G J Ë M B I  I M A R I A S ( Paramnezi )

0
628

SOTIR ATHANASI

Martini ndjehu lehjet e qenit të cilat ia forconin tejet parandjenjën e  keqe. Ai vuri syrin në frëngji dhe vështrimin e ndali te ajo lulja gjëmbaçe të cilën e thërriste si pak’kush: Gjëmbi I Marias dhe jo Guri i gomarit, siç edhe njihej në krahinë. Patër Nikolla, tek po dilte nga kungimi dhe e bënin së bashku atë shteg për në shtëpinë e tij, i kishte shpeguar, se: Shën Maria në rrugën drejt Egjiptit, ndaloi për t’i dhënë gji Jesuit foshnjë. Ajo u ul pranë një lule të madhe gjëmbaçe, si kjo që është këtu. Një pikë qumësht i ra nga gjiri dhe njomi një gjethe të saj. Nga ai çast, ajo bimë mori bekim dhe u emërtua: Gjëmbi i Marias. Dhe fshati kishte të tilla me bollëk e thuajse në çdo prag shtëpie. Ishte ky një ogur I mirë apo jo; madje kjo s’varej as se si e. . . , thërrisnin lulen: Gjëmbi I Marias, apo, Guri i gomarit.

Martini, që kur kishte rënë në gjak, i dukej se, pranë asaj lule do të ishte edhe çasti i tij i mbramë. Dhe madje kështu e dëshironte. Por,  ndërsa parandjenja te fatkeqësia e çoi, mbërrijti edhe krisma e një pushke bashkë me mjaullimën e Alertit, qenit të shtëpisë që po jepte shpirt si vigjilent e paralajmërues i tragjedisë që pritej të ndodhte.Martini nuk e kishte menduar kurrë në këtë mënyrë fundin e Alertit. Këtë emër ia kishte vendosur qenit një turist angles me të shoqen, gjashtë vjet më parë. Atëhere qeni ishte ende këlysh dhe ishte sjellë si dhuratë për të sapolindurin e djalit  të vetëm, Pëllumbit që I kishte falë Martinit Zoti, Prandaj Martini u trondit. Se qe njëlloj si t’i kishin qëlluar të birin. Një zjarr I brëndshëm ndezi gjithë qënien e tij dhe ai rëmbeu nga gozhda kallashin për të zbritut në hajat.

E shoqja, Prenga, sapo kishte rrrgulluar kafshën lehonë që lindi atë mëngjes, ndërsa i biri pesëvjeçar, Pëllumbi, po luante me kriçin e vogël. Gruaja i doli përpara të shoqit:

–  Mos, Martin! – i tha. – Vërtet që nata s’ka rå ende mirë, por edhe ashtu, mjafton për me të gabue. Nuk e dallon dot hasmin e mund të qëllosh mbi ndonjë bari që kthehet me tufën nga mali.

Martini vërtet ishte në gjak, por ai besonte si çdo malsor, se me langoin kishin punë vetëm hajnat e jo gjakësit. Kaq mjaftoi që atë t’a vinte përfund sedra e të zotit të Kullës dhe s’mund t’a linte pa ndëshkuar keqbërësin.

Si pa rrotull për të birin dhe syri nuk ia kapi e thirri atë dhe përpara se të dalë, përqafoi të shoqen me njërën dorë dhe tjetrën, instiktivisht, ia vendosi pas shpine, ashtu siç ishte me gjithë kallash. Si bestyt, kujtoi diçka orëligu, tejet ogurzezë e të vrullëshme. U pendua për veprimin, aq sa i therri në shpirt nga dhimbja. Sytë i shkrepëtinë dhe i tha:

– Mos dil, sidoqë të vijë puna me mue, moj burrnesha ime.

Dhe u hodh te porta. Aty kishte zënë pritë i biri me të qara:

– Mos dil babë, mos dil, të lutem. Unë ende nuk e di mirë atë që po shtrëngon në dorën tande të djathtë.

Martini e mbështeti armën në portë dhe si e rroku të birin e ngrijti përpara duarve. E puthi dhe I tha:

– Mos paç nevojë, bir! Se mundesh. Ti je krahu im i djathtë.

Sapo u hodh përjashta, vetëm pas disa sekondash, brënda Kullës erdhi tingulli i mbytur i pushkës. Ajo rrapëllimë, uturimë a djalli me brirë që çpon në mish, pas së cilës vjen klithma e mbytur e dhimbjes që e sjellin dhëmbët e shtrënguara për t’i mënjanuar klithmën e një shpirti që del përfundimisht nga trupi në fluturimin e tij drejt qiellit.

