S’KENI PARË ASGJË AKOMA!

0

Resmi Osmani Tregim

Nga cikli “Koha e çudirave”

Lake Llullaja vdiq!
Vdekje e zezë, si more të tillë burrë?! Në qytetin e vogël lajmi ra si rrufeja në të kthiellët, se të tilla lajme i merr era dhe i shpie shtëpi më shtëpi. Po si ngjau kaqë papritur, tek je tek jam? Atë mëngjes atë e kishin parë tek “Macja e bardhë” bashkë me Zija Seferin, kur kishte rrufitur kafen e rrëkëllyer një gotë. Sido që për të kishin dalë ca llafe, qe fol e qesh dhe bënte hoka me Zoicën. Epo s’ke ç’i bën, e tillë është ajo virane vdekje.Mysafirë jemi në këtë jallane. Dimë kur kemi lindur, po asnjëherë kur do të ikim. I shkreti Lake që aq e pat!Nuk mënuan thashethemet, hamëndjet dhe përgojimet, çdo gojë i shtonte një fjalë asaj që i kishte dëgjuar veshi nga një gojë tjetër. Ra mbi lajmin një mjegullnajë e tymtë, ku ca dritëza të zbehta të ndezura nga fantazia, mtonin se i afroheshin së vërtetës për atë vdekje ditën më drekë, që në fillim u duk si mister,e pabesueshme dhe e pavërtetë. Thanë (me zë të ulët e që të mos bëhej fjalë), se në të kishte dorë Zija Seferi, vëllai i avokat Zaçe Seferit. Atë mëngjes, te “Macja e bardhë” i kishte hedhur në kafe bar miu, se donte ti zinte vendin në Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit. Ca të tjerë, bënin me faj ata të opozitës. Ata e shihnin të ndjerin si rrezik për shitblerjen e votave, i kishin gjetur anën dhe e kishin qëruar! E çfarë nuk ndodh kur fut hundët politika!Fund hamendjeve u dha gazetarja Olta Fusha, e televizionit lokal “Alfa& Omega”, që kishte qënë aty e pranishme, kishte filmuar e regjistruar. U dha lajmi special jashtë radhe , për këtë ngjarje të pazakontë që ra si tërmet dhe tronditi nga themelitë ngrehinën e tërë qytetit. Mbi bazën e atij lajmi të asaj medie prestigjioze, të kumtuar nga gazetarja e talentuar e sqimatare, po ja rrëfejmë dhe ne lexuesit.

* * *

Pas një hetimi të imtësishëm për ankesën e depozituar nga firma “Sopoti sh.p.k.”, në dëm të saj, për shkelje në tenderin e hapur ”Blerje kazanash dhe koshash metalikë për hedhurinat”, që e fitoi firma ”Domozdova sh.p.k.” megjithëse kishte ofruar çmim më të lartë, ekspertët e grupit të kontrollit, zbuluan shkelje evidente të rregullave të prokurimeve. Ç’ishte më komprometuesja, financieri i firmës “Sopoti sh.p.k.” deklaroi se dhjetë përqind të vlerës, ia kishte dhënë para kesh në dorë drejtor Lakes!
