Vllezërit Ndoj,Lanë Greqinë për Shqipërinë

0

Ky është Paulin Ndoj. Ai u kthye nga Greqia 12 vite më parë. Qëllimi i tij ishte i qartë, të investojë në vendin e tij.

Pasi mori njohuri të mjaftueshme për gati dy dekada në vendin fqinj, erdhi t’i praktikojë në Shelqet të Bashkisë Vau Dejës.

Zgjodhi të mbjellë fruta-perime duke nisur nga pjeshkët, zardelitë, fiq apo qershia.

Në një hapësirë prej 20 hektarë aty i gjejmë teksa vjelin pjeshkat, i pastrojnë dhe i sistemojnë për shitje.

Paulini thotë,  se në periudha të caktuara merr punonjës sezonal, por pjesën më të madhe e kryen me familjarët e tij. Janë sëbashku tre vëllezër sëbashku me nuset e tyre dhe fëmijët.

Unë kam mbjellë fillimisht qershia, fiq dhe pjeshkë. Më pas nisa të zgjeroj, mbjella edhe zardelija, arra, lajthia dhe ullinj. Kanë punë shumë.

 Çdo ditë zgjohemi ne orën katër të mëngjesit. Për disa mund të jetë e pabesueshme, por këtu kështu ndodh. Çdo gjë është me faza.

Duhet punuar toka, mbjellë, duhet ujitur vazhdimisht.

Më pas kemi fazën e vjeljes. Tani ne kemi mbaruar me qershitë, këtë vit në fakt nuk ka patur shumë qershia, ato u kalbën që në lule për shkak të breshërit.

Por sërish i themi faleminderit Zotit për çdo gjë që na dhënë“, shprehet ai.

Orët e pasdites Paulini sëbashku me të vëllanë dhe kunatat i gjen duke sistemuar pjeshkët dhe zerdeliat në arka.

Valentina Ndoj, bashkëshortja e Paulin sqaron se kjo punë kërkon kujdes.

Kjo është puna në fakt më e thjeshtë por kërkon kujdes. Ne i zgjedhim frutat, ato të plotat dhe të mirat i rreshtojmë në arka. Të tjerat që mund të jenë të vrara ose me njolla i lëmë për konsumim vetjak. Nuk janë as këto të këqija, por ngaqë nuk duken të mira, kemi vendosur t’i lëmë mënjënanë.

Çdo arkë e peshojmë, nuk duam që t’i hymë në hak askujt, pesha e tyre është 10 ose 15 kilogram. Asnjëherë nuk kemi pas problem sepse i peshojmë dhe tek tregtarët shkon e rregullt”, tregon ajo.

Paulini thotë se këtë vit të vjelat tek pjeshkët dhe fiqt janë të mira.

Çdo vit kultivojmë afërsisht 10 ton pjeshkë. Tregun e kemi prej vitesh të siguruar. Në Tiranë dhe në Shkodër kemi pikat tona që i furnizojmë.

 Kam ardhur me qëllim të qartë, për të ndenjur gjatë në këtë treg, prandaj punoj si për vete. Këtë e dëshmon edhe tregu të cilin nuk e kam vuajtur asnjëherë.

Megjithatë vështirësitë janë të mëdha, ndeshemi me burokraci të ndryshme. Këtë vit pozitiv ishte vetëm përfitimi i një pjese të naftës pa akcizë. Jo e mjaftueshme por gjithsesi mbetet ndihmë për ne, pasi nafta është nevoja kryesore dhe kostoja më e madhe”, thotë ai.

LEXO EDHE:  “Në Shqipëri, aty ku jeta vlen shumë pak”/ Copëza nga udhëtimi për në vendlindje

Vitet e fundit Paulini ka vendosur të sjellë si risi mbjelljen e frut-pasionit.

Ka dëgjuar shumë për të dhe tashmë prej pesë vitesh e ka mbjellë.

Këtë vit pret të marrë nga ajo prodhimin e parë.

Ky ishte fiksimi im. Kam dëgjuar shumë për veçantitë e tij, e kam ndeshur në Greqi ku kam punuar për vite me radhë e thashë do e sjell edhe në tokat e mia.

Mesa di unë jam i vetmi që e mbjell jo vetëm në qarkun e Shkodrës por në të gjithë vendin.

Shpresoj të bëhët dhe të eci me të, eshtë frut që kushton, por sigurisht në bazë të benefiteve që ka ia vlen”, tregon më tej ai.

Fruti i pasionit ndoshta nuk është shumë i njohur në vendin tonë, për shkak se është një prodhim i ardhur nga vendet aziatike.

 Shumë mund ta njohin prej kokteileve të cilat shoqerohen me këtë frut, dhe për hir të së vërtetës janë edhe më të preferuarat.

 Por ky frut i vogël misterioz, ka vlera të paimagjinueshme për shëndetin.

Sipas dietologëve, të gjithë ata të cilët e konsumojnë këtë frut, i bëjnë një nder të madh shëndetit.

Përveç shijes së mirë të saj, ju përfitoni plot vitamina dhe vlera ushqyese.

Foto..frut pasioni

Krahas pemëtarisë vëllezërit Ndoj kanë krijuar edhe fermën e tyre ku mbajnë shpend dhe kafshë të ndryshme.

Shelqeti është nga zonat më të njohura në bujqësinë e shpendëve është bujqësia e pulave.

 Kjo është një mundësi për të marrë produkte të prodhuara në shtëpi me cilësi më të lartë, të cilat gjithashtu mund të shiten duke krijuar një treg shitje.

Në mënyrë që ky biznes të jetë i suksesshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme të zgjidhet raca e pulave për mbarështim, si dhe të zotërohet teknika e mbajtjes së tyre.

Vëllezërit Ndoj kanë zgjedhur pulhinat, janë disa lloj pulash të vogla por që bëjnë shumë vezë.

Gjithashtu në fermën e tyre gjen edhe dhjetra krerë delesh. Ato mbahen për shitje. Të kërkuara kryesisht nga persona që kanë mundësi të mira ekonomike.

Aktualisht janë rreth 100 krerë dele.

Për familjen Ndoj çdo sektor ka rëndësinë e tij, si ai i fruta-perimeve ashtu edhe sektori i shpendëve dhe bagëtive.

Të përkushtuar për t’ja dalë vëllezërit Ndoj janë shembulli më i mirë i punës së ndershme dhe mundësive qe toka e cila në jo pak raste e lënë djerr, mund të sjellë një të ardhme të mirë./CNA.alvll

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.