NË VEND TË NJË INTERVISTE QË NUK U BË KURRË

0
790

MANTHO BALA

NË VEND TË NJË INTERVISTE QË NUK U BË KURRË

U lind në Vuno në vitin 1928, në një familje të varfër si shumë familje të tjera të fshatit. Ai ishte djali i vogël i shtëpisë. Halle Katera dhe Jerasimi kishin dhe 2 fëmijë të tjerë, Thipen dhe Kozmanë. Babai i tyre i la jetime që në hapat e para të fëmijërisë së tyre. Hallë Katera ishte një grua e mençur e dashur dhe e zgjuar. Asaj iu desh të përballonte vështirësitë e jetës që s`ishin të pakta. I vëllai, Dhimitri, njëherazi dhe babai im, iu gjend pranë dhe e ndau kafshatën e gojës me fëmijët e saj. Dashuria e tyre motër-vëlla mund të krahasohet me legjenda dhe tani që shumë vite kemi lënë pas e rrojmë me kujtimet e tyre, jam në gjendje ta kuptoj dhe më mirë këtë raport që e ndeshim rrallë në trevat tona. Manthua, shpesh e kujtonte me respekt e mirënjohje duke e konsideruar si baba të dytë, jo vetëm për ndihmën e pakursyer që iu dha, por dhe për dashurinë e ngrohtësinë atërore që iu përcolli. Jo vetëm kaqë, por tek ai morëm mësimet e para të demokracisë më thoshte ai, ngaqë ishte njeri i mençur, i gjezdisur në vende të zhvilluara të perëndimit dhe fliste lirshëm për ato që mendonte dhe shikonte, por idetë komuniste nuk përqaseshin me botëkuptimin e tij. Ai ishte një antikomunist i deklaruar, por që s`paraqiste rrezikshmëri politike- shoqërore, sepse ai as propagandonte dhe as merrej me organizime politike që të ishin kundër qeverisë. Në bisedat që bënim, ai shpesh kundërshtonte duke e mbyllur bisedën me një humor të këndshëm, do bëjmë dhe një çikë opozitë tani. Në Himarë kishte shumë miq dhe njihej për pikëpamjet e tij. Ata u rritën me ne së bashku. Por dhe nona, Hajdho Simia ishte grua e mençur dhe një “mjeke” popullore që kishin gjetur shërim shumë nga përvoja e saj. Ai e kujtonte shpesh, sidomos, për një fëmijë, që kish ardhur nga Vranishti që ishte ftohur dhe më pak shpresa për t`u shëruar. Ajo pasi e pa i tha të blinte një dash, e therën dhe me lëkurën e tij e mbështollën për 24 orë dhe çuditërisht u bë mrekullia. Manthua kishte marrë diçka prej saj. Mua më kujtohet që ajo shëronte verdhëzën etj. dhe një shishe me shushunja e mbante mbi buari. Në këtë mjedis u rrit Manthua. Hallë Katera e la fshatin herët, ngaqë ishte shëndetligë dhe pjesën e mbetur të jetës, pothuaj e kaloi e izoluar në shtëpinë e saj në Tiranë. Ajo ishte e shkolluar dhe zotëronte një kujtesë brilante dhe tregimet për historinë e fshatit nuk kishin të sosur. Sot, më vjen keq për këtë pasuri të rrallë të padokumentuar dhe fajësoj veten për këtë gabim të pafalshëm që kam bërë. Manthua shkollën fillore do ta bëjë në fshatin e tij, ndërsa të mesmen në Gjimnazin e Tiranës. Në moshë fare të njomë, 15 vjeçare, doli partizan me Brigadën V dhe pushka siç thoshin ishte më e gjatë se trupi i tij shtatshkurtër. Varfëria dhe gjendja e vështirë ekonomike që përballeshin, por edhe shtypja e shfrytëzimi nga okupatorët e huaj aqë sa arrinin të kuptonin ata, ishin motivet që e shtynë për të marrë një vendim të tillë, së bashku më shumë shokë të tjerë. Mbas çlirimit ai do të kryejë studimet një–vjeçare në Shkollën e Partisë dhe për rezultate shumë të mira do të mbetet pedagog deri në vitin 1949. Gjithashtu, po në Tiranë do të kryente dhe studimet e larta për Histori-gjeografi. Në vitin1949 do të emërohet kryetar Lokaliteti në Himarë, siç quhej në ato vite që, më vonë u shndrua në komiteti ku edhe fillon karriera e tij deri në vitin 1951. Emërohet shefi i propagandës në Shkodër dhe, më vonë sekretar i komitetit të partisë ku u angazhua edhe si pedagog i jashtëm në Institutin pedagogjik. “Shkodra ka qenë një shkollë e dytë për mua,- më thoshte ai.