Në mbledhje, përveç bordit të prokurimeve, qe i pranishën edhe Zoti Banush Beqollari, kryetar i bashkisë. I kishte rënë një hije e rëndë dhe s’foli me askëd. Pas dëgjimit të raportit që, relatori e lexonte me zë të lartë e rrokje të theksuara, si të donte që fjalët t’i ngulte si gozhdë në mëndjen e gjithkujt, që e fajësonin z. drejtor për korrupsion, përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre, ju dha fjala Lakes që të jepte spjegime. I tronditur dhe i pamësuar me të tilla akuza,në të cilat ai u gjend i zhytur si në një gjeratore të ujrave në vërshim, ai argumentoi se firma fituese vërtet kishte paraqitur çmim më të lartë, por malli i saj ishte i klasit të parë, i qëndryueshëm dhe zjarrdurues. Sa për atë shumën e parave kesh, ishte një shpifje e pastër, politike, keqdashëse, për diskreditimin e kuadrove të partisë së tij! Por këto spjegime s’pinë ujë. U tha se kazanët dhe koshat ishin gjithandej në të njëjtin standard, sa për mitmarrjen (demek ryshfetin), u lexua deklarata e firmosur nga financier i “Sopoti sh.p.k.” Lakes i humbëm llafet, por sidoqoftë kërkoj që deklarata të ekspertohej për vërtetësinë nga organet kompetente. E theu djersa, shikimi iu mjegullua, ndjeu që zemra po i rrihte fort sit ë donte ti shqyente kraharorin, iu duk se iu ngjit në grykë dhe një shtrëngesë në gjoks i vështirësoi frymëmarrjen. Që të mblidhte veten piu një gotë ujë. Të pranishmit diskutuan me radhë, thanë që iu ishin bindur porosive të drejtorit.Ata e kishin ombrellën e pafajsisë. Por e papritura qe fjala e romes Fatime, brigadier e fshesareve:
– Zoti Lake, pas pamjes prej babloku dhe hokatari, ka dhe ca huqe të tjera. – U mendua të tereziste fjalët që mos t’I thoshte brompt, por t’i linte të nënkuptoheshin, – dhe vijoi,-disa herë më ka thirrur në zyrë,vetëm, më thoshte që isha ashtu deh, e pashme, me demek bukuroshe dhe ma ka sjellë fjalën rrotull e rrotull, për ca gjëra që s’mi nxë goja t’i them dhe që zotria juaj që jeni burra i kuptoni. Po unë i rrëfeva vendin, se paçka rome, jam grua e ndershme, me cipë dhe namuz dhe nuk e shes veten për një shtesë rroge! Ja kështu- tha Fatimja tërë mllef dhe i hodhi Lakes një vështrim asgjësues.
Kjo i ra si bombë.Një shuplakë fytyrës nga një pëllëmbë romeje për një gjë që s’i kishte shkuar as ndër mend as në fiqir! Pa shih ç’na ishte! Ai kishte bërë ndonjë shaka pa të keq me të, por ajo e kishte marrë ndryshe.
– Shpifje, shpifje! Edhe ti moj Fatime? Kush dhe sa të kanë paguar të hedhësh baltë e të më mbulosh me turp! Po unë sa ti kam fëmijët e mi moj!
– E,e,ashtu, po maçokut plak i pëlqejnë minjtë e njomë, themi ne romët-u përgjigj fatimja flakë për flakë.
Të pranishmit u kukurisën mbyturazi.
Kur u pyet nëse kishte gjë për të shtuar, ai tha:
-Të gjitha shpifje e të kurdisura. Prisni, s’keni parë gjë akoma!
Për të mbyllur mbledhjen foli kryetar Banushi.-
– Ndjej keqardhje së pari për vete. Jam i çgënjyer , që i kam besuar aq shumë dhe i kam qëndruar pranë Lakes për hallet e ndermarrjes. Ka qenë për të mirën e qytetit dhe qytetarëve tanë. Por si i propozuar dhe vendosur në këtë pozicion nga shumica e këshillit bashkiak të parties sonë, me këto veprime aspak të denja për një drejtues, po qe se vërtetohen, i sjell dëm politik partisë dhe i jep armë në dorë opozitës që na ka halë në sy dhe kërkon dorëheqjen time. Merret vesh, zonja dhe zotrinj, si në çdo pyll, edhe në partinë tonë ka ndonjë dru të shtrembër. Por ne nuk do të lejojmë që ky dru i shtrembër të prishë tërë stivën! Z. Iliaz që nga ky çast është i shkarkuar nga detyra e drejtorit dhe forumet e partisë. Uroj që ti dalë zot vetes dhe të vertetojë pafajsinë para drejtësisë!
Lakja u ndje keq.Shikimi iu mjegullua,thika të mprehta i çanë parzmin, frymëmarrja ju mpak dhe dihaste me gulç, krahu i majtë iu mpi dhe dhimbja në shpatull u bë e padurueshme, i ra zali dhe u këput e u gremis në tryezë. Ju gjëndën pranë menjëherë, e ngritën,i fërkuan tëmthat, i ndrysën damarët e qafës dhe të supave, po ai nuk u përmend. Ishte zbehur dhe nga ana e majtë, në cep të buzës i rrodhi një tizgë shkume e përjargur. Në zyrë u bë rrëmujë. Lajmëruan të vinte një ambulancë dhe një mjek. I bënë një telefon edhe së shoqes Sheqeres.
