Shpirti i falur

0
755

Ajo zuri të qante. Lotët e saj ishin si ato ujëvara që gurgullon nga bjeshkët kur dielli shkrin borën e maleve. Ato u ngjanin burimeve të pashtershme.
Ditët e saj të hidhura e kishin vrarë shpirtërisht, ja kishin tharë atë dhe tani shiu i mallit që e ngrohu i solli ndërmend rininë e saj, ditët e bukura, kujtimet e heshtura, dëshirat e humbura e të fshehta në netët e gjata të vetmisë.
Liljana s’po e kuptonte se ç’po ndodhte në jetën e saj. I dukej sikur gjithçka po zbulohej pas një tërmeti dhe nga gërmadhat papritur po ngre krye një mrekulli. Asaj nuk po i besohej përsa po ndodhte. E gjithë kjo falë dashurisë së saj që kishte shpërthyer me pasion dhe që e donte pafundësisht.
Dita ishte e bukur dhe plot diell. Liljana, pasi mbaroi ç’kishte në duar doli. Ajo e kishte lënë të takohej me dy kolegët e saj për çështje pune.
Liljana kishte një moshë rreth dyzet vjeç dhe kishte kaluar shumë peripeci në jetën e saj si të gjithë ata intelektualë dhe njerëz që vepronin në kundërshtim me rregullat e atij sistemi. Me gjithë vështirësitë që i kishin dal përpara, me gjithë urrejtjen dhe përbuzjen ndaj atij sistemi, ajo kishte një forcë të tillë në vetvete për të përballuar egërsinë e tij. Kishte një vullnet të çeliktë.
E dashuronte shumë profesionin e mjekut dhe ishte një nga më të mirat në këtë detyrë. Kjo punë e bënte që ta ndjente veten më të rrethuar nga njerëzit e thjeshtë e të ndershëm që e çmonin punën dhe përkushtimin e saj në maksimum. Kjo dashamirësi e tyre e largonte nga bezdisjet dhe xhelozia e njerëzve keqdashës që donin t’ia vështirësonin gjërat.
Prindërit e Liljanës ishin njerëz të mirë e punëtorë dhe e kishin edukuar atë me dashurinë për njerëzit. Ajo e vuajti shumë vdekjen e tyre. Ishte gjimnaziste kur babai i saj vdiq në burg nga keqtrajtimi. Edhe e ëma nuk zgjati dhe shumë se një vit nga vdekja e tij. Ajo e la Liljanën në moshën më të bukur dhe të mbushur plot ëndrra. Por Liljana e dinte se askush nuk do ta përkrahte dhe ndihmonte tani që ndodhej krejt e vetme. Ajo e parandjente se tani e priste një tufan i rrezikshëm dhe i duhej ta përballonte e vetme. Nga të gjithë ata që e rrethonin vetëm një mësues biologjie e donte dhe mundohej ta mbante afër, por pa u ekspozuar nga frika sepse regjimi nuk kursente asgjë.
Liljana mësonte dhe nuk e kalonte kohën si shumica e shoqeve të saj, me argëtime të shumta. Ajo e kuptonte se duhej të mësonte dhe të përpiqej më tepër se shoqet e saj për të sfiduar ata që e përçmonin.
Vitet po kalonin njëri pas tjetrit dhe maturës po i vinte fundi. Problemi kryesor i maturës ishin provimet si dhe ndarja nga shokët dhe shoqet e gjithë këtyre viteve. Asaj i vinte keq që shkolla po mbaronte, por ajo nuk ishte se pati ndonjë lidhje të fuqishme me këta shokë, megjithëse nuk ishin të paktë ata që kërkonin shoqërinë e saj. Ndonjëri madje edhe mund të ishte fyer nga qëndrimi i saj mospërfillës. Ajo me indifirentizmin e saj e kishte kthyer mbrapsht.
Por Berti ishte ndryshe nga të tjerët. Ai ishte shumë i rezervuar ndaj saj, por sytë e tij e tradhtonin. Ai nuk i shqiste për asnjë çast nga ajo. Liljana e ndjente vështrimin e tij të zjarrtë, vështrimin e një miqësie të sinqertë mbushur plot dashuri. E ndjente në zemrën e saj sa ky djalë i pëlqente, por ai ishte i paarritshëm për të. Lufta e klasave i kishte vënë një barrikadë të pakapërcyeshme njerëzve të kallëpit të saj. Ajo nuk i kishte të drejtat si gjithë të tjerët. Për Liljanën ai dhe dashuria e tij do të ishte një arsye më tepër për të vuajtur më shumë dhe do ta shtynte atë që më vonë ta përçmonte.
