N O S T A L G J I

0
1312

Bardha Alimeta 

Mëngjesi zbardhi. Ajo ndjeu përkëdheljen e rrezeve të para të diellit, të cilat e ngrohën menjëherë. Ndjeu atë ngrohtësi e cila i mungoi atë natë të tmerrshme, por që nuk ishte e para herë që i ndodhte.

Hapi dritaren e ndenji drejt saj për të thithur ajrin e pastër që në çast i mbushi kraharorin. Dhoma ku flinte kishte një pamje të thjeshtë, por të prirur nga klasikja. Përballë krevatit ndodhej një pasqyrë e madhe, me një kornizë druri dhe në anën tjetër një tabllo në të cilën pasqyrohej vjeshta dhe përkrah saj një pasqyrim i pranverës.Të dyja kishin të përbashkët një lumë i cili herë dukej sikur flinte i qetë e herë sikur zemërohej e ashpërsohej papritur. Gjethet të rëna në ujë ndrinin dhe të joshnin me bukurinë e tyre magjike. Anila u ngrit me përtesë të bënte punët e zakonshme të mëngjesit pasi ishte shumë e lodhur. Pasi mbaroi sistemimin dhe rregullimin e dhomës ajo u vesh, bëri tualetin e përditshëm dhe u nis për në punë. Kishte një punë të mirë së cilës i gëzohej sepse e mbante gjallë. Në punën e saj ndjehej e lehtësuar pasi fëmijët i donte shumë. Edhe pse ishte një edukatore e mirë dhe e dashur për fëmijët asaj i mungonte një engjëll. Mosqenia nënë e bënte të ndjehej e dëshpëruar dhe me një peng në shpirt. Një grua, sipas saj, që të ndjehej e plotë dhe e lumtur në jetën e saj duhej patjetër të përkëdhelte doçkat e trëndafilta të një fëmije.
Prandaj kjo mungesë i kishte sjellë asaj shumë probleme në jetën e saj bashkëshortore.
Anila ishte një grua mjaft e bukur. Ajo ishte njohur dhe dashuruar me të shoqin pasi kishte mbaruar shkollën e lartë. Edhe i shoqi ishte një djalë shumë i shkathët dhe impulsiv.
Anila e kishte vlerësuar martesën e saj me Petritin dhe kishte përgjegjësi e korrektesë gjatë pesëmbëdhjetë vjetësh martese. Ishte një periudhë mjaft e vështirë për Anilën kjo që po kalonte pasi Petriti kishte ndryshuar qëndrim dhe marrëdhëniet e tyre rrezikonin të shkërmoqeshin krejt papritur. Anila mundohej me të gjithë durimin dhe kujdesin e saj për të mbrojtur këto marrëdhënie, por kjo gjë ishte e pamundur. Petriti duke qenë me një karakter të dobët dhe pak sipërfaqësor nuk e mirrte parasysh dhimbjen dhe lotët e nxehtë të Anilës. Ndofta ishte ndryshimi i sistemit ai që solli ndryshime të mëdha në sjelljen e shumë njerëzve që kishin jetuar një kohë të gjatë nën diktaturë ku për gjithçka diktohej në personalitetin e individit. Tranzicioni që po kalonte vendi nuk mund të mos ishte pa pasoja te populli. Nuk mund të supertohej aq lehtë e shpejt në ndërgjegjen e shumë njerëzve, të cilët e kuptuan demokracinë si thyerje të çdo norme e parimi të lirisë. Liria e tepruar kishte lënë rrënojat e veta te shumë familje. Petriti kishte rënë shumë pas argëtimeve të tij, duke e lënë Anilën mënjanë për të mos thënë se e kishte përjashtuar fare nga jeta e tij. Ajo kishte një forcë të çuditshme për të përballuar këtë gjendje të papëlqyer që po kalonte. Sidoqoftë edhe ajo nga problemet e shumta e të vështira me të cilët po ballafaqohej këto kohët e fundit kishte filluar të shfaqte një shenjë lodhje që po e thyente dalëngadalë. Megjithëse dëshpërimi po e mbytte çdo ditë e më tepër ajo vazhdonte të tregohej e kujdesshme ndaj burrit të saj. Ai e provokonte herë pas here duke i thënë se ishte fatkeqësi që fati e kishte lidhur me të. Por ajo që ishte më e rëndësishme për të ishte fakti se