- Ajo më mësoi shumë. Një qytet me një kulturë të hershme, me tradita të kultivuara, me njerëz të çiltër e të sinqertë, me cilësi të spikatura intelektuale dhe me një humor të këndshëm që të bënin për vete”. Shkodranet besoj e ruajne ne kujtese figuren e tij.Punoi me përkushtim në të gjithë zonën dhe fitoi një përvojë jetësore që i vlejti shumë në punën e tij dhe në komunikimin me njerëzit. Falë aftësisë së tij dhe rezultateve të prekshme transferohet në Tiranë si instruktor në KQ, rreth vitit 1967, pikërisht atëre kur filloi revolucionarizimi i masave të partisë dhe pushtetit për goditjen e fesë dhe të monumenteve të kultit që ishin shumë të ndjeshme dhe delikate. U ndje mirë që ishte larguar në këtë periudhë nga Shkodra, sepse përballja në këtë realitet të ri me popullsinë e kësaj zone nuk do të ishte e lehtë. Më vonë emërohet zv.Ministër i Arsimit dhe Kulturës e njëherësh dhe kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve që i dha një gjallëri jetës artistike dhe lëvizjes amatore, të cilat kishin mungesa të theksuara. Nuk mund të mos themi se karriera e tij ishte e lakmueshme e me përgjegjësi në një sektor kaqë delikat të ideologjisë së partisë, ngaqë regjimi komunist e shikonte si një sferë ku ndikimet e huaja ishin më të lehta për të depërtuar e çoroditur mendjet e njerëzve. Kuadër i aftë e i zoti, shumë energjik dhe me kompetencë profesionale, karizmatik, organizator i talentuar me ambicie për të ngjitur shkallët e hierarkisë dhe më lart siç dhe flitej në rrethet e atëhershme të kryeqytetit, gëzonte një respekt e popullaritet të admirueshëm. Në fillim të viteve `70 shoqëria jonë ishte e prirur në kërkimin të lirisë së munguar dhe shfaqjet e ndikimet e huaja u pasqyruan jo pak edhe në art e kulturë, si dhe në shumë sektorë të tjerë të jetës. Festivali i 11-të, ”Njolla të murrme “ në teatër, e në vepra të tjera të arteve figurative etj. bënë jehonë dhe u pritën mirë nga publiku i gjerë dhe u dukën si një ogur i shëndetshëm se, më në fund diçka po lëvizte. Mantho Bala ishte përgjegjës i këtij sektori, por jo nismëtar i kësaj erë të re që po frynte. Megjithatë ai i mbështeti këto prirje e prurje të reja që thyenin ca klishe të kultivuaara me kohë. Plenumi IV KQ i goditi me dorë të hekurt këto ndikime të artit “dekadent” dhe filizat e para nuk u lanë të çelin. Divergjencat e vazhdueshme me drejtuesit e Komitetit të Partisë të Tiranës, Manush Myftiu dhe Fadil Paçrami për problematika që i takonin ekskluzivisht atij dhe komisionit që varej po prej tij nuk mund të kalonin pa pasoja. Fadil Paçrami ishte dhe drejtues partie dhe dramaturg me një prodhimtari të gjerë, por pa ndonjë nivel artistik të dukshëm saqë disa drama linin shumë për të dëshiruar dhe s`u lanë të shfaqeshin. Ata këtë karshillëk nuk mund ta duronin. Ky ngërç që ish krijuar pengonte ecurinë normale të punës, sepse organizatat e partisë të institucioneve të kryeqytetit vareshin nga K.P.Tiranës, ndërsa aktivitetin e tyre e ushtronin sipas dikastereve përkatëse. Ata donin ta kishin çdo gjë nën tutelë dhe kundërshtimin e vendosur që kishin gjetur me Mantho Balën, jo vetëm që nuk e shikonin me sy të mirë, por ishte dhe pengesë. Pikërisht duke