“SHËNIME” PËR 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PEJËS (BESA-BESË), (1899-23-29 JANAR-2024).

0
50
PERG. NDUE BACAJ Ndue Bacaj | EuroEmigrant
Lidhja Shqiptare e Pejës (ose Besa-Besë) e 23-29 janar 1899, zhvilloi punimet në kohën kur u shtuan lakmitë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe nderhyrjet e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Fillimisht u acarua e ashtuquajtura çështje maqedonase, e cila, për nga emërtimi, dukej se kishte të bënte vetëm me Maqedoninë, por në të vertet lidhej drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë dhe tërsinë e saj territoriale, më konkretisht me vilajetet e Manastirit e të Kosovës, që shpesh i konsideronin Maqedoni, ndonse shumica dërrmuese e popullsisë në to ishte autoktone shqiptare. Meqense Maqedonia në atë kohë nuk pëbënte një njësi administrative-territoriale në vete, por ishte ndarë në vilajete e sanxhaqe të ndryshme, monarkitë ballkanike (Serbia, Greqia dhe Bullgaria) përpiqeshin , secila për vete, të përfshinin sa më shumë toka shqiptare e maqedonase, që nuk u takonin atyre, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, që nga “argumentet historike” e të dhënat e fallsifikuara etnike , e deri te bandat e armatosura. Një qëndrim i tillë jo vetëm i kundërvuri ato me popullin shqiptar e maqedonas , por shkaktoi edhe fërkime e grindje ndërmjet edhe vetë këtyre shteteve. Për të qetësuar lëvizjen antiosmane të popullit maqedonas dhe për të shmangur ndërhyrjet e shteteve të huaja në Maqedoni , sulltani shpalli në prill 1896, dekretin “Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë”. Këto reforma do të zbatoheshin në vilajetet e Manastirit, të Kosovës dhe të Selanikut, të cilat edhe sulltani i përfshinte nën emërtimin Maqedoni….Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti Mirpo përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të thoshte se ato zyrtarisht njiheshin si toka maqedonase. Në kë mënyrë po shfaqej përsësi rreziku i coptimit të trojeve shqiptare…. Patriotët rilindas ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, shtruan përsëri programin për autonomi dhe filluan përpjekjet për të formuar një lidhje të re shqiptare, që të vihej në krye të luftës për t’u mbrojtur nga coptimi dhe për të realizuar autonominë.1. Vlenë të cilësohet se edhe atdhetarët rilindës që jetonin jashtë trojeve etnike shqiptare dhe të organizuara, e shtuan veprimtarinë e tyre për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, për bashkimin dhe organizimin në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt, Shoqëria “Dëshira” e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve të Italisë), botuan një thirrje të përbashkët me titullin “Në emër të popullit shqiptar”, që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, si edhe politika e verbër e Portës së Lartë, që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme politike në dëm të Shqipërisë….2. Nga memorandumet që iu parashtruan Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit , në vija të përgjithëshme kërkohej njohja e kombësisë shqiptare dhe bashkimi i katër vilajeteve: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës në një vilajet të vetëm , në të cilin gjuha shqipe përdorej në administratë dhe në shkolla…. Por këkesat e viteve 1896-1898 për njohjen e kombit shqiptar dhe të të drejtave të tij të ligjshme nuk u morën parasysh as nga qeveria e Stambollit, as nga Fuqitë e Mëdha Europiane…. Në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, acarimi i ri i “çeshtjes maqedonase” dhe nderhyrja e shteteve fqinje në vilajetet shqiptare, i nxitën përpjekjet për krijimin e një lidhjeje të re shqiptare…..3. Në këto kushte, patriotët shqiptar me në krye Haxhi Zekën do të thërrisnin Lidhjen e Pejës. Lidhja e Pejës do të formohej me 23-29 janar 1899, dhe ishte një organizim politiko-ushtarake mbarëshqiptare, që ndoqi rrugën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi që formoi Lidhjen e Pejës, u mblodhë me qellim që të protestonte kundër projekteve për të përfshirë në Maqedoni , ku mendohej të zbatoheshin reforma edhe në krahina shqiptare të vilajetit të Kosovës e të Manastirit dhe të kërkonte zbatimin e atyre reformave që ishin të përshtatëshme për popullin shqiptar…4. Lidhja e Pejës do të luftonte gjithashtu, për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga fqinjët grabitqarë Ballkanik dhe për çlirimin e vendit nga pushtimi osman. Në Kuvendin e Lidhjes së Pejës do të merrnin pjesë rreth 500 përfaqësues, shumica nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës….Mund të jetë një imazh i teksti Në kuvendin gjashtë ditor u formua Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi doli me një program prej 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare por që nuk kërkonte autonomi…5. Kjo për arësye se në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etjerë, që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi. Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre…6. Nga rreth 500 delegatët, 36 gëzonin të drejtën e votes, të cilë vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj. Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve….7.

