Nga: Lazer Stani
Nëse ka një shkrimtar erudit, një shkrimtar që ka lexuar më shumë libra se të tjerët, ky është Jorge Luis Borges. Letërsia e krijuar prej tij, në poezi dhe në prozë, duket sikur vjen prej librave, vjen nga letërsia. Ky arsyetim i cekët të çon te një analogji që lidhet me veprën madhështore të Ajnshtajnit (Albert Einstein), i cili në një moshë fare të re krijoi teorinë e tij të relativitetit.
Teoria e relativitetit, që më vonë pushtoi botën dhe e klasifikoi Ainshtajnin si mendjen më gjeniale të shekullit të njëzetë, erdhi si rezultat i riinterpretimit të informacionit të grumbulluar nga shkencëtarët paraardhës nëpërmjet vrojtimit, eksperimentimit dhe teorive të krijuara gjatë shekujve. Shkenca e Ajnshtajnit, mund të thuhet me plot gojën se është një shkencë e ardhur nga shkenca, një dije e ardhur nga dija. U deshën dekada të tëra që shkencëtarë të tjerë pasardhës, të provonin eksperimentalisht dhe nëpërmjet fakteve të mbledhura, vërtetësinë e teorisë së Ajnshtajnit.
Edhe Letërsia e Borges-it, duket si një letërsi e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë. Në librin e tij “El oro de los tigres” Borges shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim… Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Browning; pastaj ata që kam lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.
Pavarësisht kësaj deklarate fisnike Jorge Luis Borges nuk është as Homer, as Robert Browning as William Blake, dhe as Franz Kafka. Ai, është vetëm dhe vetëm Jorge Luis Borges.
Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për Gabriel Garcia Marquez. Në njërën prej
intervistave të tij ai thotë se më ka bërë shkrimtar “Metamorfoza” e Kafkës. Pasi ka lexuar këtë libër të dhuruar nga një mik i tij nga rrethet intelektuale të Bogota-s, Marquez kuptoi se mund të shkruhej edhe ndryshe, nga ç’ ishin shkruar librat që kishte lexuar deri atëherë. Kontakti me letërsinë e Kafkës qe një shtysë aq e fuqishme për shkrimtarin e ri, sa e ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Efekti ishte çlirues.
“Unë i thashë vetes se nuk kam njohur askënd që i ka lejuar vetes të shkruajë gjëra si këtë. Nëse do ta kisha ditur, unë do të kisha filluar të shkruaja shumë kohë më parë”, thotë Marquez.
Nga shkrimet joserioze të botuara në media dhe nga rrëfimet që i shkruante vetëm për t’ua lexuar miqve të tij intelektualë, Marquez kalon shumë shpejt te letërsia e tij e madhe që ne e njohim sot, duke filluar me romanin “Gjethurinat”, të botuar në vitin 1955.
Edhe Nikos Kazantzakis flet me krenari për paraardhësit e tij, për “guru”-të e tij shpirtërorë, pavarësisht se mirëbërësit e tij të mëdhenj ai cilëson udhëtimet dhe ëndrrat.
“Ndër njerëzit, të gjallë e të vdekur, shumë pak më ndihmuan në luftën e në përpjekjet e mia. Por nëse do kërkoja se kush prej tyre la gjurmë të thella në shpirtin tim, do të veçoja, ndoshta, tre-katër: Homerin, Bergsonin, Niçen dhe Zorban”, ka shkruar Kazantzakis.
Nga këto pak referenca, duket sikur arrijmë në një përfundim pak a shumë të trishtuar që e zbeh dhe e çshenjtëron aktin e krijimit, që e paraqet atë si një cikël zinxhir, ku secili ndez nga një zjarr të vogël, herë të dallueshëm e herë të padukshëm në pafundësinë e ciklit që ripërsërit vetveten në një qerthull të mbyllur.
