NJË CURRICULUM I VOGËL PËR VEPRIMTARINË E MADHE ATDHETARE TË DELI  METËS,  BAJRAKTARIT TË HOTIT

0
469

Nga :Ndue  BACAJ

Një ndër komandantët e shquar të forcave vullnetare të Malësisë Madhe , në luftën e Koplikut 1920, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga shovenët serbo-malazez ka qenë Deli  Meta, Bajraktari (Flamurtari) i Hotit.

Deli Meta lindi në vitin 1857 dhe ishte një ndër trashigimtarët  e urtë e trim i fisit të Lucgjonajve e shtëpisë së njohur me emrin e Çun Mulës. Deli Meta  ishte nipi i bajraktarit (Flamurtarit) famëmadh Çun  Mulës së Hotit e Malësisë. Pas vdekjes së Çun Mulës (viti 1896) Deli Meta ishte një nga burrat e shquar që nxorri kjo familje patriotike shqiptare. Deli Meta, ashtu si të parët e familjes së tij pjesën më të madhe të jetës e kaloi në luftra kundër padrejtësive të pushtuesit shekullore Otoman dhe mbi të gjitha në luftrat mbrojtëse kundër forcave shovene serbo-malazeze. Deli Meta u shqua si në luftën me pushkë dhe me pendë në mbrojtje të trojeve shqiptare. Ai është nëshkrues i parë i protestave , kerkesave e memorandumeve të malësorëve e më gjërë , që u drejtoheshin fuqive të mëdha në mbrojtje të trojeve, lirisë dhe të drejtave zakonore, jetsore dhe etnike të malësorëve shqiptar në trojet e veta. Nga këto akte diplomatike po kujtojmë ato të viteve 1911 , 1912 dhe 1918. Deli Meta është perkrahës e luftëtar patriot në kryengritjen antiotomane të vitit 1911 përkrah Dedë Gjon Lulit, kryengritje që çoi në ngritjen e Flamurit kombëtar në Deçiq pas 432 viteve dhe  memorandumin e Greçës që i parapriu programit politik të shpalljes së pavaresisë së Shqipërisë… Me rastin e kësaj kryengritje populli Deli Metës do t’i “kendonte” :

“..Deli Meta derë oxhaku ,
Tha: ” Pa m’mbërri deri n’gju gjaku
Gjallë si bie hyrrit në dorë
n’bajrak t’Hotit nuk la korë
jamë ndër male krye i parë,
e me zemër jam shqiptar
…”
(Palok  Traboini , Flamuri në Deçiq 1911, fq.73-74, perg. per botim Kolec P. Traboini )

