NË SINGAPOR BIE SHI

0
888

Resmi Osmani Tregim

NË SINGAPOR BIE SHI – Nga cikli ”Koha e çudirave”

Janë me qindra personazhet e krijimeve të mia, ndër ta edhe Lake Llullaja. E kisha harruar Laken, të mbyllur në librat e tregimeve dhe romanin “Koha e çudirave”, por ai nuk më harron mua. Bën ç’bën kujtohet dhe me shfaqet tinëzisht midis faqeve të letrave ku shkruaj, duke buzëqeshur pafajësisht, më shkel syrin: Jam këtu, mos më harro, kujtohu nga njëherë edhe për mua! Kam dëgjuar që je ngusht për historira, apo subjekte siç i quani ju shkrimtarët.Sa të më kesh mua,mos kij dert! “Ah more Lake,po këtë herë ç’farë do të më thuash?” “Kij durim dhe më dëgjo, pastaj ndaç shkruaje ndaç mos e shkruaj, se mua as më shton as më pakëson gjë, në qytetin tim më njohin si paren e kuqe, para dhe pas teje”.
-Pa hë!
* * *

Lakja u pa në pasqyrën e koridorit. Mjekra i ishte bere drizë dhe flokët për të qethur. Sa për mjekrën përtonte të rruhej, le që tashti ishte në modë të lije mjekrën. Berberi, ai çiraku I Banushit, për një të qethur donte treqind lek, sa për gjashtë gota teke raki. E ku ti gjente aq lekë?
E shoqja,Sheqerja, ishte ngritur me vakt. Kishte fshirë oborrin, nxjerrë pulat nga qymezi dhe mjelë dhinë.Ai kuptoi nga aroma e kafesë se ajo po e gatiste.E mirë sa të duash Sheqerja, grua nga të anës, por ama mjerë kush hynte në gojë të saj. Lakja që e hiqte në kurriz, mundohej të mos i trazonte ujërat apo ti ngrinte kacabujtë. Sheqerja uli filxhanët në tryezën e vogël të sallonit dhe zbrazi xhezvenë. Kafja dukej që kishte dalë e mirë se ishte tërë ajkë.Të dy e pinin pa sheqer. U ulën karshi njëri-tjetrit. Ajo surbi një gllënjkë dhe s’po ia shqiste sytë të shoqit, ai s’po e zinte me dorë. “Huqi del me shpirtin- mendoj ajo-ai do ta lagij fytin me një kupë raki, se ashtu i zgjidhet gjuha dhe i kthjellohet mendja. Por në shtëpi s’gjendej pikë. Po ta pish e të mos sjellësh, të shkretën, ajo nuk buron deh!”
-Pije kafen se po të ftohet.
Ai ja dëgjoj fjalën. Televizori po jepte lajmet e mëngjesit, dhe të dy bënë sikur po i dëgjonin. Ishin të heshtur. E çtë thoshin: dritat dhe uji dy muaj pa paguar, kushedi sa kishte shkuar kamata, lista e ushqimeve te dyqani i Kasëmit ishte bërë çarçaf, dhe ai kishte kërcënuar se veç bukës, do t’ua ndërpriste furnizimin. Asnjë lek për be! Këto i kishin thënë e stërthënë. Kjo barrë më shumë e shtypte brënda shtëpisë, kur dilte dhe takonte me miq e me shokë, e shpërndante mendjen dhe i qante hallet me ta. Pa ç’pa, u ngrit.
– Grua, Po zbres një herë posht në qendër.
– Prapa diellit. Çap, jepu ujë qenve!
Ai bëri sikur nuk dëgjoi dhe u dha këmbëve në sokakun e shtruar me kalldrëm që të nxirte në rrugën e vetme të qytetit.I merreshin pak mendtë, siç duket ulje tensioni. Edhe pse dielli ndrinte, për të gjithçka dukej e mjegullt, e përhinjtë. Fyti i ishte bërë shkarpë. Çfarë nuk do të jepte për një të shkretë gotë. Kur sosi në shesh, I shkoi mendja t’I krihte lokalet me radhë, kur të gjente të njohur në ndonjë tryezë, të ulej, merret vesh, ata do t’i zinte turpi dhe do t’i japin një gotë.Por ishte i bindur se kur ndaheshin, ata me vete e quanin qylxhi dhe lapangjoz! Kjo e vriste. Ai tërë jetën kishte jetuar me djersën e punës së tij. “ Eh, shfreu ai, jetë qeni. Mos u bëj budalla o Lake, qenve t’u vish anës. Kjo shprehje duhet të ketë dalë atëhere kur qentë i mbanin të lidhur me zinxhirë. Tani kanë ndrruar kohërat.Qentë e rrugëve, kanë kazanët e të fshirave, pale ata fatlumët, konet,qenushët, që i mbajnë zonjat në krah, i lajnë me shampo, i parfumosin, i ledhatojnë, u thonë “ shpirt e Xhan”, i puthin në turiçkë dhe i futin në krevat. Demokraci e qenve!. Nuk do thënë jetë qeni, por paç fatin e qenit!”