ai nuk pajtohej me mungesën e një trashgimtari që do ta bënte më të lumtur. Marrëdheniet e tyre sa vinin e koklaviteshin, por asnjëri nuk kishte menduar për ndonjë mundësi më të mirë për të ndryshuar sadopak situatën. Martesa e tyre ecte ashtu rrokopujthi dhe vitet ndiqnin njëri – tjetrin pa u ndjerë. Anila ishte më e përgjegjshme, por edhe më e ndjeshme për çka po ndodhte dhe nuk dinte se si të vepronte. Ndonjëherë njeriut i mungon guximi për të bërë atë që duhet dhe vepron krejt ndryshe nga ato që ka menduar më parë. Kështu po ndodhte edhe me Anilën, prandaj ajo do të pranonte Sajmirin si gjënë më pozitive dhe më të bukur në jetën e saj. Ajo kishte nevojë të ngushëllohej, të shlodhej, të shpërthente në lot e të shprazej që të lehtësohej, të ndjente një dorë të ngrohtë mbi faqet e saj të brishta që dukej sikur nuk i kishte prekur kush. Por, jo, ajo nuk do vepronte kundër dëshirës së saj për të mos cënuar marrëdhëniet, që ndonjëherë i dukej i parëndësishëm fare, kur mendonte për vitet e saj të humbura e të lëna në harresë, për rininë që e kishte kaluar, me një plagë të thellë në zemër nga koha e sistemit komunist që vriste çdo ëndërr. Anila po ndjente brenda vetes një forcë të çuditshme shtytëse që sa vinte e rritej çdo ditë e më tepër. A mos kështu qenka jeta dhe gjërat rrokullisen krejt papritur dhe ti s’je në gjendje t’i frenosh?
S’kishte bërë as dy hapa kur dëgjon t’i thërrasin në emër. Zëri ishte i njohur për të.
– Anila?! – e përshëndeti ai. Anila mbeti në vend.
– Sajmir! – u habit ajo.
– Ti, këtu? Sa vite u bënë pa u parë?
– Ç’të shytu të vish? – e pyeti pas pak ajo duke vështruar kalimtarët kureshtarë që kthenin herë pas here kokën nga ata të dy për të kapur sikur një detaj të vogël për kureshtjen e tyre provinciale.
– Eja lëvizim! – vazhdoi ajo duke e tërhequr prej krahu dhe duke e drejtuar në një lokal të vogël që ndodhej aty pranë.
Ata ecën një copë rrugë të shkurtër, ashtu së bashku, dhe Anila kishte dëshirë që kjo rrugë të mos mbaronte kurrë, kurrë më. Anila po përjetonte një ëndërr. Asaj i vinte në mendje koha e kaluar e gjimnazit kur e kishte njohur për herë të parë Sajmirin. Ai ishte një djalë me sy të bukur plot dritë, me flokë të zinj sikur t’i kishte lyer me bojë. Sajmiri ishte nga ata djem që binte shumë në sy të të tjerëve dhe sidomos të vajzave adoleshente. Jo vetëm kaq, ai kishte dhe dhunti të tjera për të qenë tërheqës: këndonte dhe vallëzonte mjaft bukur në mbrëmjet e gjimnazit. Anila në atë kohë kishte qenë shumë çapkëne dhe i pëlqente të luante, të zbavitej e t’i ngacmonte shokët e shoqet e klasës. Tek ajo do të shikoje një vajzë të bukur dhe sytë e saj të thellë lexonin fare qartë ndjeshmërinë dhe finesën e një vajze të mirë e të padjallëzuar. Atë në fillim nuk e kishte tërhequr aspak dëshira për t’u argëtuar dhe gjithë kohën e shpenzonte mbi libra. Shpesh kishte menduar se pas mbarimit të gjimnazit do të bëhej një mjeke ose juriste e mirë duke pasur parasysh karakterin e saj krenar e të dashur.Mirëpo dashuria që ndjente për Sajmirin po e trazonte dhe po i prishte planet që kishte thurur për të ardhmen. Tani ajo i kushtohej me orë të tëra atij duke ëndërruar mbi libra. Kishte raste që ajo ta braktiste anën e saj të përzemërt e të rendëte pas dashurisë së saj, së cilës nuk ja dinte fundin. Anila ishte e dashuruar marëzisht pas tij dhe përderi sa ai e donte nuk kishte menduar se do të vinte një ditë dhe do të trajtohej si një e panjohur për të. Por jo gjithmonë dashuritë e gjimnazit kanë përfundim të mirë. Dihet se në shumë raste ajo kthehet në dashuri aventurore për djemtë që rrallë ndodh të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Pas një kohe të gjatë Anila ndjen se dashuria e saj po ftohej në mënyrë të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme. Ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte asgjë dhe nuk ishte e zonja ta ndalonte atë që po përjetonte. Anila e ndjente se Sajmiri sa vinte e po bëhej më i ftohtë ndaj marrëdhënieve të tyre. Shpesh herë nuk po vinte në vendin e caktuar për takim si çdo ditë deri erdhi koha që u shkëput fare pa dhënë asnjë shpjegim. Anila si të ishte ajo fajtore për ftohjen e këtyre ndjenjave e mbajti për vete peshën e rëndë të kësaj ndarjeje. Sikur ky të ishte një nga mëkatet e saj më të mëdhenj. Por a është mëkat të duash një njeri? Për gjithçka që ndodhi Anila nuk do të mendonte më për asgjë në të ardhmen dhe çdo mendim për të kaluarën do ta hidhte pas shpine. Ajo e kishte gjykuar, analizuar dhe dënuar për pesëmbëdhjetë vjet me radhë dhe ja, tani ajo qëndronte përballë tij, me fytyrë nga ai, i cili ja kishte ngulur sytë e nuk po ja ndante asnjë çast. Dukej si një monument i ngrirë që mund të lëviz si me magji. Ai rrinte i heshtur dhe mendonte se si kishte pasur guximin të braktiste këtë bukuri, të cilën koha e gjatë dhe hallet s’ja kishin shkatërruar aspak. Sytë e saj shpërthyen në lot. Ai nuk po e kuptonte gjendjen e saj të mpihtë e të plogët dhe habitej me portretin e saj, i cili dukej sikur të ishte po ai, i bukur për vite me radhë. Sajmiri zgjati duart për t’i fshirë lotët e ashtu kalimthi i preku faqet me mollëzat e gishtave, duke pëshpëritur nën zë se tani askush nuk do t’i ndante dot më. Anila u hutua fare nga guximi i tij dhe nuk bëri asnjë përpjekje për t’ja larguar dorën nga faqet, por e lëshoi veten si të ishte duke u lëshuar mbi valët e detit dhe ndjeu se kishte nevojë të çlirohej e të ndjente se ekzistonte me të vërtetë. Ajo po jetonte një çast pas kësaj kohe në jetën e saj.Duke dënesur Anila u mbështet mbi gjoksin e tij dhe i la lotët ta njomnin atë. Ajo e harroi fare se ishte një grua e martuar me dikë tjetër. Vetëm kur sahati i vjetër i lokalit shënoi tre ajo u përmend sikur po zgjohej nga një ëndërr e pabesueshme. Ata kishin dy orë bashkë mes puthjeve e u ndanë duke e lënë të takoheshin në fundjavën tjetër. Anila u rregullua dhe doli sikur të mos kishte ndodhur asgjë për të mos rënë në sy, por brenda saj luftonte me ndjenjat, pasionet dhe ndërgjegjen. Sajmiri pagoi tavolinën që s’u prek nga të dy dhe u largua i turbullt sikur të mos donte të ikte që aty. Atij nuk po i largohej nga kjo rastësi që Zoti ja solli si me porosi. Ishte e pabesueshme që t’i ndodhnin mrekulli të tilla si kjo. Megjithëse kishte edhe pak rrugë për të bërë, ai prapë ktheu kokën për nga lokali sikur të donte të kthehej rishtaz atje. Sajmiri po fluturonte nga gëzimi. Anila arriti në shtëpi në një gjendje të çuditshme. Ajo u pa në pasqyrë dhe vetja ju duk e bukur e plot nur. Ishte nuri i dashurisë që shpalosej në fytyrën e saj. Ajo e ndjeu veten njëzet vjeçe, por në të njëjtën kohë po mendonte për veprimin që sapo kishte bërë. Kishte tradhtuar. Dhe kush? Anila që kishte sakrifikuar gjithë këta vite martese për të qenë një grua e nderuar dhe e