të kujtohet?
  • Si s’më kujtohet more burrë!? Ju jeni Pjetri. Çfarë surprize!

U përqafuam si miq të vjetër dhe pasi biseduam për shëndetin, për punën  dhe familjet, ato minuta që kishim në dispozicion, menduam t’i kalonim në një kafe aty afër. Folëm për shumëçka, por biseda, si pa dashje mori drejtimin nga politika. Kështu ndodh me ne shqipëtarët, mendova unë, ndersa doja edhe mendimin e shokut tim të ushtrisë.

Pse, – i them unë, tek ne njerëzit merren shumë me politikë?

Ndoshta nuk ta kam thënë, por siç më thoshte gjyshja ime, ndjesë pastë, se po nuk u more me politikë, merret ajo me ty. Nuk është e tepërt të them se ajo ka qënë shumë e zgjuar, vazhdoi Gëzimi. Nuk dua t’i ha hakun as gjyshit, por unë rrija më shumë me gjyshen dhe prej saj kam mësuar shumë. Mbaj mend, edhe pse kanë kaluar gjashtëdhjetë vite, se shpesh më thoshte që, kur politika nuk bëhet mirë nga politikanët, nga ata që e kanë si profesion dhe detyrë, atëherë, të gjithë merren me politikë. Kjo po ndodh vazhdimisht tek ne. Fatkeqësisht, ne jemi viktima të një politike të keqe dhe po vuajmë nga pasojat.

  • Bukur e paska thënë gjyshja jote, i them unë, por “, kur populli zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj , tradhëtarë, nuk është viktimë, por bashkëpunëtor”, thoshte George Orwell.
  • Po më duket sikur ky xhorxhi, paska qënë në një mendje me gjyshen time. Përveç kësaj, gjyshja ime ma përsëriste shpesh: “ Më mirë i shkurtër e me një barrë mend se sa i gjatë, skërfyell dhe hu gardhi”.
  • Interesante kjo, më pëlqeu krahasimi, por, kur kritikojmë një njeri të poshtër, e përbuzim, ai të përgjigjet si bishë e egër, bile edhe hakmerret, na mëson urtësia, vazhdova më tej.
  • Paska pasur të drejtë gjyshja ime, që ndjesë pastë, kur më thoshte se është rrezik i madh t’i japësh armë të marrit dhe pushtet të pandershmit.
  • Gjyshja juaj, kishte mbaruar ndonjë shkollë të lartë jashtë vendit apo kishte lindur me shkollë? , e pyes unë nga kureshtja.
  • Jo more, çfarë shkolle. Shkollën e Surrelit ndoshta, por nuk jam i sigurtë nëse kishte një shkollë fillore ose jo në fëmijërinë e saj.
  • Sidoqoftë, ajo më ngjan me një filozofe, e komplimentova unë nipin e saj. Pastaj shtova se tek ne mbizotëron gënjeshtra, se të zezën e quajnë të bardhë dhe anasjelltas, pa u skuqur as zvedhur si qeveritarë a politikanë që na sundojnë këto vitet e fundit.
  • Keni shumë të drejtë, më tha Gëzimi, sepse siç më thoshte gjyshja ime, vetëm piktori dhe gjyqtari mund ta bëjnë të zezën të bardhë apo të bardhën të zezë, sipas nevojës që u paraqitet për të mbuluar dështimet e për të arritur qellimet e tyre djallëzore.
  • Latinët e mençur kanë një fjalë të urtë, i them unë, pa dashur të tregoj se sa të mençur i kisha unë paraardhësit e mi. Ata thonin se premtimet e shumta gëzojnë vetëm të marrët. Këto i dëgjojmë sa herë që kemi zgjedhje të reja. E ke vënë re?
  • Ju keni të drejtë dhe latinët gjithashtu. Paska pasur të drejtë edhe gjyshja ime që thoshte se një gënjeshtar është edhe hajdut dhe kjo nuk varet nga gjatësia siç pretendohet këtu tek ne. E shikon ti se këta që premtojnë shumë nuk mbajnë asnjë premtim, bile fillojnë menjëherë të vjedhin sapo marrin pushtetin.
  • Po këta nuk pranojnë as gabimet dhe kjo mënyrë sjellje është fatale për një popull që sillet herë se skllav i lindur e herë si skllav i blerë.
  • Këta tipa janë gjithmonë gabim, sepse nuk duan të korrigjohen, siç më thoshte shpesh gjyshja ime. Bile, i dëgjon tek thonë se fajet , gjithmonë, i kanë të tjerët.
  • Po mirë, si thua ti? Pse këta i shkatrruan gjykatat kryesore dhe punojnë pa ligje, pa rregulla, pa norma e zakone?
  • Siç më thoshte gjyshja ime, të marrët nuk durojnë rregulla as ligje, prandaj i shkatrruan, gjoja se po bëjmë reformë. Bile, ajo shkonte edhe më tej, kur thoshte se diktatorët dhe tiranët nuk ndodh që t’i respektojnë ligjet, vullnetin e lirë, drejtësinë, moralin as të vërtetën.
  • Thonë se kjo reformë bëhet me sponsorizim të Sorosit që punon si Kalë Troje në vendet ish-komuniste.
  • Kur dikush kryen detyrat që i jep armiku, siç thoshte ghjyshja ime, ai është tradhëtar i vendit të vet.
  • Këtu ka shumë korrupsion , krime e padrejtësi pa kufi. Pse ndodh kështu? Ju kujtohet diçka që ju ka thënë gjyshja?
  • Posi, më kujtohet shumë mirë, kur më tha një herë se kur krimi lejohet nga shteti, kriminelët financojnë shtetin. Dhe paska pasur të drejtë siç po shkojnë punët tek ne.
  • Gjyshja juaj sikur e paska parashikuar edhe kohën që po jetojmë ne ose këto gjëra kanë ndodhur edhe kur ajo ishte gjallë.
  • Unë isha fëmijë atëherë dhe nuk i kuptoja aq mirë ca gjëra, por tani i kuptoj sepse jam rritur dhe po i jetoj të gjitha ato që thoshte ajo, e përfundoi bisedën Gëzimi.

Minutat po kalonin dhe erdhi koha për t’u ndarë, duke menduar se do të kalonin edhe ca vite pa u parë.  Si për ta mbyllur bisedën, m’u kujtua një thënje e Abraham Linkolnit, ish – president i ShBA-së dhe nuk mund të rrija pa ia thënë shokut tim të ushtrisë. Diku e kam lexuar se ai paska thënë: ” Kur lapsin e kap injoranti, pushkën krimineli dhe pushtetin tradhëtari, vendi kthehet në xhungël. Aty nuk jetohet më. “ Dhe kjo është arsyeja që i madh e i vogël e ka mendjen tek emigrimi. Pra vërtetohet thënja e ish – presidentit amerikan me ato që ndodhin çdo ditë këtu.

Që kur e ka thënë këtë, i madhi Abraham Linkoln, kanë kaluar më shumë se 155 vite, por duket sikur e ka thënë tani dhe sikur e ka thënë bash për vendin tonë.

U ndamë me shpresën se, kur të takohemi herën tjetër, diçka mund të ndryshont për mirë, pasi e keqja, gjithmonë, duhet ta ketë një fund dhe e  mira duhet të vijë pas. Ky është një ligj i natyrshëm dialektik i sprovuar  gjatë shekujve.

Let’s hope! ( Le të shpresojmë), do të thoshte amerikani në gjuhën e vet, i them unë.

 

27 Nëntor 2020

 

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.