Do të kërkonte Cufen. Po të kishte shitur gjësendi ai s’ja kursente një gotë që do t’a pinin tok. E kërkoj nga se kërkoi, pyeti, por si gjendej nishani. Shkoi te shkolla, por viti shkollor kish përfunduar,oborri ishte shkretë. As te agjensia e pasagjerëve nuk ishte. Çu bë mor aman, sikur e kishte pirë dheu. Kur ulodh, shkoi te lulishtja buzë lumit, të ulej gjëkundi.
Cufen e gjeti atje ku s’e pandehte. I shkalafitur, me shapken mbi zverk, ulur në stol në lulishten buzë lumit, në hijen e rrapit, po tymoste çibukun.
-Mor Cufe,te kerkova te oborri i shkollës, po atje xhan-xhin. E ku s’të kërkova
-Shkollat u mbyllen, mirë për fëmijët, po mua më bëri qeder. S’kam ku të shes më gjë. Shkoj nga agjensia e pasagjerëve, por njerëzia janë trok s’blen njeri qoftë një pako me çimçakiz.
-Hele,hele,çkemi ndonjë gjë?
-Në Singapor bie shi.
-Hë?! Bëri të çuditurin Lakja-po pastaj?
-Si i mençur që je,gjeje vetë. Shiu bie në Singapor,Skënderbeu laget në Tiranë!
Ky Cufja,nga një herë kur ishte esëll, qëllonte larg, e çudiste me ato që thoshte.
– Hiç. E lenë të bjerë, po vetë nuk lagen se mbulohen me ombrellë. Skënderbeu laget, por s’ka kasavet se është nga bronz.
-Kush ta tha që bie shi në Martalloz apo si ia the emrin?
-E pashë në televizor.
-Ore, ku bie ky Singapori?
-Them që duhet të jetë në Amerikë, se atje bëhen ato kiametet me shira e furtuna,nga ato stihitë që kanë emra të bukur femrash.
-Ja fute kot.
-Pa hë, gjeje ti që ja fut plot.
Lakja kroi kokën dhe u mendua.Ku dreqin të ishte ky Singapori!
-Them që duhet të jetë në Itali apo Turqi.
-Lere fare-tha Cufja, që mbushi çibukun dhe i dha zjarr me çakmak. Duhani vinte erë të rëndë.- Ne këtu na mbyti zhegu dhe zagushia, shiu vete e bie në Singapor, ku si hyn në punë as dreqit.
-E ke lagur sot, se mua më është bërë fyti shkarpë.
Cufja nxori astarin e xhepave të setrës dhe pantallonave dhe i shkundi, në fytyrë i ra një çere e mjerë, i truar si qen i rrahur, dhe e pa Laken drejt e në sy. Llafet ishin të tepërta.
-Dalim andej nga “Macja e bardhë”, mbase asaj bythëmadhes ia bën zemra trak dhe na jep ndonjë gotë veresie, nga ato që i shënon në defter.
-Hiqe nga mendja, jemi bërë bajat, po vajtëm do na zerë me fshesë e do verë berihajin. Punë që s’bëhet. Pa le edhe po na e dha,do të na e zerë në fyt e do të na e nxjerrë nga hundët.
-Që kur je bërë kaq namusqar e sedërli?
-Nuk jam bërë, kështu kam qënë tërmonë.- tha dhe u ngrit nga stoli-Ore se nuk të pyeta, si e ke Sheqeren?
-E si të jetë. Sheqere e ka emrin, zeher nxjer nga goja. Nga një herë çuditem se ku i gjen gjithë ato shpoti, romuze e mallkime, aq sa s’më vjen të shkoj në shtëpi. Po ti, si e ke atë tënden?
-Ka zënë jatakun nga cërma, i janë lidhur këmbët po i është zgjidhur gjuha, i lëshon llafet si breshëri mitralozi.
– Tekefundit, su vihet faj. Nuk thonë kot:”Fukarallëk, maskarallëk”
U nisën për të dalë në qëndër, kur Cufja u kujtua dhe I ra ballit me dorë:
-Ore Lake, harrova të ta them, ty sepse të kërkonte postjeri edhe një nga ata të zyrave të partisë.
