Sokol, pas një krijimtarie të shtrirë përgjatë dekadave, vendosët të botonit gjithë poezinë tuaj në një vëllim të vetëm. Përse pikërisht tani ky libër?
Në fillim të vitit që kaloi, kisha në duar një libër me poezi të reja, dhe po mendoja për ta botuar. Poezitë e plota, sipas një plani, do t’i botoja më pas, ndoshta mbas dy vitesh. Pikërisht në këtë kohë ndërhyri pandemia e Covidit, që siç dihet, ndryshoi shumë gjëra në jetën tonë, ndërsa mori edhe mjaft jetë njerëzish. Këtu ndryshoi edhe plani im i botimit, duke afruar pikërisht këtë, të dytin, dhe duke e bashkuar me poezitë e reja. Nganjëherë ndodh kështu, vjen një e keqe dhe bëhet shkak për një punë të mirë. Kisha botuar shumë libra, shumë poezi ndër vite, dhe gjithçka duhej parë, duhej sistemuar, ndërsa dihet që nuk ka diçka standarte por ka mënyra të ndryshme të përgatitjes. Në këtë proces të përgatitjes, mund të bëhen ndërhyrje edhe në tekst, të imta dmth pak të dukshme, por që autori i kondsideron të duhura. E mendoja këtë punë si të ndërlikuar, prandaj duhej bërë nga unë. Atëherë jam takuar me Irena Buzin, botuese e Princ, dhe piktore, me të cilën kishim një përvojë bashkëpunimi, pikërsht në botimin e veprës poetike të Frederik Rreshpjes. Irena më propozoi botimin e poezisë si pjesë e kolanës së saj. Kështu unë punova gjatë gjithë verës dhe vjeshtës, dhe në dhjetor libri u dërgua në shtyp.
A nënkupton titulli i librit, “Nga dëshira për të jetuar” se ka qenë pikërisht kjo arsyeja përse keni shkruar poezi?
Them se jo, një dëshirë abstrakte për të jetuar, nuk është e mjaftueshme për të shkruar poezi. Poezinë e shkruan Poeti, jo një njeri që ka dëshirë për të jetuar. Por besoj se poezia është një mënyrë të jetuari për atë njeri që është Poet. Kam thënë diku tjetër se poezia është si një qytet fantastik ku poeti ka banesën e vet. Në fillimet e veta, kemi një njeri (për mua, një fëmijë) që ka probleme me realitetin – shfaqje e pëditshme mungese, moskuptimi dhe pandjeshmërie – dhe në takimin e parë me letërsinë a poezinë, ai ndalet aty, vëzhgon me njëfarë habie dhe ndjen një ngrohtësi shpirtërore të pakuptueshme por joshëse, ndjen një vezullim gjërash në mendje. Ai rri aty, dhe ditë mbas dite hyn në intimitet me këtë botë të re, të sapozbuluar. Pak nga pak ndjen se mund të jetojë në këtë banesë, te ky qytet fantastik, si të thuash. Megjithatë në fillim domosdo se nuk i kupton gjërat, nuk e di se çfarë po ndodh me jetën e vet, por një ditë do ta kujtojë se aty ka nisur udhëtimi i jetës së tij të poetit. Sidoqoftë kjo vendosje e tij nuk është e izoluar nga bota reale, përkundrazi, është brenda saj, është plot me të, me të mirën dhe të keqen, me të bukurën dhe të shëmtuarën. Kështu poezia realizohet si një udhëtim i gjatë, sa me veten, edhe me realitetin. Poezia tashmë është bërë vetë dëshirë e të jetuarit, veçse duke iu kushtuar artistikisht jetës së vet sa edhe jetës në përgjithësi, jetës së gjithkujt. Për veten time, libri i parë që ma ka shënuar këtë udhëtim të bukur dhe fantastik, është një hungarez, Djemt e rrugës Pal, i Ferenc Molnar. Mund të ishte edhe ndonjë tjetër, por ky ka qenë, dhe këtë e kujtoj si portë hyrëse në botën letrare ku unë kam banuar. Kur kam vendosur titullin për poezinë time, kam pasë në mendje një vezullim gjërash të pambarim, ndërsa i kam ndjerë ato si dëshirën time për të jetuar, me to dhe për to. Do doja që kështu t’i ndjejë kushdo që e merr në dorë dhe lexon te ky libër, qoftë dhe një poezi të vetme, pasi mendoj se qëllimi i parë dhe i fundit i poezisë është që t’i bëjë nder njeriut dhe jetës mbi këtë tokë.