respektuar. Atë e zuri frika nga kjo aventurë. Si do t’i vinte halli sikur i shoqi e merrte vesh? Si do t’i fshihte veprimet e e saj e të mos i binte në sy? Veç kësaj ajo po ndjente dhe një neveri për Petritin, i cili kishte kaluar aq keq me të për shkak të sjelljes së tij brutale. Herë e gjykonte veten rëndë për këtë ndryshim dhe herë i jepte të drejtë, duke menduar se as morali dhe as karakteri që kishte treguar këto vite nuk e kishin ndihmuar që të zgjidhte kontradiktat e saj me Petritin. Megjithatë ajo e vuante këtë faj. Nuk e kishte menduar kështu martesën e saj. Por fati kishte qenë i çuditshëm. Anila edhe pse e ndjente mëkatin që po bënte, nga ana tjetër i jepte të drejtë vetes se vetë Zoti e ka përgatitur këtë për t’i dhënë Anilës atë që ja mori vite më parë. Ndërsa ishte e zhytur në këto mendime vjen i shoqi dhe ulet pranë saj. Anila s’e vuri re kur hyri dhe u tremb sikur ta kishte zënë në faj. Ai ishte hijerëndë kur kthehej në shtëpi dhe donte të tregohej autoritar. Anila u kujdes që ai të mos e kuptonte gjendjen e saj shpirtërore, por dhe ai nuk e pyeste për asgjë dhe nuk e përshëndeste kur kthehej në shtëpi. Me të mund të fliste vetëm për t’i kërkuar llogari dhe kur ishte puna për të shkuar në pazar. Anila ndjehej shumë e fyer nga kjo mënyrë trajtimi, por ajo s’kishte menduar asgjë për të gjetur një zgjidhje. Duke e parë të shoqin me një sy tjetër asaj ju duk vetja shumë e poshtëruar dhe se kishte bërë mirë që e kishte pranë saj Sajmirin. Ai ishte si një diamant që ja kishte sjellë Zoti për të rijetuar dhe njëherë dashurinë dhe ta ndjente atë si një grua. Të rijetonte dashurinë që e kishte pasur të mangut për vite të tëra. Megjithë dialogun e ftohtë Anila mbyllej në dhomën e vet dhe merrej atje me punët të cilat i sajonte vetë sa për të kaluar kohën. Tani ajo mendonte e shtrirë mbi krevatin bashkëshortor për të dashurin e saj. Fundjava erdhi dhe ajo po priste me padurim. Kur doli nga dhoma e la të shoqin vetëm. Kishte veshur një fustan të lehtë lejla dhe vuri një palë syze me po atë ngjyrë. Kur mbërriti në lokal ajo e gjeti Sajmirin duke e pritur. Ai u ngrit në këmbë dhe i afroi karrigen plot përulësi, duke i bërë komplimenta me fjalë të bukura. Ai vuri re tek Anila një ndryshim të dukshëm dhe u magjeps prej saj. Ju duk sikur ajo po shkëlqente e gjitha në lejla. Pasi ndenjën si zakonisht ata u ngritën dhe ecën një copë rrugë së bashku. Anilës ju duk sikur po jetonte në një botë të mrekullueshme. Ajo dëshironte që rruga të mos kishte mbarim ngaqë ndjehej shumë mirë në krahët e tij. Nuk donte t’i largohej nga duart dhe ta shijonte sa më gjatë këtë lumturi. Ajo ju lut që të rrinte edhe ca pasi asaj nuk i ikej në shtëpi aq shpejt. Donte ta përjetonte sa më gjatë në qenien e tij. Gjetën një vend të padukshëm nga njerëzit dhe u ulën diku. Anila nuk priti gjatë, por iu tulat në gjoks dhe ai e shtrëngoi duke i thënë se e donte shumë dhe se mbante përgjegjësi për tërë ato vite të humbura kot. Pastaj e puthi lehtaz në sytë dhe në buzët e saj të kuqe si qershia e pjekur. Anila po përjetonte çastet më të lumtura dhe ndjente zemrën që i rrihte fort dhe trupin që i dridhej nga mornicat. Kishte humbur fare në gjoksin e tij dhe i dukej se e kishte të gjithin të vetin. Pas puthjeve të zjarrta e fjalëve të bukura ata u ndanë për t’u takuar përsëri të dielën e ardhshme. Sajmiri ishte shumë i lumtur që gjërat morën këtë drejtim.
