Pjesë e shkëputur nga libri i ri i autorit “ Historia e mentalitetit juridik shqiptar” që pritet të dal nga shtypi

0
92
Fishta, Kanuni, Homeri dhe rrëketë e një burimi të përbashkët
Ndriçim Kulla
Në vitet 30-të homeristët amerikanë A.Lord dhe M.Parry patën idenë befasuese që të bënin një udhëtim në Shqipërinë veriore dhe në Jugun e Jugosllavisë, në rajonin që ishte laboratori i fundit në rruzullin tokësor, ku ende prodhoheshin epe të natyrës homerike. Shumë pyetje lidhur me çështjen homerike ata mendonin t’i zgjidhnin përgjatë këtij shtegtimi, në përkitje të drejtpërdrejtë me rapsodët e kohës, duke i anketuar ata me durm për të zbuluar gjithë të fshehtat e kësaj mjeshtërie të zhdukur tashmë në botë.Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe njerëz në këmbë
Po edhe këtu, mjeshtëria shqiptare arrin të na befasojë. Ajo që për njeriun e jetës patriarkale do të qe një imazh sugjestionues, njerëzve të lindur në shekullin e XXI, nuk u thotë asgjë, në mos i bën të qeshë. Aq më tepër që kësaj qasje të përgjithshme i shtohet edhe një aspekt krejt i veçantë i letërsisë popullore shqiptare, ai i mentalitetit karakteristik të vetë asaj shoqërie të vjetër shqiptare, një aspekt ky që ndeshet rrallë në literaturat antike e aq më shumë në poezinë antike, e që e bën aq të largët këtë botë nga një lexues i zakonshëm, qoftë edhe i mbrujtur nga pikëpamja letrare. Ja, pse Lazër Shantoja, në të famshen letër dërguar Fishtës (1932) thekson se “ një që nuk është shqiptar a që nuk e ndjen veten të tillë, e që nuk është rritë e s’ka jetue me kët popull, ai mundohet kot: nuk ju kupton. Për të ju jeni i papërkthyeshëm; Se me përkthye shkrimet tuaja, duhet me shkrue bri tyne të tanë historinë, të tanë psikologjinë e popullit të maleve tona”.E kjo është një e vërtetë gati e pamohueshme.
At Gjergj Fishta – e sot ka ardhur koha të flitet qartë – pavarësisht nga një lloj afetarizmi i kryeveprës së tij “Lahuta e Malcis”, ka qenë midis misionarëve më të lartë katolikë që shërbyen asokohe në Shqipëri. Të githë sot e dimë se metoda e vërtetë misionare qëndron në pranimin dhe vlerësimin e virtyteve etnike dhe vlerave kulturore të kombeve, dhunti këto natyrore të zotit, të shënjuara për t’u shndëruar në hire e hijeshi të veçanta në kontekstin e kishës universale. Diçka e tillë është njohur gjithmonë nga ana e kishës, edhe pse jo gjithmonë i është qëndruar tundimit të importimeve kulturore. E kjo sepse ky fakt nuk ia vlen vetëm të dihet. Lipset një ndjeshmëri e veçantë ndaj këtyre vlerave. E ndonjëherë, për vlera të caktuara, një ndjeshmëri të tillë e zotërojnë vetëm poetët dhe artistët, madje akoma dhe më mirë se shenjtët. Është mëse e sigurtë që çfarëdolloj qëndrimi, që çfarëdolloj shprehje e heronjve të mëdhenj e të vegjël të poemës së Fishtës, mund të shërbejë si tekst i traditës filozofike, sociale, juridike dhe politike të popullit shqiptar, në po të njëjtin nivel me çfarëdolloj dokumenti zyrtar apo me studimin më të mirë shkencor; Ndoshta dhe akoma më mirë, sepse prej himnizimit fishtjan mund të nxirret hermeneutika më e mirë e dokumentave, bashkë me mbresëlënien estetiko- morale që u jep jetë dhe jehonë këtyre traditave.
