Vjeshta Çame

0
1561

NAMIK SELMANI

O vjeshtë çame që më bën levend e shkuar levendit
Hipur mbi kalin e bardhë si krykrushk në dasma.
Këtu nuk i kam zili dallgët e larta të detit
Te shpirti i bukur çam jam e do jem si në përralla.

Para vjeshtës çame jam nxënësi më i urtë në troje
Bashkë me zilet shkollore kam brenda vetes dhjetra diej.
Tunden mandilet e blerta e netët më shumë dritëzohen
Kur dëgjojnë gluhën e fjalët e të dashuruarëve që ndizen.

Dua të shtyj stinët drejt vjeshtës së begatë çame
Të ndiej erën e ftonjve dhe gëzimin e pamatë të nuseve.
Të mbush odat e karsellat* e gjysheve me bajame.
Të bëhem Osman Takë me ylberin hedhur supeve.

E bukur e ngrohtë e madhërishmja si simfoni vjeshta çame.
Me fiqtë e thatë që mbushin ballkonet, muret, odat
Me këngën e kosëtarëve që ecin të lumtur pas brazdave
Me ullinjtë që mbushin me vaj fuçitë tiganin dhe kodra.

O vjeshtë çame e mbushur me aromë e shijen e byrekëve
Me qëndismat e duarve të vajzave me gërsheta.
Ca dallandyshe naimjane nisen me trishtim përtej deteve
Duar lëpihen nga bakllavatë që dalin nga furrat e nxehta.

O vjeshtë çame e mbushur me zile e blegërima delesh në livadh.
Me portat e lashta ku nisin këngët e vihen gishat me mjaltë.
Ullinjtë e dafinat mbajnë iso për trimat kapedanë.
Dhe pleqtë shpleksin kujtimet si tespijet në radhë.

Karsella-( dialekt) sepete të vjetra u viheshin në Çamëri rroba dhe bajame ose arra që përdoreshin deri vonë në pranverë

4 prill 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.