” BIRI QË NUK E LINDA KURRË “

0
1019

NGA:  FABIOLA  MARKU

Nuk më ka mbetur dhe shumë për të mbërritur pranë portës së maternitetit. Kam therje të tmerrshme. Tetë vite, këto tetë muaj. Dhe ai faqezi që më la në mes të asgjësë, për një njomëzake më të pashme, të kolme, me gjoks të ngritur e të fortë. Kështu m’a përshkruante netëve të fundit që ndamë shtratin e, pasi m’a bënte me forcë e më rrihte, më thoshte se së shpejti do t’i shpëtoja kësaj, sepse do të ikte shumë larg, me të dashurën e radhës, më në fund. Për fëmijën e tij që kisha në bark, nuk deshi t’ia dinte kurrë.
“Hiqe” më tha njëherë në javët e para dhe sa nuk m’u shemb qenia nga frika. Me lot të gjakut, arrita t’a mbroj këtë grusht foshnje nga shqelmat e të atit mbi barkun tim, sa herë që vinte i pirë, i droguar. Strukesha qosheve kur ia dëgjoja hapat në paraderë, por më kot. Jetët tona qenë një ferr që kur u bëmë bashkë e më mori në shtëpinë e tij plot mister. Ai zjarr i dashurisë së fillimit, dogji të gjitha ëndrrat që kisha thurur kur takoheshim fshehurazi, prej dashurisë sonë të ndaluar.

***
Prej ditësh më janë enjtur duart e gjymtyrët e këmbëve mezi më binden. Gjithçka që dua është të arrij në spital e t’i kërkoj dikujt ndihmë për të nxjerrë gjallë në dritë tim bir. Të ketë mbetur ndonjë njeri i mirë në këtë vend?
Me shpejtësinë e një fëmije në hapat e parë, një çast fryma desh më la dhe vendosa të pushoj në një cep të së majtës së rrugës kryesore.

Në trotuare ka njerëz pafund e, megjithëse acari tejet i mprehtë kërcënon t’i izolojë nëpër strofkullat e tyre të ngrohta, ata nuk pushojnë së renduri sa në njërin krah të qytetit, në tjetrin. Pjesën më të madhe, ua merr zona e Katedrales. Është prag Krishtlindjeje dhe kur më shumë se sot njerëzit kujtohen për të mbinatyrshmen, kur më shumë se sot ne njerëzit kujtohemi se sa të vegjël jemi, sa hiç të drejtë jemi me njëri-tjetrin, se sa aspak punojmë për paqen apo se sa fare tolerantë jemi. Pushojmë pak në stolat e shumtë prej druri brenda ndërtesës së Shenjtë shumëvjeçare dhe mendojmë se u lutëm mjaftueshëm, u pranuam mjaftueshëm, na falën dhe falëm menjëherë. Të çuditshëm jemi!

***

-Zonjë, nuk dukeni mirë. – më erdhi një zë i hollë nga pas. -Ç’bëni në mes të rrugës në gjithë këtë të ftohtë? -Oh, Zot! – iu dridh zëri kur pa barkun e rrumbullakosur.
Doja t’i përgjigjesha por fryma s’më ndihmoi dhe për një çast m’u duk se u shova në krahët e asaj zonje të panjohur, por shumë të bukur.
Zëri i saj i hollë nisi të më dëgjohej sa vinte e më larg. Po më ulëriste të zgjohesha, por nuk i po i urdhëroja dot më qepallat. Diçka më e fortë se unë, më vuri në gjumë, si atëherë kur flija mesditave e zgjohesha pas orësh, me kokën tejet të rëndë.
-Duhet të zgjohet patjetër, – foli një zë i trashë burri. – ndryshe do të humbasim kontrollin e fëmijës në bark.

Një çast, nuk di se kur, nuhata alkool dhe sërish m’u kall data nga ajo varësi e mallkuar me të cilën isha përballur disa muaj me radhë. Nga frika nuk i hapa sytë. Duke u përpjekur të kujtoja çastin e fundit të vetëdijes sime, m’u kthye koha kur ai kthehej i dehur, ndonjëherë edhe i grushtuar e mavijosur nga vagabondët e sojit me të cilët shoqërohej. Mbylla sytë fort derisa një dorë e butë m’a shtrëngoi sërish dorën si në trotuar. E njoha menjëherë.
“Ajo duhet të më ketë sjellë në spital pa ndjenja, sepse unë jam shtatzënë dhe nuk ushqehem mirë… unë jam e vetme sepse familjen i kam humbur me kohë… ajo duhet të më ketë sjellë në spital sepse unë për këtu isha nisur… po, unë doja të kërkoja ndihmë; fëmija im lind muajin e ardhshëm.”
Preka barkun dhe për herë të parë pëllëmba m’u mbush me asgjë.
-Fëmija im… Ku është fëmija im?!
Gjithë sa ishin në sallë filluan të shihnin njëri-tjetrin..
-Ku është fëmija im?!- ulërita me sa zë mbante koka tejet e rënduar.
-Shhhhhttt, pëpiqu të pushosh,- më foli zonja e trotuarit. – gjithçka do të kalojë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.