Masakra e Tivarit – preludi i zbatimit të gjenocidit serb kundër shqiptarëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

0

Ardian Haxhaj

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Prizren, më 11.6.2021)

Përkufizimi që i ka bërë që në titull të librit Masakrës së Tivarit studiuesi Nail Draga, si, “gjenocid kundër shqiptarëve”, është përkufizim adekuat, së pari në aspektin juridik, e natyrisht edhe në aspektin politik e ushtarak. I përmbledhur dhe i redaktuar nga artikuj të shumtë, studime, recensione e intervista nga autorë të ndryshëm, libri i Nail Dragës ia arrinë ta sforcojë rëndësinë e trajtimit të një masakreje që ka ndodhur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kundër shqiptarëve të viseve etnike të mbetura jashtë Shqipërisë londineze, respektivisht kundër shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.

Pa dyshim se një prej autorëve më kontributdhënës në trajtimin e çështjes së Masakrës së Tivarit është historiani Uran Butka, i cili këtë masakër e përkufizon saktësisht si “gjenocid me motive politike dhe spastrim etnik”, studimin e të cilit Nail Draga e ka përfshirë në këtë libër. Nga të gjitha studimet dhe intervistat e përmbledhura nga studiuesi Nail Draga rezulton se Masakra e Tivarit i ka të gjithë elementët përbërës të një gjenocidi të përgatitur nga përfaqësuesit ushtarakë të një grupi etnik-shtetëror, kundër një grupi tjetër etnik.

Nga autorët e ndryshëm, por edhe nga dëshmitarët okularë vërtetohet mënyra e organizimit të spastrimit etnik në përbërje të shumë akterëve të parapërgatitur e të mirëpërgatitur, me një metodë me përfiditet të lartë të maskimit dhe zbatimit të gjenocidit me kosto shumë të lirë nga gjenocidkryesit e me kosto shumë të lartë për viktimat. Pushteti i ri jugosllav, i kryesuar nga shovinistët serbë, me futjen në lojë të komunistëve të Shqipërisë londineze, partinë e të cilës, Partinë Komuniste të Shqipërisë, e kishin themeluar në vitin 1941 agjentët serbë Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha, e zbatuan planin e shfarosjes së trevave etnike shqiptare, duke filluar me pjesën më vitale të saj, me të rinjtë dhe me burrat shqiptarë. Shovinistët serbë, i futën në lojë krerët komunistë të Shqipërisë, që ishin vazalë të komunistëve jugosllavë e sovjetikë, për t’i bindur shqiptarët e trevave shqiptare të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë për t’u mobilizuar kinse kundër pushtuesve të përbashkët, nazistëve. Kështu, partizanët serbë e malazezë ia arriten t’i grumbullonin mijëra shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë, kinse për ta luftuar ushtrinë naziste, në kohën kur atëbotë ushtria hitleriane e shkatërruar nuk mund t’i mbronte as dyert e kryeqytetit të tyre, Berlinit, pra në kohën e shpartallimit të saj. Strategjia për shfarosjen e burrave të aftë për mbrojtje, një pjesë të skenarit të cilën e realizuan në Tivar, bëri që pushtuesit serbë në vitin 1945 me lehtësi ta fusnin nën kontroll krejt Kosovën dhe viset e tjera shqiptare.

Nga studimet e përmbledhura në librin e Nail Dragës potencohet agjenda e një plani të gjenocidit të drejtuar kundër një populli. Masakra e Tivarit në asnjë variant nuk rezulton të ketë qenë e rastit, apo si hakmarrje e zakonshme e një formacioni ushtarak kundër formacioni tjetër ushtarak. Leximi i vëmendshëm i këtyre studimeve, leximi i faksimileve të dokumentuara nga arkivat, me akterë si: Enver Hoxha, Ramiz Alia, Gjin Marku, Rrahman Perllaku, e të tjerë, e shpërfaq vërtetësinë e një masakreje me plane gjenocidi, ku emrat e lartpërmendur janë bashkëpjesëmarrës në shfarosjen e një pjese të kombit të vet shqiptar.

Artikulli i 2 i Konventës për Gjenocid i miratuar më 9 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidin dhe format e gjenocidit i përkufizon si më poshtë: “të gjitha aktet e kryera me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, të një kombi, etnie, grupi fetar ose racor, si:

(a) vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit;
(c) vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që rezultojnë me zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij”.

Të tria këto kategori të përcaktuara në Konventën për Gjenocid e përbëjnë realitetin e Masakrës së Tivarit si gjenocid, që me të drejtë autori  e përkufizon si të tillë.

Për Masakrën e Tivarit duhet të hulumtohen më ngulm arkivat e ushtrisë jugosllave në Beograd e Podgoricë, por edhe arkivat anglezë, amerikanë e gjermanë dhe tash e tutje kjo masakër të trajtohet me vërtetësi si gjenocid për të cilën kërkohen veprime adekuate juridike. Historinë duhet mësuar e kuptuar me të gjithë përbërësit e saj, me vërtetësi e me syçeltësi. Popujt që nuk dinë ta kuptojnë e kujtojnë të kaluarën e kanë të paqartë dhe të rrrezikuar të ardhmen. Kuptohet se studiuesi nga Ulqini, Nail Draga, e ka pasur si synim parësor ndriçimin e Masakrës së Tivarit nga shumë qasje dhe rrëfime nga dëshmitarët e mbijetuar.

Përpjekja e Nail Dragës për t’i hulumtuar të gjitha referencat e dokumentuara për Masakrën e Tivarit e ndihmon historiografinë të fokusohet në një temë që për më shumë se shtatëdhjetë vjet nuk është trajtuar me prioritetin e duhur sipas përmasës që e ka pasur: njërin prej gjenocideve serbe kundër shqitptarëve etnikë.

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.