U ndanë. Lakes ku si shkoi mendja. Mund të ishte edhe ndonjë ftesë gjyqi për pagesën e dritave. Sa për ata të partisë,e dinte, e donin për votat, e kishin mjelë si lopën, pastaj e harronin dhe kujtoheshin kur afroheshin zgjedhjet, por ç’ne, zgjedhjet donin edhe një vit. “Mos vrit mendjen” i tha vetes, boll halle ke.
Në postë i thanë se në “Rajfajsen Bank”, i kishte dërguar djali nga
Greqia një mijë euro. Mund të shkonte ti tërhiqte. Yrysh e në bankë, po aty i shkëmbeu eurot në lekë. I kishin rënë nga qielli kur e kishte lakun në fyt. ”Eh,or bir, or djalë, tu bëftë dita njëmijë, që e heq nga goja dhe na e dërgon neve”
Kur doli nga zyrat e partisë zere se nuk fluturonte, nuk mbahej nga ai lajm i papritur.” Thoshte mirë i shkreti baba, që jo çdo e keqe vjen për keq dhe çdo e mirë vjen për mirë dhe mos u gëzo o i gëzuar dhe mos u hidhëro o i hidhëruar! Ja që kështu ishte fati i njeriut.Kur do,do. Kur s’do, s’do! Kur se priste, dy gëzime në një ditë:njeri i mbushi xhepin për sot, tjetri për nesër e për sa mot! Eh more Lake!”
Cufja e priste që ta bënin rrugën bashkë për në shtëpi, se ishin në një mëhallë. Lakja nuk i tregoi gjë, por i hodhi krahun dhe e tërhoqi për në tavernën “Macja e bardhë”.Cufja që nuk po kuptonte gjë i shkoi pas. U ulën në tryezën e cepit, që i binte dritë dhe mund t’i shihnin nga rruga.
Zoica u afrua rëndë-rëndë, si reja me shi,gati të shkrepëtinte. Mosbesuese,si të donte tu bënte karshillëk.
-Me se mund tu shërbej zotrinjve?-ajo e theksoi fort,fjalën zotrinjve duke e rrokëzuar.
-Nga një dopio, nga ajo ballkazani, bërxollë viçi të pjekur mirë, patate të skuqura, pak salcë kosi dhe gogozhare – dha porosinë Lakja. Zoica s’luajti vendit i pa në kokërr të syrit herë njerin e herë tjetrin.
-Sot e kemi me parapagim.
-Ah moj Zoica e Ndonit,ç’dreqin e ke zënë me ne,që bën si shpirti i së keqes.Eh çfarë burri është Ndoni, dhe ç’mysybet grua i ka qëlluar- Lakja se hante thatë dhe të linte një palo grua ta merret nëpër këmbë. Nxorri një shuk me kartmonedha. I zgjati njëmijë lekshen. Zoicës i qeshi fytyra. Për të ishte një telash më pak.
Cufes, kur pa lekët, ju zgurdulluan sytë e sa s’i ranë mbi tryezë. -Sa i fshehtë paske qënë more Lake!
-Zot shyqyr,sarhoshët paskan rënë në para,- dhe iku duke tundur të pasmet e mëdha që tu sillte porosinë.
Kur dolën nga tavern,Lakja u kthye në tregtore dhe bleu gjithë ç’i duheshin shtëpisë. Te gabi, pasi u hëngër për pazarin me romen, bleu një palë këpucë, që kishin sy, ishin të forta dhe këmba bënte rehat në ‘to. Ato brashnjat që u kishte shkelur thembrat i hodhi te kazani i të fshirave. I ngarkuar me qeska të mbushura plot, ngjiti duke dihatur të përpjetën për në shtëpi. Shtyu portën dhe thirri:
-Grua, hajde lehtësom një çikë barrën se mu këputën duart- por ajo s’doli. Ai i shkarkoi qeskat në bangon e drunjtë posht hijes së manit në oborr. Sheqerja, mosbesuese u afrua, po kur pa që ato ishin të mbushura plot shqeu sytë:
-Ç’ka bërë vaki,mor burrë? Ku ngordhi ky ujk!
Lakja u ngrefos dhe kapardis:
-Ka babai djalë.
-Petriti i nënës, vdeksha unë për ty! Sa?
-Njëmijë euro.
-Ju bëftë dita njëmijë. Pa mi rrëfe që ta besoj vërtet.
Lakja i nxori nga xhepi dhe i vuri mbi bango. Sheqerja u turr dhe i rrëmbeu si skifteri zogun.