Termi origjinalitet në këtë rast bëhet i pakuptimtë dhe e gjithë letërsia botërore të ngjan me një kështjellë të vjetër, me shumë labirinte e kthina të panumërta, ku ndodh një trafikim i vazhdueshëm emocionesh, ndjesish, imazhesh , historish, nga një kthinë te tjetra, që në fund të fundit nuk sjell asgjë që është “hera e parë”. Çështja që shtrohet këtu është fort tronditëse: nëse vërtet janë shkruar të gjithë librat, nëse vërtet tashmë asgjë nuk është “hera e parë”, atëherë përse vazhdohet të shkruhet?
Është e qartë se letërsia jonë nuk vjen nga hiçi, është e qartë se kjo letërsi ka paraardhësit e vet të ndryshëm te secili shkrimtar, herë të padukshëm e të heshtur, e herë sfidues e shkatërrues. Dhe duke mos ardhur nga hiçi, është e kotë të flitet për një origjinalitet të plotë e rrënjësor në letërsi. Origjinaliteti, sikurse shkruan Ernesto Sabato “nuk ekziston as në art dhe as në ndonjë vepër tjetër të njeriut: gjithçka ngrihet mbi një gjë të mëparshme”.
Çështja e origjinalitetit, çështja e identitetit të veprës letrare, ka qenë një nga çështjet që më ka shqetësuar gjithmonë, qysh në rininë time të hershme. Nga librat që lexonim në rini, me gjithë kufizimet në informacion që kishim për shkak të mbylljes dhe izolimit, herë pas here më ndodhte të gjeja një shkrimtar tjetër, një shkrimtar paraardhës tek libri që po lexoja. Ndikimi i Majakovskit dhe i poetëve të tjerë rusë në poezinë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi ishte aq i dukshëm, sa kjo poezi shpesh më dukej pa identitet dhe dalëngadalë filloi të krijohej brenda meje ndjenja e refuzimit. Fantazma e shkrimtarit paraardhës, ose e shkrimtarëve paraardhës, zuri të më shfaqej si prani e shkrimtarit paraardhës te një shkrimtar tjetër pasardhës në një interferencë që në rastet më të mira as plagjiaturë nuk ish, por as origjinalitet në kuptimin tim të parë nuk mund të quhej.
Kur lexoja, për shembull, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, atëherë si nxënës shkolle, ndjeja herë – herë praninë e Ernest Hemingway-t, sidomos të romanit “Lamtumirë armë”, ashtu sikurse ndjeva shumë vite më vonë praninë e hermetistëve italianë, në veçanti të Giuseppe Ungaretti-t dhe Eugenio Montale-s, në poezinë e Martin Camajt. Edhe te shkrimtarët e tjerë më të mirë e më të lexuar origjinaliteti i tekstit më vihej vazhdimisht në dyshim, edhe pse kur e kur ishte e vështirë të gjeje shkrimtarin paraardhës, me ato mundësi të kufizuara që kisha për të lexuar. Çështja kryesore që më mundoi për shumë kohë ishte se a shkruhej letërsi origjinale, letërsi që shfaqej e ekzistonte si një krijesë e re, si krijesë e ardhur në këtë tokë për herë të parë.
Shumë vite më vonë, duke lexuar Ernesto Sabato-n, hasa në të njëjtin shqetësim dhe në një shpjegim pak a shumë bindës. Për Sabaton, “origjinaliteti nuk qëndron tek mungesa e paraardhësve, por në tonin dhe në shtytjen që shfaq kjo trashëgimi te pasardhësit”. Kjo tezë e Sabatos me nxiti të rilexoj sërish Camajn, duke e rizbuluar poetin dhe duke e rivlerësuar poetin pikërisht për ato cilësi që në njohjen time të parë e pata refuzuar në një farë mënyre, edhe pse vepra e tij kishte shijen e “mollës së ndaluar” për lexuesin shqiptar. S’ka dyshim se në poezinë e Camajt ndihet shkolla e hermetizmit italian, e në veçanti poeti i tij i dashur Giuseppe Ungaretti. Megjithatë, ai është një poet i shpëtuar. Në poezitë e tij ndihet fort edhe poeti, që Camaj nuk e kishte lexuar kurrë më parë e që ishte brenda tij, siç shprehet Borges-i. Ky poet me imazhet, arketipin, ndjeshmërinë dhe sistemin e vet konceptual, e ka shpëtuar poezinë e Camajt, pavarësisht pranisë së paraardhësve, të cilët shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë për zemër t’i përmendin.