Erdhi dhe mbrëmja e maturës. Të gjithë maturantët ishin veshur bukur dhe me hijeshi enkas për atë mbrëmje. Liljanës ja dhuruan një fustan të bukur nusërie që nuk ishte veshur asnjëherë. Ajo u ndje e kënaqur dhe me këtë fustan i dukej vetja si një princeshë përrallash. Ajo e përqafoi me një dashuri prej bije mësuesen e saj, e cila e kishte dashur aq shumë dhe i ishte bërë si një nënë e dytë. Ajo i kishte mësuar gjithçka për jetën. Fustani bojëqielli e plotësonte më së miri portretin e saj të bukur. Liljana ndriçonte si asnjë tjetër atë mbrëmje. Berti u magjeps kur e pa aq të bukur dhe nxitoi ta priste te dera. Ai e ftoi të ulej pranë tij. Asaj për herë të parë po i rrihte zemra. Aty e kuptoi se Berti kishte hyrë thellë te zemra e saj. Ai e ftoi në vallëzimin e parë dhe duart filluan t’i dridhen nga ankthi. Ja, Berti po vallëzonte me Liljanën, po shihte fytyrën e saj tek buzëqeshte. Çfarë nuri, çfarë ëmbëlsie kishte tek ajo. Ai nuk e kishte vënë re më parë kaq pranë. Atij filloi t’i mbahej goja dhe mezi belbëzonte ndonjë fjalë aty – këtu kur i kërkonte saj që të bëhej shoqja e tij e jetës. Ajo e kishte ndjerë dashurinë e tij në heshtje.
Muzika vazhdonte e ata vallëzonin në krahët e njëri – tjetrit, pa kuptuar që muzika kishte mbaruar e ishin të vetëm në sallë. U përmendën nga deliri dhe u ulën nëpër karriget e tyre. Liljana po merrte frymë lirshëm. U çlirua nga magjia e tij dhe po sillte ndërmend fjalët e së ëmës se “do të vijë një ditë e gjërat do të bëhen ndryshe.” Dhe ja tani ku po e përjetonte profecinë e saj. Po takonte për herë të parë dikë që e donte aq shumë dhe që nuk po i pushonte goja duke folur për dasmën e tyre. Oh, sa dëshirë që kishte që t’i dëgjonte e ëma këto fjalë magjike! Ta shihte të lumtur bijën e saj. Por ajo nuk ishte, ajo e kishte lënë vetëm Liljanën dhe s’kishte për t’i dëgjuar kurrë këto fjalë.
Liljanës i rrodhën lot të nxehtë nga faqet. Berti ja fshiu me pëllëmbën e dorës së tij të butë.
– Liljana, mos u prek! – i tha ëmbël ai. – Ti meriton më shumë se kaq.
Ai e mori për krahu dhe pa rënë në sy dolën jashtë dhe u zhytën në errësirën e thellë, e cila i fshehu nga sytë e të tjerëve. Nga salla e vallëzimit dëgjoheshin tingujt e muzikës së lehtë duke e shtuar më tepër romancën e kësaj nate të papërsëritshme për të dy.
Mëngjesi i ditës tjetër gdhiu. Ajo gjatë gjithë natës kishte parë ëndrra të bukura. Zemra e saj rrihte papushim dhe vrullshëm dhe ajo nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte brenda qenies së saj. Duke menduar e stërmenduar të gjitha hollësitë në kokën e saj një mendim i keq iu ngulit në tru:
“Pse mendon se do t’ia arrish ta gëzosh jetën? A nuk të duket e rrezikshme kjo lidhje? A do ta pranojnë prindërit e Bertit vajzën e dy të deklasuarve për nusen e djalit të tyre? Jo, jo, kurrë! ”.
Liljana u tmerrua nga përfundimi i arsyetimeve të saj. Asaj iu kujtua i ati i Bertit që ishte një fanatik i tmerrshëm.