“Besoj se asgja tjetër nuk mundet ta diftojë ma mirë lidhjen e veçantë me të cilin Islamizmi dhe Kristianizmi arrijnë, si pa kuptuar, në shpirtin e bashkësisë shqiptare, madje dhe në fushën e letërsisë që reflekton veprimet dhe ndjenjat ma të thella. E kjo pasi Islamizmi dhe Kristianizmi në asnji vend tjetër nuk jetojnë krah për krah si në Shqipni, letërsia e së cilës i shtrin për të bashkue shpirtnat dhe format e besimit të lindjes e perëndimit”. Ja kështu do të shprehej Koliqi në një kritikë të tij të famshme; porse ne do të donim ta argumentonim akoma dhe më thellë këtë pohim të tij duke analizuar atë që ai e quan “Biblën” e traditave shqiptare, pasqyrën e shkëlqyeshme dhe besnike të zakoneve, veshjeve dhe frymëzimeve të shpirtit shqiptar: “Lahutën” e At Gjergj Fishtës. Gjejmë në të gjithë përbërësit shpirtërorë antikë dhe të rinj, ankthet dhe shpresat, paragjykimet dhe supersticionet, instiktet e mira dhe të këqija të shqiptarëve, të paraqitura qartësisht përmes mijëra personazheve që endin poemën. Tek të gjithë tingëllon zëri misterioz dhe i papërsëritshëm i racës, aq sa të na lërë të mëdyshur midis dy pohimeve: gjithë kjo mjeshtëri e poetit është nje dhuratë e fuqishme e natyrës dhe një virtyt instiktiv i tij apo përgjegjshmëria e lartë e një personaliteti, që arrin ta përjetësojë denjësisht racën e vet, duke e ngritur në një piedestal të pavdekshëm.
Le ta dokumentojmë këtë tezë me episode të “Lahutës”. Le ta nisim me nderin, që për shqiptarët do të thotë shqiptari. Ajo që spikat më fortësisht në këtë kënd të vështrimit tonë mbi poemën është fakti se Islamizmi dhe Kristianizmi gjejnë nji platformë të tërë mirëkuptimi në vargjet e françeskanit At Gjergj Fishta. Poezija e tij e bukur dhe e thellë i ndihmoi shqiptarët të krijojnë nji atdhe, fillimisht në zemrat e tyre, për të kaluar pastaj edhe në veprim. Pranë personazhit të Marash Uçit, një katolik që mishëron mençurinë shqiptare të përpunuar nga pasurija e çmueshme e përvojës shumë të hershme të racës, ai krijon figurën e myslimanit Oso Kuka, nji hero nga natyra, i cili ka dashuri të veçantë për atdheun dhe ndjenjën e vëllazërimit, të ndriçuar nga koncepti i nderit individual dhe kolektiv. Fjalët e Kupe Danit: “Nderi asht nji trashëgim i përditshëm dhe i njëjtë si tek myslimanët edhe tek të krishterët” tingëllojnë si motiv dominues në gjithë poemën e Fishtës.Mund të jetë një imazh i 16 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Tani le të ilustrojmë konceptin e besës. Në episodin e famshëm të Marash Uçit i cili lajmëron Bajraktarin dhe kryetarët e fiseve të malësorëve për t’i njoftuar lajmin e kobshëm të Kongresit të Berlinit (1878), që ka vendosur t’i japë Malit të Zi Hotin dhe Grudën. Bajraktari, Çun Mula, i thërret kryetarët në një mbledhje natën, në kishën gjysëm të rrënuar e shumë të vjetër, ku sipas thënjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit, duhet të bëhen mbledhjet me rëndësi madhore për krahinën.