-Mos të të shkojë mëndja ti bësh meze e raki klubeve me ata si vetja.
Lakja që ja dinte hyqmin së shoqes i kishte dalë të keqes përpara, një pjesë të lekëve i kishte futur në xhepin tjetër të setrës dhe nuk u ndje.
Të nesërmen, kur u ulën për kafen e mëngjesit, Lakja e piu pikë –pikë që ti shijonte gotën e rakisë dhe pleqëroi me të shoqen sesi do të harxhoheshin lekët.
-Që sot, do të paguash dritat dhe ujin, pastaj do shkosh te Kasëmi të paguash të prapambeturat e listës, po kij mendjen se ai gjakpirës s’ka të nginjur, bën hile e të kërkon më shumë.
Sheqerja psherëtiu.
-Ku ishe ? Asgjëkundi! E çna mbetet ,pas kësaj, ne që ishim ,ne jemi! S’mbyllim dot as muajin.
– Mos kij kasavet moj grua, se do të ketë ditë të bardha edhe për ne.
-Ditëzeza thuaj!
Lakja u rrua, priti sa u ngroh uji në bulier dhe hyri në dush. Ai si lante dot shpatullat, dhe thirri të shoqen. Ajo ja fërkoi me sfyngjer.Vuri re që kohët e fundit ishte ligur shumë, i numuroheshin brinjët. Asaj i erdhi për të qarë. Sido që e shante dhe dokëndiste, ata kishin një jetë të tërë bashkë, kishin rritur fëmijët dhe kishin ndarë bashkë derte e gëzime.
Hapi kanatin e dollapit të rrobave. Atje kishte të varura në kremastarë kostume të përdorura të viteve të shkuara kur ai ishte dikushi, këmisha dhe kravata. Zgjodhi një kostum të lehtë veror ngjyrë bezhë dhe këmishë bojëqielli. U pa në pasqyrë. Iu duk vetja si tjetër njeri. Para se të dilte, duhej t’i jepte edhe një porosi së shoqes.
-Dëgjo Sheqere. Nesër mbrëma, do na vijë një miku im, jo dosido, po një mik i nderuar, drejtor, që ka shumë punëra në dorë. Do na bësh gati një darkë me gjithë të mirat, që nga çorba me mëlçi qengji e deri te lakrori dhe ëmbëlsira, sa për mezetë ti i qan. Rakinë do ta bije vetë. Lekët po i ke, zbrit e bleji harxhet që të duhen, dhe mos u kurse. Mirë?
-Mund ta di se kush është ky mik?
-Do ta shohësh kur të vijë.Do të ftoj edhe Cufen, se veç që e kam shok, ka edhe muhabet të ëmbël.
Me tu gdhirë e nesërmja që binte e shtunë, Sheqerja iu përvesh punëve: lau oborrin, pllakat e verandës, fërkoi dërrasat e koridorit dhe dyshemesë të dhomës së pritjes, sa i bëri dritë dhe një pastrim me themel fajancave të banjës. Tundi e shkundi gjithë shtëpinë.
Gatesat i bëri pasdite që të mbeteshin të ngrohta. U lodh që mos e pyet, mallkoi veten që nuk lindi dot një vajzë që ti bëhej krah. Lakja u vesh dhe u nis si për të kremte dhe shkoi të priste mikun.
Duhet të ishte ora rreth shtatë e gjysmë,sa kish nisur të binte muzgu, kur në oborr hyri Lakja me Cufen.
-Po miku?-pyeti sheqerja.
-Zere se ka ardhur,kam lënë njeri ta presë, po ti shtro tryezën që në tetë të jetë gati.
Ai me Cufen u ulën në divanin e sallonit.
Nga kuzhina vinte aroma e këndshme e erzave dhe mishit të pjekur, mëlçive të skuqura dhe qofteve të kavurdisura. Cufes iu zgjeruan fejzat e hundëve dhe I lëshoi goja lëng.
-Gatesat e tua, moj nikoqire, ngjallin edhe tvdekurin, pale të gjallin!- I tha Sheqeres që po shtronte tryezën.
Sheqerja që ja dinte huqet të shoqit, e la punën dhe me duart në bel, iu drejtua të dyve:
-Mor ju, mos po më punoni ndonjë rreng? U ka shkuar mëndja të hani një darkë dhe më keni vënë të punoj si mushkë e të robtohem gjithë ditën?
-Qofsha burrë i poshtër në të gënjej. Drejtori do të vijë kur s’e prêt dhe nga se pret dhe ke për ta parë me sytë e tu. Edhe pak durim!
