PATËR LEKË LULI , ATDHETARI  E  FETARI NACIONALIST, I VRARË PABESISHT E MIZORISHT NGA  KOMUNISTËT

0
609

 

(Një kujtesë për 76 vjetorin e vrasjes…)

Nga:  Ndue  BACAJ

Malësia e Madhe ka qenë përherë “çerdhja” e patriotizmit  shqiptar ku lindën e u rriten atdhetarë e fetarë, që nuk kursyen as jetën për lirinë, të drejtat njerzore, zakonore dhe trojet etnike shqiptare. Në Malësi të Madhe ndër mote e shekuj, linden dhe u rriten edhe simbole kombëtare të binomit jetdhënës Fe dhe atdhe. Një ndër simbolet e shquara të binomit Fe dhe Atdhe ka qenë edhe nacionalisti kastratas Patër Lekë Luli , i vrarë pabesisht e mizorisht nga komunistët e pa fe e pa atdhe me 16 korrik 1944

J E T S H K R I M I :

Patër Lekë Luli ka lindur në Katund të Kastratit të Malësisë së Madhe me 8 mars 1908 , me nanë Lenen dhe babë  Lul Markun (fisi Vulaj). Familja e Lul  Markut do të zbriste heret në qytetin e Shkodrës, para krijimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile (1929-1930) nga mbretëria e Shqiptare. Kjo familje kastratase figuron në regjistrin e gjendjes civile në Shkodër që në vitin 1930.1. Patër Lekë Luli qysh i vogël do të regjistrohej në Kolegjin Franceskan në Shkodër , ku kryen arsimin fillor dhe  atë të mesëm , ndersa në Troshan bënë noviciaten. Arsimimin e lartë për teologji e kryen në kolegjin e Shna Ndout në Romë-Itali. Në vitin 1935 shugurohet  meshtar. Meshen e parë e thotë me 28 dhjetor 1935.  Pas kthimit të tij në Shqiperi Patër Lekë Luli punon në gjimnazin “Illiricum”, si docent në gjimnaz  dhe Drejtor i Shoqërisë Antoniane të Shkodrës me 1938-1939.(Shoqeria Antoniane u krijua me nismen e Patër Ambroz Marlaskaj i cili ishte Drejtor i urdhërit tretë. Kishte si qellim ti jepte  djelmënisë shkodrane  mjete e lehtësinë , në edukimin moral e fetar). Patër Lekë Luli shumë shpejtë do të bëhej një person i njohur e dëgjuar per Shkodren , Malësinë e më gjërë , veçanarisht pë atdhetari e gojtari. Me rastin e 25 vjetorit të  shpalljes së pavarësisë (nentor 1937), në Shkodër do të  organizohej një miting madhështor , ku me këtë rast u mbjaten disa fjalime, si ai i kryetarit të bashkisë Ndoc  Çoba, Ymer Ruzhdia , Nush Topalli dhe Patër Lekë Luli. Tre të parët  fjalimet i kishin të shkruara në letër , ndersa Patër Leka si orator që ishte foli pa letër , duke u brohoritë e duartrokitë më shumë se asnjë nga ata që folen në këtë miting. Ai kishte qenë edhe inisiator për ngritjen e një monumenti , per dëshmorët e Shkodrës , vepër të cilës ju futen themelet , por që nuk u realizua per arësye të pushtimit fashist të Shqipërisë.2. Ashtu si dhe shumica e popullit shqiptar , edhe françeskanët  të edukuar dhe ushqyer me idealin Fe-Atdhe , nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë nga Italia… Madje drejtuesit e shkollës kishin rezerva dhe kundërshtuan  që në programet shkollore të futej lënda e edukates fashiste. Per këtë arësye qeveria e asaj kohe (qeveria fashiste e Shqiperisë N.B.) , për vitin 1939-1940 e mbylli gjimnazin Françeskan . Patër Gjon Shllaku , Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , ishin ata që demaskuan më me forcë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe propoganduan si në mënyrë individuale ashtu edhe në predikimet e tyre, që rinia të mos aderonte në Partinë Fashiste. Patër Gjon  Shllaku kishte arritur të shtinte në dorë një matrial sekret, ku paraqitej pergatitja e pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia. Ai vë në dijeni Patër Athanasin dhe Patër lekë Lulin , ku Patër Leka merr përsipër  ruajtjen e këtij dokumenti. Pushtetarët fashist të informuar për këtë , urdhëruan arrestimin e tyre. Arritën të burgosin vetëm Patër Gjon Shllakun , ndërsa Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , arriten të ikin në Jugosllavi…3.Patër Lekë Luli qendron në Jugosllavi gati një vit , deri në pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania.  