SHËN MATEU

0
790

Zija Vukaj

(Fillim shkrimi)

E shoh pothuajse çdo ditë. Më bën të zhytem në mendime të thella. Imazhi i tij më thotë shumë. E vërej nga larg. Rri e mendoj dhe mbresa e pamjes së tij më ndjek një copëherë të madhe. Përditë në të njëjtin vend. Në të njëjtën karrige të një tavoline të gjatë në atë holl apo rruginë të gjerë të bibliotekës. Në atë hapësirë të populluar nga studentë, spikat portreti i tij i çuditshëm. Studentët bashkëjetojnë me këtë “shpend” që duket sikur ka ardhur nga tejkohësia dhe nuk u bën aspak përshtypje pamja e tij e pazakontë. Me sa duket, shpeshtësia ia heq magjinë edhe gjësë më të pagjasë; edhe portretit më të pazakontë: “të mësohet syri”- thotë populli. Me kokën e përkulur më shumë se ç’mund të imagjinohet mbi siprinën e tryezës dhe me një përqendrim të thellë shkruan me laps në një fletore shënime që i nxjerr prej ca letrave të zhubravitura, të ndenja gjatë nëpër xhepa. Është i moshuar, i thinjur tërësisht, i hajthëm e me një fytyrë të brazduar nga rrudha të shumta. Profili i tij ka diçka mistike, jashtë kohe, jashtë vendi. Një vuajtje e materializuar në portretin e një oshënari enigmatik, që të intrigon në qindra hamendje. Lapsi nuk i shkon dorës së tij. Nuk është mësuar të mbajë ndonjëherë mjet shkrimi dhe kjo dallohet lehtë. Mbase edhe kjo hollësi është një nxitje kureshtjesh. Çfarë halli ka kjo qenie me pamjen e një ungjillori profan, që ka zbritur tek vegla më e huaj për aftësinë e tij të përdorimit. Ç’don të fiksojë? Ç’pjesë jete don të shpëtojë nga kthetrat e pamëshirshme të harresës? Dhe dora eshtake, mbuluar prej qimesh gri, që shkruan “revelatën” e tij të çmuar lëviz ngathtësisht, ndërsa sjell herë pas here shikimin poshtë atyre tufave të dendura vetullash mbi copa të zhubravitura letrash majtas e djathtas, një pjesë prej të cilave i mban të shkelura me gishtat e dorës së majtë. Ç’mund të fshehin ato grafema rakitike?

(Vazhdon)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.