Motivet në poezinë tuaj janë të shumtë, prandaj rilind brenda meje një pyetje e zakonshme, por që prej kujtdo merr përgjigje të jashtëzakonshme: Çfarë ju ngacmon dhe shërben si shtysë për ta kthyer në poezi?
Them se poeti ka vetëdijen që është poet, dhe se poezia është përkushtimi i tij i jetës, është lidhja që nuk zhbëhet. Ai këtë e ndjen dhe e di. Atëherë çfarë produkti do dalë nga kjo lidhje, që është mundim por edhe kënaqësi për të? A do t’jetë ky produkt për tu çmuar nga të tjerët, për tu vlerësuar, për tu lexuar? Poeti jeton në një realitet si të gjithë njerëzit, por me shenjën e poezisë në shpirt. Kjo do të thotë se për aq sa jeton si të gjithë njerëzit, ndjen si të gjithë problemet e jetës, dhe për aq sa jeton si poet, ndjen siç thonë, më fort, dhe ndryshe nga njerëzit tjerë. Për shkak të ndjeshmërisë së tij poeti do reagojë si Poet, nuk do reagoë bie fjala si piktor. Mjeti i poetit është fjala. Poeti reagon ndaj botës reale përmes fjalës. Për t’i dhënë reagimit të vet trajtën e poezisë, poetin e shtyn ndjeshmëria e tij e poetit. Në fillim ndoshta i vjen një ide o një imazh o një kujtim. Këtu nis trazimi i lëndës shpirtërore çfarë ai ka brenda vetes: përvoja, refleksione. Dhe atëherë hyn në punë nënvetëdija, gjëra, që nuk i shpjegon arsyeja, por një energji krijuese, me sa duket kryen një punë shumë të sofistikuar. Kjo punë do mbetet e pandriçuar plotësisht pasi ka të fshehtat e veta. Por kjo gjë përbën thelbin e asaj shprehjes së njohur: poeti lind, nuk bëhet. Tek e mbramja edhe për lexuesin, nga këto të fshehta të panxjerra dot në dritë, besoj se krijojet ajo që do mund të quhej “qershia mbi tortë” e poezisë.
“Ndonjëherë shiu vjen si gëzim/ Ndonjëherë si mërzi,/ Edhe në qofshim në t’njëjtin pyll/ A nën të njëjtën çati,/ Edhe në qofshim pranë t’njëjtit zjarr/ A pranë t’njëjtës dashuri,/ Ndonjëherë shiu vjen si gëzim/ Ndonjëherë si mërzi.” Në vijim të pyetjes së mëparme, mes motiveve, shiu është ndër më të pranishmit. Është kjo zgjedhje e vetëdijshme, apo ku mund të burojë poezia më mirë se “në shi”, për sa kohë shiu është dëshmia e një procesi të përjetshëm, fillimi i të cilit nuk dihet dhe fundi, as që mund të parashikohet?