shfrytëzuar këto rrethana dhe veçanërisht premierën “Njolla të murme” sulmet u intensifikuan. Të bën përshtypje fakti se kjo pjesë mori çmimin e parë dhe flamurin e festivalit nga një komision që e kryesonte vetë kryeministri dhe anëtarë të tjerë të Byrosë politike, por çuditërisht, mbasi e pa Enver Hoxha duke i injoruar të gjithë dhe në mënyrë krejtësisht arbitrare që ishte në natyrën e tij, e quajti atë dekadente dhe nuk u lejua të shfaqej më. Për ironi të fatit me Fadil Pacramin kishin qenë bashkë dhe në prova gjenerale. Por në këtë kohë u goditën dhe disa grupe armiqësore, në ekonomi, në naftë, në ushtri etj. dhe ishte ndezur në heshtje lufta midis grupeve rivale që ëndërronin për pushtet duke parë se gjendja shëndetësore e udhëheqësit komunist po përkeqësohej vazhdimisht dhe, ndofta siç e mendonin ata nuk e kishte shumë të gjatë. Në fakt, një herë, ditë e shtunë ka qenë siç më thoshte ai, ”më njoftuan se në orën 18.00 më priste Kryeministri në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në të tilla raste kujtdo i shkon mendja në gjithfarëlloj gjërash. Ashtu ndodhi edhe me mua, mendja, sigurisht të jem i sinqertë mësë shumti, për keq më shkonte, por i lashë hamendësimet dhe në orarin e caktuar u gjenda atje dhe po prisja. Erdhi, u takuam me të dhe mbasi shkëmbyem përshendetjet duke na pyetur si shkojmë, për shëndetin, punët etj. meqë unë isha i shoqëruar dhe me disa specialistë të tjerë u afruam të shkallët dhe më tha: ”Shiko, këtu do vendosim një ashensor deri në kat të dytë për shokun Enver, se shkallët janë të mundimshme dhe të lodhshme për të dhe nuk i bëjnë mirë shëndetit të tij. Merrni masat, shikoni vendin më të përshtatshëm dhe filloni nga puna”. Më bëri përshtypje interesimi i tij. Enver Hoxha shumë rrallë vinte në opera apo koncerte festive, por gjendja shëndetësore e tij nuk ishte e mirë. Çfarë e shqetësonte atë vallë? Çfarë motivi e shtynte atë për të menduar dhe për gjera të kësaj natyre? Mos vallë duke i parë konfliktet e brendshme të udhëheqjes dhe egoizmat e intrigat i duhej akoma ta kishte në krye një njeri të tillë? Që shëndeti i tij ishte përkeqësuar kjo s`linte fije dyshimi, por vallë mos ndjente dhe ai se diçka po përgatitej kundër tij? Këto mendime si pa dashje më erdhën në mendje. Me kaqë mbaroi dhe takimi, na përshëndeti dhe iku. Sigurisht ne morëm masat tona për ta përfunduar në një kohë relativisht të shkurtër”. Në këtë periudhë një vizitë e kryeministrit në shtëpinë e tij në ditën e ndrrimit të viteve (1975-76) nuk u la pa rënë në sy nga udhëheqja e atëhershme dhe bile me një farë skepticizmi. Në këtë klimë dhe mjedis aspak të favorshme për të, u gjet momenti për të goditur Mantho Balën duke e motivuar me ca shkaqe banale që mesa duket s`ka qenë pa ndikim dhe mbiemri i tij siç do ta shohim më poshtë. Në vitin 1976 përjashtohet nga partia, shkarkohet nga detyra e zv.ministrit dhe internohet në Dumre, Kosovë të Elbasanit që u befasuan të gjithë. Këtu fillon kalvari i gjatë e i mundimshem i jetës së tij që privacionet e shumta dhe persekutimi e trysnia e një terrori të vazhdueshëm psikologjik do të zgjasnin për 10 vjet me radhë. E kam të freskët këtë ngjarje dhe sapo e mora vesh, ashtu instiktivisht, nga një ndjenjë e brendshme për shkak të lidhjes fisnore që kishim, por dhe ngase që kur isha i vogël ai më donte shumë. Unë në ato vite isha arrakat, i shkathët e i zhdërvjellët dhe nga keqtrajtimi që më bënte një mësues, kisha