NË VËMENDJE: 106 VJETORI I VRASJES TË HEROIT TË POPULLIT ISA BOLETINI.

0
310

NGA  NDUE  BACAJ

Me 23 janar 1916 ,vritet pabesisht në Podgoricë , mbi Urën e Moraçës bashkë me shtatë trima  të  tij Isa Boletini. Vritet trimi i kosoves , kreshniku i shqiptarisë dhe armiku i sllavisë. Nga kujtimet  e  deshmitarit  të vetëm të  shpëtuar gjallë, (Tafil Boletinit, nipit të   Isës), vrasja e Isës me shokët e tij të shqiptarisë do të ndodhte ato ditë kur Mali i Zi ishte pushtuar nga perandoria Austro-Hungareze, ndaj kasneci lajmëronte: pushtet ma  s’ka , gjithkush  nëpër shpija. Ushtria austriake ka hi në qytet. Xhandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Pjetri -Llazareviç me dy batalione xhandarë. Ky kriminel i njohur sllav  me këta xhandarë që quheshin “krillash” (me krahë), ka pasë  tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë…. Këtë xhelat populli shqiptar i atyne trojeve e njehë  me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare… Në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë urdhëron : Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë  s’ia  kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhjetçes.  E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isë, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bombën që ia pat marrë Niko Xhandarit…Në ketë betejë  të pabesë u vra Isa Boletini dhe shtatë shqiptar nacionalist të tjer :

  1. Isa Boletini
  2. Halil Isa Boletini  (djali i Ises)
  3. Seit Isa Boletini  ( djali  i Ises )
  4. Jonuz Boletini (nipi i Ises)
  5. Halil Boletini (nipi i  Ises)
  6. Hajdar Selim Radisheva
  7. Idris Bislimi
  8. Misin Nimani

(Sipas kujtimeve të  deshmitarit  të vetem të  shpëtuar gjallë, Tafil Boletinit, nipit të   Isës. Kujtime të cilat i  përgatiti për botim prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003). Është interesant se në vitin 1958, Milovan Gjilasi (komunist malazez) boton  në New York librin me kujtime, me titull: “Land Without Justice” (Tokë pa drejtësi). Në kë libër ai thotë se Isa Boletini është vrarë nga Nikolla Gjilas, (babai i Milovan Gjilasit), ndërsa Nikollën, vrasësin e Isa Boletinit e kanë vrarë në vitin 1943 “fashistet” shqiptare…