Shiu është një nga elementet e natyrës, përkrah diellit, erës, borës etj. Ne të gjithë jemi të lidhur fort me natyrën. Madje vetë ne jemi krijesa të saj. Lidhja jonë me natyrën është egzistenciale. Frederik Rreshpja ka dikund një shprehje shumë të bukur për shiun, diçka si një shreptitje poetike. Shkrova, thotë Rreshpja, se shirat janë krenaria e fenomeneve qiellore. Dhe vërtet, përfytyro se jeta mbi tokë do ujë, dhe ja uji vjen nëpër qiell, dhe bie. Po si bie? Bie me pika ose bie fije-fije. Dhe gjithë një hapësirë ajrore ndoshta kontinentale, deri te retë, në një lartësi jo të madhe, ditë dhe natë, zihet nga ky manifestim i madh natyror: rënia fije-fije e ujit mbi tokë. Unë jam lindur dhe rritur në fshat. Më pas kam pasë një profesion të lidhur me natyrën, me kushtet e saj. Kështu, unë jam edhe një regjistër i natyrës. Unë e di që shirat shpirtërisht janë edhe muzikë, janë edhe imazh, edhe diçka prej ëndrre. Por shirat janë edhe mërzi, edhe vuajtje. Kështu besoj, më vijnë shirat edhe në poezi. Në poezinë me titull Kantik për hijeshinë e shiut, shirat më vijnë si buisje, si mugullim, si përtëritje e jetës, dhe gjithmonë përmes një muzikaliteti spontan por të kandshëm. Ky asht rasti kur unë kam pasë ma parë idenë me shkrue një poezi për shiun, dhe e shkrova. Por nuk është se më erdhi ideja, dhe e ktheva në poezi menjëherë, është dashur kohë. E shkrova në një varg të shkurtë ku ritmet vinin të shpejta ndërsa rimat, të përsëritura si një shi i butë që bie mbi një gjelbërim. Ndërsa konkretisht për poezinë që ju sollët në vëmendje, nuk më kujtohet se si e kam shkruar, por di që nuk kam diçka të përcaktuar. Ndoshta thjesht dëshira për të bërë diçka në një rast qetësie, një përjetim në një ditë me shi ose qoftë edhe pa shi, ku me e ditë, por gjithnjë si një muzikë me refren. Kjo poezi sugjeron diçka që nuk e dimë: përse gjendja jonë shpirtërore është e ndryshme, në kushte të njohura të njëjta? Diçka e fshehtë vepron brenda nesh. E vërteta është se gjithmonë kam jetuar në intimitet me shiun, por si me të gjithë elementet e natyrës. Për diellin gjithashtu kam shkruar poemën Kantik për diellin. Më vjen keq që sot natyrën nuk e kam në masën që dua.
“Kur poeti shkruan, era hyn nga dritarja/ duke lëvizë perden e hollë/ ndalet tek një libër, e shfleton/ por e mbyll në heshtje/ dhe kujdeset anekand për qetësi/ nga dera ku mbështetet për t’mos e hapur asgjë.” Çfarë mund të na thoni për procesin Tuaj krijues? Si fillon ndijimi, nxitja fillestare për të shkruar një poezi, pastaj shkrimi i saj e në fund, ajo pika e mbrame, mbylla përfundimtare e këtij cikli?