filluar të mos shkoja dhe në shkollë. Babai ishte i pafuqishëm ndaj meje dhe atij sa herë vinte me pushime i duhej të merrej me mua duke angazhuar shumë forca dhe energji se nuk më nënshtronte dot. Fjalët e tij të ëmbla kishin një efekt jo të vogël. Ai më donte shumë dhe këtë dashuri s`e humbëm deri në çastet e fundit të jetës së tij. Unë po e prisja në shtëpi dhe erdhi pak me vonesë, i mërzitur doemos, nuk fliste, rrinte i heshtur, i mendueshëm si çdo njeri tjetër, po të ishte në një pozicion të tillë; vetëm këtë arrita të dëgjoja nga goja e tij: ”Tani do hamë lakra…”. U ligështova duke e parë në atë gjendje që ishte dhe m`u kujtuan vitet e para mbas çlirimit, ndonëse unë isha i vogël atëre. Ne kishim për të ngrënë më shumë lakra dhe vaj ulliri sesa bukë e gjellë dhe zbutnim sadopak urinë që na kishte pllakosur. Mesa duket ai e ndjente se do ktheheshin ato vite përsëri për të. U ndava me të për t`u takuar në prag të ardhjes së demokracisë, në Vlorë ku edhe ishte sistemuar, për arsye që tashmë dihen. Edhe sot kur më kujtohet ky detaj them se kam bërë një hap të guximshëm për vetë pozicionin që kisha po të kemi parasysh sesi shtrihej lufta e klasave në ato vite, si ato dallgët që dalin nga hedhja e një guri në mes të një pellgu, por gjaku s`bëhet ujë. Po nuk u mjaftuan me kaqë. ”Fëmijët, djalin e madh, – më thoshte, -ma hoqën nga Shkolla e Aviacionit dhe e çuan ushtar, po ashtu djalin tjetër megjithëse me rezultate të shkëlqyera e mbaroi gjimnazin nuk i dhanë të drejtë studimi dhe përfundoi dhe ai ushtar, të cilët u bashkuan me ne mbas lirimit. Gruaja ishte në Tiranë dhe mbas një muaji më thirrën dhe më komunikuan se isha internuar me gjithë familjen. Ishte një fakt shumë domethënës që i detyroi të mirrnin një vendim të tillë. Gjatë kësaj periudhe gruas sime i kishin bërë presion që të divorcohej me mua nga një drejtues i lartë, nëpërmjet njerëzve të afërm, sigurisht. Ata kishin një lidhje fisnore. Për ta kryer këtë punë kishin vënë vajzën e një të afërmi të tyre që fatkeqësisht nuk e mësova kurrë emrin dhe s`kisha ndonjë kuriozitet të madh, duke i thënë se Manthua i ka punët e thella dhe veprimtaria e tij armiqësore kundër partisë është e rëndë. Procesi është në fillim dhe s`do vonojë shumë që të zbulohen fijet e tyre. etj. etj. Kur nuk mundën që familjen ta ndanin prej meje atëre, urdhëruan që të bashkoheshim të gjithë në internim. Jo vetëm kaqe. Nëna ime ishte e moshuar dhe nuk e priti mirë këtë që bënë. Ajo ishte e përmbajtur dhe e duruar. U mërzit shumë dhe qante me ligje, siç më thoshin. U ligështua aqë shumë sa nuk e donte me jetën. Ra në një gjendje të dëshpëruar dhe vendosi t`i jipte fund jetës së saj duke pirë disa gllëjnka vajguri. Për fat shpëtoi nga ndihma që iu dha, por dhembjen që kishte brenda nuk ia shëroi njeri. Hera–herës e shprehte me ndonjë bejte, siç është dhe kjo që do të them: “O Mantho Bale skiftëri /Shpejt të hoqën nga defteri/ O Spiridhon bëfsh thame /I hedhsh të gjithë në Lanë “.Por edhe ajo nuk do të jetojë shume gjatë, mbas disa vitesh do të largohej nga kjo jetë me një dhembje që e mori me vete. Hallë Katera kishte ”vdekur” dhe një herë tjetër shumë vite më parë dhe shkak për këtë ishte bërë një ngatërresë në telefon që vdekjen e hallës së gruas sime e kishin keqkuptuar për të. Kjo si të thuash ishte për të qeshur dhe për të qarë dhe ai ma tregonte shpesh. Kur po kalonte rastësisht me shërbim nga Vunoi dhe u kthye si zakonisht të