”Oh, Berti, pse më fute në këtë grackë? Pse më torturon? Pse ma trazove jetën time të thjeshtë e pa pretendime? Pse nuk më lë të qetë?”, çirrej e këlthiste në heshtje zemra e saj e brishtë.
Nga këto mendime u preh në fytyrë dhe u hodh mbi krevat duke dënesur.
Berti ishte për të një mollë e ndaluar.
“Po ai ç’mendonte vallë?”, pyeti veten Liljana.
Ai ishte duke iu gëzuar Liljanës dhe ishte hutuar fare nga dashuria për të. Mendonte se do të ishte….tjetër. “Çfarë do të ndodhte kur ajo t’i thoshte se e donte? Se ishte i vetmi mashkull që e bënte të lumtur?”
Të gjitha këto i mendonte pa e çuar ndërmend se ç’pasoja kishte kjo lidhje për familjen e tij. Berti i pohonte se ishte i biri i një komunisti të thekur, që kurrë s’do të pajtohej me qenien e Liljanës si nuse e djalit të tij. Kur mendoi këto menjëherë u trishtua. Kishte të drejtë. Ai e njihte mirë egoizmin dhe ashpërsinë e të et. Botkuptimi i tij ndaj çështjeve të shpirtit ishte tepër i ngushtë. Ai vazhdimisht kishte pasur mosmarrëveshje me të.
Në këto çaste ju rrëqeth trupi dhe doli nga dhoma si për të larguar mendimet e liga që po ja prishnin çastin magjik të dashurisë së parë.
Në shkollë kishin filluar të përhapeshin zërat se Berti me Liljanën ishin bërë miq të ngushtë. Nuk vonoi shumë dhe Liljanën e thërret drejtori i shkollës në drejtori. Ai e pyeti rreth kësaj shoqërie. Ndërsa Berti kishte probleme me familjen e tij. Thashethemexhinjtë kishin lajmëruar familjen e tij dhe prindërit i kishin bërë presion. Të atit të tij i kishin thënë se në rast se i biri martohej me atë vajzë, më mirë të dorëzonte teserën e partisë. Berti ishte tmerruar kur kishte parë të atin të inatosur dhe si limon në fytyrë. Ai mezi priste që t’i thoshte se përse e kishin thirrur në shkollë. I ati, pa humbur kohë, sapo hyri në shtëpi, i ulëriu të birit duke i thënë se ishte lodhur duke punuar e djersitur për të arritur në këtë rang ku ishte sot familja e tij. Dhe për kapriçiot dhe papjekurinë e tij të humbiste çdo meritë? Të mos i shkonte kurrë në mend që ajo vajzë të ishte pjesëtare e familjes së tyre! Ajo ishte treguar e zgjuar përderi sa i kishte prishur mendjen një djali të një familje të nderuar në qytet. Ku e çonte mushka atë që ecte si i verbër pa parë se ç’bëhej më tej?
“Ku i ke sytë, mor qorr!?”, i kishte bërtitur të birit ai duke ardhur vërdallë nëpër dhomën e vogël që shërbente edhe si kuzhinë.
Berti po çuditej se si e gjeti kjo hata. Ai nuk po u besonte syve. Kishte lexuar mjaft për luftën e klasave dhe për ideologjinë marksiste, por kurrë nuk e kishte ndjerë në kurriz të tij.
Mendonte për Liljanën: “Si ndjehej ajo në këto çaste? Si po e përballonte ajo këtë gjendje të vështirë? Këtë fyerje që po i bëhej asaj?”
Por Liljana e kishte parashikuar se ç’do të ndodhte dhe nuk u befasua për sa ngjau. Ajo ishte mësuar me përçmimin e të tjerëve ndaj saj dhe familjes. Ajo e dinte se nuk do ta kishte të lehtë.
Kaluan ditët dhe ata nuk u takuan për një farë kohe. Pasi mbaruan shkollën e lartë Liljanën e emëruan diku në Veri me punë, ndërsa Berti, me ndërhyrjen e të atit, u caktua si inxhinier në N.D.