Skena e mbledhjes është një nga ma prekëset e të gjithë poemës. Kryetarët, që hyjnë një nga një, nuk e dinë rrezikun e afërt që u kanoset nga pushtimi malazez, të vendosur nga fuqitë europiane, megjithëse ua ndjen zemra kobin e asaj mbledhje të pazakontë, që në terr të natës duhet të kishte si shkak diçka të madhe për të diskutuar. Në fakt Marash Uçi nuk është kryetari i tyre, ai është veçse një burrë i shquar ndër beteja, që i pat shërbyer Sulltanit në Azi dhe Afrikë, duke shkuar vullnetar në ushtrinë otomane. Merr pjesë në këtë kuvend pa të drejtë vote. Së fundi, Marash Uçi u jep lajmin fatal. Kryetarët, të shqetësuar marrin fjalën e thonë: Të gjallë, kurrë nuk kena me iu nënshtrue fatit të skllavnisë. Çun Mula, Bajraktari, ishte mysliman, ndërsa kryelartët e tjerë dhe i gjithë klani i Hotit, katolikë. Ja, si mbyllet ky kuvend historik:
T’rrahim benë si t’na api feja,
Kush e theftë atë e vraftë beja,
Pra, duke bërë betimin mbi Kuran a mbi kryqin e Krishtit, malësorët e Hotit, ashtu siç është shkruar me gërma të arta dhe me gjak historia e Shqipërisë, më 1880 zunë pozicione në hyrje të luginave të tyre, duke i shkaktuar ushtrisë malazeze humbje të rënda. Kongresi i Berlinit, duhej ta ndreqte përsëri traktatin e bëmë gati. “Europa budallaçkë nuk u kujtue se ekzistonte nji popull shqiptar, i bashkuem dhe i vendosun për të mbrojtun me çdo kusht të drejtat e veta”, do të shkruante vite më pas Koliqi. U bë nji mrekulli e nëse mrekullia ndodh, merita i takon shpirtit të gjërë e tolerant të popullit shqiptar dhe të drejtuesve të tij të ndritur politikë të kohës, por edhe poetëve e letrarve, që, duke dalë mbi besimet fetare, dijtën të bëjnë të triumfojë miti i bashkësisë së gjakut dhe të gjuhës amtare, ndërmjet gjithë shqiptarëve.
Megjithatë, një kulm të paaritshëm poetik dhe konceptual në përshkrimin e kësaj vlere të nivelit parësor në mentalitetrion juridik shqiptar, Fishta e arrin në një tjetër episod. I gatuar me kulturën perëndimore, edhe pse i mban përherë parasysh kriteret morale rigoroze të besimit që ndjek, kur gjendet përballë disa lloj pozicionesh instinktive të shqiptarit që rrjedhin prej tabanit fillimor pagan për të cilin ai dallohet shpesh, ngurron të japë gjykime, të ndërhyjë haptas e t’i dënojë ashtu siç duhej të bënte përkah bindjes së tij të thellë dhe edukatës së tij të fortë katolike. Në poemë, janë të shumta rastet në të cilat karakteri i shqiptari shkapetet me reagime të gjalla të natyrës së pastër pagane, ndërkohë që poeti nuk nxitohet të ndëshkojë dhunën e ashpër primitive që kundërshton parimet e tij kristiane e njerëzore. Por kemi një kangë (Kanga X: Mehmet Ali Pasha), në të cilën ai mbetet në mëdyshje: shqipton një dënim, po, kundër konceptit të tepruar individualist të nderit, aq të dëmshëm ndaj çështjes së përbashkët, kurse në këngën tjetër, nuk ia kursen lavdet atij që vulos me gjak kultin e traditave të moçme të nderit e mikpritjes.
Kanga X rrëfen e shtjellon një ngjarje të veçantë të Rilindjes Shqiptare. Shqiptarët, të shkundur nga letargjia shekullore, u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit dhe vendosën ta kundërshtojnë me armë zbatimin e reformave të padrejta të Kongresit të Berlinit. Fillimisht Turqia e ndihmoi nën dorë veprimtarinë e Lidhjes, por, kur dalloi te shqiptarët ringjalljen e pandalshme të vetëdijes së harruar kombëtare u tremb. U afrua me fuqitë europiane për t’i detyruar shqiptarët të zbatonin vendimet e marra në Berlin dhe ndërkohë ftoi në Prizren Marshallin Mehmet Ali Pasha, i cili ishte komandat i armatës së Danubit gjatë luftës ruso-turke. Sulltani i dha si shok udhëtimi një ndihmës në vetin dhe i premtoi postin e Ministrit të Luftës, nëse misioni do të kurorëzohej me sukses.