gjente babain tim, kur hyri brenda u befasua nga njerëz të shumtë e të afërt që po vajtonin për nënën e tij. I qetësoi se s`kishte asgjë të vërtetë në këtë mes dhe kështu u mbyll kjo histori që për këdo që e dëgjon, ngjason më shumë si një barcaletë. Në vitet e fundit të jetës, jemi takuar shumë herë bashkë dhe herëpashere i kthehej atyre viteve që kishte kaluar, por paharruar tmerret e përjetuara. Shkatërrimin më të madh që i kishin bërë ishte familja. Gruaja përjetoi një gjendje të rënduar psikologjike që ra në depresion dhe iu desh shumë herë ta shtronte në spitalin e Elbasanit. Vetëm dy herë në javë e lejonin të shkonte. Ekonomikisht nuk i përballonin dot nevojat. Me njerëz nuk mund të komunikonin se ishin të dyshimtë, të izoluar krejtësisht përcillnin ditët me shpresë. Është interesante fakti se të gjithë personat e dënuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist i bashkon një diçka e vetme në dëshmitë e tyre, shkatërrimi i familjes që ata janë treguar të pamëshirshëm. Po s`mjaftuan vetëm këto. Duke pirë kafe, një herë, midis të tjerash më tha: ”Do të them diçka që s`ia kam thënë njeriu deri më sot.- Dhe filloi të më tregonte: -Ishte pasdite dhe muzgu pothuaj kishte rënë. Me gjithë familjen ishim në shtëpi. Kur papritmas te shtegu prej shufrash i oborrit u ndal një makinë tip “gaz” nga ata të degës së brendshme të Elbasanit që mbanin atëre. Në makinë ishte vetëm shoferi. Ai ndaloi makinën dhe pa e fikur fare trokiti te porta dhe më tha se duhej të shkoja me të, sepse e kërkonte dikush që kishte ardhur nga Tirana. Së pari qetësova disi gruan, e cila u pre dhe s`kishte si të ndodhte ndryshe, gati sa s`po i binte infarkt. I thashë të mos mërzitej se do të kthehesha shpejt, etj . Fëmijëve iu dhashë zemër dhe i porosita t’i rrinin afër mamasë. Ishin çaste terrori, që do t’ia tregoj varrit ato ankthe e tmerre që kemi përjetuar veçanërisht për Violetën, që ma mori para kohe vdekja. Ndërsa u nisëm, mbi fshat muzgu kishte rënë. Dhe në terrin e asaj sikur më shfaqej një fantazmë si në tragjeditë e Shekspirit. Kisha një makth që më mundonte, sikur po përgatitej një kurth, një krim. Me shoferin nuk folëm fare. Mbërritëm në Elbasan dhe makina u drejtua për te Hotel-turizmi i qytetit. Zbrita para tij dhe hyra brenda në holl. Nuk m’u desh shumë për t’u sorollatur, sepse të dera e brendshme u ndesha me vetë kreun e Sigurimit, Zylyftar Ramizin. U takuam duke i dhënë me kortezi dorën njëri-tjetrit, madje ai ma hodhi në qafë duke më përshëndetur më ngrohtësisht. Unë prisja me ankth dhe kërshëri se çfarë do të ndodhte. Në katin e parë, u hap një derë. Po ç’të shikoj! Brenda saj, një tavolinë e shtruar plot e përplot me pjata të shumëllojshme, duke filluar nga mishrat dhe me radhë deri te ëmbëlsirat dhe frutat. S`kishte dyshim se tavolina ishte e porositur. Mbushëm nga një gotë vere, e cila duhet të pranoj se ishte nga më të mirat që kisha pirë ndonjëherë. Shkëmbyem disa muhabete fare të zakonshme, por me ankth po prisja se ku do dilte. Mbas pak filloi me një zë të butë e “të ngrohtë”: “Shiko,- më tha– kij kujdes aty ku jeton, se nuk janë njerëzit të gjithë të mirë si mund t’i mendosh ti. Aty ka nga llumi i reaksionit, aq më shumë që ke njerëz që e urrejnë me shpirt partinë tonë. Ty duhet edhe të të kenë rënë në sy. Hap sytë. Qëndro vigjilent dhe t’i qëndrojmë gjithnjë në krahë Partisë. Mirë bën që u tregon vendin të gjithë provokatorëve, por do të bëje mirë që të na