Vullnet Mato
Ku i kemi trimat e bëmave të mëdha heroike?
Ku janë heronjtë e sotëm të vetëflijimit atdhetar?
Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,
pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë”në damarë.
Mbushin faqet e shtypit dhe ekranet me ngjyra,
si prototipa e vipa të realliti shout, “Big Bradhër”,
kacafyten tre muaj, duke bërë tualet në pasqyra,
të fitojnë miliona, duke puthur vajzat e radhës.
Puthen e zhgërryhen në emisionin “Përputhen”
ndërrojnë femrat gjokszbuluar, si gratë mbreti.
Secili ka në “Love Story”, një harem me pipiruqe,
të marrin shembull fëmijët në moshë adoleshenti.
Përdorin lirinë e gruas, sikur e kanë pronën e vet,
dhe nga milli i rebelimit të gjakut, nxjerrin shpatën;
Sulmojnë të drejtën e njerëzve me egërsi të rreptë,
duke plagosur rëndë kushtetutën dhe gjykatën.
Përdhunuesit ndërkombëtar, furnitorët e drogës,
të dënuarit nga kodet evropiane, që bëhen deputet.
Dergjen pas hekurave, për katër-pesë, heqje koke
dhe ngrohen në diell lirie, pasi janë dënuar përjetë…
Pseudoheronjtë që zotërojnë mjeshtërinë e shpifjes,
duke zbrazur për rivalët helm më të fortë se të gjarprit.
Qejflinjtë e sofrave, me fondet mbledhur të gjobitjes,
shkatërruesit e pronës së shtetit, ta paguajnë të varfrit.
Famëmëdhenjë e lajmeve me tituj:”Eskobar i Ballkanit”,
që nën hundët e rendit, ngrenë shumëkatëshit luksozë,
që bëjnë buzë deteve vila, me emrin e ndonjë rrufjani,
duke shirë drith hashashi në lëmenjtë e kapove mafiozë.
Ku i kemi trimat e bëmave të mëdha heroike?
Ku janë heronjtë e sotëm të vetëflijimit atdhetar?
Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,
pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë” në damarë…