Nderi shkon në vëndin e tij/Kulla ku është bërë histori ….

0
  May be a black-and-white image of one or more people     Të dashur miq! Shoqata “Kullla e Hotit”
Shoqata atdhetare “Kulla e Hotit” u krijua me qëllimin e mirë të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë historike e kulturore të Malësisë. Burrat e burrneshat malësorë e lanë me gjak çdo shkamb të këtij vendi e ne na takon që të mos e lamë kurrë në harresë qëndresën e tyne, këtë pjesë të qenësishme të historisë tonë të përbashkët.
Misioni kryesor i shoqatës asht rikonstruksioni i plotë i Kullës së Çun Mulës, Deli Metës e Mul Delisë, tre Bajraktarëve zëmëdhenj të Malësisë së Madhe, dhe transformimi i saj në një muze, kryesisht historik. Ky muze do të pasqyrojë faktet, heroizmat e kontributin e Malësisë, lidhjet e saj patriotike me Shkodrën dhe krahinat e tjera të Shqipërisë, në mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër okupatorëve turq e grabitqarëve sllavë ndër shekuj. Shumë vendime historike, sidomos në periudhën e Rilindjes kombëtare, janë marrë nga përfaqësuesit e Malësisë së Madhe, të Shkodrës, Mirditës, Dukagjinit, Kosovës, Lezhës, Matit, Dibrës, etj. Personalitetet më të larta të kësaj periudhe të lavdishme të historisë kanë bujtur në këtë Kullë për të diskutuar e vendosur mbi fatet e kombit.
Tri herë u dogj kjo Kullë. Dy herë nga shkjau dhe herën e tretë nga turqit. Nga regjimi komunist u përdor për dyzet vjet për nevojat e kooperativës, duke shërbyer si shkollë.
Sot familja ka vendosur t’i japë Kullës një jetë të dytë. Ta rikonstruktojë këtë objekt historik në mënyrë besnike dhe ta vendosë në dispozicion të komunitetit, në mënyrë që t’i shërbejë kujtesës kolektive si një muze, ku do të dokumentohen realisht të gjitha etapat historike dhe kontributet e secilës krahinë.
Për të realizuar këtë qëllim, në cilësinë e nismëtarit dhe të trashëgimtarit të drejtpërdrejtë, shpall:
Krijimin e një Bordi Drejtues gjithëpërfshirës, i cili vendos për menaxhimin e fondeve të rikonstruksionit të Kullës, deri në përfundimin e punimeve dhe në transformimin e plotë të saj në muze.
Krijimin e një Komisioni historianësh e specialistësh gjithëpërfshirës, për evidentimin e fakteve historike të trevës së Malësisë së Madhe e ma gjanë, sipas kronologjisë ndër shekuj. Ky komision do ketë atribute vendimmarrëse dhe do vendosë për kronologjinë e fakteve dhe për konceptin muzeor.
Hapjen e një fushate sensibilizuese kudo që ka shqiptarë, për mbledhjen e fondeve financiare të domosdoshme për rikonstruksionin e plotë të Kullës dhe për funksionalizimin e saj si muze.
Angazhimin për transparencë të plotë mbi donatorët, me përditshmëri emërore në faqen e Shoqatës, si dhe për faturat e shumave të shpenzuara në çdo etapë të punimeve. Një listë me emrat e atyre që kontribuan me fonde në këtë projekt të rëndësishëm për identitetin tonë historik e kombëtar, do të pasqyrohet në hyrjen e Kullës muze.
Kulla është 240-vjeçare dhe disponon rreth 1000 metra katrorë sipërfaqe të banueshme në tre kate, si dhe 5000 metra katrorë shesh para saj. Projekti 3D nga jashtë i Kullës, mund të konsultohet në faqen e Shoqatës.
Rinovimi përfshin rindërtimin e plotë të rreth një të katërtës së godinës, por do të bëjë të mundur ruajtjen e detajeve dhe të formës arkitekturore fillestare, sipas dëshmive fotografike e të tjera që disponon familja.
Të dashur miq nga Malësia e nga çdo trevë shqiptare, vetëm së bashku, me kontributin e drejtpërdrejtë të secilit prej nesh, do të mund ta kthejmë në realitet këtë projekt kuptimplotë për trashëgiminë tonë kulturore e atdhetare.
Prandaj, lutem shpërndajeni këtë thirrje në rrethin tuaj miqësor e shoqëror, sepse, sa më shpejt të nisë mbledhja e fondeve, aq më shpejt do të mund të realizohet muzeu i shumëpritur.
Me besim në shpirtmadhësinë që karakterizon malësorin e të gjithë shqiptarët,
Me respekt,
Arian Bajraktari

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.