Për djalin dhimbja erdhi si t’i kishin shkulur krahun e djathtë nga trupi. Po për gruan e Martinit, Prengën?

Prengën pas kësaj, s’e mbante vëndi. Në krye nisën të bien ca zile të pakuptimta të cilat u zhndërruan më pas në dhjetra kambana kishe. U mat të dilte, por përpara u përplas me djalin dhe të qarat e tij. Si dhe me lutjen përmes lotësh:

– Mos nånë, mos të lutna!

E ëma I hodhi të birit një vështrim ku përziheshin në një: dashuria mëmësore me ndjenjën e detyrës ndaj burrit dhe vendosi të flasi drejt për drejt me të:

– Båbën tánd e kanë vra. Ia ndjeva shtrëngimin e dhámbëve për me frenue dhimbën. E unë e kam për detyrë me i qenë pranë: e gjallë apo e dekun.

– Po unë, nánë?

– Ti I duhesh Kullës për me i dalë Zot. A nuk të tha baba se je krahu I djathtë I tij?

E puthi djalin dhe doli.po me atë vrull e po me atë vendosmëri. E mbase me një siguri që ia lejonte Kanuni se edhe ajo, si bashkëshorti i saj, kishte bindjen, se:

Burrat e malsisë, nuk shtijne kurrë mbi gratë!

Por, o Zot i Madh!

KIshte gabuar, jo pak, por plotësisht. Se kishte vënë bast me jetën e saj mbi ndërgjegjen e vrarë të disa malsorëve. Gabim qe i pariparueshëm e gjëmëmadh.

Burrnesha Prengë donte edhe gjysëm hapi të mbrinte te Gjëmbi i  Marias, kur, përpara se të ndjenin veshët krismën e pushkës, trupi I saj ndjeu plumbin që i sëmboi  kraharorin. Ajo vuri dorën mbi ‘të, si për të ndalur dhimbjen dhe kur e pa se iu skuq e zuri gjaku. Pa turbull të shoqin e shtrirë. Kujtoi djalin. dhe nuk qëndroi dot më në këmbë. Sytë e saj ngrininë te vështrimi i përfytyruar i të birit me emërin Pëllumb Përkolaj. Ky,  ashtu si një burrë I njëmendtë, kishte zënë vend në majë të Kullës me shpatë në dorë, që kërcënonte bashkëkohësit e Lekë Dukagjinit. Pas kësaj, u këput e ra.

Ai, ose Ata që shtinin, udhëhiqeshin nga hakmarrja barbare dhe s’njihnin Kanun. Për ‘ta, vlente vetëm balanca. E kjo tashmë ishte dy me dy në të dy pragjet, tashmë.

Djali vetëm gjashtë vjeç në fillim ngriu. Pastaj kujtoi fjalët e të atit:

– Mos paç nevojë bir. Se mundesh. Dhe . . .Ti je krahu im i djathtë.

Veshi menjëherë dorezat e leshta që i mbante në rripin e pantallonave. Kujtoi që  gishti mbi hekurin e ftohtë, mund t’i dridhej dhe zbriti poshtë në ahur. Veshgjatin e vogël e thërriste me përkëdhelje Visk. Ky I doli përpara me kërcime. Por Pëllumbin tani e priste një detyrë tejet e vështirë:

Ajo e burrit. E kjo s’qe e lehtë. Aspak!

Ajo e çunakut  mbeti te Visku i vogël.

Prandaj shkoi te dalja e fshehtë që, për maskim,  lidhej me kasollen e qenit. E hapi atë me shumë kujdes dhe sapo la koliben edhe pse ishte trupvogël, u shtri barkas dhe mbërrijti te lulja Gjëmbi I Marias. Dora e gjakosur e së ëmës ishte e shtrirë mbi gjethen e fundit të kësaj luleje. Ai donte t’a puthte atë dorë e t’a mbulonte me lotët që po I zbrisnin faqeve, siç puthte në kishë ikonën e Shën Marisë, por përbri dalloi trupin e të atit brinjazi me dorën mbi shkëmbin prej druri në cep, ku ulej dhe grinte duhanin. Dhe kallashi ishte përbri. Djali e rrëmbeu me vrull atë  Urrejtja për vrasësit duhet të ishte mekanizmi magjik që e trimëroi. Ai vendosi kryet pak nën dorën e të atit si të donte të merrte edhe bekimin e tij, ashtu siç aq ëmbël ia kishte shpeguar kur kishte bërë qitje me ‘të. Por, a ishte gati arma? A e kishte fishekun në gojë? Jo se nuk dinte t’a mbushte atë. Por se ai e kujtonte porositë e të atit: suksesin e siguron befasia. Dhe kjo kishte ardhur. Dhjetë metra përpara tij, ishin të dy kriminelët dhe ata vinin drejt prindërve të tij për t’u siguruar se kishin vdekur. Prandaj duheshin ndëshkuar. Nuk ishte mirë të afroheshin më. Kallashin po e shtrëngonte fort  në gropën e gjoksit të djathtë dhe si ndaloI edhe frymëmarrjen, lëvizi këmbëzën.

