Vjeshtë Sarandiote

0
726

NAMIK SELMANI – USA 

Vjeshtë Sarandiote

Takangrënat u kthyen në vise e në dyer çerdhesh
Baret u bënë kuaj që turfullojnë si të vetmuar.
Në kalanë e Lëkurësit ribëhem kapiten në dete
Për të risjellë dhe pa far Anijen e Ëndërruar.

Hesht një çast legjenda për 40 shenjtorë dhe kisha
Sypërpirësit e larguar thurin diku balada e drama.
Hej, ku ta gjej puthjen e fshehur në lule e pisha
Të rithur lirika e të hap si kryekrushk dasma.

Shiu i butë njom jargavanët dhe karriket e kthyera
Si ditarë udhëtimi ku gjuhët e kombet shkrihen.
Në Sarandën bukuroshe eci dhe mbi qelqe të thyera
Në krah të një nimfe detesh që lan llërët në brigje.

Mbetën në ballkone fjalët ëmbëltore si çelsa dashurie.
Në guralecë gjurmët e agimveve i mori Joni.
Hedh sytë me lotë gazi të dehur mes kaltërsie
Zgjoj këngën që erëmon si bli dhe si ftua oborri.

Në vjeshtën verdhoshe lodrojnë nga flladi portokalle
Si gardianë më besnikë të bregut kanë mbetur.
Këtu e hedh trishtimin dhe trastën me halle
Bëhem karvanar i ëndrrës së florinjtë, të fshehur.

Ribëhem vogëlush i thinjur në magjinë e valëve.
Dhe i vetëm dua ta sfidoj vjeshtën sarandiote
Vetëm Meshën e Harresës mos ma bëni në male!
Në puplajë kujtimesh lërmëni të vë kokën sonte!

Të prek i tëri ngjyrë më ngjyrë vjeshtën sarandiote
Dhe të bëhem prijatar i vargjeve shenjtërore…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.