M.Madhe , banorët mbahën me prodhimin e bimëve medicinale

0
387
Malësia e Madhe mban peshën kryesore të prodhimit të bimëve medicinale në vend.

Në territorin e kësaj bashkie janë të mbjella 75% të bimëve medicinale të të gjithë territorit të Shqipërisë. Këto bimë përcakton një pjesë të fatit jo vetëm të banorëve të zonës, por edhe më tej.

Sherebela dhe livando përbëjnë biznesin kryesor në Malësinë e Madhe për fermerët.

Kultivimi dhe rritja e bimëve medicinale kërkon përkushtim për të pasur sukses më vonë dhe garanci në jetëgjatësinë e saj.

Sherebela konsiderohet si një nga bimët më shëruese në botë dhe kategorizohet në një nga ilaçet më të mira.

Kjo bimë rritet në shpate gëlqerore, në kullota, nga zonat e ulëta e deri te ato alpine.

Gjethet e saj përmbajnë vaj esencial 2%, saponine, alkaloide, lëndë rregjëse dhe rrëshirë.

Çaji i përfituar nga sherebela përdoret për pastrimin e gjakut, kundër djersitjes gjatë natës.

Shkenca moderne ka dëshmuar se sherebela ka veprim antibakterial dhe antikërpudhor, freskon dhe forcon, ndihmon kundër dhimbjeve dhe temperaturave të larta, mund të reduktojë nivelin e glukozës në gjak, gjë që e bën të dobishme për diabetin.

Kohët e fundit është dëshmuar qe sherebela përmirëson kujtesën dhe ndikon kundër sëmundjes se alzheimerit.

Praktika ka treguar që në mënyrë të shkëlqyeshme pastron gjakun dhe po ashtu ndihmon mirë tek nxjerrja e sekrecionit nga organizmi.

Në mënyrë pozitive ndikon në qarkullim, kundër gjakderdhjes dhe inflamacioneve.

Livando është një tjetër bimë medicionale e cila kultivohet në zonën e Malësisë së Madhe. Përfitimet nga livando janë të shumta.

Sot, livando është një nga vajrat esencialë më popullor në botë.

Redukton ankthin dhe stresin emocional, mbron ndaj simptomave të diabetit, përmirëson funksionin e trurit, ndihmon në shërimin e djegieve dhe plagëve, përmirëson gjumin, ngadalëson plakjen, lehtëson dhimbjen dhe çliron dhimbjen e kokës.

Por si është ky vit për fermerët që të ardhurat kryesore i sigurojnë nga tregtimi i këtyre bimëve?

CAN.al takoi nga afër femerët e këtyre zonave teksa po korrnin produktet e tyre.

Agim Ramaj prej 3 dekadash merret me kultivimin e sherebelës dhe bimëve të tjera medicinale. Fermeri shprehet se nuk është e lehtë të kultivosh këto bimë. Dimri që kaloi ishte i vështirë e si pasojë ka dëmtuar prodhimet.

Secili vit ka të veçantat e veta, por ky vit ka qënë i vështirë pëe ne. Ishte një dimër i lagësht, me temperatura të larta dhe të gjitha parcelat u kontaminuan nga barishtet. Problemin kryesor e kemi për gjetjen e fuqisë puntore. Janë pesë mijë hektarë dhe të gjitha duhet të priten me draper. Këtë e bëjnë kryesisht gratë e moshës së mesme. Të rinjtë duhen inkurajuar sepse nuk mbështeten”, thotë fermeri Rama.

LEXO EDHE:  REPORTAZH- Mes ajrit të pastër dhe pranë liqenit/ Bashkia Pustec çel sezonin turistik me “Bike Tour” në Prespë
 Agim Rama

Në një parcelë të mbjellë me sherebelë takojmë Hilmi Zekën i cili prej 25 vitesh kultivon këto bimë.

Edhe për Hilmiun është shumë e vështirë gjetja e punëtorëve për të korrur bimët.

Sipas fermerit kjo shkaktohet nga çmimi i ulët dhe mungesa e kontratave me firmat e mëdha që mbledhin këto produkte dhe i eksportojnë jashtë vendit.

Sipas Zekës ndihma nga shteti duhet të jetë më e madhe me anë të subvencioneve.

Unë merrem prej 25 vitesh, që në nisje të demokracise me mbjelljen dhe kultivimin e sherbelës. Ka vështirësi të mëdha dhe do shumë mund. Shteti asnjë vit nuk na ka ndihmuar, vetëm këtë vit na ka ndihmuar me pak subvensione për naftë por sërish është e pamjaftushme.

Unë kam të mbjella pesë hektarë. Prodhimi nuk është i mirë sepse shiu dhe breshëri na ka dëmtuar shumë. Mungon fuqia punëtore, kemi shkuar deri në Lezhë për të gjetur punëtorë. Vitet e fundit kanë emigruar shumë.

Kjo na ka sjellë probleme në kultivimin e bimëve medicionale. Sherebela jonë shkon deri në Amerikë, është e kërkuar por shteti nuk na siguron kontrata të mirëfillta, ndaj ne e japim për disa që e mbledhin vetë.

Nese do të kishte kontrata ne do të kishim mbase më shume fitim, dhe do të kishte më shumë rregulla, por gjithsesi kjo është një bimë e cila gjen treg jashtë gjithmonë. Ka vlera të mëdha kurative”, shprehet fermeri.

Hilmi Zeka

Konstandin Hajkola është drejtues i drejtorisë së teknologjisë bujqësore i cili vë në dukje problemin e fuqisë bujqësore që po dëmton produktin që po thahet në toka.

Këtë vit situata paraqitet e rënduar. Edhe sherebela edhe livando janë mirë, por shqetësim në këtë periudhe që është kohë vjelje është mungesa e fuqisë punëtore. Shpesh herë fermerët nuk kanë mundur që t’i korrin ato duke i lënë që të dalin sytha, gjë e cila ul cilësinë e sherebelës dhe krijon vështirësi në shitje”, thotë zyrtari Hajkola.

Foto Kostandin Hajkola, drejtues i drejtorisë së teknologjisë bujqësore

Të ardhurat nga kultivimi i bimëve medicinale sipas zyrtarëve në Malësinë e Madhe për fermerët pritet që këtë vit t’i kalojnë 10 milion dollarë ndërsa në të gjithë vendin përfshirë dhe eksportet pritet t’i kalojnë 50 milion dollarë.

Fushat e sherebelës dhe livandove janë edhe një bukuri natyrore e jashtëzakonshme dhe shërbejnë për të apasionuarit pas natyrës, fotografive apo edhe çifteve që martohen të cilët i zgjedhin këto fusha si vendin e duhur për t’u fotografuar./CNA.al

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.