DRANDAFILE GJAKU

0
310

 

NGA:PRËLË  MILANI

Dranja u zgjue me rrezën e parë të agimit, flladi, arat, livadhet e pakosituna, stomijet e njoma ia kënaqën sytë bojëqielli me tonalitetet e tyne gjallnuese. Çika rrezatare me lehtësi e shkathtësi fluturake ia filloi punëve të mëngjesit. E ama, Tringa ishte pa qef, e kish kapë jeli në kryq e gjysën e natës nuk kish vu gjumë në sy, por nuk kish ba as eh as oh.
-Mos luej cic-o se po e za unë shtalbin, mjeli delet, vloj tamlin dhe e qes në govata
-Bijo, po vohohesh se Mrika i lëshoi berret për mëgjes e nuk ke si shko vetëm.
-Mos ki kasavet se gati i kollonisa . Edhe po të mos ishe pa qef duhet ma ta nda nji ditë mundimin.
Tringa duel në oborr dhe u ul në nji trupicë rrotullake ahu dhe kënaqej tu pa asistentën që nuk po i linte asgja mangut rangatores së moçme.
-Cicë!
-Fol, bijo!
Thive u shpraza në lug kotrovën me krune e serushka, viçit i qita nji dorcë barë të njomë e bukën e futa në votër. Tash po i lshoj delet, e po i shtije shpatit përpjetë edhe dal e pres Mrikën te Gurra mrizit.
Kaja mori krahnoçin e bojnave të qënisjes dhe kaloj nëpër nji ahishte dhe zu vend mbi nji rudinë të butë që të joshte dhe shtinte në mendime andrrimtare.
Aty hapej nji pamje e gjanë lugjesh e kreshtash kryelarta ku bajnë kuvend zanat. Kaja nuk ishte zanë misterioze, por nji vegim kundërmues bri krojeve jetëdhënëse. Dielli bujarisht derdhte shpateve dritë ledhatuese ari. Bukura qiellore kishte zbritun mes blerimit bjeshkatar. Aty ajo pushoi në hije të lisave degë -degë tu qënisë petkat e djalit që kish da orokun me e marrë nuse në vjeshtë.
* **