PAK NGA JETËSHKRIMI I HEROIT TË POPULLIT ISA BOLETINI

Isa Boletini kishte lindur me 15 janar 1864 dhe megjithse nuk ka pasur moshen të jenë as  pjesmarres dhe as protagonist i kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), ai  shquhet si luftetar trim që në moshen 17 vjeç (1881) , në radhet e ushtrisë të organizuar nga Lidhja e Prizrenit. Trimëria e heroizmi i Ises tregohet në dhjetra beteja në mbrojtje të trojeve shqiptare kundër fqinjeve serb e malazez që me bekimin e Europes plakë kerkonin të grabisnin sa më shumë troje shqiptare ,shpesh të lena hali nga pushtuesi shekullor turko-osman. Perandoria pushtuese turke-osmane duke  njohur trimerinë dhe aftesinë e luftetarit  trim Isa Boletini me 1902 i beson  detyren e komandantit të “Rojeve shqiptare” të Sulltan Abdul Hamid II (1876-1909) në Stamboll. (Kjo detyrë që sot mund të krahasohet me atë të komandantit të gardës që ruan drejtuesit më të lartë të shtetit N.B.)… Isa Boletini qëndroi në këtë detyrë deri në nëntor të vitit 1908, kur ai i dhá përkrahjen Revolucionit xhonturk. (Robert Elsie, Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.126-127, sh.b. Uegen 2011). Isa Boletini ishte edhe një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajve (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Kur xhonturqit nuk i mbajten premtimet Isa Boletini iu kundërvu politikës antishqiptare të xhonturqëve. Pas kesaj Isa Boletini do të ishte luftëtari trim më  i shquar i Kosoves e më gjërë për çeshtjen kombëtare shqiptare. Vlen të cilësohet se në nëntor 1908, kur Xhavid Pasha dërgoi një ushtri me 7000 ushtarë drejt Shqipërisë për të nënshtruar Kosoven, Isa Boletini me një grusht burrash i bëri qëndresë të fortë. Në tërheqje e sipër, trupat turke dogjën kullen e familjes së tij në shenjë hakmarrjeje. Më 1909 udhëhoqi betejat në Prishtinë, Prizrën e gjetkë dhe luajti rol të rëndësishëm kryengritjen e përgjithshme (të Kosovës) në pranverë 1910, kur për dy ditë bllokoi përparimin e forcave turke në Cerelavë, midis Ferizajt dhe Prizrenit. Gjatë luftës  Ballkanike më 1912, u vu në krye të çetave të armatosura në Kosovë dhe më pas në Shqipëri. (Robert Elsie, po aty, fq.127). Isa Boletini udhehoqi  mijera luftatar trima në mbrojtje të trojeve shqiptare si kundër perandorisë turke dhe kundër lakmive të shoveneve fqinjë. Isa Boletini ishte një nga atdhetarët më të shquar per trimeri dhe urti. Ai ishte edhe një mik i madh i kryetrimit të Malesisë e shqiptarisë Dedë  Gjon Luli , me të cilin bashkepunoi edhe në kryengritjen antiosmane të vitit 1911. Isa Boletini diten e shpalljes së  Pavaresisë të Shqiperisë (28 nentorit 1912) , megjithë luften titanike të tij dhe trimave të tij per të arritur kete ditë , ai per aresye të pengesave që dihen nuk ka arritur të vijnë në Vlorë, por ka mberritur një ditë më vonë (me 29 nentor 1912).. Gjithsesi ai sapo mberriti në Vloren e shpalljes së Pavaresisë mori detyren e shenjtë të organizimit të forcave të armatosura  per mbrojtjen e Qeverisë së Perkohshme të Vlores.. Isa Boletini edhe pas shpalljes së pavarësisë ishte protagonist i shumë betejave në frontin e luftes dhe diplomacisë ku mbroheshin interesat e Shqiperisë së pavarur.. Proverbiale ka mbetur ajo e Londres 1913 kur  Baca Isë , shkonte me delegacionin shqiptar në Londer të takonte Eduard Grejin, (ministër i Jashtëm i asaj asokohe i Britanisë), dhe  roja i kërkoi Ises  me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isa u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamatë osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Ndersa  Isa i është përgjigjur: Jo besa, as në Londër ! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur.. (Edwin Jacques, SHQIPTARËT,Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditën e sotme, fq.377, botim nga fondacioni Abraham Linkoln, Tiranë 1995). Për veprimtarinë e tij atdhetare, kur në pushtet erdhen komunistët e vlersuan “disi” Isa Boletinin, ndonse  më shumë për reklamë, pasi  në nëntor 1943 në Shkodër njësiti guerril (komunist) i qytetit i drejtuar nga Vasil Shanto… i kishte vra djalin, Adem Boletinin. (Kujto.al). “Interesant” mbetet pergjigja e Enver Hoxhës kur ia raportuan shoket e tij se e kishin vra “gabimisht” djalin e Isa Boletinit, kur ai do t’u thoshte: “Epo, më mirë që u vra kështu tani se na ishte dashur ta vrasim më vonë, pasi edhe ai si babai i tij, Isa , do të na kërkonte që Kosova të mos mbetej nën vëllezrit tanë komunist të Serbisë e Jugosllavisë moter…

“HISTORI  RRUGËTIMI  I  ISA BOLETINIT PAS VRASJES”!:

“Rrugëtimi” i trupit apo eshtrave të Isa Boletinit pas vrasjes, nga shkjetë serbo-malazez në priten e pabesë ka pasur një kalvar jo të zakonshën deri në vitin 2015..  Pas vrasjes, trupi i tij u varros në Potgoricë.Varrin me trupin (eshtrat) e Isa Boletinit i ruajtën trojet  Iliro-Shqiptare (edhe pse nën shkja)  deri në vitin 1989 , kur këta eshtra u derguan provizorsiht në Prizren. Nga Prizreni eshtrat e Isës të futura në një arkë e të mbeshtjellura me një thes  u derguan në Mitrovicë , ku u “varrosen” fshehurazi në oborrin e xhamisë.. Në vitin 2004 qeveria e Kosoves mori një vendim që eshtrat e Isa Boletinit të varroseshin në vendlindjen e tij ,te kulla Boletin ,në kodren e Sokolicës , në Mitrovicen e Veriut …Vitet kaluan dhe ky varrim nuk u bë , ndersa  qeveria e Kosoves kishte  kumtuar (perseri pas dhjetë vitesh) se me 28 nentor 2014 do të behej varrimi i eshtrave të Isa Boletinit , por perseri asgjë  dhe eshtrat mbeten në oborrin e xhamisë… Ndersa shteti Shqiptar në vitin 1974  në varrezat e dëshmorëve të “Bajram Currit” në mes varreve të ketij rrethi nderton edhe një varr (bosh) me emrin e Isa Boletinit, si dhe më vonë  në Shkodër do të  ndertonte shtatoren “gjigande”e cila  qendron hjishëm edhe sot).. Varrimi cermonial  i eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje (Mitrovicën e Veriut) u bë  vetem me 10 qershor të vitit 2015.  Në këtë vëmendje nuk po mundem të lê pa kujtuar se në kohen që diskutohej për varrimin e eshtrave , aty ku u varros (në Mitrovicën e Veriut më 2015), kryeministri jonë Edvin Kristaq Rama, miku për kokë i ministrit të (dis)informacionit të Millosheviçit serbomadhit Aleksandër Vuçiç (president i Serbisë), kërkonte me ngulm që eshtrat e Isa Boletinit të Varroseshin vetëm në Vlorë pranë atyre të Ismail Qemalit. Këtë kërkesë e “lidhte”  me kontributin e Isa Boletinit në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912. Në atë kohë unë isha nga ata shqiptarë që me shkrimet e mia publicistike modeste e kundështova, pasi Isa Boletini sikur ka qenë përsëgjalli luftëtar trim e piramidë e gjallë e trojeve etnike të Kosovës e Shqipërisë, varri i tij në Mitrovicën e Veriut duhet të ishte piramidë e perjetshme në roje të këtyre trojeve etnike dardane-shqiptare, përballë shovenëve serb… Kerkesen e kryeministrit Edi Rama e kundershtuan edhe shumë intelektual, familjarë të Isës,  penda të shquara shqiptare, por mbi të gjitha e kundershtoi qeveria e asaj kohe e Kosovës, e cila organizoi cermoninë e varrimit në vendlindjen e Isës , Mitrovicën e Veriut. Në atë kohë nuk më ka shkuar mendja, se kerkesa e Edi Ramës ka qënë një djallëzi (me dashje apo padashje), e gatuar në “guzhinën” serbe të antishqiptarisë. Sot Vuçiçit, mikut për krye të Edi Ramës, me “Ballkanin e Hapur”, nuk i ishte dashur as ky  simbol i pavdekshëm shqiptarie në Mitrovicën e Veriut …

Gjithsesi nga viti 2015 varri i Isa Boletinit  do të qendrojë në përjetësi si “piramidë” e gjallë në mbrojtje  të  trojeve etnike shqiptare , per të cilat  dhe jetën si me lindë Isa Boletini.. Trojet shqiptare nuk kanë mbetur kurr  pa kreshnikë atdhetarie në votër . Një nga këta kreshnikë atdhetarie (ndër më të medhenjtë e gjitha kohrave të historisë sonë) është Isa Boletini , i cili sa ishte gjallë nuk iu a ktheu  kurr shpinën trojeve  shqiptare të Mitrovicës e Kosoves , por edhe pas vdekjes ai ka lënë amanet që kurr  të mos jua kthej shpinen , ndaj “ndertimi” i një varri  madhështor  në vendlindjen e tij , Mitrovicen e Veriut është edhe  mbajtja e ketij amaneti, që  ne shqiptaret kemi thënë e vertetua se amanetin e mbanë edhe toka.

Isa Boletini ndonse u vra fizikish para 106 viteve ,vepra e tij atdhetare  nuk mund të vritet as për mijëra vite, deri sa të  ketë shqiptari mbi  planetin tokë…

Shqipëri, Malësi e Madhe me 23 janar 2022.

                                                                         

 

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.