Infermierët e urgjencës e shtrinë në bango. I sëmuri nuk jepte shënja jete. I vunë maskën e oksigjenit dhe i bënë elektroshok, tri goditje radhazi. Asnjë shenjë jete. Mjeku i kontrolloi pulsin: asnjë rrahje. Pa ditur çtë bënte tjetër, i hodhi dritën në sy; as dridhje as shkrapulitje, si një sy I qelqtë. Sheqerja që sapo kishte ardhur, e tromaksur dhe e zënë në befasi, i rrinte mbi krye dhe i fliste si të donte ta zgjonte nga gjumi mortor pastaj përsëriste si në përçart ”Qyqja, qyqja, korba unë, ditëzeza ç’qe kjo gjëmë që më gjeti. Aman doktor, shpëtoma burrin!”Erdhën dhe dy mjekë të tjerë, njeri prej tyre reanimator. Ishte e kotë, i sëmuri kishte vdekur.
-Na vjen keq zonjë, ngushëllime. I ndjeri ishte edhe miku ynë.
Sheqerja e mblodhi veten. I mbylli sytë dhe kërkoi një fasho dhe i lidhi buzën.Mjeku u tërhoq në zyrë dhe plotësoi akt-vdekjen, me orën dhe datën e vdekjes. Diagnoza: infarkt akut i miokardit.
Zonjë, merreni dokumentin, do t’u duhet për çregjistrim në gjendjen civile dhe per lejen e varrimit. Edhe një herë ngushëllime. Të ndjerin mund ta merrni në shtëpi.
* * *
Nipërit e të ndjerit,së pari njoftuan për vdekjen e atit djalin në Greqi dhe Vajzën në gjermani, pastaj bënë veprimet ligjore, ne gjendje civile, moren lejën e varrimit. Agjensia e sherbimeve funerale”Parajsa” bëri gati shpalljen me lajmvdekjen që e vendosi në vendafishimet dhe shtyllat, gjithandej qytetit: ”Me hidherim të thellë njoftojmë vdekjen e papritur të shumtëdashurit tonë Iliaz Doko …..” Mbi tekstin e përzishëm, një fotografi e qeshur, që dukej se i shihte me qesëndi ata që lexonin lajmvdekjen e tij. Fatziu Lake po ndahej edhe zyrtarisht nga kjo botë!
Arkmortin,e lartuar mbi katafalk,të mbuluar me trëndafila, e lule gjithfarësh e vendosën në mesin e dhomës së ndenjjes. Në të dy anët, të përlotura, veshur me të zeza, ishin ulur mbesat dhe gratë e farefisit.Mbesat e vajtonin me oji.
Burrat i prisnin në odën e miqve. Në krye të vëndit, për të pritur ngushëllimet e shokëve dhe miqve ishte ulur Sheqerja me dy të nipërit nga vëllai i Lakes dhe Cufja si mik e shok i pandarë i të ndjerit. Njerëzia nuk rreshtnin, hynin ,dilnin, të tjerë vinin, uleshin,ngushëllonin,pastaj të heshtur tymosnin cigaret.
– Bëni gajret, zoti ju dhentë durim;
– Të rroni vetë, t’u rrojnë fëmija;
– Ngushëllime, mbahu moj kapedane, bëhu e fortë;
– Pushoftë në paqe, vetë dhe fëmijët shëndoshë;
– Epo, ç’qe kjo hata e zezë moj motër, kaq pa pritur, tek je tek jam!
– I qoftë e lehtë toka që do t’a mbulojë;
– Eh ç’burrë që na iku, Lake nuk bën më nëna!
– Lake zemërbehari, si s’u mërzit një herë xhanëm, do i dashur, po, do gazmor e hokatar, po, do bujar,po, ishte kail të të jepte dhe këmishën e trupit. Lere, lere, burra si ai s’vijnë më!
– Kur të na vijë siraja, paçim fatin e Lakes. Iku tak-fak, pa vuajtje, siç kishte zemrën, ashtu i dha zoti edhe vdekjen, se vdekja me vuajtje, or miq, që mos e paçim rrësk, është e rëndë si për atë që e heq, por edhe per ata që i rrinë pranë dhe e kujdesojnë……
Pastaj, binte heshtja, vdekja ishte aty, në arkmortin, hija e saj sillej nëpër hapësirën e shtëpisë, vetë emri dhe pesha e saj, ishte e rëndë, shtypëse dhe u kujtonte, për një çast, se heret apo vonë ajo i priste të gjithë. Rrinin si mbi gjemba dhe sapo të tjerë hynin, ata ngriheshin dhe dilnin,të lehtësuar frymëmerrnin thellë që të çliroheshin nga ajo ndjenja kobzezë.