Nëse e shmangim diskutimin për plagjiaturë, që është një kopjim i rëndomtë, çështja e raportit të shkrimtarëve tanë me paraardhësit është një nga çështjet më delikate jo vetëm për atë letërsi të dështuar, që njihet si “letërsi e realizmit socialist”, por edhe për letërsinë që është shkruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit dhe vazhdon të shkruhet edhe sot e kësaj dite. Krijuesit që hynë në letërsi pas viteve nëntëdhjetë, u gjendën në një situatë entuziazmi grotesk midis refuzimit të gjithçkaje që ishte shkruar në letërsinë shqipe dhe në veçanti refuzimit total të letërsisë së realizmit socialist dhe kontaktit me autorë dhe letërsi të mëdha të kulturave të tjera. Midis autorëve tanë të këtyre viteve paraardhësit shfaqën aq fuqishëm sa në letërsinë tonë mund të gjeje Borges në Durrës e në Prishtinë, Joseph Brodsky, Wallace Stevens e Allen Ginsberg në Tiranë e Gjirokastër, Franz Kafka në Shkodër e Lushnjë. Hapja, kontakti me letërsitë e tjera, botimi i librave të përkthyer dhe etja e marrë për të shkruar poezi dhe prozë gjeniale, zbuloi brishtësinë e autorëve tanë dhe mungesën e identitetit në letërsinë e tyre.
Këtu s’kemi të bëjmë thjeshtë me prani të ndikimeve të paraardhësve, por me një trafikim të pastër të emocioneve, të imazheve, të arkitekturës dhe herë – herë edhe të strukturës së tekstit. Kjo letërsi mund të quhet mirëfilli letërsi referenciale, pasi në shumicën e rasteve, poezive, romaneve apo tregimeve të botuara në këto vite, mund t’ua gjesh referencat në autorë të mëparshëm ose bashkëkohës. Në shumicën e autorëve të këtyre viteve gjen shkrimtarët më të pëlqyer prej tyre, gjen shkrimtarët e lexuar më parë po prej tyre. Ajo që nuk gjen tek një pjesë e këtyre shkrimtarëve, është shkrimtari i pa takuar e i pa lexuar më parë, shkrimtari që duhej të ishte brenda tyre, sikurse e cilë-son këtë Borges.
Në shkencë referencialiteti është një kriter i pashmangshëm, kusht sine qua non për një punim apo studim të mirëfilltë shkencor. Kjo përcaktohet në metodologjinë e shkencës.
Le të marrim si shembull librin “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, të Abaz Ermenjit. Ky libër në vetvete është shkruar bukur dhe lexohet me endje. Por ky libër ka një të metë të madhe; nuk ka asnjë referencë shkencore, asnjë dokument apo libër tjetër të cituar. Shkurt ky libër ka karakter propagandistik, sepse historia pa dokument nuk është histori, është propagandë. Librit të Ermenjit nuk mund t’i referohesh në asnjë punim shkencor, pikërisht për shkak të mungesës së referencave dhe dokumenteve. Por ai që është kusht në shkencë është fatal në letërsi. Nëse një libri me poezi ia gjen referencat në shumicën e poezive të tij, atëherë ai nuk është më libër poetik, po thjeshtë një viktimë e referencialitetit, një viktimë e trafikimit të emocioneve, të imazheve, të ndijimeve të tjetërkujt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prozën.
