Përktheu: Gladiola JORBUS
Poezi nga Anzhela Dimcheva
De profundis
Me sy të nxjerrë, poezia ende këndon –
trishtimi i saj nuk është i pakuptimtë.
Me duar të thyera, poezia ende mbart –
ngarkesa e saj nuk është paraja, por përgjegjësia.
Me këmbët e ngërthyera, poezia ende shpejton –
Së afërmi është dita e guximit të vdekshëm.
Me ëndrrat e saj të djegura, poezia mendon –
e detyruar të heshtë, nuk sjell asnjë fat.
Me zemër të thyer, poezia di:
shpirti i saj nuk është këtu, në epiqendër të rreshtit.
Pa dëgjim dhe zë, poezia këndon –
përgjithmonë e lumtur – nga pranvera e saj kristalore.
Pavarësisht se çfarë themi – në zemërim apo në pasion –
poezia e shkëlqyer nuk është veçse
një armaturë e gjallë njerëzore.
Bora
Bora
është zjarr i magjepsur
dhe bardhësia u vë flakën shtëpive.
Solemne dhe pashmangshmërisht të rrepta,
aty digjen grimasat e mbrëmjes.
Kolona mermeri, aq antike,
ngrihen në errësirë
papritur,
njerëz të varfër, të dashuruar dhe të sëmurë
dalin të përshëndetin njëri-tjetrin.
Gishtat e çmendur prekin
lakuriqësinë mosbesuese …
Midis shkurreve të errëta
thumbat fshihen –
si gjethe të kuqe, duke rënkuar.
Dhe si në një teatër helen
(në një film surreal!),
Nga pas maskave
era po fryn –
e gëzuar që ka mëkatuar …