SYRI I KALTËR I THETHIT NJË PERLE E ALPEVE SHQIPTARE QË MAGJEPS NJERËZIT ZEMËRMIRË ME MAGJINË E TIJ

0
522

THETHI NJË THESAR I VËRTET I NATYRËS SË ALPEVE SHQIPTARE.

Pregaditi:Rita Shkurtaj.

Pak ditë më parë iu bashkova një grupi alpinistësh për të vizituar shumë të përfolurin dhe reklamuarin vizualisht Fshatin e Bukur të Thethit. Ishte vizita ime e parë dhe kurjoziteti ishte maksimal për të përftu çdo detaj apo veçori që e etiketojnë këtë fshat si një mister për turistët ambicioz vendas apo të huaj, të cilët sfidojnë çdo vështirsi udhëtimi dhe rendin vazhdimisht pas bukurive magjepse të natyrës.
Kisha dalë edhe herë të tjera në Qafë Thore (apo t’thore) që nënkupton pikjaden e thepisur të atij vendi dhe e dija se rruga ishte e përkryer deri në atë pikë, por s’e dija se punimi i rrugës deri në qendër të Thethit kishte avancuar aq shumë, sa të na mundësonte një udhëtim aq komod dhe të rehatshëm, megjithëse punimet vazhdonin akoma.
Për çudinë time çdo fushëpamje ishte krejt ndryshe nga sa e kisha imagjinuar, si një vend plot vështirësi jetese dhe banesa alpine të distancuara nga njëra – tjetra.
Me të mbërritur në qafën përballë kësaj lugine e deri në leqet e fundit të saj, gjatë gjithë atij segmenti rrugor, të shoqëronin tabela orjentuese për prezencën e bujtinave apo toponime që diktonin vendndolljen e tyre.
Diku në leqet e para më ra në sy një tabelë me mbishkrimin Çarku pranë një rrugice, e cila sipas shoqëruesit të guidës të orjentonte tek Kulla e familjes së rapsodit dhe kantautorit të shquar Nik Carku, malsorit thethjanë që me dhuntinë e zërit dhe talentin e lidhur fort me dy telat e çiftelisë po bën epoke me karrieren e tij, duke lënë gjurmë edhe në etnokulturën shqiptare. Kullë e cila tashmë kishte hapur dyert për turistët si bujtinë, e që menaxhohej nga e talentuara pinjollë e kësaj familje, e mirënjohura si përfaqsuese në prezantimin e vlerave tona kulturore Gjyste Carku Bici.
Një tjetër tabelë për të cilën edhe pyeta ishte ajo që të orjetonte në Okolin e Thethit, një emërtim të cilin e ndeshim gjatë udhtimit në pikën më të lartë të Bogës, ku sipas vendasve ky toponim nënkupton shullanin, apo pikën më të lartë të një teritori.
Në Okolin e Thethit gjindej edhe kulla ku kishte lindur At Ambroz Martini, për të cilin kisha hulumtuar e që kisha kurjozitetin më të madh për ta vizituar, por që nuk arrita ta shoh nga afër pasi rruga në të cilën duhej të hynim ishte bllokuar nga makineritë e firmës ndërtuese, të cilat në atë moment ishin në proces pune.
Mbërritja në qënder na mundësoi një panoramë magjepsese 360° ku ne 3/4 e saj pamja ndalonte mbi malet e larta e të thepisura që binin pingul nga qielli dhe vetem pjesa jugore të mundësonte një pamje horizontale tejet përrallore.
Ishte mëngjes dhe lokalet e bujtinave (të shumta në numër) sapo kishin hapur, gjë që të impononte një afat kohor pritjeje që të shijoje gatimin tradicional të mëngjesit “petullat me mjaltë”, jardunin apo gatimet e tjera të çastit. Pritje e cila të jepte kohën e mjaftueshme për të bërë foto apo shijuar në maksimum atë pejsazh të bukur alpin nën shkëlqimin e rrezeve të para të diellit
E mahnitur nga ajo panorame dhe kurjoziteti për të mësuar sa më shumë nga misteret e këtij vendbanimi të etiketuar dekadat e fundit edhe si pikë turistike me nxiste të pyesja vazhdimisht mbi artefaktet, traditat, gojëdhënat, ku mbresat më të veçanta m’i la Kulla e At.Danjel Gjeçaj me artefaktet e skalitura mbi muret e saj.
Tek shijonim mëngjesin e shkëmbenim biseden e këndshme me të zotin e bujtinës ku qëndruam, më mbeti në mëndje një shprehje shumë më filozofiket se ato që të ofrojnë librat “ZOTI I TË ZOTIT TË SHTËPISË ËSHTË EDHE MË ZOT SE ZOTI I MIKUT” për të cilin përbehen (zënë be) miku dhe i zoti i shtëpisë, çka nënkuptonte pagesën e mëngjesit në favor të mikpritjes dhe respektit të mikut.