Kthehet në Shqiperi  së bashku me Abaz Kupin , dy vëllezrit Kryeziu dhe majorin anglez Hill dhe rreth treqind nacionalist  dhe zogist të ikur në Jugosllavi.  Me daten 5 prill 1941 në prani të treqind malësorëve  në Bogë të Malësisë së Madhe ngrejnë flamurin shqiptar. Patë Lekë Luli , me oratorinë e tij të jashtëzakonshme mban një fjalim shumë të bukur atdhetar…4. Patër Lekë Luli shfaqte haptas pikpamjet e tij antifashiste. Për këtë burimet informative italiane e  perkufizonin edhe si “frat revolucionar”.Pater Lekë Luli i kishte dorzuar Legatës Angleze në Beograd një perkujtesë  në janar 1941  , që perfaqësonte një akuzë të drejtperdrejtë kundër agresionit Italian në Shqipëri..5.  Ngajarjet do  të rrokolliseshin në mënyrë të tillë që Patër Lekë Luli të arrestohet nga fashistët dhe të internohet në krahinën e Toskanës në Itali. Edhe  në internim ai nuk reshti së shfaquri ndjenjat e tij patriotike. Në internim Patër Lekë Lulit i takon një “ditë” të zevendësojnë famulltarin e e asaj zone , dhe kur një vajzë italiane shkonë për t’u rrëfye , ajo gjatë rrëfimit i tregon Patër Lekës për një mëkat që kishte bërë. Ndëkohë vajza tregon pendesë dhe i kerkon ndihmë Patër Lekë Lulit per ta shlyer mëkatin. Patër Lekë Luli i thotë vajzës ke për të thënë tre herë në ditë fjalët: “Viva l’Albania” (Rroftë Shqipëria).6.  Mbasi kryen denimin e internimit kthehet në Shqipëri dhe drejtohet për në shtabin e Legalitetit. Atje (në mal ,N.B.) qëndron pranë Abaz Kupit dhe kryen funksionin e sekretarit të OKLL (Organizatës Kombëtare të Lëvizjes Legalitetit), duke mos hequr asnjëherë petkun e fratit dhe gjithmonë duke u udhëhequr nga ideali “Fe – Atdhe”.7.  Patër lekë Luli ishte ndër të paktit meshtar që kishte perkrahur krahun zogist së bashku me Imzot Nikollë Deden e ndonjë tjetër , në kundershtim me shumicën më të madhe të klerikëve , që i perkisnin “Ballit Kombëtar”….Pater Lekë Luli si nacionalist e antifashist i klasit parë do të velrsohej edhe nga  delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar në takimin e zhvilluar me 26 korrik 1943 në Tapizë të Tiranës , në shtepinë e Ihsan Toptanit , ku u vendos  që edhe Patër Lekë Luli të pranohet si konsulentnë. Takimin kishte karakter pergatitor  per konferencen e Mukjes… Delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar perbehej nga shumë figura pa dallime partiake , si  major Abaz Kupi , Dr. Ymer Dishnica, Myslim Peza , Mustafa Gjinishi, Mit’hat Frashëri , Faik Quku e Hasan Dostit…8.  Pater lekë Luli do të merrte pjesë në konferencen e Mukjes me 1-2 gusht 1943, me statusin e vezhguesit , me vote konsultative. Në konferencen e Mukjes merrnin pjesë figura të njohura të Ballit Kombëtar me në krye Av. Hasan Dostin , Mit’hat Frashërin, Prof. Isuf Luzaj e tjerë… Ndersa nga Këshilli i Pergjithshëm i Nac-Çl. Merrnin pjesë Abaz Kupi , Muslim Peza , Gogo Nushi , Dr. Ymer Dishnica e tjerë…9. Pas konferencës së Mukjes u bënë tubime e kuvende  sipas krahinave, ku lidhen besen per të luftuar kundër okupatorëve nga njëra anë dhe kundër rrezikut sllav nga ana tjetër. Tipike për këtë është kuvendi i Kalishtit… Ai u zhvillua prej  2 deri me 12 shkurt 1944 , nën kryesinë e Muharrem Bajraktarit .  Sipas dokumenteve gjermane .V.Mann , informon eprorët e vet në seksionin Dom Lc 297 Div.Inf., me 19 shkurt 1944, se është bërë bashkëtakimi i krerëve shqiptar në një konferencë në Kalisht, ku moren pjesë ;Muharrem Bajraktari , Haxhi Lleshi , Cen Elezi , Faik Shehu , Patër Lekë Luli e tjerë…Në konferencë muaren pjesë edhe tre officer anglezë. Këtu u vendos të luftohej bashkërisht kundër çetnikëve serbë , kundër okupatorëve gjermanë dhe qeverisë kuislinge. Një kuvend burrash pa dallim ideje , feje e krahine , një lidhje bese sin ë Mukje, e njohur nga aleatët…10.