informoje edhe neve mbi veprimet e tyre”. Doli atje ku “flinte lepuri”. E kuptova, informacionin e kishte marrë nga spiunët që më kishin provokuar. Pastaj vazhdoi midis të tjerash duke më thënë: “Ti Mantho ke qenë kuadër kryesor i partisë dhe i shtetit, pavarësisht se momenti e solli që për një arsye apo për një tjetër të ndodheni këtu ku jeni. Gjithsesi, Partia i shikon dhe do t’i shikojë mirë njerëzit e saj, por ti duhet të ngelesh besnik. Ja, për shembull, jo vetëm aty ku ti jeton, por edhe në Elbasan është filani e filani që ia kanë jo me të drejtë partisë. Sigurisht, ti i njeh. Nuk do të bëje gabim sikur të dije se çfarë mendojnë dhe çfarë komplotojnë kundër Partisë. Le që nuk janë gjë këta që të thashë këtu në Elbasan. Janë më të rrezikshëm filani e filani, si dhe fistëku në Vlorë, që ti i ke pasur dhe kolegë e vartës. Ata janë e ç’janë, që së bashku me filan person në Shkodër ç’nuk thurin kundër Partisë. Ti do të bësh mirë që të mos kursehesh për të shkuar edhe me shërbim në këto qytete dhe të kontaktosh me shumë marifet me këta dhe të vjelësh intrigat që planifikojnë kundër Partisë. Duhet ta ruajmë Partinë, shoku Mantho. Po ashtu, mund të shkosh edhe në Shkodër për filan e filan person. Për largimin nuk ka nevojë të marrësh leje, se lë unë porosi të shokët e degës këtu në Elbasan. Po ashtu, për shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit nuk është problem, se t’i sigurojnë shokët tanë. Vetëm që ne të jemi vigjilentë”. Çfarë t’i thosha? U shokova. S`e prisja një gjë të tillë. Nuk besoj se ka tjetër ves më të urryer në karakterin e një njeriu dhe maskarallëkun më të madh që mund të bëjë. Por, gjithsesi shtrëngova dhëmbët, përmbajta veten se mund të beja dhe diçka të pakontrolluar, aqë i nervozuar isha. Dalëngadalë u qetësova dhe i thashë: ”-Shoku Zylyftar, unë kam qenë dhe do të ngelem besnik i Partisë. Unë po të kem ndonjë gjë ia tregoj vetë vendin siç ia kam treguar. Po të ketë diçka që nuk shkon, di unë si t’i përgjigjem. Nuk lejoj njeri të përdhosë emrin e Partisë se gjen belanë me mua. Besoj se këto nuk janë pak. Partia te unë do të shikojë vetëm njeriun besnik dhe të bindur. Por për sa u përket shërbimeve që më ofroni unë nuk mundem të bëj dot asnjë gjë, se kam hallet e mia, gruan e kam të sëmurë e në gjendje të rëndë që besoj se duhet ta dish”. U pre. Ai mendoi se gjithçka mori fund dhe po bëhej gati të nxirrte deklaratën për ta firmosur. Një akt bashkëpunimi, por situata u kthye në disfavor të tij. Nuk kishte më kuptim të qëndronim më gjatë, madje ai vetë më pyeti nëse doja të rrija akoma apo të kthehesha në shtëpi. “Unë jam i vonuar,- i thashë, -gruan e kam lënë vetëm, në gjendje shumë të keqe dhe s’dihet se çfarë mund të ndodhë, sepse u shqetësua shumë nga mënyra sesi ika unë”. Atëherë më dha të drejtë dhe më la të shkoja. Me atë makinë që erdha dhe u ktheva në Kosovë. Rrugës lloj- lloj mendimesh më vinin në kokë. Nuk e konceptoja dot një diçka të tillë. Në shtëpi i gjeta zgjuar dhe po prisnin në ankth duke qarë nga frika se ndofta do më kishin arrestuar. Hyra brenda dhe u përqafova me të gjithë. U tregova se ç`më kishte ndodhur dhe kulmin e poshtërsive që donin të më bënin spiun. Maskarenjtë, bërtita mesa kisha në kokë. Nuk u mjaftuan që luftova që fëmijë maleve me partizanët. Një jetë të tërë pastaj kam punuar si kalë me përkushtim e devotshmëri dhe me një idealizëm të shfrenuar. Më hodhën në këtë cep të harruar dhe guxojnë e më