Myfit Q. Bushati: “Tirana e kuqe në një memorie”

0
472

Dokumente dhe fakte

Nga: Qamil Gjyrezi

Vitet e diktaturës 1944-1990 në Shqipëri kanë ndikuar negativisht në të gjitha planet, tek ata individë që kanë qenë të burgosur në burgjet më të tmerrshme të ish-vendeve komuniste.  Pavarësisht se vuajtën izolimin me vite, ish-të burgosurit politik, mbas viteve 90-të trajtuan shumë tema të “Burgjeve Komuniste”. Ata me të vërtetë u trajtuan shumë keq nga ish-sistemi diktatorial, por  nuk humbën dashurinë për qytetin e lindjes Shkodren dhe Shqipërinë. Shumica e tyre vinin nga familje me shumë traditë dhe ishin elita e kohës. Nëse Shqipëria do të kishte një lloj lirie, shumica e tyre do të ishin profesorë, intelektualë dhe do të kontribonin për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri. Myfit Q. Bushati ka shkruar librin “Tirana e kuqe në një memorie”, dokumente dhe fakte. Në këtë libër autori përshkruan jetën e tij, burgosjen në vitin 1946, bashkëvuajtësit e tij, intelektualë nga Shkodra dhe Shqipëria, vuajtjet e popullit shqiptar nën komunizëm, fillimet e demokracisë 1990 dhe për botimet në gazetën “Pishtari” të Shkodrës, që ishte media që ndikoi në fillimet e demokracisë. Autori i librit Z. Myfit Q. Bushati shkruan në hyrje: “Gënjeshtrat dhe mashtrimet që mbolli ai sistem, patjetër që shkatuan mizori dhe lot, që në këtë libër të titulluar: “Tirana e kuqe në një memorie”, jam munduar t’i përshkruaj, natyrisht ato pak ngjarje që vazhdoj të ruaj në memorien time.”  Ai shkruan më poshtë: “Me përmbysjen e sistemit komunist, kur filluam botimin e gazetës sonë të ish të përndjekurve politikë për Shkodrën “Pishtari”, meqë isha zv/kryeredaktor i saj, sëbashku me dy bashkëvuejtës Bep Zorba, Lec Gjeka, menduam të fillonim e të botonim në gazetën tonë, të pasqyronim masakrat e kryera ndaj popullit tonë nga sistemi stalinisto-hoxhist” . Në këtë gazetë të ish-të përndjekurve politikë, u botuan mjaft materiale që tregonin se cfarë kishte ndodhë mbi popullin shqiptar nën diktaturë.  Në këtë gazetë u shkrua shumë për vitet e fundit të sistemit komunist, por edhe për masakrat e viteve të para, si për shembull për kampet e tmerrshme të Vlocistit dhe të Bedenit. Në përshkrimin e ngjarjeve, autori ka pasqyruar emra bashkvuajtësish dhe ka cituar emra që kanë pasë lidhje me episodet e përshkruara në këtë libër.  Në këtë libër autori përshkruan bukuritë natyrore të rralla dhe pasuritë nëntoksore të vendit tonë. Me ardhjen e regjimit komunist, autori shkruan se, koha tregoi se propaganda komuniste me gënjeshtrat e saj, nuk ishte aspak kombëtare por demagogjike dhe mashtruese. Me vendosjen e pushtetit Hoxhist më 1944, nisën masat drastike ndaj popullit të pafajshëm. Patriotizmi u luftue, në mënyrë që të zhdukesh dhe të propagandohej internacionalizmi proletar. Autori vazhdon: “Me një bukuri natyrore të rrallë, me burime nëntoksore e mbitoksore të vlefshme, me një klimë shumë të përshtatshme për bujqësi dhe, për më tepër, për blegtori e pemtari, duke mos i munguar as burimet minerare të pasura me bakër dhe krom, të cilat i japin shumë mundësi zhvillimit ekonomik të vendit”. (M. Bushati).  Shqipëria u shit shteteve sllave, në fillim Jugosllavisë së Titos dhe pastaj Bashkimit Sovjetik të Stalinit. Mbas vitit 1944, operacionet i drejtonte xhelati Mehmet Shehu në Shkodër.  Autori i librit Myfit Q. Bushati ishte filiz i Bushtalinjve të Shkodrës dhe ishte edukuar dhe formuar në gjimnazin e Jezuitëve.  Myfit Q. Bushati shkruan në hyrje të librit: “Përvoja e jetës më ka mësur të vlerësoj të mirat e saj dhe të urrej të këqijat, si dhe të përballoj fatkeqsitë. Që kur se u burgosa me 11 Janar 1946 nga sistemi i diktaturës së proletariatit si dhe u dënova me 10 vite burg, për bindjet dhe veprimtarinë antikomuniste dhe, pasi vuajta gjithë ata peripeci ndër burgjet dhe kampet antinjerëzore, si i ri që ishim, ende pa mbushur 18 vite, me mendjen time i vura detyrë vetes jo për të bërë heroin, por për të gjitha cfarë pashë jetova dhe vuajta, kurdoherë që do të vinte koha e lirisë të mundohesha të shkruaja në pak radhë vetëm për të paraqit të vërtetën e asaj periudhe të vështirë dhe jo njerëzore që kaluan shumë si unë,  në mënyrë që pasardhësit e brezave të tjerë të kenë mundësinë të njohin kalvarin e sistemit të kuq që vuajtën shumë të rinj, intelektualë, qytetarë e fshatarë të ndershëm” (Myfit Q. Bushati)

Formimi perëndimor dhe patrikotik i autorit, ardhja e sistemit komunist 1944.  

