Deri para pak vitesh shërbente si vend për kontrabandën e naftës apo edhe për trafikim të lëndëve narkotike drejt Malit të Zi, por vitet e fundit Syri i Sheganit në Malësinë e Madhe është kthyer në një prej pikave më të preferuara për turistët e huaj por edhe vizitorët vendas.Një perlë e natyrës ende e pazbuluar siç duhet Syri i Sheganit është një monument natyror, i cili po merr tashmë vëmendjen e duhur nga vizitorët. Një prej banorëve të asaj zone Gjokë Luli shprehet se interesi për Syrin e Sheganit është rritur ndjeshëm.“Jemi në një vend kulminant siç mund ta quajmë. Këtu është Syri i Sheganit ose Syri i Virit siç e njohim ne banorët dhe ka një thellësi të jashtëzakonshme.Ka gojëdhëna që shkon deri në 100 metër i thellë. Natyra e këtij vendi ka tërhequr shumë vizitorë por edhe njerëz të artit, kulturës, njerëz që e duan jetën dhe që e duan trashëgiminë kulturore. Me aq sa shoh unë po merr përmasa të jashtëzakonshme dhe njerëz që kanë interes për të ardhur dhe për të shijuar këtë vend këtu.Kjo mund të bëjë që në një të ardhme jo shumë të largët, emigrantët që janë larguar të rikthehen në vendin e tyre dhe të investojnë në agro turizëm në këtë zone sepse është e qartë se interesi është në rritje“, shprehet ai.
Pandemia në fillim patjetër që ka patur ndikimin e saj, ndërsa tashmë kjo situatë ka ndryshuar dhe Syri i Sheganit çdo ditë pret vizitorë.“Pandemia normalisht që në fillimet e saj ka ndikuar sepse ra si një bombë dhe njerëzit kishin frikë të dilnin. Por, në këto momente që flasim nuk ka më ndonjë pengesë si shkak i pandemisë dhe lëvizja është e lirë. Nuk jetojnë më me frikën tek pandemia dhe vijnë djemtë e rinj dhe vajzat e reja dhe shijojnë Syrin e Sheganit apo edhe bëjnë xhiro në bregun e liqenit“,” shprehet më tej banori i zonës, Gjokë Luli.
Ajo që kërkojnë banorët e asaj zone buzë liqenit të Shkodrës janë investimet që mungojnë nga ana e Qeverisë shqiptare për t’i dhënë një zhvillim edhe më të madh.“Normalisht që duhet të ketë iniciativa si nga Qeveria, pushteti vendor por edhe nga vetë investitorë të ndryshëm që të vijnë dhe të kontribuojnë.Natyrshëm që detyrën kryesore e ka shteti dhe duhet që t’i hedhin sytë drejt këtij vendi kaq të bukur. Unë i ftoj që një ditë të vijnë dhe të pijnë një kafe të paktën dhe më pas do e kuptojnë se sa me vlerë janë investimet dhe zhvillimi i kësaj zone, sepse ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së banorëve këtu si dhe rrit edhe më shumë vizitorët vendas apo turistët e huaj dhe kështu vetvetiu vjen zhvillimi“, shprehet banori, Luli.
Natyra përreth këtij burimi natyror tek Syri i Sheganit të magjeps duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, me tërësinë e bimëve të njoma.“Syri i Sheganit” është vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme.Ky burim gjendet në afërsi të fshatit Kosan të Bajzës, në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës.Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. “Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës.Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës ndërsa tashmë kanë nisur që ta zhvillojnë gradualisht.
Për Drejtorin e Zonave të Mbrojtura në Shkodër Agim Dardha, Syri i Sheganit po synohet të kthehet në një destinacion natyror larg ndërtimeve dhe për të ruajtur biodiversitetin. Deri më tani ia kanë dalë sepse ndërtimet pranë Syrit të Sheganit janë shumë të pakta.“Ne kemi tri Zona të Mbrojtura dhe kemi mbi 115 monumente natyrore në Qarkun Shkodër.Një prej tyre është edhe Syri i Sheganit i cili është bërë viral në rrjetet sociale për bukurinë natyrore, që ka dhe karakteristikat e veçanta në këtë vend që është pjesë e Zonave të Mbrojtura.Qëllimi jonë nuk është vetëm t’i mbrojmë por edhe t’i promovojmë dhe t’i kthejmë në një destinacion natyror për turizmin që do të thotë se mund të vizitohet nga njerëz të ndrysh por duke ruajtur biodiversitetin dhe duke mos sjellë ndërtime“, shprehet drejtori i Zonave të Mbrojtura në Shkodër Agim Dardha.
Burimi i ujit karstik nga nëntoka, afërsia me liqenin e Shkodrës si dhe mundësitë e ecjes në këmbë janë disa veçori të Syrit të Sheganit që e bëjnë edhe më të pëlqyer.“Syri i Sheganit është i veçantë sepse buron uji karstik nga nëntoka dhe është i bashkëngjitur me liqenin e Shkodrës.Karakteristikë tjetër në ujin e kristaltë që përshkon dhe lidhja e tij me liqenin e Shkodrës jep një bukuri të veçantë.Mënyra dhe rruga për ta vizituar është mjaft e lehtë pasi mund të vihet edhe me makinë deri në afërsi por edhe në këmbë nga qyteti i Koplikut“, shprehet drejtori Dardha.