Deli Meta në luftën mbrojtëse kundër malazezëve e serbëve të 1912-1913 , që në histori njihet si Rrethimi i Shkodrës, tregoi edhe njëherë si gjithnjë se për mbrojtjen e trojeve shqiptare është i gatshë të bëjë çdo sacrificë e të përbuzë thasë me florinjë. Gjatë kësaj lufte mbrojtëse  në shënjë hakmarrje forcat malazeze ia dogjën shtëpinë Deli Metës në Hot. Gjatë ketyre betejave Krajl Nikolla i Malit të Zi bashkë me Mbretin Aleksandër i kërkuan atij që t’ju hapte rrugë në këmbim të florijve dhe gradave, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike nga Bajraktari i Hotit dhe i pari i Malësisë së Madhe. Thuhet se gjatë një gostije të zhvilluar në Pallatin e Krajl Nikollës ku ishin ftuar oficerët më të shquar të Malit të Zi, Krajli i pyeste ata se kush ishin prijsit shqiptarë më të rrezikshëm që u paraqisnin atyre probleme serioze. Pas shumë përgjigjieve të ndryshme të oficerëve malazezë që jepnin mendimet e tyre, Krajl Nikolla u drejtua të pranishëmëve duke u thënë se perveç Dedë Gjon Lulit e Zenel Shabanit, Unë dy vetave ua kam frikën: Bajraktarit të Hotit Deli Meta që është mysliman dhe qeveris një krahinë katolike dhe Bajraktarit të Grudës që është katolik dhe qeveris një krahinë myslimane., si dhe Patrioti pendë artë dhe poetit kombetar Gjergj Fishta do të tregonte një rastë me vlera të jashtzakonshme shqiptarie , të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare , që mendova ta citoj“…Ndodhi në Hot  që vjetin 1904  kisha e atij bajraku  mbeti pa meshtar  per shumë do ditë .  Kur qe nji ditë  ndër ditë  , bajraktari (Deli Meta , nipi  bajraktarit  famemadh  Cun Mula , N.B.) me nji tjeter krye  t’atij vendi  po ulet në Shkoder  fill e te i Pari  i  Fretneve  , e  muhamedan tue ken i thotë : “asha  Zotin  , zotni  kisha e jonë ka petë (mbetë)  keq pa Frat !  As ska kush flet  uratë   në kishë , as kush na bekon shpijat per  s’gjalli  , as vorret per  s’dekuni . Rixha kemi me zotnin  me na çue fratin sa ma parë të kisha  se kemi petë keq!”.  Kaq me interesë  pra aj  bajraktar  muhamedan e kishte  marrë  çeshtjen  e të derguemit të meshtarit katolik  n’atë  kishë  ! (Kisha e brigjes N.B.).  Pse keto punë mund të ndodhin vetem në Malsi ? Pse atje  ka burrni , fisnikri , bujari ; ka karakter kombetar të paprishun  , ka moral të shendosht . Qe pra çilci(çelsi) i  zhvillimit kombetar tonë…”. (Gjergj Fishta ,”Hylli i Dritës”,prill 1930 , nr.4 , ff.185-195). Deli Meta nuk u pajtua as me pushtrimin e perandorisë Austro-Hungareze , të cilët për këtë e internuan së bashku me djalin e tij Mulin, të cilët u liruan duke perfunduar lufta e parë botërore.  Pas Luftës parë botërore Deli Meta me shokët e tij të atdhetarisë të Hotit , Grudës e Trieshit do të ishte i pari në organizimin dhe protesten e 14 nëntorit 1918 të dorzuar në Shkodër për fuqitë e Mëdha të asaj kohe , për shpetimin e trojeve shqiptare të Malësisë e më gjërë që kishte aneksuar Mali i Zi që nga kongresi i Berlinit (1878) dhe konferenca e Londres (1913). (Më hollësisht shih: Anton  Harapi, Andrra e Prètashit, fq.159-169, botimi i IV, Botime Françeskane, Shkodër 2008, +“Posta e Shqipnisë” e dates 23 nentor 1918, fq.89).  Por mbi  gjithë keto perpjekje e  luftra në mbrojtje të trojeve shqiptare Deli Meta do të shquhej në Luftën e Koplikut 1920, luftë mbrojtëse kundër ushtrisë Serbo-Malazeze (mbretëria serbo-kroate-sllovene, ku bënte pjesë pa emër Mali i Zi që nga 01 nentori 1918). Në këtë luftë Deli  Meta si patriot e luftëtar i sprovuar nga qeveria shqiptare e kryesuar nga Sulejman Delvina , qeveri e dalur nga kongresi i Lushnjes (janar 1920), do të emërohej komandant i forcave vullnetare të Malësisë Madhe e më gjërë. Qeveria e Sulejman Delvinës në Luftën e Koplikut do të dergonte ministrin e brendëshëm Ahmet Zogun dhe patriotin Bajram Curri e tj. Në këtë luftë mbrojtëse  përkrah Deli Metës luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi që ishte prej fisit të Dedë Gjon Lulit etjerë patriot malësor e shqiptar , që me luftën e sakrificat e tyre bënë të mundur ndalimin e mëtejshëm të coptimit të trojeve shqiptare , duke ruajtuar kufijët e 1913-s. Në Luftën e Koplikut (27 korrik 1920-14 shkurt 1921) Deli  Meta do të shquhej si komandant e lutëtar trim, ku këtë e vertetojnë dokumente e shkrime të asaj kohe , por edhe populli do ti “thurrte” vargjet:

Deli Meta po viket:

Yryç djelm, bani gajret,

Sa t’na kenë rrypat fishekë,

Sot asht dita e duam me dekë”.