thonë se jam njeriu i tyre, se duhet të ruaj të pastër partinë që më vrau për së gjalli. Por nuk ishte e vetme kjo që deshën të më bënin. Ja këto më bënin mua e shumë të tjera që s`mjafton asnjë natë dimri për t`i treguar”. E dëgjoja me vëmendje. Revolta, indinjata ishte akoma e dukshme në fytyren e tij. Jeta e tij ishte e dhimbshme dhe s`kishte gojë të fliste. Ndoshta ata bënin punën e tyre nga profesioni që kishin zgjedhur, por pse pikërisht zgjodhën atë që s`përqasej as nga natyra, karakteri, por as edhe e kaluara e tij. Diçka e grryente ndërgjegjen e tij që nuk arrita ta kuptoj ndonjëherë, por vetëm ata që i kanë vuajtur e dinë domethënien e tyre.Ngjarja ishte rrënqethëse, dramatike dhe më vuri në mendime sesi një djalosh që kish dalë malit për lirinë e këtij vendi dhe kishte sakrifikuar jo pak për të, shteti i tij ta persekutonte, ta denigronte dhe ta shfrytëzonte duke i kërkuar një shërbim kaqë të ulët. Më ngacmoi shumë biseda që bëmë dhe që s`ishin të vetmet dhe mendova se s`do ishte keq për subjektin e një intërviste që kur ia parashtrova e pranoi me kënaqësi duke shpresuar se do të gjenim kohën e përshtatshme, por që fatkeqësisht s`u gjet kurrë, sepse unë u largova për ca kohë jashtë shtetit në Amerikën e largët. Në ato pak telefonata që bëra me të ngashërehej dhe emocionohej si fëmijë, por e qetësoja se do takoheshim së shpejti për të mbaruar premtimin që i dhashë. Mesa duket, ndoshta e parandjente se fundi po i afrohej. Dhe në fakt, mbas pak, ai u sëmur e zuri krevatin deri sa dhe në orët e fundit, meraku nuk iu tret. Edhe në këto çaste sikur dëgjoj fjalët e fundit që shkëmbyem bashkë në telefon, pothuaj një orë para se vdekja ta mirrte në gjirin e saj. Një zë i mekur që s`kishte fuqi të fliste dhe të artikulonte ato që thoshte, por ndjehej ai malli dhe një keqardhje që po largohej nga kjo jetë, një zë i largët që po shuhej dalngadalë. Po kështu është jeta… Poeti i Bregut, Lefter Çipa në përcjelljen e tij e konsideroi nderi dhe krenaria e Himarës dhe kishte të drejtë. Mantho Bala ishte një ndër ata vunjotës që ka bërë shumë për vendin e tij në formimin e tyre arsimor e kulturor. Shumë djem e vajza kanë ndjekur shkollat e larta falë ndihmës dhe përkrahjes së tij. Muzeumet e fshatit u ngritën në saj të nxitjes së tij dhe vizitorët ishin të shumtë për t`i parë ato. Shume projekte të tjera që zvarritjet burokratike e pse jo edhe të qëllimshme të Komitetit Egzekutiv të Vlorës penguan realizimin e tyre. Ju përmenda pak më lart se shkak për dënimin e tij ishte dhe mbiemri që mbante. Bala ka shumë në Vuno, por dhe në fshatra të tjerë të Bregut. Por ai kishte një lidhje disi më të veçantë me familjen e Dhimitër Balës dhe djalit të tij, Foto Balës. Ata ishin të një gjaku dhe kushërinj të tretë me të. Enver Hoxha kur kishte vajtur për vizitë në Shkodër dhe ishin takuar me kuadro të Komitetit të Partisë, midis të cilëve ishte dhe ai, u kishte thënë se ky është kushëriri i një miku tim duke aluduar për Foto Balën që kishin qenë shokë në Francë, ngaqë ndiqnin studimet në universitet. “Unë u ndodha ngushtë,- më thoshte ai, – nga frika se diçka e keqe më priste. Në 1976 kur u shkarkua dhe u dënua Mantho Bala, Foto Bala qe ndër të parët që i vajti të motrës dhe duke shprehur keqardhje për ç`i kishte ndodhur, i tha se kjo e keqe i erdhi dhe nga mbiemri që kishte, ndoshta dhe ky ka qenë nje shkak.

Alqiviadh Dede

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.