Liljana nisi menjëherë nga puna. Asaj nuk i kishte mbetur gjë më e shtrenjtë se profesioni i saj. Në malësi ajo kuptoi shumë gjëra dhe e ndjente veten më shumë të vlerësuar se sa mbas atyre njerëzve, të cilët i ishin pështirosur me mënyrën e shtirur të tyre. Ajo u përkushtohej njerëzve të thjeshtë me shumë dashuri. Në mes të dëborës, të shiut nuk tutej, por gjendej tek ata që kishin nevojë për të, nëpër kasollet e lagta dhe të ftohta të tyre për t’iu larguar sado pak dhimbjet. Asaj puna i jepte kënaqësi të veçantë. Kjo kënaqësi shtohej sidomos kur merrte pjesë në lindjen e ndonjë foshnje, këtyre krijesave që vinin në jetë dhe nuk e dinin se ç’fat i priste.
Ajo e lidhte këtë fenomen me veten e saj, me fatin e saj të hidhur. Për mungesën e kënaqësive njerëzore, pa kurrëfarë bukurie, me kthesat e shumta dhe të priturat e shumta, pa dashurinë e prindërve të cilit i humbi para kohe, prindërit e saj të dashur që sa shumë i mungojnë tani që ka nevojë për fjalën e tyre, për këshillën dhe dashurinë e tyre prindërore.
Përkushtimi i saj në detyrë i kishte bërë banorët e fshatit ta thërrisnin gjithmonë nëpër dasmat dhe gëzimet e tyre. Ajo ishte bërë pjesë e familjeve të tyre. Ata duke qenë se ishin më pak të molepsur nga ideologjia komuniste nuk e shihnin me përçmim këtë vajzë të dashur e të thjeshtë, e cila përkujdesej për shëndetin e tyre, por e admironin. Ata e prisnin me gjithë bujarinë e tyre. Ajo kishte të përbashkët me ta trimërinë, prandaj i pëlqente këta njerëz, për forcën dhe burrërinë që kishin.
Liljana kishte gati pesë vjet në atë fshat malor dhe ja kishte marrë dorën të ftohtit dhe vështirësive të jetës së banorëve të tij. Ajo kurrë s’do të kishte frikë nga dimri malor se sa kishte frikë nga dimri i egër i qytetit, sa ata breshëra e tufane që kaloi në mes të atyre njerëzve me paragjykime e mendime të mbrapshta në kokë. Ajo i hoqi nga kujtesa të gjithë përveç Bertit. Bertin e saj ajo e ruante me dashuri në zemrën e saj. E kishte të pamundur të mos mendonte për të, për dashurinë e tij që e pati plagosur ende pa filluar mirë. S’mund ta mendonte se ai ishte pjesë e këtyre njerëzve të vegjël.
Në qytet gjendja po lëvizte. Gjërat po ndryshonin nga dita në ditë. Rinia studentore ishte ngritur në këmbë për të drejtat e saj. Kudo dëgjoheshin pakënaqësi nga njerëzit për regjimin, si në qytet dhe në fshat. Fshatrat e zonës ishin më pak të interesuar se çdokush në qytet. Ata kishin ligjet e tyre dhe nuk shqetësoheshin shumë nëse mbylleshin fabrikat apo uzinat. Në çdo regjim ata kanë zbatuar ligjet kanunore të sistemit.
Liljana kishte ndryshuar shumë gjatë kësaj kohe. Ditën që do të zbriste në Tiranë ajo udhëtoi me një autobuz ku ishin disa të rinj dhe vuri re se ata ishin në moshën e saj të re shkollore. Ajo u bashkua me thirrjet e tyre për liri e demokraci. Pa e kuptuar që u bë pjesë e protestës për një mendim krejt ndryshe. Autobusi u drejtua për nga sheshi Skënderbej dhe ai gjëmonte nga thirrje të fuqishme për liri. Zërat e protestuesve ishin si klithma që të hynin në trup.
Liljana u bashkua me atë grup dhe protestoi së bashku me ta në emër të lirisë së mendimit dhe të fjalës, në emër të prindërve të saj të dënuar nga regjimi stalinist.
“Poshtë komunizmi, poshtë diktatura!”, këto ishin thirrjet e panumërta që dëgjoheshin ngado dhe mbushnin sheshin me jehonën e tyre. Liljanës i dukej sikur po çlirohej nga një helm që ia kishte hidhëruar shpirtin prej shumë vitesh. Sikur po hiqte nga shpina një peshë që e kishte mbajtur për vite me radhë.