Kur ra nata,mbetën vetëm Sheqerja me të dy nipërit, mbesat, Cufen dhe të shoqen e Cufes. Të dy gratë qëndruan të ruanin të pajetin, nipërit shkuan për gjumë. Në mesnatë, Cufja, u tha grave se me të ndjerin do të rrinte vetë, ato të merrnin një sy gjumë, se do të ngriheshin heret. Ashtu bënë. Vetë , mori një karrige dhe u ul pranë kreut të arkëmortit. Deshi ta shihte për të fundit herë , të çmallej e të ndahej në këtë përcjellje të fundit. Hoqi kapakun e arkmortit. Meiti dukej sikur flinte, nuk ishte prishur. Për çudi edhe çereja nuk kishte atë të verdhën, si ajo e një të vdekuri. Cufes i erdhi për të qarë, dhe vetiu i rrodhën ca pika lot. Iu kujtuan gjithë ato vite jetë që kishin kaluar bashkë, në të mirë e në të keq.
Orët kalonin ngadalë. Kur kënduan gjelat e parë, Cufes po i vinte gjumë e nisi të dremiste. Shkundi supet dhe që të hiqte gjumin nxori faqoren që të kthente një gllënjkë. I hoqi kapakun. Amza e rakisë së rrushit ermiroi hapësirën e dhomës. Cufes iu zgjeruan tejzat e hundës dhe thithi si etur ajrin erëkëndshëm.
-Eh more Lake ç’më bëre! E si më le vetëm, me cilin do ta pi një gotë, ta bëj bromp e gëzuar e të ngre një shëndet e dolli? E si do t’I ngrys ditët pa ty? – foli ai me zë, si të fliste me një të gjallë- Ta dish se ç’raki që kam, e pikuar nga kokrra e rrushit, ballë kazani, nga ajo që thonë se ngjall edhe të…- ai nuk guxoi t’a thoshte fjalën e fundit, e çoi faqoren në buzë dhe hoqi një gllënjkë të mirë që i hapi sytë. Iu bë sikur nga s’di se ku erdhi një rënkim i mezidëgjueshëm. U tulat dhe u bë tërë sy e veshë. I bënë veshët apo e ndjeu vërtet? Rënkimi u përsërit, por këtë herë më afër, dukej si Brënda arkmortit. O zot! Ç’të ishte ky rënkim? Vetiu i hipi frika dhe iu drodh trupi.Rënkimi i tretë qe më i gjatë dhe me një “ooohh”. Cufja u llahtaris, kërceu përpjetë, uli kokën, shqeu sytë dhe e pa mirë. I vdekuri lëvizi dorën, pastaj hapi dhe mbylli sytë disa herë. Cufja fërkoi fort sytë. O perëndi, po ndodhte një mrekulli: Lakja u ngjall së vdekurish!
– Lake, o Lake vëllai, hallemadhi dhe i shumëvuajturi, i shumëpësuari , në je vërtët gjallë folë një fjalë, që ta besoj se s’jam në ëndërr- Lakja sërish rënkoi, deshi të ngrinte kokën por s’mundi. Hapi sytë dhe po shihte turbull Cufen. Ky i kapi dorën, ishte e vakët, nga fytyra po i fshihej zbehtësia. Jo, ai s’po shihte ëndërr. Lakja ishte gjall. Një dorë nën shpatulla, tjetrën nën gjunjë, e ngriti hopa dhe e uli në divan. I vuri një jastëk nën kokë dhe nisi t’i fërkonte gjoksin, ti ndryste damarët e qafës dhe krahët. Lakja pak e nga pak, po kthehej në jetë. Me zë të shuar ai pyeti:
– Ku jam, ç’më ka ndodhur?
– Je në shtëpi tënde. Pate një goditje zemre dhe të pandehën të vdekur. Po mos folë më, se do t’i rrëfejë Cufja të gjitha! Po të bëj një kafe të forte, kthe një gllënjkë nga kjo e uruara se të bën mirë, të zgjeron damarët.- ia xhveshi xhaketën e kostumit dhe i hoqi kravatën . Pas ndonjë ore,Lakja e mori disi veten. Cufja deshi të zgjonte Sheqeren, por Lakja nuk e la.”Prit ka kohë “tha ai.
