Intervistoi E.B., Nju Jork
Liridon Mziu ka lindur në vitin 1990 në Mitrovicë, Kosovë. Është balerin profesionist i diplomuar prej 12 vitesh. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë në 2010. Ka përfunduar Akademinë e Arteve, dega Muzikë në vitin 2017.Kërcimin e ka filluar që në moshën 15 vjeçare kur filloi të mësojë hapat e baletit, karrierë të cilën e ka ndjekur dhe si një profesionist i talentuar nën kujdesin e profesorëve Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Veçon vallëzimin neoklasik dhe kontemporan për stilet e tij të preferuara.Në vitin 2010 Liridon Mziu u bë pjesë e trupës profesionale të Baletit Kombëtar të Kosovës. Njihet për shfaqet: Bukuroshja e fjetur, Carmen, Oh my god, Don Quixote, O. Taka, Andërr, La fille mal gardée, Sisters, Spartacus, etj. Në vitin 2011ka marrë pjesë në festivalin e Zyrihut në Zvicër me shfaqen “Oh my God”, e cila bëri shumë bujë për publikun zviceran.
Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?
Liridon Mziu: Jeta e një balerini në Kosovë nuk është aspak e lehtë për faktin se kushtet në të cilat punojmë janë të mjerueshme.
Cilat janë ëndërrat e tua?
Liridon Mziu: Ëndrrat e mia janë qe të krijoj shfaqje dhe të arrijmë një nivel më të lartë artistik.
Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?
Liridon Mziu: Në vitin 2006 si student pastaj në vitin 2010 si profesionist. Është mjaft privilegj dhe kënaqësi të jesh pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Cilën shfaqe do veçonit?
Liridon Mziu: Shfaqja “Ngjyrat e Vallzimit” me koreografi nga Mehmet Ballkan. Nuk kam patur ndonjë rol të veçantë, mirpo gërshetimi i muzikës me lëvizjet e Baletit është arsyeja pse me bën t’a veçoj.
Çfarë është baleti për ju?
Liridon Mziu: Baleti është pjesë e jetës sime, me të jetoj. Është vallëzim i cili të bën t’i harrosh të gjitha problemet në botën e jashtme. Baleti për mua është Oksigjen.
Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?
Liridon Mziu: Zakonisht e kërcejmë atë çfarë koreografi e kërkon mirpo vallëzimi neoklasik dhe kontemporan janë vallëzime të cilat i kisha veçuar.
Ku jeni përgatitur si balerin?
Liridon Mziu: Në Prishtinë.
Për cilat shfaqe ruani kujtimet më të mira dhe pse?
Liridon Mziu: Gjatë përgaditjeve të shfaqjeve gjithmonë kemi kujtime të mira por e kisha veçuar shfaqjen “Bukuroshja e fjetur|” sepse ka qenë njëra ndër shfaqjet e para që kam marr pjesë si balerin.
Po për mentorin apo profesorin tuaj?
Liridon Mziu: Fatmirsisht kam pas fatin t’i kem dy profesor, profesorin Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Këta kanë dhënë një kontribut të madh në ngritjen dhe nivelin tim e sidomos prof. Ahmet i cili jo vetëm për mua por për të gjithë balerinët ka dhënë shumë.
Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?
Liridon Mziu: Do ta veçoja pjesmarrjen në festivalin e Zyrihut në Zvicër, ku kemi pas një pritje të jashtëzakonshme si nga organizatorët ashtu edhe nga publiku.
Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?
Liridon Mziu: Krenohemi me atë qe jemi pjesë e një trupe profesionale dhe me ndikimin që kemi tek publiku i cili deri më tani nuk na ka braktisur as edhe një herë.
Me cilën shfaqe po angazhoheni tani?
Liridon Mziu: Tani jemi duke punuar në shfaqjen “Entres des Aguas” dhe “Troy Game”, një shfaqje e punuar nga koreografi i mirënjohur amerikan Robert North.
Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?
Liridon Mziu: Perveq baletit me pëlqen të luaj kitar ose piano dhe ecja në natyrë.