Duhet thënë se për poetin, vetëdija e të qenit i tillë, pra poet, ndaj mendimit dhe botës së tij shpirtërore, është si një bateri diellore që është e lidhur me një mekanizëm që rrotullohet. Sapo bateria ngarkohet, mekanizmi vetiu vihet në lëvizje. Kështu është edhe poeti, ai jeton me poezinë. Me gjetë se ku nis poezia, është si me gjetë se ku buron në të vërtet lumi. Për poemat, ndoshta si për një roman, mund të shquhet në fillim një ide, që gjithsesi mund të jetë edhe e paqartë. Por për poezitë, mund të jetë edhe ndonjë gjë çfarëdo si nxitje: një imazh a një metaforë a një kujtim a një dëshirë, a nuk e di çfarë. Mund të renditen shumë gjëra, duke shtuar këtu se ka edhe diçka të pashpjegueshme. Kur fjala dhe ritmi takohen, kur këto bëhen bashkë, fillon poezia. Por nxitja mund të jetë si guri që hedhim në pellg: guri ik në fund, ndërsa ne shohim valëzimin. Problemi është se si, dhe sa zhvillohet poezia? Me çfarë mbështillet ideja? Janë këto gjëra që e bëjnë poezinë. Më pas, a na sugjestionon dot ajo? A na bind për ta ndjekur zërin e saj? A është e vërtetë? Kur e kam hedhur si dorë e parë, vë re se ajo është prapë e mangët, se ka nevojë të mbushet, dhe të punohet me detaje artistike tjera. Vë re se një fjalë është përsëritur dy herë në poezi, dhe kështu njëra duhet hequr. Një poezi mund të shkruhet shpejt, mundet edhe jo. Ndërsa një poemë gjithmonë do shumë lëndë, dhe do shumë kohë për tu pjekur, madje më parë duhet kohë për tu bindur se do ta shkruash. Edhe një poemë jo të gjatë si Trembëdhjetë variacione mbi një ndjeshmëri më kujtohet se e kam mbajtur më shumë se gjashtë muaj për të vendosur. Gjithë kësaj kohe me sa duket, fermentohej lënda e saj. Një nga poemat e para, Requiem për borën e pranverës, e kam shkruar në verën e vitit 1995, dhe siç është kuptuar, ka një nëntekst politik. Por nuk jam i bindur se ka qenë kjo ideja e parë që më ka nxitur. Më kanë bërë përshtypje rastet kur ka rënë borë, shiu që ka rënë, nuk e ka shkrirë borën plotësisht, por ka mbetur një shtresë e hollë. Atëherë ky fakt, që ka mbetur një shtresë e hollë bore, përbën një rrezik pasi gjatë natës kjo do ngrijë akull, dhe do dëmtojë jo thjesht lulet por më shumë se aq. Tash për të bërë një poemë sipas këtyre ideve – asaj politike dhe asaj natyrore – që i përkasin të dyja botës reale objektive, që ekziston jashtë nesh, duhet që ndjeshmëria e poetit të ndërhyjë dhe të realizojë poetikisht një fuzion harmonik të tyre. Pas takimit me simbolizmin francez, unë u orientova kah një gjuhë poetike më e përsosur por edhe më e sofistikuar, përmes poetikës së simboleve. Ky rrugëtim ka vijuar deri me librin Vera fantastike që u botua në verën e vitit 2003, dhe me të cilin do merrja Çmimin për Poezinë. Por në shtator familja ime u çvendos në Tiranë sepse vajzat vazhdonin studimet ndërsa gruaja donte shërbimet e tyre për shkak të sëmundjes. Mbetur vetëm në shtëpi, unë reflektoja mbi poezinë. Dhe kuptova se duhej të lëvizja, si të thuash, pasi vijimi i mëtejmë në këtë linjë, mund të më çonte kah një asfiksi poetike, kah një shkëlqim i zbrazët, gjë që nuk përputhej me vizionin tim. Përgjigjen e kësaj situate e dhashë në verën e vitit 2004, (Çmimin për Vera fantastike, të botuar para një viti, do ta merrja në dhjetor) kur shkrova poemën Drapri këtu dhe atje. Sipas kësaj ideje kam vazhduar deri