Në fillim ai kishte menduar se ajo nuk do ta pranonte pas gjithë atyre që kishin ndodhur dikur, por me sa duket vitet ja kishin zbutur inatin ose ajo s’e kishte urryer kurrë. “Sa e tmerrshme, mendoi ai, si dreqin kam bërë një gjë kaq të poshtër!”. Atij i vinin në mend fjalët e Anilës, e cila i thoshte se nuk kishte shumë rëndësi ajo që kishte kaluar, por të mos ndodhte më në të ardhmen. Për këtë Sajmiri ishte pak i ngatërruar. Ai po mendonte se kjo gjë do ta vriste Anilën përfundimisht. Mes shumë mendimesh ai i jepte vetes kurajo se nuk duhet që ta lëndonte sërish pasi ajo kishte vuajtur shumë dhe nuk do të ishte e mundur të përsëritej e kaluara. Në të vërtetë ai këtë herë ishte shumë më i pjekur dhe më i dashur dhe ndihej fajtor për veprimin e tij, por rrethanat do ta detyrojnë të mos e mbajë premtimin. Tanimë ai nuk ishte njëzet vjeç e kjo dashuri përveç se një kënaqësi apo ëndërr e bukur ishte dhe një fatalitet i hidhur. Ai ndodhej në gjendje mjaft kritike. Fundjavat e tij të shpeshta larg qytetit nuk i kanë shpëtuar pa u vënë re të shoqes që jo pak dhe ajo merionte që ta deshte. Ndryshe nga Anila, Sajmiri kishte një familje të harmonishme dhe të mirë. Ai ishte një bashkëshort që nuk krijonte të çara në familje dhe kishte një korrektesë të dukshme në marrëdhënie me të tjerët. Kjo e bënte nervoz që me Anilën atij i duhej të tregohej i pashpirt, por fati çfarë nuk të sjell. Të djelën atij i duhej të ikte si zakonisht pa rënë në sy, por Shpresa, e shoqja, e cila kishte kohë që e ndiqte kishte kuptuar një lloj ftohtësie prej Sajmirit. Ajo e kuptonte se ka diçka që nuk shkon në sjelljen e tij. Ajo ishte një grua shumë e lartë dhe nuk donte të mendonte aspak keq për të shoqin. Edhe sikur të ishte e vërtetë ajo nuk do të përpiqej të zbulonte të vërtetën sepse nuk donte të rrezikonte familjen e saj. Kishte dy djem të mrekullueshëm dhe merrej me ta me përkushtim. Shpresa për të mos dhënë shkas i kërkon Sajmirit që ta çojë së bashku me fëmijët nga prindërit e saj me makinën e tij. Sajmiri donte të justifikohej e të mos i përgjigjej sepse e kishte mendjen larg, tek Anila, e cila marrosej fare për të.Shpresa, e cila kishte vendosur të mos i krijonte asnjë hapësirë të shoqit e mori për krahu duke i thënë se kishte filluar të mos merrej shumë me ta. Dhe: “… se ç’ke diçka këto kohët e fundit.”, kishte vazhduar ajo me një të qeshur fallso. Sajmiri, i detyruar, për të mos rënë në sy të së shoqes e kishte ndjekur pas, por me mendje ishte tek Anila. Shpresa, si një shqiponjë që mbron të vegjëlit e saj, i futi krahun Sajmirit, mori dhe djemtë e vegjël dhe ecën drejt makinës. Sajmiri hipën i pari. Këmbët i komandonte në mënyrë mekanike. Atij i shkonin djersë të ftohta. Megjithëse fëmijët loznin me njëri-tjetrin dhe i turreshin Sajmirit që ta fusnin në lojë, ai nuk i dëgjonte zërat e tyre. Kishte humbur i tëri në botën e tij melankolike. Si do t’i justifikohej Anilës që do ta braktiste sërisht? A do ta kuptonte ajo që ai e donte aq shumë atë, por që fati i tyre ishte e thënë të vuanin në largësi? Ai e ndjente se nuk ishte i zoti për të përballuar këtë gjendje. Nga njëra anë dashuronte Anilën dhe nga ana tjetër kishte detyrime parësore përpara familjes së tij, e cila e donte dhe e respektonte shumë. Ata nuk kishin asnjë faj që t’i braktiste. “Jo, jo, – tha me vete, – unë nuk mund të suportoj gjërat dhe nuk mund të vuaj kështu!” Dhe sikur t’i lutej Zotit vështrimin duart lart drejt qiellit, sikur të priste një përgjigje nga lart. Shpresa e vuri re hutimin e Sajmirit dhe i fshiu djersët, duke i cikur ballin lehtë me një përkujdesje prej bashkëshorteje të mirë. Atij ju duk sikur po ja fshinin të kaluarën me dorë. Dalëngadalë po e mblidhte veten, po e kuptonte se duhej të kthjellohej e të mendonte seriozisht për familjen e tij. Nuk mundesh të kthesh kohën mbrapa! Kjo e bënte të ndjehej më pak fajtor përpara Anilës, që s’dihet se ç’do mendojë për të. Ajo ndenji për gati dy orë në vendin e takimit me shpresën se mos ai do të vinte. Nuk e besonte kurrë që Sajmiri do të tregohej prapë i pabesë. Ajo ndenji gjatë me vështrim nga dera e mbyllur, e cila bënte një zhurmë çjerrëse kur hynin e dilnin klientët e ndryshëm. Ajo ishte aty, përballë karriges së tij duke menduar e përfytyruar se ishte dhe ai pranë saj. Priti aq shumë sa më në fund doli në rrugën kryesore, u përzje me kalimtarët, duke lënë gjithçka që e mundonte dhe e trishtonte në shpirtin e saj. Ajo iku për të mos u kthyer më aty.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.