Pashai turk, me të arritë në Prizren, mendoi se do t’i frikësonte shqiptarët me fjalime të fryra e kërcënuese. Fyerjeve të të dërguarit të Stambollit, shqiptarët nuk iu përgjigjën me fjalë; përgjigjjen Mareshalli e mori me lajmin e vrasjes së telegrafistit grek që ai kishte marrë me vete për të komunikuar frëngjisht me Stambollin, me qëllim që të mos kuptohej nga qeveritarët shqiptarë tek të cilët ai nuk besonte.
Më 31 gusht 1878, Marshalli u drejtua për të hetuar gjendjen në Gjakovë, një vend shumë pranë zonave të rebeluara. Meqënëse në qytet nuk ekzistonte ndonjë rezistencë e rregullt qeveritare apo ndonjë bujtinë përsëmbari, shkoi mik bashkë me shoqëruesit e vet, në sarajet e Abdullah Pashë Drenit, njëri prej të njohurve të tij të vjetër, i cili edhe pse ishte njëri prej krerëve më të rëndësishëm të Lidhjes, e priti mik në shtëpinë e vet me të gjitha nderet e zakoneve shqiptare.
Duhet të kihet parasysh se më 1878, Kanuni mbretëronte me fuqi të plota në Gjakovë, një zonë kjo e cila që në shek XV bënte pjesë në principatën e Dukagjinëve. Si drejtues i lartë i Lidhjes, Dreni ngulmonte në mendimin se duhet t’i kundërviheshin me të tëra forcat cungimit të tokave shqiptare që lakmoheshin nga sllavët e mbi të gjitha ngulmonte në idenë se Stambolli meritonte një mësim të mirë.Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mbasi ua shprehu mendimet e tij kryetarëve të tjerë të Lidhjes, si një shqiptar i vërtetë e pa asnjë ngurrim u përgatit për të dëshmuar traditat e nderit të fisit të vet: mbyll në shtëpi me miqtë e tij besnikë që kishin vendosur ta ndanin fatin me të. Në sarajin e tij të madh me obore të gjëra, rrethuar me katër mure të lartë e me nga nji kullë në çdo qosh, në praninë e qindra njerëzve të besuar e të një bataljoni ushtarësh, Abdullah Dreni priti rrjedhën e ngjarjeve.
Një dërgatë e përfaqësuesve të popullit u paraqit për t’i kërkuar dorëzimin e Marshallit turk që tashmë turma e quante “Tradhtari”.
Dreni kundërshton në mënyrë të prerë. Përgjigja që ai jep, ruhet në kangët popullore të asaj kohe.
Ja si kumbon ajo ndër vargjet e Fishtës:
Këtë zanatë s’ma ka lanë baba,
me i pëvetë miqtë un se shka janë:
se shka janë e shka nuk janë:
se kah vijnë e se kah shkojnë:
shka punojnë e sa rrugojnë.
Veç, po, i punë baba m’ka mësue;
miqtë për t’gjallë unë mos me i lëshue.
Ndërsa populli i zemëruar priste përreth sarajit përfundimin e dialogut mes Abdullah Drenit e përfaqësueve të tij, para portës kalon një mirditor, një fare Hoshi i Nurit, i njohur për guxim, paraardhësi i të cilit kish qenë sundimtar në krahinën e tij malore. Hoshi ishte kumbar i Hasan Agë Batushës, mik i ngushtë i Abdullah Drenit.
– Ku po shkon, o Kumbar? – e pyeti Hasan Aga, që ndodhej te porta me njerëzit e tij për të penguar vërshimin e turmës.
– M’ka thirrë famulltari t’i ruaj kishën në këto ditë rrumujash.
– Po a s’e sheh se jam n’pik t’hallit? Apo ndoshta ke frikë me i ndejtë Kumbarit tand n’ktë çast rreziku?
