NJERIU

0
423

Nga : Jani Malo

“Atë që i bën njeriu njeriut nuk ia bën kafsha kafshës”, më tha një mik, teksa po pinin kafenë e pasdites në Pogradec.
“Është ngjarje e vërtetë, – vazhdoi me dëshirën për të mos e mbajtur brenda vetes. – E pashë me sytë e mi sot në mëngjes.”
Unë nuk fola, por, me heshtjen time të zgjatur, i tregova se isha gati ta dëgjoja rrëfimin e tij.
“Kisha dalë të bëja vrapin e mëngjesit buzë liqenit. Para meje po ecnin me nge tre burra të veshur me uniformën e ndërmarrjes së pastrimit të qytetit. Po aq me nge dukej se edhe bisedonin. Dy prej tyre mbanin përdore nga një biçikletë. Tjetri, një burrë që edhe pse në moshë të re, dukej tepër i lodhur, mbante në krahë tri vegla pune.
Dy të parët çoç flisnin me njëri-tjetrin me zë aq të ulët, sa unë nuk dëgjoja gjë. Ishte “burri i lodhur” që tërhoqi vemendjen time me fjalët e tij.
– Po mirë, bre, unë do i bart tërë kohën veglat në kurriz? A t’i vendos ca në biçikletë, o?
-Je në metro, o t’u mbylltë?- i tha njëri nga dy burrat. – Po ty vetëm të bartur veglat të morëm. Përse mos të morëm për nuse të bukur?
Dhe vazhduan bisedën me zë të ulët.
Pa u mbushur një minutë ai “i lodhuri” përsëriti kërkesën për t’i mbështetur veglat e punës në zgarën e biçikletës. Mori të njëjtën përgjigje. Kësaj here me dy zëra. Folën dy gojët e tjera njëherësh. Thanë fiks atë që kishte dëgjuar më parë: ” Po ty vetëm të bartur veglat të morëm…”
– Përse mos të morëm për nuse të bukur? – shtoi pastaj njëri nga dy burrat.
– Në s’të pëlqen, ik. Vuri veglat këtu, dhe mbathja – foli burri tjetër, që me sa dukej ishte edhe përgjegjësi i “skuadrës”.
I tregoi biçikletën dhe shtoi: – Hajde mbathja! thashë. Unë nuk kam punë tjetër për ty.Ik ne Tani…
Unë nuk e dija ç’ishte ky “Tani”, po ata të tre duhet ta dinin me siguri.
“Burri i lodhur” u mëdysh pak, pastaj vendosi veglat në zgarrën e biçikletës, me një lloj revolte të drojtur në fytyrë.
-Iki, o, pse jo!- tha me gjysmë zëri.
Dy të tjerët nuk e prishën fare terezinë. Bënë 10-15 hapa dhe vazhduan të qetë bisedën me zë të ulët. I treti mbeti në vend si hu. Pa lëvizur. Pa folur. Madje, pa ditur ku të çonte duart e liruara nga veglat.
Kjo gjendje zgjati më pak se një minutë. Pastaj ai foli. Nxori një zë lutës ku përzihej ndjesa dhe lutja. Nuk përmendi emër. U kërkoi të bashkohej me “skuadrën”. Dy të tjerët ndërprenë bisedën.
– Ik ne Tani, të thashë, – foli ai që duhet të ishte përgjegjësi.
– Ne për të bartur veglat të morrëm, – përsëriti tjetri avazin e shkuar.
“Burri i lodhur” nuk u zbyth. Duket e kuptoi se nuk kishte rrugë tjetër. E përsëriti disa herë kërkesën për t’iu bashkuar “skuadrës”. Zëri i tij sa vinte e bëhej vetëm lutës. Po në të gjitha herët mori të njëjtën përgjigje.
Derisa, më në fund, duket se ua theu zemrën dy burrave. Mbase nuk e paskeshin patur tamam prej guri.
-Hajde! – foli shkurt ai që duhet të ishte i pari i “skuadrës”
– Merri veglat! – tha prerë tjetri, duke e shkarkuar urdhrin nga koka e përgjegjësit në gojën e tij.
Të dy burrat i ndaluan hapat. Vazhduan të flisnin me njëri-tjetrin me zë të ulët. Indiferentë.
“Burri i lodhur” u afrua pa fjalë. I vuri edhe një herë veglat në krah.
U bënë përsëri tre. Në të njëjtin pozicionin që i kisha parë në fillim.”
Këtu miku im e ndërpreu rrëfimin e tij, duke pritur, mbase, reagimin tim. Po unë nuk fola. Mu desh kohë të përtypja frazën me të cilën ai e kishte nisur rrëfimin:
“Atë që i bën njeriu njeriut nuk ia bën kafsha kafshës”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.