PUBLICITET
DISA NGA VENDIMET E KUVENDIT TË PEJËS:
1.Të qëndrojnë kundër bullgarëvet, serbëvet, grekëve dhe çdo armiku , në qoftëse i hillen Shqipërisë. 2.Të dënohen ata që guxojnë të bëjnë të liga e prishin sigurinë e përgjithëshme dhe kështu të mos bëhen më vrasje e vjedhje edhe njeri i qeverisë të jetë, ay që punon të paudhë do të dënohet; 3.kjo lidhje bese do të përhapet në të katër vilajetet e Shqipërisë dhe në qoftë se qeverija mundon njeri duke thënë: “Pse vajte në mbledhjet?”, e tërë mbledhja do të shpëtojë nga dorë e qeverisë atë njeri; 4.ku të vejë ushtri e mbledhjes, nga një vend në një vend tjetër, do të ushqehet me të hollat e mbledhjes dhe kushdo që të guxojë të bëjë ndonjë paudhësi do të dënohet..8. Ndërkohë detyra kryesore e Lidhjes së Pejës ishte organizimi i mbrojtjes të tërësisë së trojeve etnike Shqiptare kundër çdo orvatjeje dhe agresioni nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia.
SHTRIRJA E LIDHJES SË PEJËS…
Pas formimit të Lidhjes së Pejës, Haxhi Zeka dhe patriot të tjerë, Brenda dhe jashtë atdheut, bënë përpjekje për ta shtrirë atë edhe në krahinat e tjera. Si rrjedhojë, Lidhja e Pejës u shtri në Shqipërinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të oranizuar një Kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të miratohej programi kombëtar i Lidhjes.9. Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës, Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë pas përfundimit të tij, iu vunë punës për të ngritur organet e Lidhjes në të katër vilajetet shqiptare. Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2000 veta, qytetarë e fshatarë të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit, i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua që të thirrej një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e popullsisë së kazasë së Lumës, që u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më 9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të merrte pjesë në Lidhje. Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu morën pjesë përfaqësues të popullsisë së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth, të Malësisë së Madhe, madje edhe nga krahinat që i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm përfaqësues të tillë të krahut autonomist, si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj….

PUBLICITET .. KANTINA E VERES “MIQESIA ” NE QYTETIN KOPLIK

Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta) prej 7 pikash, në të cilin, në emër të banorëve myslimanë e të krishterë të vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti i Lidhjes për Shkodrën….. Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës u çelën me mitingun e madh e të hapur, që u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të popullsisë së Dibrës së Sipërme e të Poshtme, së bashku me malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati, Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.). Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë, pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete të tjera të vendit. Në këtë Kuvend u miratua formimi i Lidhjes (për Dibrën), u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash, që u publikua në mitingun e dytë të madh (mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve, si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë, do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë. Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës me 18 anëtarë…. Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës, e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës, e Përlepit etj….. Në mars të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit, në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve të popullsisë së kësaj kazaje, në të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare.…. Në pranverën e vitit 1899 u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit, e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë. Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë zonë, arrestoi drejtuesit e saj… Më 18 qershor popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me qendër në katundin Bërzeshtë. Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare.

PUBLICITET

Duke bërë fjalë për këto arritje, Sami Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: “Lidhja po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi po zgjerohet.…. Gjithashtu nisma për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u miratua nga popullsia e Shkodrës dhe e rretheve të saj, nga popullsia e Mirditës, e Pukës, e Prizrenit dhe e gjithë qyteteve të Kosovës, e sanxhakut të Dibrës, e Ohrit, e Starovës, e Elbasanit, e Tiranës, e Durrësit, e Beratit, e Vlorës etj. Në shumë nga këto qendra u zgjodhën edhe delegatët për në Kuvend.…. Ishte parashikuar që Kuvendi i Përgjithshëm t’i përmblidhte të gjitha kërkesat kombëtare në një memorandum të përbashkët, të cilin do t’ua paraqiste, në formën e një ultimatumi, sulltanit dhe Fuqive të Mëdha. Por këto përpjekje të Haxhi Zekës dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë ndeshën në kundërshtimin e hapur të qeverisë së sulltanit. E shqetësuar përpara zgjerimit e thellimit të veprimtarisë së Lidhjes së Pejës, me një urdhëresë të veçantë që iu dërgua guvernatorëve të të katër vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, Porta e Lartë ndaloi thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të shqiptarëve, që ishte caktuar të mbahej në fund të majit të vitit 1899….10. Lidhja e Pejës nuk ishte mjaftuar me fjalë e programe , por e kishte shtrirë aktivitetin e saj edhe me veprimet e armatosura kundër autoriteteve osmane deri në maj të vitit 1900 . Atëherë kur Porta e Lartë dërgoi forca të mëdha ushtarake kundër Lidhjes së Pejës dhe e shtypi atë. Megjithatë Lidhja e Pejës shënoi një ngritje të re në Lëvizjen Kombëtare shqiptare.11.

REFERENCAT:

PUBLICITET
1.Histori e popullit shqiptar; fq.117-118, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.
3.Histori e popullit shqiptar; fq.117-118, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.
4.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave, fq.137…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978.
5.wikipedia.org/wiki/Lidhja_e_Pejës,+ Wikipedia, the free encyclopedia.
8.Vendimet janë botuar në një artikull të redaksisë të “Dritërëfejnjësi kombiar”, Sofje, viti 1900. Artikulli është ribotuar në përmbledhjen me artikuj nga shtypi me titull “Mendimi politike shoqëror i RilindjesKkombëtare Shqiptare” vëll.I, fq.184, Tiranë 1971.= Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave, fq.137…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978.
9.Histori e popullit shqiptar; fq.119, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.
11.Histori e popullit shqiptar; fq.120, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.