Dakë Prekali nuk iu bind urdhnit të jashtëzakonshëm që nxori Turgut pasha për dorëzimin e kryengritësve rebel që i kishin pre rrugën në Qafën e Agrit. Ai se bashku me nji çetë të vogël trimash u strehuan te Shpella e Barit në rrazë të Buallit Prej aty si hana që sheh malin poshtë vetës vëzhgonin çdo lëvizje që tentonte të shkonte në zgavrën e tyne shkambore. Për të shkuar atje duheshin nja 4-5orë rrugë përmes pirgjesh e shtigjesh të ngushë tangjent shpatet thikë poshtë të cilave fundoseshin lugina të tmerrshme. Atje kishin mbledhë rezervat ushqimore, dhe mbyll të gjitha shtigjet e kalimit. Atje kalonin jetën e tyre me gjetë e malit.
Natën ndiznin zjarre të mëdhenj që dalloheshin nga larg, këndonin kangë asqerçe dhe herë pas here shkrepnin batare pushkësh për inat të armikut. Ushtria, tu pas frikën, tu afrohej e ndiqte taktikën e vjetër osmane gjuej “me gurë” nga larg. Ndërkohë që koçakët vraponin “pas gurit” dhe egërsoheshin edhe ma shumë, Musa Efendiu tu mos pas mundësi të fuste në dorë këta
kokëshkambinj u lëshue mbi shpitë e tyne, i dogji, i rrafshoi përtokë dhe u grabiti gjithçka i lakmoi syni…..
Kaja , kur çoi kryet prej copës që po qëndiste, pa shtëllunga tymi të zeza që valonin drejt qiellit. U çue e hipi maë nji koçeku dhe pa tagjitë që kishin marrë flakë.
-Aiiiii, paska dal asqeria te stani,- tha çika I vraftë rrufeja, paskan ardhë me u hakmarrë për tatën. Dakë Prekali ishte shefi i komitave . Qyqja ç’na fikën. Para nji muejt na dogjën kullën e gurit, tash paskan vendosë me na djegë edhe stanin e me na lanë fillikat nan qiell të hapun. Para tre ditësh asqerin kaçakët e detyruen me u zbythë me bishtin varun dhe tash janë si bisha të tërbueme .Ta ditkësh se po vjen dreqi me bori nuk pata me e lanë cicën vetëm. Por ma mirë që berret janë në mal se do na i kishin marrë te tana. Nisu bre në kjosh sokoleshë?! Nisu shko e mbroje strofullën tande. Çika mori sakicën dhe fluturim për pak dekika ra në oborr të konakut tu ngulshue prej vrapit. Çeta e kasholleve i kishin vu flakën mullarëve, pemët po i rafshonin, viçin e kishin nisë për rrugë, shekat e djathit dhe qypin e tylnit po e ngarkonin mbi mushka. Thitë e tharkut i kishin ba shoshë e mbytë në gjak me batare inatçare. Por kur lokën e kishin lidhë kambësh e duersh për man të oborrit. i ish duk sikur u shemb Cukali. Oj oj qyqe zeza një gdhe zeshkan mustaqekërleshun i kish hipë sipër dhe renktonte si harkoç. Me stapin e tij të dalldisun gjithë efsh të pa fre vibronte mbi ullukun e plakës gojëmbyllun me shami. Plaka erzmarrun kish dashtë ma parë të digjej në zjarr të mullarit se sa të duronte shfrimin e tollumbit të tij që depërtonte thellë e ma thellë.
-Qyqjaaa, ç’ asht kjo baterdi e hatashme!? Mos o zot ma keq! E mori lumi edhe nderin e shpisë Dakë Prekalit. Ku je more tatë ku je?! Të doli kanga se vrave dy asqerë. E këndofshin qyqet kangën tande! Kulla djegë e rrenue, mallë e gja ba plaçkë. Hallall Zotit deka e te tana ,por nderin e lokes teme kush e la?! O zot ku je more!? A je apo nuk je?! Në kjosh si e duron ditën për diell këtë .flligështi shtazore!? Po, po Zoti i lum asht!Unë sakicën në dore e kam. Jepi Drane! Ç’ka po pret e laja turpin lokës tande dhe zbardhja faqën Dakë Prekalit . Gdheni turkoshak lëshoi nji renkim drithërues sa qe nuk e mori vesh kurrë nëse qe kënaqësia e orgazmës së tij të fëlliqun apo shyta e çikës shoshiane që ia ndau rrashtën dysh si kungullit tu e leshue pa jetë si stervinë . Me tramën e dytë i preu organet e flliquna gjenitale, me tramën e tretë këputi lakun që kishin lidhë lokën e mjerë.
Në qoshën e majtë te stanit, tek kapërcelli që të çonte te torishta e gjasë u përball me nji asqer tjetër i cili hala nuk dinte gja për fundin e turpshëm të ortakut te tij.
Marshallah-. marshallah, tash më erdhe zoçka ëmë ! Musa efendi, ti hipi plakës, por pelën e re po e shiloj vetë qetash,- tha i ngazëllyem çallmziu!
-Po qebesa jam ndezë flakë për hamshor. “Ti kenke taman turk e hamdyrylah”. Hajde me ujdis se po kallet flakë si mullari pela jote! Hajde, hajde e ma shuej flakën, por vështirë e ke me e vajisë topanxhën tëmë. Mund të randë i paske qitë vetit, more kapedan! Nji trame sakice në lule te ballit e la varun në kapërcyell si çakalli kur zihet ndër vathna. Çikës plumbat që e përshkuen nga të gjitha drejtimet iu banë bulza djerse mbi palat e jelekut fijeartë .Gjaku i dëlirë martire i përskuqi këmishën bilur. Në mes të atij zjarri tragjik lulëzoi nji dranafile gjaku e pa praruar . E kush mund të jenë martirë të atdheut dhe nderit kristalin shqiptarë po të mos ish kjo amazonë ! Me lule dafinash u mbuloftë varri jot dhe i sokoleshave tona pastore. Shqipet ilire kanë me ngritë çerdhe te reja mbi majat e thepisuna që u lindën. Ndër djepat që u përkundën kanë më u këndue himne, prej qiejve të lirë do burojnë ujëvarë vegimesh përjetësie.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.