Fluturat vdesin në qiell

0

Nga:Gladiola Robus

Fleur de lis – (Zambak)

 Peizazh murrak.

Lauresha hesht.

Bilbili tretet

në melankoli.

Si një bohemë, nuhasja jetën.

Kur ti më quaje – Fleur de lis.

Gjëmojnë liqenet, plot tallaze.

Siç bubullin qielli – ogurzi.

Dyer të drunjta,

veshur me myshk.

Presin të çelen nga Unë a Ti.

Ngjyra e flokëve si obsidian

Tashmë i ngjet një malli gri.

Si një bohemë, nuhasja jetën.

Kur ti më quaje – Fleur de lis.

 

Fluturat vdesin në diell

Diku larg,

në Hiperborean mistike

…fluturat vdesin në diell.

Nata është tretur në ëndrra.

E zbehtë dhe përbuzëse,

errësira fshihet në skutat e shpirtit,

aty – ku flenë historitë me lule dhe zogj,

aty – ku struken fjalët që heshtjen trazojnë.

Tempujt e përhimë ruajnë

lutjet e shenjta.

Zotit i falesh, zhytur në gjunjë.

Drita pllakos botën.

Nuk ka më natë.

Yjet kanë humbur.

… fluturat vdesin në diell.

Bulëza vese

fërgëllojnë në bebëzat e tyre.

Në sy u shfaqet një lot i fundmë,

që bie mbi petalet njëngjyrëshe

të violetave emblematike.

Dita nuk i ngjan më vetes.

As natës, jo.

Diku larg,

në Hiperborean mistike,

kruspullohet hëna

dhe brerorja e saj.

Nën agoni psherëtimash,

…fluturat vdesin në diell.

 Tingujt

Tingujt e zbehtë të një flauti

Dëgjohen – përtej liqenit të lotëve.

Një botë tingujsh- e brenda secilit tingull,

Një dhembje e angësht.

Erërat ulërijnë si të marra

Dhe tingujt struken në ëndrra.

Eklips

Ndjesitë –  të tëra i zgjedhoj

sipas motiveve të tua.

Përroi i dashurisë  buçet…

Vërshon mbi ty, mbi mua.

Me lëkurën tënde mbështillem.

Gjithësisht eklipsohem prej saj.

Morfologjia e prekjeve tona,

pranverën rizgjon ngadalë.

Fjalë të ëmbla, të pathëna

çelin mbi buzët plot zjarr.

Bajamet – ngjyrë trëndafil

lulëzojnë në çdo acar.

 Trëndafili i dymbëdhjetë erërave

Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër –

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse,

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit…

Dhe trëndafili i tyre –

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë,

me faqe të shndritshme.

Të çmuara – si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.

 

 

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.