Protesta ja arriti qëllimit. Të gjithë u larguan të lumtur duke shkelur mbi pankartat e grisura dhe të hedhura sa andej këndej. Liljana shihte se në të ardhmen për të do të lindte një dritë verbuese, e cila i kishte munguar aq shumë. Me sytë e mendjes ajo shihte se një ndryshim i rëndësishëm, një epokë e re, bashkë me shoqërinë shqiptare, do të niste për të.
Pas disa ditësh atë e thërrasin në Ministrinë e Shëndetësisë dhe e emërojnë në Tiranë. Ajo ishte krenare për këtë. Më në fund po vendosej drejtësia edhe për të. Dita e parë e punës iu duk pak e vështirë dhe boshe sepse i mungonte ai ajri i freskët dhe i pastër i bjeshkëve. I dukej sikur po i merrej fryma.
Ditët kalonin dhe ajo sikur po mësohej me mjedisin e ri të qytetit. Me ardhjen në Tiranë po i ringjallej më tepër ndjenja e ëmbël për Bertin. Ajo me mendjen e vetë pyeste se si e kishte pritur ai këtë ndryshim apo do të ishte martuar me ndonjë vajzë, e cila ka pasur biografinë të mirë? Kush do ketë qenë ajo fatlume që i kishte marrë asaj dashurinë e vetme? Atë dashuri që ajo s’e gëzoi dot? Në çast ju mbushën sytë me lot. Shpirti i dhembi nga mungesa e tij. “Eh, Berti!”, psherëtiu, “Çfarë fati paskemi pasur!”
Pasi veshi përparsen e bardhë ajo doli nga dhoma e mjekut për të bërë vizitat e ditës në pavion. Në korridorin e gjatë dhe të errët të spitalit u shfaq një burrë i dobët dhe përkrah tij një djalë me baseta të thinjura dhe flokë kaçurrela. Liljana ngadalësoi hapin kur iu afrua pranë. Portreti i tij tani dukej më i qartë. Ishte i dashuri i saj, Berti, dashuria e saj e munguar. “Oh, Zot, çfarë mrekullie po ndodhte me të!”. Ajo njohu të atin e tij me ata sytë e vegjël e tinzarë që po e shihte me kokën ulur. Ai ishte dobësuar aq shumë saqë dukej sikur koka e tij varej mbi një kurm pa qafë. Zbehtësia e fytyrës i ngjante asaj të një kufome. Liljana ngeli ndërdyshas pa ditur se si të vepronte. Ishte hera e parë që nuk po i afrohej një të sëmuri me përkushtimin e saj karakteristik. Ajo pa e zgjatur i ftoi që ta ndiqnin. Berti e kapi për krahësh të jatin dhe shkuan pas saj. Dhoma e saj ishte sistemuar në mënyrë të këndshme. Kur u ulën në karrige i ati e pyeti se e kujt ishte. Ajo nuk iu përgjigj. Nxitoi të bëjë detyrën pa iu referuar pyetjes së tij. Berti që po e shihte me vëmendje e njohu menjëherë dhe u përmbajt për të mos i krijuar probleme të atit. Pasi e vizitoi Liljana i tha Bertit se duhej ta shtronin në spital. Ata e pranuan propozimin e mjekes dhe ajo u mbushi kartelën e shtrimit. Gjatë kësaj kohe mundohej të ruante gjakftohtësinë. Ajo mendonte se njeriu, të cilit po mundohej t’i shpëtonte jetën ishte pikërisht ai që ja kishte shkatërruar të sajën pa mëshirë. Ai ia kishte djegur tinin sikur të ishte një fije kashte. Ëndrrat ia kishte tretur si kripa në ujë. Dhe ja, tani ajo po përpiqej t’i zgjaste jetën pikërisht këtij njeriu. Por shpirti i saj i madh dinte të falte. Ajo nuk mund të binte në pozitën e njeriut të lig se pastaj ç’kuptim do të kishte. Do të njësohej me të dhe kjo s’kishte për të ndodhur kurrë.
Berti po e admironte më shumë kur vuri re se me sa qetësi e vizitonte ajo të atin e tij dhe nëpër mend i sillej reagimi i tij kur kishte marrë vesh për dashurinë e tyre. Atij s’po i durohej se t’i jepej mundësia e të shfajësohej për të gjitha sa kishin ndodhur.
