ME BARDHYL XHAMËN, “GJITHNJË MË KËMBË!…”

0
400

Si përherë, miku ynë i palodhur ose “kordinatori” i takimeve tona, Sejdo Harka-arsimtar, publicist e studiues- na njoftoi se do të bënim një takim tjetër, për kafe, në lokalin “Galaxy-Bar”, tashmë i njohur dhe që ndodhet në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit. Kënaqësia jonë e veçantë ishte se, kësaj here, aty do të vinte kolegu dhe miku i kahershëm i viteve të punës në gazetën “Mësuesi”, publicisti e shkrimtari i mirënjohur, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”. Po kështu, do ta na nderonte me ardhjen e tij kolegu e miku krijues, Arif Hasko, vëllai i të paharruarit, Skënder Hasko. Reth një tavoline, ku dhe ndihej fresku pranveror, u takuam dhe u përshëndetëm përzemërisht. Për ata, që e njohin kryeqytetin, e marrin me mend, se Bardhylit iu desh pak udhëtim të vinte aty, që nga shtëpia e tij, jo shumë larg ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Kur e pyetëm atë për shëndetin, u përgjigj buzagas, me atë shprehjen e tij të njohur, “pranueshëm…”. Dhe fliste pikërisht ai, që sivjet, në qershor, festoon 86-vjetorin e lindjes, pra një shembull mjaft frymëzues për të gjithë ne. Po kështu, ai tha se ne brezi i tretë, ka rëndësi që të jemi sa më mirë me shëëndet dhe “gjithnjë më këmbë”, me parullën “Qendro e mos u dorëzo!”, para asnjë ankese shëndetësore. 2. Bisedën e këndshme e nisi vetë Bardhyli, duke na venë përpara nga një “shishkë” me raki, shoqëruar me karramele. “Sot kam një gëzim të veçantë,-u shpreha ai,-se vëllai im, Agroni feston ditëlindjen…”. Me këtë rast, të katër e uruam atë dhe ngritëm nga një shëndet, për çdo të mirë në jetën e tij! Ne kishim se çfarë të bisedonim e të flisnim, në këtë takim miqësor edhe për botimet e krijimet tona, si me libra të gjinive të ndryshme dhe me shkrime, në faqet e shtypit e të Internetit. Për shembull, përveç dhjetëra librave tjerë, Bardhyli e ka në vazhdim kolanën, me 10 vëllime për fëmijë, në ShB “Toena”. Në shkëmbim të librave, që më kishte dhuruar më parë, unë i dhashë mikut të nderuar, Arif Hasko, librin tim më të ri, jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018). Siç e ka praktikë të veten, Bardhyli shikoi orën dhe na paralajmëroi, kur biseda jonë po rridhte natyrshëm: “Kemi edhe 10 minuta kohë, që të rrimë këtu dhe pastaj do të ndahemi…”. Po ai nuk harroi të na kujtonte, se ishim të ftuarit e tij, në muajin qershor, kur do ta festonte edhe me kolegë e miq, ditëlindjen e tij. Pasi bëmë disa fotografi të përbashkëta,(disa nga një e pranishme e sjellshme, Eva Shahu), që do t’i kemi kujtim nga ky takim. Por aparatin ne e shkprepëm edhe për portrete të secilit, veçmas. Pastaj, u ndamë përzemërisht, duke përcjellë urimet për në familjet tona dhe duke shprehur gatishmërinë e dëshirën, se do të takohemi përsëri bashkë. Sepse, një gjë e tillë, do të na sjellë kënaqësi të veçantë dhe na e bën jetën më të gjallë, të gëzueshme dhe kështu ndjehemi më të rinj. -Mirupafshim dhe përherë në gëzime, kolegët dhe miqtë e mi: Bardhyl Xhama, Arif Hasko e Sejdo Harka!

Nga: Murat Gecaj

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.