Malësori nuk iu përgjigj, por shkoi në kishë, i porositi malësorët katolikë që e shoqëronin të viheshin n’shërbim të priftit, u rrëfye, mandej lypi leje të largohej në drejtim të Pallatit ku bashkë me njerëzit e Abdullah Drenit ishte ngujuar edhe kumbara e tij musliman Hasan Agë Batusha. Qenë të kota edhe lutjet e priftit për t’mos rrezikuar jetën në një çështje që s’i përkiste. Përgjigjja e Hoshit të Nurit ishte:
– Nëse s’do të pranoja t’i rrija afër në ditën e zezë të rrezikut, do t’i bëja bisht detyrave të mija prej kumbare.
Ndërkohë që Fishta vendos në gojë të Hoshit të Nurit këtë përgjigje krenare:
Se, manta, hoxhë effendi
Mue këtu begu s’më ka pru,
me pritë peng, me da Kanu…
mbasi as doke s’po isht’n’ Shqipni,
me lypë mikun me pleqni,
por me pushkë, barut të zi
Mehmet Ali Pasha, i dërguari i Portës së Lartë, që nuk ishte aspak burracak, duke e pikasur rrezikun që i kanosej të Zotit të shtëpisë e miqve të shumtë që ai kishte vënë në gadishmëri për të mbrojtur nderin, pa iu dhimbë jeta, vendosi të dalë i vetëm jashtë sarajit e t’i nënshtrohej vullnetit të turmës. Abdullah Pasha iu lut që të mos vepronte në mënyrë të pamatur:Mund të jetë një imazh i 2 persona
– Tashmë ti përfaqëson nderin e ne të gjithëve: për sa të jemi ne gjallë, nuk do t’i lejojmë askujt ta prekë qoftë edhe një fije floku: as edhe ty vetë!
I zemëruar, populli u hodh në sulm mbi shtëpinë e Drenit e mbas tre ditë e tre netë lufte të tërbuar, shoi çdo qëndresë. Konsulli austro-hungarez i asaj kohe në Prizren, Jelinck, në një raport dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, flet për 400 të vdekur e 700 të plagosur.
Në fund, duket se tek Fishta mbizotëron morali katolik dhe ndjeshmëria e njeriut të qytetëruar si dhe atdhetari iluminist, që nuk mundet të pranojë flijimin e interesave kolektive për të shpëtuar nderin e një njeriu, kushdoqoftë ai. Fishta, që nëpërmjet veprës së vet letrare synon njëherësh edhe vlerat edukative, qorton gjestin fisnik, por vdekjeprurës të Abdullah Drenit e krenarinë heroike, por vetvrasëse të Hoshit të Nurit, por nuk çlirohet plotësisht nga ndjenja e admirimit:
Sa për Pashën, drejtë po u thom,
Kurrnji grime un dert s’po kam;
s’po kam dert as s’m’ vejn e vështirë:
ti’n kenë dy, dhe fort ma mirë;
Veç un kjaj Abdullah Drenin,
Shaqir Currin, Ram Rrustemin,
Edhe kjaj Oshin e Nuros,
qi për mik e shkrinë vetin,
si zanat qi e ka Shqipnia.
Vlersimi pozitiv nënkuptohet. Poeti sigurisht mendonte se shpesh, heroizmin që kurorëzon shejtësinë e zakoneve të veçanta etnike, nuk duhet ta trajtojmë si rënie të energjisë, por si provën e fermentimit të instinkteve bujare në gjakun shqiptar. Lipset të edukoheshin ato forca pjellore instinktive dhe të mishëroheshin për një qëllim më të kthjellët në dobi të lartësimit shpirtëror të racës.
