Deklarata për shtyp e lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që ende nuk është miratuar nga Dhomat e Specializuara përveçse është një akt pa precedent e me ngjyra të qarta politike, përbën edhe një lajm të rëndë për gjithë popullin shqiptar. Kjo akuzë nuk është vetëm ndaj këtyre dy udhëheqësve të UÇK-së dhe personaliteteve të politikës shqiptare por edhe ndaj historisë bashkëkohore të kombit tonë.
Unë shpreh bindjen se populli shqiptar ka qenë në anën duhur të historisë, se lufta çlirimtare e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër e prandaj gjithë bota demokratike iu bashkua asaj duke mundësuar çlirimin e Kosovës. Dihet qartë se kush ka qenë agresor i luftrave të Ballkanit dhe askush nuk mund ta manipulojë historinë dhe të barazojë viktimën me xhelatët. Prandaj ashtu sikurse ndodhi në gjyqet e njëpasnjëshme të Hagës që vërtetuan pafajsinë e komandatëve të UÇK-së, edhe këto akuza kanë për të dështuar.