Autori shkruan se formimi i tij dhe i shumë bashkëvuajtësve të tij ka qenë perëndimor dhe patriotik. Të rinjtë ishin edukuar dhe mbruajtur me doket dhe zakonet e mira dhe kryesisht me një ndjenjë kombëtare të shëndoshë, me vlera morale dhe shpirtërore, të rrënjosura në popullin tonë me shekuj. Për të mbrojtur këta veti të mira, për fat të keq, rinia u indoktrinua nga doktrina shkombëtarizuese marksiste-leniniste, sidomos ngaqë ishte e shtrirë në shumë prej vendeve sllave, vecanërisht në ish-Jugosllavinë fqinje.

Myfit Bushati për Lëvizjen e Postribës 1946  

Lëvizja e Postribës është ngjarja e parë antikomuniste në ish-Europën lindore.  “Lëvizja e Postribës u bë edhe shkak që do të sillte pasoja të rënda, që pushteti komunist të ligjërojë, për ta quajtur domosdoshmëri të vetën, veshjen e petkut të zi të terrorit të egër, për të aplikue aty mbrapa në Shkodër dhe në të gjithë krahinën e saj” (M.Bushati). “Në përkujtim të martirit Rasim Gjyrezi” ne vitin 1993, ai shkruan: “Një ndër këto ishte edhe patrioti demokrat i lëvizjes tonë demokratike që në vitet 20-të të shekullit njëzetë Rasim Gjyrezi, një figurë e shquar patrioktike e politike e qytetit të Shkodrës, i vendosur të sakrifikojë veten deri në flijim. Ai vazhdon më poshtë: “Ishte viti i tretë, 1946, i diktaturës hoxhiste, populli i Shkodrës me rrethe mendoi se kishte ardhur koha të bëjë punën e tij që të shpëtohesh populli nga mortaja e kuqe. Siç dihet u organizua “Lëvizja e Postribës”, ku edhe Rasimi kishte të caktuara detyrat e tij në këtë lëvizje, që të organizonte pjesëmarrjen në këtë kryengritje, të Zonës së Anës së Malit, ku ndikimi i tij në këtë zonë ishte shumë i ndjeshëm. Këtë detyrë Rasimi e plotësoi më së miri, duke u lidhur me pjesën më të shëndoshë të fshatrave të kësaj krahine dhe arriti të mbajë në gatishmëri një numur forcash të armatosura të gatshme për çastin e volitshëm, siç ishte planifikuar. Kjo gatishmëri e befasoi edhe Rasimin, i cili ishte përgatitur edhe me forcat e tij të vepronte në kohën e duhur. Bashkëkohësit tregojnë, se kur u dëgjuan krismat nga Shkodra, Rasimi i alarmuar, ngjitet në majë të një kodre, ashtu siç ishte i armatosur me disa besnikë të tij, për të parë se çfarë po ndodhte, por i zënë në befasi, nuk kupton sesi të veprojë për t’u inaguruar dhe ai vetë në atë kryengritje që kishte filluar para kohe”.