Syri i Sheganit është një nga monumentet natyrore i kategorisë së tretë që ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve por edhe turistëve gjatë tre viteve të fundit.I gjendur pranë fshatit Bajzë në Malësinë e Madhe, ky monument ka sipërfaqe prej 9765 metër katror.Drejtori i administratës së zonave të mbrojtura në qarkun Shkodër Agim Dardha tregon se ky vend duhej të shfrytëzohej prej kohësh për turizëm.Për drejtorin e ADZM në Shkodër ka akoma monumente natyrore të cilat nuk janë shfrytëzuar sa duhet për turizëm.Ai bën të ditur se po merren të gjitha masat për promovimin e tyre. Syri i Sheganit deri tre vite më parë nuk ka gëzuar interesin që ka tani.Ky monument natyror është promovuar edhe nga ministria e turizmit duke i bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë bukuritë dhe resurset natyrore të vendit.
I zbuluar nga aktivitetet dhe festimet lokale në terren të Vis Albania në vitin 2019 në kuadër të ndihmës së bizneseve lokale të kësaj zone, “Syri” mori famë pas Festës së Peshkut dhe që nga viti 2019 e deri sot, është vizituar dendur nga grupe të shumtë turistësh e të rinjsh, herë me biçikleta, herë si një organizim për piknik e herë për sporte të ndryshme ujore si shëtitjet me varka, peshkim, kajak, SUP (Stand Up Paddle) etj.
Këto zona të mrekullueshme natyrore, përveçse destinacione ditore për aktivitete të llojeve të ndryshme, janë edhe një vend ideal për terapi antistres.Tashmë mund të thuhet pa frikë se qysh nga momenti i parë i zbulimit të këtij vendi, Syri i Sheganit është kthyer në destinacion turistik.Ka ardhur tanimë koha që Syrit të Sheganit t’i kushtohej më tepër vëmendje, për të bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe të zonës përmes nismave për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe eventeve që mund të zhvillohen, në një zonë që ofron një peizazh mbresëlënës e ku njeriu mund të gjejë qetësinë shpirtërore larg zhurmave të qytetit.
Përveç rrugës automobilistike, kjo pikë mund të vizitohet edhe nëpërmjet rrugëve ujore me varka. Syri i Sheganit është një vend tërheqës me bukuri të jashtëzakonshme, me ujin e freskët dhe të kristaltë i cili buron nga thellësia e tokës.Natyra përreth këtij burimi natyror të magjepsë duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, si edhe me tërësinë e bimëve të kësaj zone.Syri i Sheganit është një burim i madh karstik, që del vertikalisht në çarjet tektoniko-karstike dhe lidhet me dy burime të tjera të këtij lloji.
Përveç Syrit të Sheganit aty pranë janë edhe dy hurdhana (pellg me ujë), të cilat të treja formohen nga uji nëntoksorë.Uji i Syrit të Sheganit i cili vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë, del nga një oxhak me thellësi rreth 22 – 28 m.Sipas studiuesve eksplorimet e deritanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi, pasi një shpellë e shëmbur pengon eksplorimin, por mendohet që thellësia e tij është më e madhe.Si pjesë e liqenit të Shkodrës edhe Syri i Sheganit është i pasur me peshq e gjallesa të tjera duke e kthyer edhe këtë zonë në një vend të rëndësishëm të faunës shqiptare.Pozicioni gjeografik, afërsia me shumë atraksione të tjera ia shton veçantinë këtij monumenti natyre, që ndodhet shumë afër më Koplikun, Razmën, apo dhe Reçin këto dy të fundit (pra, Razma dhe Reçi) janë pjesë e Parkut Bashkiak të Shkrelit.Pra një fundjavë në këtë zonë do të ishte një mozaik i bukur natyror, i gërshëtuar me liqen, mal, fushë, kulinari bio tipike e kësaj zone, ajër i pastër për mushkëritë dhe panoramë e bukur për sytë!
Për Syrin e Sheganit ekziston një legjendë ku shumë kohë më përpara, një udhëtar vjen me varkën e tij, natën vonë në këtë zonë dhe kërkon strehim në një nga shtëpitë ku sot ndodhen tre gropat.Mendohet që këtë tre gropat kanë qenë shtëpitë e tre vëllezërve. Dy vëllezërit e parë nuk ia hapën derën, vetëm vëllai i tretë, ku sot është syri i Sheganit e priti atë në shtëpi.Sipas gojëdhënës vëllai i tretë mendohet se e ka pasur emrin Shegan dhe prandaj sot vendi quhet Syri i Sheganit, për shkak të formës që ka dhe se mëparë kjo gropë ka qenë shtëpia e Sheganit.Sipas gojëdhënës, theksohet se udhëtari i mallkoj dy vëllezërit e tjerë, dhe si rezultat i mallkimit shtëpia e tyre u kthye në hurdhë (pellg uji).Ndërkohë Syri i Sheganit është formuar më vonë si gropë, si pasojë e erozionit të tokës. Duke qenë se këto gropa kanë thellësi të madhe këshillohet që të laheni në zonat ku ju rekomandojnë guidat dhe të dini mirë notin.
Uji këtu në krahasim me detin është edhe më i ftohtë si pasojë e burimeve nëntokësore. Si një destinacion i cili ka pak që është zbuluar, i fshehur në natyrë, është ideali për piknik mes miqve apo familjes.Por pakujdesia e vizitorëve bën ndonjëherë që në të harrohen disa mbetje natyrore. Për mirëmbajtjen e mjedisit dhe për ruajtjen e të tilla bukurive dhe atraksione turistike këshillohet mbajtja pastër e mjedisit.