 VRASJA MIZORE  E  PATËR LEKË LULIT NGA KOMUNISTËT…

Patër Lekë Luli si nacionalist i klasit parë , si intelektual e zotrues i disa gjuhëve  europerendimore , i ngarkoheshin detyra të rendësishme nga Abaz Kupi dhe Levizja e Legalitetit , për të takuar e komunikuar me misionet antifashiste të aleatëve , siç ishte Misioni anglez në Shqipëri. Pikrisht në një mision të till, vritet pabesisht e mizorisht Patër Lekë Luli, vritet në Bytyç të Tropojës nga komunistet e spiunët e tyre me 16 korrik 1944.

Batalioni komunist “Perlat Rexhepi” vrau dhe dogji në zjarr Atë Lekë Lulin…Ish komandanti i batalionit “Perlat  Rexhepi”, komunisti Rexhep Haka , në librin e tij per aktivitetin e këtij batalioni shkruan: “…Ne e kapëm spiunin Lekë Luli dhe e pushkatuam”. Ndersa sherbëtori i zellshëm i komunizmit Ragip Beqaj , në librin e tij me titull: ”Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar” e paraqet Patër Lekë Lulin me “fotografi” të veshur me petkun e meshtarit dhe me automatik në krah , si dhe shkruan: “Lekë Luli ishte perfaqësues i Demokristianes, pranë organizatës tradhtare të Legalitetit. Duke zbatuar vijën e dhënë nga Papa , kleri katolik krijoj lidhje të ngushta edhe me “Legalitetin”. Ashtu siç kishte krijuar më parë me “Ballin Kombëtar” dhe me “Indipendentët”. Me kerkesen e Abaz Kupit për një kordinim më të mirë të veprimeve, pranë shtabit të tij u emrua si perfaqësues i Klerit Katolik…”.11.  Ndersa ish drejtori i arkivës të Ministrisë së Brendëshme  , studiuesi e historian Kastriot Dervishi , duke u bazuar në dokumentet e kesaj arkive , dhe pershkrimin e partizanit kryesor vrasës të Patër Lekë Lulit , ndër të tjera shkruan: “Atë Leka udhëtoi nga Kastrati i Malësisë së Madhe në Tropojë për të marrë pjesë në një mbledhje të forcave politike. Komunistët si injorantë edhe në shpjegime, e justifikuan vrasjen sikur ndodhi nga shkaku se kleriku ishte “ndërlidhës midis gjermanëve dhe britanikëve” (!). Në fakt, vetëm komunistët mund të bëjnë aleatë gjermanët dhe britanikët në vitin 1944. Partizani vrasës kryesor, e ka përshkruar në këtë mënyrë krimin makabër:“Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ish dërguar nga armiku i popullit Abaz Kupi që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës, për të ndaluar forcat e ushtrisë NÇL, për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli u vu në zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë, shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga kleri reaksionar i Shkodrës për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.12. Një e dhënë interesante per vrasjen e Patër Lekë Lulit  e ka marrë Patër Zef  Pllumi nga nacionalisti e luftëtari i njohur i lirisë Nikë Sokoli. Nika ishte i informuar mirë  se djali i bajraktarit të Tropojës ishte komunist dhe bënte pjesë në batalionin “Perlat Rexhepi” . E mori persiper per ta çuar  Patër Lekë në misionin anglez , por u tregua i pabesë  dhe i urdhëroi dy shoqëruesit që ta vrisnin rrugës, dhe ata e zbatuan.  Abaz Kupi sa mori vesh këtë vrasje dhe tradhti , i pikëlluar e i indinjuar thellë, i dergon një mesazh shumë të ashpër Sali Manit  duke i thënë: “ Na preve në besë , o bajraktar dhe se do të pergjigjesh për këtë”.13. Vdekja (vrasja) e Patër Lekë  Lulit në Nekrologun e provinces shqiptare të Zojës Nunciatë pershkruhet: “Me 16 korrik 1944 ka vdekur , fra  Lekë Luli nga Kastrati , meshtar.  Qe varë nga një bandë partizanësh dhe aty qe varrosur  në një vend të panjohur.  Ishte predikatar i aftë , plot dashuri ndaj atdheut . Qe docent  në gjimnaz , drejtor i Shoqërisë  Antoniane të Shkodrës. Jetoi 36 vjet.14.