Arma me breshëri zbrazi gjysmën e krëhërit me fyshekë.

Djali e hoqi gishtin nga arma. Vrasësit u shtrinë përmbys pa mundur dot të lëshojnë zë.

Djali e vuri armën pranë nënës së tij, fluturoi i gëzuar për t’u kthyer andej nga erdhi. Mbylli me kujdes portën e fshehtë dhe u ngjit lart. U shtri përmbys mbi divan dhe shpërtheu në të qara derisa iu sos fuqia dhe do  t’a zgjuante nga dremitja që e kaplloi lodhja, kambana e kishës. Patër Nikolla, i binte asaj me formën e njohur nga I gjithë fshati kur thërritet në Kushtrim. Jehona e kambanore kësaj here vinte si një protestë, a ulërimë ndaj një krimi të katërfishtë për të cilin, fajësonte Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Një vit më vonë, arsimtarja Manushaqe ishte ngarkuar nga komuna për t’i dhënë mësim jetimit Pëllumb. Ai jetonte tanimë, me gjyshen e vet. Dhe sa herë që do të vinte mësuesja,  atë do t’a gjente poshtë në haur tek luante me të vetmin shok të tij, viskun e veshëgjatit. Sa i përket mësimeve dhe detyrave, ai ishte tepër i rregullt dhe shfaqte prirje zgjuarsie. Për mësuesen si edukatore, ky mënjanim nga gjithçka e gjallë në këtë botë, përbënte një shqetësim të dhimbshëm.

Në fillimin e vjeshtës së tretë, ndryshe nga çdo herë, mësuesja e gjeti Pëllumbin pranë librave duke mësuar kapitujt e muajve të ardhshme, ndonëse ishte tepër I mërzitur. Trishtimi I tij, i ngjante atyre të  muajve të para kur humbi të dy prindërit e tij, ndonëse kishin kaluar tani dy vjet dhe ai kishte mbushur tetë vjeç.

– Të shoh të trishtuar, Pëllumb. A mund t’a di shkakun?, – e kishte pyetur mësuesja.

– Po, zonjushe. Gjyshja për me përballuar jetën, më shiti vitin e kaluar, gomarin. Kurse sot, shiti edhe Viskun e tij. E unë mbeta fare pa shok. Dje ishte dita e lindjes së tij dhe unë i urova dy vjetorin. Në mbrëmje erdhi dikush e i solli ilaçet gjyshes dhe paret e Viskut.

Djali tha kështu dhe u përlot. . . .

Pas një viti, tamam ditën e lindjes, Visku erdhi te Kulla. Pas tij ishte edhe blerësi I cili trokiti në derë dhe thërriste emrin e jetimit Pëllumb Përkolaj. Ky e pa nga frëngjia dhe zbriti me vrap poshtë. Hapi portën metalike dhe Visku bashkë me blerësin hynë brënda si miqt e shtëpisë. Djali e përqafonte Viskun si një shok të vjetër. E gostiti me sheqer dhe tha plot gëzim:

– T’a gëzohesh përvjetorin e dytë të lindjes, shoku dhe miku im, Visk.

I zoti I kafshës I befasuar, shpegoi:

– Sot kjo krijesë pune, nuk e pranoi samarin dhe unë kisha dëgjuar në fshatin tonë për një rast të ngjajshëm dhe vendosa të bëj atë që deshi. Ai përpara dhe unë nga pas, mbërritëm këtu. Dhe do të largohemi kur të jepni urdhër ju z.Pëllumb Përkolaj.

Pas dy orësh,  ata u larguan. Nuk dihet në se vazhdon kjo traditë zoonoze e tejet humane. Se mësuese Manushaqja u transferua në një fshat tjetër. Por, ajo që s’ka ndryshuar ende është gjakmarrja.

SOTIR ATHANASI,  

Athinë, 20, Mars, 2018!

Rired. më: 5, Prill, 2018!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.