Shembujt e tillë nga letërsia jonë nuk janë të paktë. Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë, ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa shkrimtarë që u futën në këtë qorrsokak, pa pasur mundësi të dalin prej andej as sot e kësaj dite. Pasardhësit shkrimtarë të Kadaresë mbetën përgjithësisht shkrimtarë të dështuar, proza e të cilëve në asnjë rast nuk u ngjit në nivelin e prozës së Kadaresë. Edhe shkrimtarë të tjerë si Borges, Kafka, Hemingway, Sartre kanë krijuar pas vetes modele të dështuar, jo vetëm në letrat shqipe, por edhe në letërsitë e tjera. Është kjo arsyeja që e bën shumë të ndërlikuar raportin e shkrimtarit me shkrimtarët para-ardhës, me shkrimtarët e pëlqyer, ose të lexuar dhe të rilexuar, raport që herë – herë është armiqësor, idhnak, aq sa pasardhësi kërkon të mos ia zërë emrin në gojë paraardhësit, kërkon ta asgjësojë, jo thjeshtë te publiku, por, së pari, e kryesisht te vetvetja.
Duket sikur procesi i shkrimit është një dyluftim midis shkrimtarit paraardhës të pëlqyer, shkrimtarit të lexuar dhe rilexuar, dhe shkrimtarit të patakuar e të palexuar më parë. Tek shumë prej autorëve të botuar gjatë këtyre viteve ky shkrimtar i tretë, ose nuk ekziston, ose është aq i dobët dhe i trembur sa nuk guxon të hyjë në fushëbetejë gjatë procesit krijues. Mungesa e shkrimtarit “të patakuar e të palexuar” më parë në procesin krijues, apo prania shumë e dobët e tij vetëm me disa pëshpërima, sa për të prishur punë, u krijon hapësirë paraardhësve, aq sa teksti letrar i dalë nga ky proces krijues është një tekst referencial, pra nuk është tekst i mirëfilltë letrar.
Librat me tekst referencial, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të pranishëm te një pjesë e mirë e autorëve tanë “të kulturuar”. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorë, shumë libra, lista të gjata me emra prozatorësh e poetësh, madje të shpallur edhe “Élite” e që në vetvete nuk janë kurrgjë tjetër veçse elita referenciale dhe natyrisht disa poetë dhe prozatorë , të cilët gjithsesi kanë sjellë një standard të ri në letrat shqipe me ngjyrimin e vet origjinal dhe të papërsëritshëm. Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi, ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë.
Në këtë kaos mbretërues, në këtë botë të zhvillimit të lartë teknologjik dhe të komunikimit të shpejtë, krijimi i identiteteve të ndryshëm nga modelet nuk është i lehtë. Aq më tepër që edhe qënia njerëzore është një qënie komunikuese, një qënie e brishtë dhe e ndikueshme. Në përgjithësi globalizimi i shoqërisë njerëzore dikton modat dhe modelet e suksesshme, jo vetëm në veshje, krehje flokësh e kuzhinë, por edhe në pikturë, letërsi, muzikë, kinematografi, duke krijuar një standard të ngurtësuar për qenie standarde.
Pozicioni anti-shkollë, anti-standard, ndoshta është i vetmi pozicion real për shkrimtarin, edhe pse një pozicion i tillë rebel e kërkues, mbart me vete rrezikun e vazhdueshëm, të dështimit, të asgjësimit, të mospërfilljes dhe përbuzjes nga bashkëkohësit që në fund të fundit është e njëjta gjë. Në këtë pozicion është gjendur vazhdimisht Franz Kafka në të gjallë të tij, por edhe poetë e shkrimtarë të tjerë, që pasvdekja i ka bërë të mëdhenj.
Nga biologjia dimë se çdo qenie njerëzore është gjenetikisht e papërsëritshme, është një histori që ndodh vetëm njëherë, pavarësisht se vjen prej paraardhësve të ngjashëm njerëzorë dhe trashëgohet te pasardhës po të ngjashëm njerëzorë. Pra, ne biologjikisht nuk jemi të pandotur, përderisa mbajmë në trup gjenet e paraardhësve, e megjithatë jemi origjinalë, të përvetshëm, të papërsëritshëm, jemi secili një histori unike.
E tillë është edhe letërsia, kur ajo është letërsi, i tillë është edhe shkrimtari, kur ai është shkrimtar.
Nga libri “Rruge pa krye”