Në mentalitetin juridik shqiptar sentimenti i lirisë dhe i barazisë ishte jashtëzakonisht i fortë e rruhej në mënyrë fortësisht xheloze. Pikërisht për këtë gjë, e për të pasur garanci solide e konstante, në kushtetutën e komuniteteve lokale, gjithçka rregullohej nga një ligj i pashkruar, por jo për këtë arsye më pak i ndjerë dhe i respektuar nga banorët. Nuk ekzistonin zotërinj, po kështu as dhe autoritete të vërteta ekzekutive dhe gjyqësore; njerëzit më ndikues ishin ata që çmoheshin më shumë për vlerat dhe aftësitë e tyre, për elokuencën dhe mençurinë e përdorur në bindjen e asamblesë popullore, gjë kjo aspak e lehtë, nisur nga prirja e përgjithshme e malësorëve shqiptarë ndaj reflektimit, arsyetimit,logjikës së deduktuar nga parimet themelore të së drejtës së tyre dhe ndaj vendimeve të ekuilibruara. Nga ana tjetër, duhet saktësuar se po i njëjti sentiment i lirisë dhe i barazisë, ishte forcuar e rrënjosur edhe nga një sens i lartë i solidaritetit në brendësi të komuniteteve, e shoqëruar kjo nga një ndërgjegjje e lartë juridiko-morale, për të cilën, një studiues i shquar dhe ekspert i kësaj fushe si Ernesto Cozzi, shkruan se shqiptari normalisht vepron jo me dashje a me mashtrim, por në sajë të ndërgjegjjes, duke nënkuptuar këtu ndërgjegjjen juridiko-sociale. Një njeri modern i një vendi tjetër mund të jetë ndoshta njëlloj ose më i ndjeshëm se një shqiptar për njërin apo tjetrin nga këto dëshmi e parime, po jo i dallueshëm nga ai për proporcionin dhe ekuilibrin midis tyre; Kësisoj, ai mund të mos i gjykojë dot lehtësisht sipas konceptit të tij disa sjellje të caktuara instinktive të njeriut shqiptar, të cilat vetëm një studim i gjatë mund t’i zbulojë jo vetëm si të arsyeshme, por dhe të mençura për një shoqëri të konstituuar nga një botë tipike si ajo e shqiptarit.
Ja, pse nuk ka dyshim se një shoqëri e tillë, patriarkale veç në brendi të familjes, por e mangët nga çfarëdolloj forme paternalizmi në cilëndo prej formave më të gjëra të komunitetit, të mbështetet pikërisht tek vetja dhe virtytet e saj, në luftën kundra njerëzve dhe elementëve të huaj, e tek ajo ndjeshmëri e veçantë ndaj sentimentit të nderit, më e domosdoshme se buka për të jetuar në një situatë të tillë, apo nëse do ta thoshim sipas Koliqit “ tek ajo lutja e fshehur e çdo shqiptari të sinqertë, i cili çdo mëngjes i falet të Gjithfuqishmit t’ia ruajë të papërlyer fytyrën nga turpi, lloji i vetëm i ndërgjegjjes së cilës ai i frikësohet”. Ja, kështu nis të formohet, shpjegon Valentini, ajo që mund ta quajmë konceptimi heroik i jetës, i mbrujtur nga kurajoja, vlerësimi, qëndresa, ndershmëria, bashkë me tërë ato virtyte që janë vijueshmëria e tyre konkrete, si mençuria, fisnikëria e sjelljes, bujaria, mikëpritja dhe dekori naiv. Ja, e gjitha kjo gjallon parreshtur, e jo veçse rrallë e rastësisht, në të gjithë poemën e Fishtës: më shumë si një shpirt, se sa si një shkakësi a ligjësi. U përpoqa aq shumë, rrëfen Valentini – duke e njohur vlerën e madhe dëshmuese që ka Lahuta në pohimin e së drejtës shqiptare – të zbuloja elementë të përpiktë në përshkrimin e institucioneve juridike tradicionale shqiptare; por s’arrita dot kurrë të nxirrja prej saj më shumë se sa një vënie në veprim e shprehje, konstante dhe spontane, të atyre që mund t’i quajmë parime të përgjithshme të së drejtës shqiptare: vëllazëria, barazia, liria, nderi, besnikëria, solidariteti, të gjitha këto të para si një bazë e pashmangshme dhe gjithë-ndikuese në çfarëdolloj veprimi dhe sentimenti tjetër. Edhe qëndrimet apo mënyrat e të sjellurit a të vepruarit, të çuditshme në shikim të parë, të heronjve të Fishtës, kur nëpërmjet një studimi arrin t’i bashkëngjitësh me ndonjërin prej këtyre parimeve, arrijnë më në fund të shfaqen, jo vetëm të besueshëm, por edhe ekzaltues në rolin e provave konkrete të konceptimit dhe jetës heroike

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.