Poezi nga Tal Nitzan

0

Përktheu :Gladiola Jorbus

Kufijtë e qytetit

Kufijtë e qytetit të nxjerrin në një rrugë

dhe në fund të rrugës ka një pyll

dhe në buzë të pyllit ka një gardh

dhe pas gardhit është një kasolle.

Nëse vajza do të jetonte në kasollen

që është pas gardhit

në buzë të pyllit

në fund të rrugës

që largohet nga kufijtë e qytetit

a do të ndihej edhe më e vetmuar?

Dhoma numër 10

 Natën e parë nuk fjeta sepse s’ mund të mbrohet

një njeri i shtrirë në kurriz.

Natën e dytë nuk fjeta sepse ajri mbetej pa ajër

teksa vinte tek unë.

Natën e tretë nuk fjeta sepse të gjithë qentë e fshatit

pretendonin me këmbëngulje diçka.

Natën e katërt nuk fjeta sepse dikush tjetër gjeti brenda një

këmbane të rëndë atë ëndërr që gjithmonë e dëshirova për veten time.

Natën e pestë nuk fjeta

sepse të gjashtë engjëjt e brishtë që pashë në kishë

gumëzhinin në dhomë të uritur për gjakun tim.

Natën e gjashtë nuk fjeta sepse qeni me këmbën e thyer qëndronte

në rrugë, ai vazhdonte të rrinte atje si një sinjal

me putrën të varur në ajër dhe sytë të ngulur mbi mua.

Natën e shtatë nuk fjeta sepse qielli u bë i gjelbër si një

shishe.

Natën e tetë nuk fjeta sepse një fëmijë u rrëzua në gjunjë dhe

ai nuk bërtiti apo bërtiti, por nuk e dëgjoi askush.

Natën e nëntë nuk fjeta sepse më mungonte kolltuku i rehatshëm Matisse i veshur me kadife të kuqe, por nuk më interesonte dhe ndjenja ulur për një kohë të gjatë duke soditur perdet që valëzonin në fllad dhe asgjë nuk ndodhi dhe për mua nuk kish rëndësi dhe s’kisha një ombrellë të fortë nga ato që nuk përkulen nga asnjë erë dhe nuk më interesoi dhe dikush i shtrembëroi fjalët e mia në duart e veta një nga një dhe mua nuk më interesoi dhe nuk e dija, nuk dija se kur në këtë jetë timendo të dëgjoja sërish ëmbëlsinë e asaj muzike para se të vdisja si të gjithë të tjerët dhe kjo më interesonte.

Pika e butësisë

… në kohën kur

duke u dridhur nga butësia

buzët që do të donin të puthnin

i thurnin lutje atij guri të thyer.

T.S. Eliot (*)

Këtu është butësia.

Edhe nëse zemra, në heshtjen e saj,

e ka gëlltitur qytetin si një gur;

duhet ta dini: kjo është pika e butësisë.

Më jep dorën tënde në botë.

Kam parë një nënë që i flet me urrejtje të birit,

që shkatërron me fjalë.

Kam parë një ndërtesë të përthyhet e të kthehet në pluhur,

ngadalë, njëri kat pas tjetrit.

sa mëshirë duhet të kemi,

sa për të sjellë paqe.

Kur mbyllet nata

mbi një qafë që nuk është puthur

nuk ka ilaç:

gjithçka përmbytet,

në çdo fyt,

ekziston një kurë e vetme.

Shikoni, thjesht, kjo është pika.

* Epigrafi: “… në kohën kur / duke u dridhur nga butësia / buzët ata do të donin t’i puthnin / i thurnin lutje atij guri të thyer”. T. S. Elliot (nga poezia: “Njerëzit e zbrazët”, përkthimi: Tal Nitzan)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.