Temat që trajton autori në këtë libër  

1.Burgu, 2.Bedeni, Një ndër kampet shfarosëse të sistemit komunist në Shqipëri. 3.Kthimi në burgun e Shkodrës. 4.Një nacionalist me vlerë Enver Oso Bushati. 5.Av Myzafer Pipa (1915-1946), Një jurist dhe intelektual i rrallë i vendit tonë.  6.Si e njoha zonjushën Musine Kokalari?.  7. Përtef Krueja, Një fisnik intelektual i rrallë. 8.Martiri i demokracisë At Danjel Dajani, 9.Mehmet Daiu, Një profesor elbasanas i diskriminuar nga diktatura. 10.Gjenarin Topalli. 11. Në përvjetorin e 7-të të vdekjes së Andrea Skanjetit. 12.Marjan Skanjeti. 13.Hafiz Ali Tari Kraja një antikomunsit i vendosur. 14.Vigani 25 vjecar Mark Cuni Martir i demokracisë 1920-1946. 15. Mark Cuni, 16. Qemal Dracini. 17. At Danjel Dajani. 18.Mehmet Daiu . 19.Hafiz Ali Kraja. 20. Zef Staku. 21. Tomë Lec Gjeka. 22.Xhelal Dan Hasani, një  djalosh shkodran i paharruar. 23. Familje shkodrane me traditë që u masakruan nga komunizmi.  24. Një ndër biblbilat e Shkodrës, që diktatura ia ngriu këngën në buzë. ( Kushtuar Gac Sokol Cunit të riut 21 vjecar që u dënua 20 vjet burg nga regjimi komunist).  25. Sheuqet Muka një atdhetar dhe mësues i dalluar.  26. Tre të rinj që vdiqën si me lindë.  27. Me rastin e 56 vjetorit të rënies të martirëve të demokracisë Bardhosh Dani, Mark Caca (Triepshi) e Ibrahim Dërguti.  28. Gjimnazi i shetit në Shkodër ndër vite. 29. Një ngjarje shumë e hidhur e gushtit 1949 në Mirditë. 30. Benard Daberdaku, një rini të tërë burgosje dhe vuajtje.  31. Në përkujtim të oficerit patriot të Malësisë së madhe, Gjelosh Luli. 32. Një nga familjet came e persekutuar nga shovinizmi grek dhe nga komunizmi shqiptar.  33. Qazim Dervishi nderi i sportit shkodran ndër vite. 34. Katër të rinj që iu këput filli i jetës në lulen e rinisë nga regjimi i kuq.  35. Ndoc Jakova një martir i lirisë dhe demokracisë. 36. Përshëndetje popullit të Shkodrës me rastin e 13 Dhjetorit, demostratës së rrëzimit të bustit të diktatorit. 37. Marie Shtjefën Deda një qytetare martire antikomuniste. 38. Zef Zorba një intelektual i paharruar i qytetit tone, 39.Përshëndetje për 90-vjetorin e lindjes së Monsinjor Koliqit. 40. Në lamtumirën e fundit shokut të një ideali Zef Mirdita (Buka). 41. Gjelosh Lulash Bajraktari-bir i familjes së njohur të bajaraktarit të Shoshit të Dukagjinit. 42. Fjala e mbajtur para vorrit të Marian Skanjetit. 43. Pjetër Gjoka-një anëtar i devotshëm i organizatës sonë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, Pak fjalë lamtumire të përjetshme. 44. Përshëndetje e lamtumirës së fundit shokut tim Mërgim Danit, 45. Nexhip Osmani anëtar i denjë i organizatës antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”.46. Paulin Kel Pali i persekutuar politik i diktaturës komuniste. 47. Në memorie të 63 vjetorit të lëvizjes antikomuniste të Postrribës. 48. Kolë Zadrima i martirizuar për lirinë e kombit.  49. Abdyl Hardolli një demokrat i vërtetë. 50. Në përkujtim të maskarave të para të terrorit komunist në Gurë të Zi, Vukatanë e Kuc të Shkodrës fillimi i vitit 1945. 51. Refik Bushati një shok i paharruar në lamtumirën e fundit. 52. Ahmet Kopliku, njeri i besës dhe i guximit. 53. Xhevat Gjyrezi një shqiptar që sakrifikoi dhe punoi për liri. 54. Alfons Radovani (31.10.1931-10.2.1997) dy herë i burgosur politik nga diktatura komuniste, 55. Injac Serreqi, një antikomunist me bindje. 56. Në lamtumirën e fundit të Muhamet Fejzos. 57. Gjenarin Dabërdaku. 58. “Narrativë e jetuar” në hijen e Rozafës, nga Prof. Sami Repishti. 59. Mehmet Shpuza nji ndër ata që diktatura ia nxiu jetën. 60. I paharruari ynë Gjergj Abati. 61. Përshëndëtje të fundit Lulë Nikës, bashkëshortja e Konto Marashit të familjes së Llesh Marashit. 62. Përshëndetje të fundit Lulë Nikës, bashkëshortja e Konto Marashit, të familjes së Llesh Marashit. 63. Përshëndetje me rastin e rivarrimit të Gjekë Selcës dhe të Gjergj Lulës së Vermoshit në Selcë. 64. Përkujtim për bijtë e Shkrelit kreshnik të vrarë nga diktatura komuniste 1946. 65. Trimave të Shalës Kolë Sokolit dhe Mhill Zefit. 66. Rasim Gjyrezi, “Martir i demokracisë””. etj.  Si perfundim, në këtë libër, pasardhësit e brezave të tjerë, kryesisht të rinjtë,  kanë mundësinë të njohin kalvarin e sistemit të kuq që vuajtën shumë të rinj, intelektualë, qytetarë, malësorë e fshatarë të ndershëm të Shkodrës.   Libri “Tirana e kuqe në një memorie”, është një punë me vlera historike, kulturore dhe intelektuale. Libri është shkruar në shqipen standarde, por autori përdor gjithashtu me shumë stil dhe elegancë në këtë punë edhe gegnishten e Shkodrës.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.