Cufja desh t’i bënte qejfin zonjës së shtëpisë,që kishte bërë një tualet të lehte dhe veshur bluzë të re, për hater të mikut që prisnin.
-E bukur kjo bluza Sheqere, të shkon shumë.
-Faleminderit. Je i sajdisur. Si e ke zonjën?
-Ja, ashtu, me copa. Ke të fala.
-Të fala e të mira pastë.
Ndërkaq, Lakja, bënte ç’bënte shihte orën. Kur po afronte tetë, e çoi televizorin te stacioni lokal “Alfa & Omega”.Kur nisën lajmet, Lakja i thirri së shoqes:
– Hajde moj grua, të shohësh lajmet, se në qytetin tonë ka ngjarë një ndodhi me rëndësi, quaje thagmë po deshe!
Sheqerja fshiu duart në përparëse dhe u afrua.
Folësja e televizorit kaloi në lajmet e ditës. Në ekran u shfaq gazetarja e njohur Olsa Fusha, që nisi të cicërojë si kanarinë: “Qysh sot, Ndërmarrja e Pastrim Gjelbërimit të qytetit tonë, do të ketë një drejtues të ri. Këshilli bashkiak miratoi me shumicë votash në këtë pozicion ,cilin thoni ju? Teknikun e njohur të silvikulturës Z. Iliaz Doko, që shumë nga ju e njohin si Lake-ajo nuk e tha atë nofkën e shpifur- E kam këtu për t’a uruar dhe intervistuar. Kamera u përqëndrua te Lakja, e paraqiti si portret pastaj të plotë.Gazetarja bëri pyetjen dhe ai nisi të përgjigjej. Nga mënyra si fliste dhe lëvizja e pakontrolluar e duarve , dukej që ishte i tronditur.
Cufes i ra piruni nga dora. Sheqeres,ca nga e papritura, ca nga habia,ca nga çudia, iu prenë gjunjët dhe u plas në karrige. Lakes, atij në tryezë, triumfator, I ra hija e rëndë e drejtorit dhe s’i lëvizte qerpiku.Ai i televizorit, që po fliste dukej që ishte në siklet. Pas Lakes u shfaq deputeti, i nderuari Banush Beqollari, që pyetjes së gazetares iu përgjegj shkurt:”Është emërimi i duhur, në kohën e duhur dhe vendin e duhur.Punës i është gjetur njeriu, dhe jo njeriut puna!Le të mos harrojmë, se ai për mëse tridhjet vjet, ngriti kurorën e gjelbër të qytetit.Për këtë i detyrohemi mirënjohje, bile e them me bindje se jemi të vonuar. Nën drejtimin e ndërrmarrjes nga Z.Iliaz,qyteti ynë do të shkëlqejë si pasqyrë nga pastërtia dhe gjelbërimi. Besoj që me urimin tim, bashkohen gjithë bashkqytetarët tanë!”
-Të thashë, zonja Sheqere se drejtori do të vijë, dhe nuk të gënjeva. Ja ku e ke, të tërin e të bërin.
Cufja, që ende se kishte mbledhur veten nga lajmi i beftë mbushi gotat:Pus i thellë paske qënë o Lake!Të shkretën,po as mua vëllamin tënd! Ja gëzuar e bromp, një shëndet për drejtorin dhe një mirësi për familjen e tij!
Gotat tringëllinë dhe u rrëkëllyen me fund, por Sheqerja se ngriti të sajën.
-Po ç’ke moj nikoqire, gëzohu se do ti thuash def fukarallëkut dhe sonte do të flesh me një burrë jo dosido, por me një goxha drejtor!
Nuk pati përgjigje.E ç’ti thoshte.Pështy lart të bie në surrat.Për të qarë e për të qeshur. Drejtor i plehrave dhe romëve. Me daulle e me zurna dhe kazanët e të fshirave. Tek e fundit, do të sillte një rrogë në shtëpi dhe paratë s’bien erë! Një gjë e mori vesh mirë: po afronin zgjedhjet dhe Lakja atë zanatin e votave e lozte në majë të gishtave.
Televizori kaloi në lajmet nga bota: Singapori është përfshirë nga një stuhi tropikale shkatërruese dhe nga rreshje shiu të rrëmbyera që kanë përmbytur zonat rurale….Më pas u duk sheshi Skënderbej, monumenti, pirgjet e gurëve, dhe punimet që po bëheshin.
-Më beson tashti, që në Singapor bie shi dhe Skënderbeu laget në Tiranë?

Tiranë , më 21.09.2017 .

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.