Deli Meta u çue ne kamë,

Luftë po ban me kta hotjanë…

Në këtë curriculum nuk po mundem pa cituar edhe një shkrim të Gjergj Fishtës te revista “Hylli i Dritës”,ku ndër të tjera citojmë: Tue kenë muaji i nandorit, muaji i të dekunve, qeverija jonë tue u kujdesua për të gjallët, nuk i harron ata fatosa që derdhen gjakun për atdhe, diftoi dishirin që të bahen gjithkund lutje për shpirtin e ushtarve të mbetun; kshtu me 21 u këndue  në Kishë të Madhe  nji meshë, ku muaren pjesë  kryetarët e zyreve ushtarake e civile. Edhe në xhami u krye për kë qellim nji zyre. Me 23 k.m. (ktij muaji N.B.) franceskanët e Malcisë së Madhe  organizuen nji meting, për me i paraqitë Komisionit të Lidhjes Kombeve padrejtsitë që Europa kishte ba, tue lshue Malet në dorë të serbit  e për me lypë pshtimin e Hotit e Grudës. Në kët meting muaren pjesë malësorët e Hotit, të Grudës, të Kastratit, të Shkrelit, të Kelmendit, të Triepshit, të Buzës së Ujit e të Koplikut me gra e me fmijë. Në oren 3.30 mbasdite u mlodhen tok te kuvendi i franceskanve, ku Deli Meta, bajraktar i Hotit, muar një flamur të zi, në shej jazit e mjerimit, të cilit i shkonte krahas Marash Dashi me nji drrazës ku ishin shkrua emnta e atyne maleve që lypshin pshtim, mbas tyne vinin  nga një krye për mal e Banda e Shoqnis “Vllaznija”, e cila gjithherë as këso heret s’u kursye ma marrë pjesë në këtë miting të mjerueshëm. Mbas bandet i prijshin popullit franceskanët e Malcisë me Hoxhen e Buzë Ujit;  kso doret shkuen deri në Perlimtare. Kjo skenë e mjerueshme piklloi zemrat e gjithë qytetsve tue ju mbushë sytë me lot. Si mbrriten para Perlimitares, ku gjindej Komisioni (i Lidhjes Kombeve), populli i Malcis  çoi një deputacjon mbredë për me ba ankimet.  Folen krentë e Maleve, tue i diftue Komisinit se nuk kishin shkue me lypë shperblime as s’kerkojnë damet që kishin pasë, por lypshin atë tokë që asht thjesht  shqiptare, per të cilen të parët e ata kishin  derdhë gjakun.. Permallue prej ktyne fjalve  Komisioni duel në balkon të Premilitares e i premtoi popullit se kishte per t’u mendue me gjithë fuqi për pshtim të tyne. Tue u kthye prej Prelimitarjet, Z. Kel  Marubi, i zètë gjithherë, tue dashtë që ky miting të jitte  (mbetë) i paharrueshem, u muar malsorve fotografiën. (At Gjergj Fishta, Lajme: Rrokull Shqypnies [Shkodër, Tiranë, Korçë, Kelcyrë], “Hylli i Dritës”-II/1921, nr.8, ff.370-373. Për kontributin e Deli Metës në Luftën e Koplikut më hollësisht dhe me referencat perkatëse kam shkruar në librin tim me titull: Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë  , botuar me rastin e 100 vjetorit të kësaj lufte.Deli Meta (tashma në moshë të thyer) pushtimin fashist me 1939 e priti me urrejtje e me indinjatë , ndersa me pushkë e plumba e priti djali i tij majori i ushtrisë shqiptare, patrioti i shquar Mul Deli Bajraktari. Deli Meta jetoi edhe pak kohë mbas luftës dytë botërore (1945), por kjo nuk e pengoi atë si nacionalist të kulluar të shohin me dyshim “çlirimtarët” komunist që muaren pushtetin me gryken e pushkës. Deli Metës ia forconte dyshimin se PKSH-ja ishte krijesë e fqinjëve sllave , me të cilët na ndanin lumenjë gjaku e dete mjerimesh ndër mote e shekuj. Vdekja Deli Meten nuk e lejoj të shohë e vertetojnë shumë nga dyshimet e tija mbi regjimin komunist , por trashigimtarët e tij i panë, i vertetuan e i hoqen mbi shpinë  këto dyshime per 45 vite…

Koplik, shtator 2020

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.