DHIMBJE DASHURIE / CIKEL ME POEZI

0
2958

Nga : Zamira Lezha 

LYPSARI

Sonte n`shetitorën e darkës,
më shtriu dorën një lypsar.
Ishte ftohtë dhe n`xhep të çantës,
përtova një lek ta marr…

Im bir më vështroi në sy,
Me pafajsinë e tij mjaltë…
Nënë, do m`lije pa bukë ti,
me dorë shtrirë, t’me gjeje jashtë ?

Njëmijë thika shpirtin m`therën
dhe fajtore ktheva mbrapshtë..
Lypsarit i gjeta derën,
Bukë prej djalit tim i dhashë…

BIXHOZ…

Ti në natë, vë bast me miqtë,
Në tryezën e kumbarit…
Borxhet i rreshton në listë,
dhe zvarritesh n`rrugë t`pahajrit…

Një nga një i humbe çdo gjë..
Këmishën , kravatën , orën.
Mbete jashtë, kukudh, pa zë,
e askush, s`ta zgjati dorën…

Tash në gjunjë para meje,
rri si fëmijë, nuk bëzan.
Humbe zemrën, pa gjak n`deje,
m`ngjan i vogël e mjeran …

Në ferrin e humbjes digjesh.
Djersin, me zor frymë merr.
Bixhozli je ti dhe unë,
bastin tënd e tall, e tjerr…

LLOGARI

Buzëqeshjet e tua i bëra varg,
Ngjyrosa me to, stolisa poezinë..
Pa menduar,se shpirti yt është laps,
i mprehtë për matematikën, gjeometrinë…

Ti llogarit kohëzgjatjen në puthje,
kosto – fitimin në përqafime…,
Zhgryhesh e kënaqesh n`epshe trupit,
n`plusminus valencë t`mungesës s`shpirtit…

PLEQNOMЁ…! 

Mbamë mbame fort mbi krahe,
rrotullome në erë.
Jam pupël s`të rëndoj ,
të mbush gjoksin me pranverë.

Në mendofsh se tash je plak,
e s`të mban takati,
bëhëm zane e te jap forcë,
gjiri im të forcon shtatin.

Mbamë , mbamë fort mbi krahë
rrotullomë në erë.
“ Pleqnoma “ marakun tim,
t`kam ardhur në derë…

LULISHTARI

Me duart e tua te ashpra
prek çdo ditë lule e ferrë.
I ke urryer, i ke dashur ,
more lulishtar i mjerë…

I bëje kurorë , i bëje varg
i mallkoje, i tretje larg.
Pastaj ne kujtime shpirti,
me penë i shënjtëroje prapë…

HЁNЁ DHE DASHURI

Pas ikjes së diellit,
ne u puthëm nën gji të hënës…
Të kam pasë thënë,
hëna e ka gjirin hark…
Aty do na fshehë,
dashninë e pa mëkat…

…nuk i tregoi kujt,
ç`ka rrezet prekin ..
as çfarë ledhaton era… …

Fshihet pas reve,
e ndrojtur,
mos drita, e saj,
do na lante trupat me shkëndia
dhe lakmitarët
do pëlcisnin nga mnia…

ZONJË E MADHE

Sonte u pamë, kot, në qytet,
çuditërish të ndjeva larg.
Shëtitorja n`anë të Drinit,
me shi t`hershëm seç u lag.

Zonjë e rëndë kokëlart ecën,
„ Mirëdita- më thua – zotëri!“
Sikur nuk isha unë çapkeni,
Që shkriheshe, n` gishtat e mi.

Të mendova nudo, zhveshur,
si dihasje e rënkoje,
dhe me gjuhën fjalëpakë,
si nëperkë më torturoje….

Djalli të marrtë, zonjë e rëndë!
Ti që shtratit je e çmendur,
shëtitoren shkel me këmbë ,
fisnikrisht, mbretëreshë e mbrëmjes

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.