sot, me librin e fundit Brymë vere, një produkt ky, që po ta marrim në sasi, përbën rreth dy të tretat e veprës sime, ndërsa më duhet të them këtu se kërkesa për ta rafinuar poezinë, nuk ka rënë, përkundrazi. Domethënia e lëvizjes që përmenda është kjo: duhej ta shihja jetën gjerësisht si burim frymëzimi, si burim të lëndës poetike. Poezia është në jetë dhe në realitet, është brenda nesh, është në ndjeshmërinë tonë reaguese ndaj realitetit, por duhet zbuluar. Nëqoftëse ne dimë ta kërkojmë atë, atëherë vetë ajo vjen, edhe nga atje ku ne nuk kemi qenë, dhe na gjen atje ku jemi. Ne do merremi me disa gjëra të pabuja, të vogla, jo të mëdha, por këto gjëra të vogla, duke u shtuar ditë pas dite, do bëhen shumë sepse jeta është e madhe, ndërsa ato do t’jenë të ngarkuara me plot ndijime befasuese që japin një vizion të ri të botës sonë, përmes shprehjesh poetike të bukura, shoqëruar me emocione të forta. E veçanta këtu mund të jetë se ky orientim krijues gjendet jo ndër degëzime sporadike të një rrjedhe kryesore por është vetë rrjedha qendrore që përshkon të gjithë fushën e poezisë, në gjithë jetën. Më ka munguar fare dëshira për ta parë veten të rëndësishëm në shoqëri, por kam pasë përkushtimin maksimal të mundshëm ndaj poezisë. Kam dashtë ecjen, jo ndenjen. E kam dashtë të krijuarit artistik. Në poezinë Udhëtari nga libri Avulli i verës, 2014, kam shkruar: E vështirë është udha / dhe një torbë e vjetër më rëndon / ajo frymën ka me ma marrë / por unë jetën time kam në të. Duke parë këtë rrugëtim poetik, në parathënien që i ka bërë librit tim, Stefan Çapaliku ka shkruar: “Në poezinë e Sokol Zekajt nuk mund të hysh dot nëse nuk di se ç’është përulësia”. Më duket se e ka thënë bukur dhe drejt.
“Çdo njeri ka një pus të thellë/ Dhe një ujë të errët që kumbon nga fjalët që bien./ Një fëmijë kureshtar zbret poshtë nëpër gurët e pusit./ Vuajtja jote është ta nxjerrësh të gjallë atë fëmijë./ Dritë e errësirës, tingull i përditshëm!” Ta nxjerrësh gjallë atë fëmijë, më shumë se vuajtje ngjan si mison, jo i çdo njeriu por sidomos i poetit. Pse për ju, kjo është “vuajtja jote”?
Kjo poezi na sjell në kujtesë anën e vështirë të artit, por edhe të jetës sonë, të njeriut në përgjithësi kudo dhe kurdo, se edhe jeta kështu është e vështirë. Por të dyja këto, arti dhe jeta, ndërsa janë të vështira, janë edhe të bukura, janë edhe një mision, një detyrë e dhënë dhe e pranuar. Jeta e një njeriu mbi këtë tokë ka qenë dhe ka mbetur e shkurtër por fryma e tij është transmetuar te tjetri, te pasardhësi. Dhe kështu jeta ka vazhduar. Edhe arti ka vazhduar. Joyce-i tek Uliksi i vet, thotë një gjë që më duket thelbësore: Çështja e çdo arti, thotë Joys-i, është se nga çfarë thellësi jete vjen. Arti i mirë dhe i vërtetë, gjithmonë vjen nga thellësia, sado të themi se na i solli Muza a na ranë nga qielli, e gjëra si këto. Arti nuk është një mineral që gjendet në sipërfaqe dhe mblidhet me lopatë. Gjithë problemi është se si vjen jeta te poezia, a na vjen dot si zbulim, si befasi artistke. E vërteta është se poezia e sidomos ajo moderne, nuk është një makinë e bërë prej instrumentash të mbërthyer saktë dhe fort. Jo, instrumentat e saj të bërë prej fjalësh, fuknksionojnë lirshëm, nuk janë detyrues për ne, afrohen, largohen, ndërsa na lënë të lirë në përjetimet tona, në imagjinimet apo edhe në trillet