Profesor Ndrio shtjellon idetë e tij në azilin e pleqve – (Fragment nga romani “MISIONI”)

0
544

Vangjush Saro 

Atje, more vëlla, vlonte debati për gjëra anësore, si ta them, të parëndësishme, bisht… Në fillim ishin grindur një copë herë të gjatë se si ta quanin institucionin: Thoshin Azili. Azili i Pleqve. Shtëpia e Të Moshuarve. Pastaj kishin kaluar disa ditë me një tjetër grindje: Si t’ia vinin emrin institucionit? Nga Drejtoria, ishte propozuar emri i politikanit Ronxho Bonxho. Organizata e Veteranëve të Luftës qe ofruar me emrin e një dëshmori. Nga Njësia Vendore, kishte ardhur porosia që institucionit t’i vihej emri i Presidentit të vendit. Kishte që propozonin emrin e një sportisti, të tjerë atë të pasardhësve të ish-Mbretit, kurse shumë nga pleqtë donin që emri i munguar të ishte ai i një këngëtari në modë, që të këpuste shpirtin me këngë sevdaje…
Vendosa menjëherë ta shpërndaja këtë mjegull. I mblodha të moshuarit në Sallën e Ngrënies.
-Po pse, more vëllezër e motra, – iu thashë unë – ky është problemi që shqetëson këtë institucion dhe moshën tuaj? Po si çfarë? Jua them unë: jeta juaj private, koha e lirë, raportet tuaja me produktet bazë, ushqyerja, veshmbathja. Ja, të marrim një gjë të thjeshtë fare. Mbani fanella leshi juve? Shikoni, se kjo punë nuk është për të kaluar radhën. Ato janë higjenike dhe nuk janë sajuar me fije të dyshimta që s’ua dimë fillin. Fijet, de. Po ja more, shikoni dajë Remën. Burrë me një barrë mend. I bëra shenjë asistentit tim ta hiqte pallton, pastaj edhe këmishën… E kishim biseduar që më parë radhën e punës. Hë, ja, kjo është një fanellë leshi…
Të moshuarit nuk po kuptonin asgjë. Ata kishin menduar se unë do të çoja atje ndonjë pako me ushqime. Jo ore, jo. Unë kisha çuar mesazhin. Mirëpo, me kë të flasësh. Dy gjëra duan njerëzia: Politikë dhe Bukë. Duhej dalë nga ky rreth i mbyllur. Le të tjerat, por edhe ca komunikata që ua kishim shpërndarë që në fillim të takimit, s’po i zinin me dorë fare. Më t’u nxeha keq.
-Pa hiqini këto xhaketa e xhupa, t’ju shikoj njëherë… Hajde, ç’më ngrini supet ashtu? Xhvishuni!
Nja dy nga pleqtë, si më të urtë, filluan t’i hiqnin xhaketat. Unë i bëra shenjë dajë Remës t’i ndihmonte, që të lëviznin më shpejt. Asistenti, ashtu siç ishte, vetëm në fanellë leshi, iu qas njërës prej të moshuarave dhe i zgjati duart. Budallai! Po kush i tha ta fillonte nga gratë? U bë një kashalesh aty… Një burrë, ende mirë nga shëndeti, ma shtyu asistentin tutje, dhe ky u përplas te njëra nga tavolinat e ngrënies, pastaj bashkë me të, ngase pllakat ishin ende të lagura, përfundoi në një rrëshkitje spektakolare drejt edhe në cepin më të largët të dyshemesë. Profesor, më thirri që andej, pa e përmbajtur dot inatin, më bënë gol… Ç’punë kisha unë me futbollin, na është bërë një me zuzarët, shit ndeshje e fito para. Të qelbura. Një buzëqumësht, paguhet sa për gjithë pensionistët e Ballkanit…
Ani. Në këto e sipër, nja dy nga gratë e moshuara që ndodheshin në Sallën e Ngrënies, dolën me të shpejtë dhe siç mora vesh më pas, e kishin mbajtur frymën në Drejtori. Ladies and gentleman! Can I have your attention, please… Oo, ngatërrova fjalën. Me këtë do të përshëndesja në Helsinki, Konferenca për Ujin; sekush ma vodhi atë ftesë, nuk e mora vesh… Pra, miqtë mi, vazhdova. Motra dhe vëllezër!
Në këtë kohë, njëri nga vëllezërit, më qëlloi me një kothere buke. Epo, gur kishte qenë ajo e shkretë! Vura dorën në kokë dhe pashë se më ishte bërë një si gungë. Por nga shpjegimet nuk hiqja dorë. Dale, bre shokë, se u keqkuptuam. Kjo është një përkujdesje për shëndetin tuaj. Një veshje e tillë, largon çdo sëmundje e lëngim. Ato, miqtë mi, fort mirë mund t’i porositë Drejtoria juaj. Ministria eprore, pse jo. Gratë që janë pa punë në fshat e në komuna, të bëjnë triko, fanella leshi. Këto t’i blejë shteti…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.