PAK NGA DËNIMI I VËLLAIT TË  PATËR LEKË LULIT, PROF.  GJELOSH  LULIT

Vlenë të kujtohet se pas ardhjen në pushtet të komunistëve, vëllai i Patër Lekës , prof. Gjelosh  Luli do të ishte një nga antarët e organizatës nacionaliste e antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Prof. Gjelosh Luli në tetor të vitit 1945 do të perkthente në frëngjisht memorandumin që përpiluan seminaristët në Shkodër, për t’ia dërguar misionit Anglo-Amerikan. Memorandumi përshkruante hollësisht situatën e vajtueshme kriminale-terroriste,  që kishin krijuar komunistët në Shqipëri.15.  Prof.Gjelosh Luli së bashku me antarët e tjerë të “Bashkimit Shqiptar”, do të arrestoheshin dhe me 19 shkurt 1946 fillon gjyqi ndaj antarëve të kesaj organizate nacionaliste. Për 11 antarë  të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, duke perfshirë edhe prof. Gjeloshin  , prokurori komunsit , kap.Aranit  Çela kerkonte dënimin me vdekje… Ndërsa gjykata ushtarake e kryesuar nga toger Mustafa Iljazi  në seancën e 17-të dhe të fundit të 22 shkurtit (1946) , e dënon prof. Gjelosh Lulin me burgim të përjetshëm.16.

 NË VEND TË  EPILOGUT

Në vend të epilogut mendova të citoj një poezi të publikuar në një trakt të vitit 1942, shpërndarë nga Balli Kombëtar gjatë Luftës dytë Botërore. Poezia (apo më shumë…) pershkohej nga  “nota” të forta patriotizmi, të shkruar nga nacionalisti simbol i binomit Fe dhe Atdhe Pater Lekë  Luli, kur ai ndodhej në mal me pushkë në krah kundër pushtuesve fashistë. Poezia titullohej “Zani i shqipes”…

 ZANI  I  SHQIPES

Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u tjetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!…”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mbulue,

sa mos t’mundni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris me ja sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se ca poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash katër vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

 

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mirt, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ken n’konop, ken grijë n’batare,

Ken ndryj n’burg t’tjerë  n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerzt vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vegjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!…

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë

E mbi krye me i vu kunorë

 

Për mbrapshti, çi po veprueka,

Atme e shpi kur t’i zaptueka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushkën e lenje shpin,

Kapni pushkën e bashk me mue:

Kapni pushkën pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë për me librue!!!

S’asht nevoja për me pvetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’Shqipnis në dorë

Aty u pret ju…

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju fitoni,

Si fituen t’part tuej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italijanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija për rreth tij

 

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi shoit zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”…

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt anmikut

pa ju shmang kurrnji rrezikut

Si ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet, Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me hasm t’Kombit. për Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!…

Vetëm at herë pra n’shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jetë shue, e shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.17.

REFERENCAT: 

1.E dhënë e marrur nga nipi i Pater Lekë Lulit , Sander Gjelosh Luli (Vrrini) me banim në Shkodër.2.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9. 3.Dëshmi  Namik Kruja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9,+At Zef Pllumi, Histori kurrë e shkrueme , fq.134, Tiranë 2006.4.Dëshmi-Dr. Zyhdi Zekja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  5.R. Maroco della Roca , Kombësia dhe feja në Shqipëri , fq.273 , Tiranë 1994.  6.https://kujto.al/dokumenti-i-1942-pater-lek-luli-nje-vajze-italiane-thuaj-tre-here-viva-l’albania qe-te-te-falen-mekatet/ Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.    7.Dëshmi -Namik Kruja , Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9, + At Zef  Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, fq.56, Ribotim 2006.8.Uran Butka  MUKJA , Shans  i bashkimit , peng i tradhtisë , fq.25-26, sh.b.”Naim  Frashëri”, 1998.9.Uran Butka, po aty , fq.2.10.Uran Butka , po aty , fq.91-92.  11.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.12.Kastriot  Dervishi http://www.panorama.com.al/foto-si-komunistet-vrane-dhe-dogjen-at-leke-lulin-ngjarja-e-tmerrshme-ne-pyllin-e-erret-te-valbones/.13.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  14.Urdhëri i Fretërve Minor , Nekrologu i provinces  shqiptare të Zojës  Nunciatë , nën kujdesin e fra Flavio  Cavalini mbi bazën e nekrologut  të fra Marjan Prelaj me qortime dhe shtesa  të fra Vinçenc  Malaj , fq.193 , Shkodër A.D.-MMI.  15.Gjovalin  Zezaj, Gjenocid  mjesjetar në shekullin XX , -kronikë- fq.18, Shkodër 2007.  16.Gjovalin Zezaj , po aty, fq. 50 dhe 54.

17.https://kujto.al/dokumenti-i-1942…  Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.