Me shijen e mirë të atij mëngjesi u larguam për të vizituar Kishën e Shën Gjonit të Thethit që po rikonstruktohej nga artizanët vendas, të cilët kujdeseshin të ruanin deri në detaje arkitekturen e saj origjinale. Një objekt kulti modest me krehje tipike alpine, por që mbart mbi vete gjurmë të shumta historike dhe ngjarjesh të përmendura në shumë relacione kishtare, të cilat e identifikojnë atë si monument kulture të rëndësisë së parë.
Tek soditnim me sy të lirë atë bukuri të lashtë natyrore, dikush nga grupi hodhi idenë për të vizituar Syrin e Kaltër, pasi ndihej i mahnitur nga fotot që kishte parë në internet, të cilat na i tregoi nga telefoni i tij.
Mjaftoi kaq që guida të marri një kthesë tashmë të planifikuar drejt atij destinacioni ku fillimisht morëm info mbi rrugën, parkimin si dhe porositëm ushqimin nëpërmjet numrit të kontaktit që bujtina aty pranë kishte shpërndarë në internet.
Sipas shpjegimit të vendasve për të shkuar në destinacion kishe dy mundësi rrugëtimi dhe me që ne kishim makinë tip 4×4, falë edhe pakimit të prurjeve hidrografike, si dhe për të shkurtuar rrugë kaluam Lumin e Shalës fare pranë Kullës së Ngujimit, pranë së cilës pamë shumë turistë dhe vizitor, të cilët bënin foto dhe filmonin pejsazhin që u përftohej nga ajo kodër.
Për hirë të vërtetës rruga për në Koprre ku gjindej Syri i Kaltër ishte shumë e dëmtuar nga erozioni, aq sa gërryerjet që kishte pësuar e bënin atë gati të pamundur për makinat e ulta, megjithatë ne e shijuam duke marrë me sy çdo shpat mali mbi të cilat kishin skalitur gjurmët e tyre orteqet e borës dhe shenat apo rrjedhat e ujit gjatë dimrit.
Për sigurinë tonë makinën e parkuam në oborrin e bujtinës së fundit ku mbaronte rruga e makinës, e cila gjindej diku rreth 1 klm larg, e ku pjesën tjetër të udhëtimit duhej ta bënim me këmbë.
Do e quaja një udhëtim modest për një pjesë të grupit që merreshin me aktivitete fizike në përditshmërinë e tyre, por aspak të tillë për ata që u ngjitën për herë të parë e që në jetën e përditshme bënin një jetë sedentare dhe pa shumë lëvizje, megjithatë udhëtimi ishte shumë i këndshëm, pasi gjatë gjithë rrugës takoje turistë nga e gjithë bota, aq sa mund të themi se Syrin e Kaltër në Thethë e përshëndetnin të gjitha gjuhët e botës.
Megjithëse ishte një terren i vështirë ku shumë segmente të asaj rruge të bënin të sfidoje edhe fobitë nga lartësitë, pasi rruga e kalit apo e këmbësorëve, e cila gjurmonte prej shekujsh në atë intinerar malor të impononte të kaloje fare pranë kanjoneve që binin pingul rreth 500 m poshtë këmbëve të tua dhe përsëri kjo gjë nuk i pengonte turistët dhe pushuesit ta bënin shpesh këtë udhëtim, madje as të moshuarit dhe fëmijët.
Sapo i afroheshe destinacionit ndjeje rrymat e freskëta të ajrit të cilat i çlironte uji i rrjedhshëm i borës, gjë që të mbushte me oksigjenin e pasur me biodiversitetin e kësaj natyre të egër alpesh, sa ta ndjeje veten sikur gjindesh në një botë krejt tjetër, sidomos kur para syve të shfaqej Syri i Kaltër i Thethit.
I parë nga afër Syri i Kaltër i Thethit ishte një mrekulli më vete dhe ajo që e bënte edhe më të veçante këtë sy ishte uji i akullt që buronte nga një e çarë shkëmbi. Sipas vendasve kush guxonte të notonte në të, testonte shëndetin e zemrës dhe diagnostikohej me zemër të mirë që nënkuptonte shëndetin e plote të këtij organi jetik. Madje edhe po të hyje qofte edhe vetëm me këmbë në atë ujë, ata e vlersonin si një kurë shumë efikase për qarkullimin e gjakut, si dhe rregullimin e pulsit të zemrës, çka bënte që ky sy të thirrej ndryshe “Doktori i Zemrës”.
Në sofrat e improvizuara mbi bokat e krijuara nga gërryerja e dherave përballë Syrit të Kaltër e nën rrezatimin e ylbertë që përthyhej mbi siperfaqen e ujit magjik, shijuam ushqimin e shijshëm me gatime të zonës.
U larguam duke marrë me vete kënaqësi të pafundme nga ai vend, me dëshirën e mirë për t’u kthyer sërisht.
Udhëtimin në Theth mund ta quaj një nga eksperiencat më sfiduese të kësaj vere, por edhe më të vlefshmit për të kuptuar sa e lidhur është jeta jonë me natyrën.
Gusht 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.