tona. Ato na ftojnë për një imazh, na sugjerojnë një ide, na kujtojnë një përvojë a na ringjallin një ndjenjë. Poezia duhet shpëtuar që të vijë. Rasti më fatkeq në letërsinë tonë, është ai i Migjenit.Ai iku shpejt. Por duke qenë absolutisht modern, siç thoshte Rimbaud, ai është poet i vërtetë. Ai është identifikuar si poet i mjerimit, dhe kjo nuk e ka ndihmuar imazhin e tij, ndonëse edhe këto poezi janë të mira, dhe i bëjnë nder jetës njerëzore. Por të krijohet një përshtypje sikur ne jemi të gatshëm të pranojmë Baudelaire-in, por jo Migjenin, kur nëse ia lexojmë Kangët e rinisë, kuptojmë se sa elegancë dhe finesë kanë, sa muzikalitet – ritme dhe rima të bukura- dhe një pasion të ngrohtë, jo të bujshëm që shkon kah ndjenjat e buta. Për Shkodrën shkruan: Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë-shumë ma të sinqerta e ma të mëdhaja se dëshirat që pat perëndia kurse krijoi botën. Shkodra, dashunorja e shekujve!… Këtu nuk mbetet ndonji gja për me dyshue! E gjithë poezia e tij, jo e shumtë në sasi – përfshirë prozat e mrekullueshme poetike – vjen si një dritë që ngjitet nga thellësitë e errta të qenies. Më shumë të sofistikuara janë disa nga prozat poetike, duke qenë, po themi, edhe më moderne, ndoshta edhe më të bukura. Sot tek ne gjërat nuk janë si kanë qenë, kanë lëvizë në atë drejtim që donte Migjeni, prandaj veprën e tij, një vlerë e artë, me përmbajtje të fortë humane dhe moderne, me cilësi të larta artistike, nuk e ndjejmë prapa krahëve, por e ndjejmë bashkudhëtare të kohës e të jetës sonë. Dekada më pas do vinte Rreshpja, që përkundër problemeve me diktaturën, ndryshe nga Migjeni, mundi ta arrijë, dhe t’ua dhurojë brezave poezinë e vet, bashkë me staturën e poetit të vërtetë, diçka e krijuar nga Lasgushi në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, por që qe deformuar apo qe shuajtur fare si perceptim gjatë kohës së mbrapshtë të diktaturës.
Dhe së fundmi, “Nga dëshira për të jetuar” është pjesë e kolanës pikël uji të përgatitur nga shtëpia botuese “Princ”. Si e shihni faktin që libri juaj, si pjesë e kësaj kolane, rri përkrah Rreshpjes, Shllakut apo Zorbës?
Kam respekt për poetët e zgjedhur të kolanës. Me Rreshpen, siç dihet, unë vetë jam marrë në veçanti. Sidoqoftë çdo vepër poetike mbahet më vete, me miellin e vet, si të thuash, dhe këtu askush nuk merr asgjë nga tjetri, ndërsa nuk ka masë tjetër për të vlerësuar një poet përveç veprës që ne kemi në duar prej tij. Megjithatë kur je në një shoqëri, a kolanë me poetë të mirë, ke një ndjesi sikur je ngrohtë. Tash ndërsa librin e shoh të botuar, me sa duket, edhe pandemia po kalon, ajo që u bë shkak për ta afruar botimin. Ndiej se koha e shkuar gjendet këtu, ndër poezitë. Dëshira ime është që kjo kohë të jetë edhe e tashme, madje edhe e ardhme. Në librin tim vetë Irena Buzi – një piktore, artiste e formuar – që është edhe botuesja, ka vënë disa punime të vetat, grafika të bukura që i shoh si një vlerë. Nuk është se e kam thyer penën, por gjithsesi këtë botim e konsideroj si mbërritje. Kështu, të falënderoj ty Andreas, dhe falënderoj gazetën tuaj ExLibris, për vëmendjen me të cilën e keni përcjellë daljen e librit tim, që si çdo autor për punën e vet, do doja me qenë i gjithkujt.
V.O. Ky material është marrë në fcb të poetit Sokol Zekaj, i cili është botuar në gazeten ExLibris.