Liljana me veten e saj mendonte dhe bënte çudi se si vinin kohërat. Ky njëri i gjorë i shkatërroi jetën për të mbrojtur privilegjet e tij, kockat që i jepte partia e tij për të lëpirë, ja, tek kërkonte shpëtim nga ajo.
Edhe Berti kishte humbur nëpër kujtime. Babai i tij, me zërin që i dridhej nga dobësia e pyeti përsëri Liljanën.
– E kujt je ti , moj çupë?
Atëherë Liljana nuk u përmbajt më. Ajo i tha:
– Jam goca e Riza Cirit, xhaxha. E atij që vdiq në burg. Të kujtohet?
Sapo dëgjoi atë emër plaku u drodh.
– O Zot, pse ma bëre këtë, more bir? – iu drejtua Bertit. – Përse më poshtërove në këtë mënyrë?!
Liljanës nuk i erdhi mirë për gjendjen që u krijua. Asaj i erdhi keq për Bertin. Plaku u drodh i tëri dhe bëri të ikte, por këmbët iu prenë dhe ra përtokë. Berti e mori në duar dhe i tha se Liljana nuk do t’i bënte keq.
– Ajo do të marrë hak, do të më vrasë. – lebetitej me zë të mekur plaku.
– Baba, qetësohu, Liljana është vajzë e mirë! – përpiqej ta qetësonte Berti.
Plaku ra në shtrat i pafuqishëm. Berti i thotë Liljanës:
– Të lutem, bëj diçka për të!
– Berti, nuk ka asgjë të keqe. Është një gjendje që do t’i kalojë. Unë këtu jam, i dashur! Si mendon ti se unë do të bëja keq ty? – dhe lotët i shkuan varg. – Ajo që ndodhi mes nesh nuk ka pse të përsëritet më.
Berti nuk rezistoi më. Kur dëgjoi këto fjalë të ngrohta ai iu afrua asaj dhe ju hodh në qafë. E përqafoi duke e shtrënguar fort, aq fort, sa që nuk donte ta shkëpuste më nga krahët e tij. I dukej se po ta lëshonte përsëri nga duart nuk do ta kapte dot më.
– Liljana, ju lutem me të njëjtën ndjenjë të dashurisë.
– Berti të kam ruajtur gjithmonë në zemër, të kam pritur gjatë dhe ja ku të kthehu Zoti përsëri tek unë.
– Oh, Liljana, sa i lumtur që jam! Kjo është një ditë e veçantë për mua. Të dua, e dashur, dhe do të të dua gjithë jetën. Do të të isha shumë mirënjohës në qoftë se ti do të pranoje të ishe pranë meje, të ishim bashkë gjithë jetën. Së bashku të ngrejmë çerdhen tonë të lumturisë.
Ata u përqafuan pa pushim duke derdhur lot e duke thënë e rithënë se sa shumë e kishin pritur këtë çast. Ngashërimet e tyre e prekën plakun, i cili bëri një përpjekje që të ngrihej dhe të bekonte dashurinë e tyre. Ai po qante nga dhimbja e mëkatit që kishte bërë, nga dëshpërimi, sepse nuk kishte paqe në shpirtin e tij.
– Berti, – thirri plaku, – të lutem, bir, afrohu, të jap bekimin tim! Të lutem, moj bijë, fale plakun e gjorë! Jam penduar, bijë! Më fal! – dhe iu mbushën sytë me lot.
Liljana e zuri nga duart duke i thënë se koha ishte e tillë, ajo e kishte vrarë dhe jo ai. Të tre, ashtu të përlotur nga malli dhe pesha e viteve, faji e dashuria, qëndruan për një çast si ato statujat e ngrira.
Gjithçka mbeti aty, në atë dhomë të thjeshtë spitali që shërbeu edhe si parajsë e shpirtit. Histori të tilla të dhimbshme pati me dhjetra, ku disa plagë u mbyllën e disa çuan drejt vdekjes. Këto ishin dramat e hidhura të sistemit, që hapi me mijëra plagë në shpirtërat e njomë të sa e sa shqiptarëve.

NGA: FATBARDHA ALIMETA

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.