Ju kujtuan të gjitha.Midis tyre u bë kjo bisedë:
Cufja: – Rrodhën njerëzia,s’ta do mendja sesa erdhën për kryeshëndoshë e sa fjalë të mira thanë për ty.
Lakja: – E e, vdis pa të- të dua!
Cufja: -Ne e pamë të gjithën në televizor. Vërtët i ke marrë ato lekët?
Lakja: – Ta dish vetëm ti, i mora. Si të tjerët edhe unë. Kush e futi gishtin në mjaltë e se lëpiu?
Cufja: – Po ç’i bëre, të gjitha i shpenzove? Se Sheqerja betohet që ti në shtëpi s’ke sjellë gjëkafshë!
Lakja: – Pakogjë, sa u qerasa juve shoqërinë, besoj i mban mend ato net, të tjerat ja dorzova Banushit, për fushatën elektorale.
Cufja: – Mos more! Po ç’qenë ato që tha në mbledhje ai faqeziu?
Lakja: – Ashtu ja do puna. Sa për sytë e botës. Bën politikë. Po si i thonë fjalës, yti mishin ta ha, po eshtrat t’i ruan.
Cufja: – Ti the: “ s’keni parë gjë akoma.”Ç’deshe të thoshe me këtë?
Lakja: – Epo, dy duar për një kokë. Po i hoqa petët lakrorit s’dihet se ç’lakra dalin ndën ‘to.
Cufja: – Si ta merr mëndja,do vejë puna në gjyq?
Lakja: – Të dija më të mençur. Lakja vdiq, i mori gjynahet me vete. Ky tjetri, është një i sapolindur, i pafajshëm si një ëngjëll. Banushi do t’i lëpijë ato që pështyu dhe do t’i vërë kapak. Nuk i leverdis. Mos harro jemi para zgjedhjeve. S’ka kush ja mbush thesin me vota si mua.
Nga dritarja u duk që po binte drita, po gdhihej.
-Tani zgjoje Sheqeren.
Cufja e nxori arkëmortin përjashta si një send të tepërt e kobndjellës dhe e mbështeti vertikalisht te trungu i manit në oborr. Kur hyri në dhomën e grave, Sheqerja ishte zgjuar.
-Mirmëngjes moj nikoqire, ngreu se kam një sihariq për të të dhënë. Burri tu kthye nga ajo bota për ku u nis. Lakja u ngjall!
-Ditëzi, kaq shumë ke pirë sa vjen dhe më tromaks mua korbën. E ku ka ndodhur të ngjallet i vdekuri, veç larg qoftë, si lugat? Hiqmu sysh!
-Ngjallet, ngjallet, Ka bërë vaki edhe gjetk, në daç ta dish edhe në Amerikë. E kam parë në një film. Hajde ta shikosh me sytë e tu që të më zësh besë.
Kur e pa të shoqin shtrirë në divan, mbështetur në jastëk, sheqeres iu prenë gjunjët dhe desh u rrëzua, por Cufja e mbajti fort. Ajo si shqiste sytë, si të mos i besonte vetes. E pa me kujdes: ishte ende i zbehtë, një cep i buzës së majtë i ishte varur pak më posht dhe syri i majtë i kishte shkuar pak mënjanë.Pa vetëdije nisi të mërmëriste:”Lake, o Lake, unë e zeza, çqe kjo që na gjeti”. Ai i zgjati dorën.
-Hajde moj Nënoke. Tashti kaloj, mos u ligështo por gëzohu. Për atje ku u nisa nuk më qasën, mi mbyllën portat dhe më zbuan,”Kthehu andeuj nga ke ardhur më thanë.” Siç duket u erdhi keq për ty!
Sheqerja ngriti duart, u kthye nga lindja dhe filloi të lutesh e t’i falesh Zotit me fjalë falnderimi, që nuk i zgjidhte po i belbëzonte ashtu si t’i vinin. Kur e mblodhi veten nga tronditja, i tha të shoqit se do t’i bënte një banjë të ngrohtë, të ndrrohej me te pastra,të pinte ca lëng mishi me limon dhe pastaj të flinte që të merrte veten.
-Dëgjomëni të dy: unë jam i vdekur! Asnjeri të mos e marrë vesh që unë u ktheva. Kam për tu punuar edhe nje rreng. Do të dal t’i pres te porta kur të vinë që të më përcjellin për në varrim!-dhe pas një heshtjeje të shkurtër:
– S’kanë përë gjë akoma!

Nëntor 2017

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.