NË DIETË

0
434
Alda Taçe SHPATA
As që më ka shkuar ndonjëherë në mendje si e ha mëngjesin fjala bie një gjerman.
Nuk kam asnjë lloj informacioni si ushqehet ai popull dhe çfarë ka për mëngjes në dietën e tyre.
Ka ca kohë që po më trajtojnë e më ushqejnë me tepri. Mua sikur më zë buka, nuk kam provuar asnjëherë tartuf e salmon.No photo description available.
Sot u mërzita që më detyruan të ha mëngjes me zor, megjithëse e mbylla gojën e i shtrëngova dhëmbët sa më kërcitën, prapë më futën një shuk buke me forcë. Më detyruan, më bënë një masë të tërë analizash në mënyrë që të dinin me se të më ushqenin shëndetshëm. Jam shumë i mërzitur, unë nuk dua të ha, madje më vjen për të vjellë sa herë që shikoj një tas me qumësht mbi tryezë.
Kam vrarë mendjen gjithë ditën pse po më ushqejnë kaq shumë. Më duhet të mendoj si ta prishin këtë zakon të çuditshëm, të përfitoj dhe unë pak qetësi. Më ka kapur paniku, mos më ushqejnë për të bërë ndonjë eksperiment?!
Pasi më ushqejnë më mbikëqyrin derisa të jetë tretur e përpunuar gjithë masa ushqimore. Të gjithë më shikojnë me sy e aparatura sikur do më hanë.
Në mesditë më lanë të lirë.
Më në fund shpëtova nga ai kontroll i rreptë, u futa në dhomën time me vrap duke ua përplasur derën në fytyrë. Aty po më merrej fryma dhe sa s’po plasja. Bënte vapë, ajri ishte shumë i rëndë. Hapa dritaren dhe nxora kokën jashtë. Era m’i ledhatoi pak tëmthat, me duar po fshija djersët që më kullonin çurg.
U tremba për ndonjë efekt anësor të atij vakti të dhunshëm. Me këto mendime në kokë doja të liroja britmat që më pengoheshin në fyt.
Çudi, në vend t’më këputeshin gjunjët, kërceva vrik nga dritarja e hapur. Kam lënë nam me gjithë atë të hedhur, rashë pa ndjenja në mes të tryezës së një salloni të madh.
Kam mendimin tim si prej të vdekuri që nuk kam parë shkëlqim mê të fortë se të asaj tryeze. Lis, mështekne a rrobull, nuk e di çfarë druri mund të jetë, por ajo ishte lyer me një llakë shkëlqyese që pasqyronte shumë qartë kokat e stërmëdha të ngrënësve të mi.
Dëgjoja një zë të ëmbël që urdhëronte t’i shërbehej verë gjak e kuqe. Kërcisnin pirunët e thikat mbi mua lehtë, me elegancë, me ca belbëzime të durueshme dhe melodioze.
Isha i shijshëm, nuk mbaronte së bëri koment zonja rrezellitëse për recetën që kishte përdorur kuzhinieri saj me nam.
– Unë kam vendosur të mos hamë përditë, duhet të hamë vetëm një herë në javë ,- po thoshte i zoti i tryezës duke u përtypur me kujdes e duke pirë me gërqe verën e kuqe.
-Jam shumë i kënaqur nga mikpritja juaj Zoti B, – tha burri shtatmadh në të djathtën e tij.
– Mbas kësaj dreke patjetër do të merremi vesh, madje, mendoj që të shërbejmë më shumë mëngjese.
Salloni vezullonte nga fashat e bardha, të verdha e të kaltra të dritës që hynte nga veranda e madhe në të majtë të vilës. Tryeza shkëlqente nga eleganca. Kockat i mblodhën në pako shërbetorët për qentë e gjahut (shërbetorët nuk gjuajnë), më pas u servirën ëmbëlsira me fruta pylli, kryesisht boronica dhe dredhëza.
Ngrihen në këmbë me shijen time në gojë dhe trokasin gotat me verën e kuqe, ndjesë, me verën gjak të kuqe.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.